Latif Berisha

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Latif Berisha aktivist në lëvizjen gjithë shqiptare të Kosovës, ish kryetar i LDK-së në Mitrovicë, shqiptarë nga Kosova, i vrarë nga Doktrina e shenjt serbe.

Latif Berisha lindi më 18 qershor 1931 në Smrekonicë të Vushtrrisë.

Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa ato të mesme në Vushtrri e Prishtinë.Fillimisht më 1949,punoi mësues në shkollën fillore në Pantinë. Këtu filloi të shkruajë poezi e disa prej tyre edhe t'i botojë në revistën letrare 'Jeta e Re". Më 1951 punoi inspektor në Sekretariatin për Arsim Kulturë dhe Shëndetësi.Në ato vite qe edhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve.

Më 1954, Latif Berisha punoi mësimdhënës i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e ulët të Vushtrrisë, ndërsa më 1955 regjistrohet student i rregullt i Albanologjisë në Fakultetin Filozofik në Beograd. Gjatë kohës së studimeve,më 1957 boti përmbledhjen e poezive"TUFA". Aktiviteti i tij u dallua edhe në formimin e Shoqërisë letrare "Përpjekja" të studentëve shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit. Në qershor të vitit 1959, diplomoi në degën e Albanologjisë dhe pastaj punoi mësimdhënës në Gjimnazin e Mitrovicës "Silvira Tomazini".

Më 1963, Latif Berisha i vazhdoi studimet pasuniversitare , Drejtimi i Letërsisë, në Fakultetin Filologjik të Beogradit dhe punoi temën e magjistraturës "Skëndërbeu në letërsinë e shkruar shqipe".

Më 1965 u zgjodh asistent në Degën e Albanologjisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ndërsa më 1968 u zgjodh ligjërues i Historisë së letërsisë shqipe (Romantizmi).

Që nga viti 1984, punoi në projektin "Skëndërbeu në letërsinë shqipe" të cilin nuk e mbaroi.

Në vitin 1991, si dhe shumë mësimdhënës të tjerë, edhe Latif Berishën,regjimi serb e largoi nga puna.

Gjatë viteve '90, Latif Berisha u angazhua në lëvizjen e intelektualëve dhe të popullit shqiptar për mbrojtjen e çështjes kombëtare.Ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

U angazhua posaçërisht si udhëheqës në sektorin e kulturës.Ka qenë anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Kur lufta për çlirimin e Kosovës mori hov të madh, më 24 mars 1999, në natën e parë të bombardimeve të forcave të Natos mbi caqet serbe, në Mitrovicë, kriminelët serbë e vranë prof.Latif Berishën,në pragun e shtëpisë së tij.

Pas luftës Biblioteka e qytetit në Mitrovicë mori emrin "Latif Berisha".

Kontributi i Latif Berishës në fushën e arsimit,shkencës,kulturës. etj. qe shumë i madh.Vepra e tij poetike e shkencore zë vend të rëndësishëm në letërsinë dhe shkencën shqiptare të filologjisë.

Latif Berisha ka botuar vëllimin me poezi "Tufa"(1957), studimet e vështrimet: Ali Asllani dhe krijimtaria e tij poetike"(1963), Skëndërbeu në poemën "Kënga e sprasme e Balës" (1968), Skëndërbeu në disa krijime të letërsisë shqipe në Jugosllavi (1968), Vepra "Lulet e Verës" dhe disa nga dimensionet e saj kuptimore (1972), Poema "Bagëti e Bujqësi" (vlera ideoartistike) (1972), Hil Mosi dhe krijimtaria e tij poetike (1972), Andria Kaçiq Mioshiq dhe shqiptarët (1974), Një tufëz vjershash autografe të Zef Serembes (1974), Mistifikimi letrar dhe letërsia shqiptare e Rilindjes (1976), Jehona e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në katër poezitë e atyre viteve (1978), Zef de Rada,poet pak i njohur arbëresh (1978),Pikëpamjet e Luigj Gurakuqit mbi poezinë (1978), Në gjurmë krijuese të Jeronim de Radës (1978), Pikëpjekje të Letërsisë së Rilindjes me jetën dhe letërsinë e sllavëve të jugut (1982), Poezia e De Radës në suaza botërore (1984), Gjendje aktuale e kulturës shqiptare në Kosovë dhe kahet e zhvillimit të saj (1995), Vepra letrare "Dora d'Istrias , Shqiptarët (1995) etj.

Latif Berisha është hartues i dy teksteve shkollore. Numri tematik " Jeta e re" , 3/2000 i kushtohet Latif Berishës.

Universiteti i Prishtinës , Fakulteti i Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe, nën përkujdesjen e Isak Shemës, Nuhi Rexhepi e Sali Bashota përgatitën tekstin "Vepra" në të cilën u përmblodhën poezitë, studimet, vështrimet,trajtesat e poetit,studiuesit,profesorit e veprimtarit Latif Berisha.

Në vitin 2004, Presidenti Historik Dr.Ibrahim Rugova,e dekoroi prof. Latif Berishën me Medaljen e Artë të Pavarësisë, për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në 10 vjetorin e vrasjes së prof. Latfi Berishës, më 24 mars 2009, Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu e përmbushi detyrën e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, duke ia ndarë Medaljen e Artë të Pavarësisë, familjes së prof. Latif Berishës,në akademinë përkujtimore që u mbajt në Qendrën e Kulturës "Rexhep Mitrovica", në Mitrovicë.

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]