Lazër Mjeda

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Lazër Mjeda

Lazër Mjeda, klerik patriot, poet (si i vëllai, Ndre Mjeda), themelues i shoqërisë kulturore "Agimi", nëpërmjet së cilës punoi për gjuhën shqipe dhe për hapjen e shkollave të para shqipe, duke ndihmuar ndërkohë edhe për botimin e teksteve mësimore, lindi me 6 mars të vitit 1869, e vdiq më 8 korrik të vitit 1935[1].

Me 6 gusht të vitit 1891 u shugurua meshtar në kapelën e Seminarit Papnor të Shkodrës; shërbeu si famullitar në Plan, Pog e Mëgullë në Pult. Bortoi vjersha që këndohen ende sot nga fshtararët vendas. Me 20 janar të vitit 1901 u shugurua ipeshkëv i Sapës dhe qe ndër ma të rinjtë nga mosha. Si ipeshkëv ndërtoi shumë struktura kishtare si dhe krijoi e ndërtoi shkolla, si: në Dajç, ku mësoi për do kohë vëllai i tij Dom Ndre Mjeda, i cili administronte atë famulli kishtar; pastaj shkollën e Hajmelit të Iballës. Së bashku me të vëllain dom Ndreun krijoi Shoqninë Letrare "Agimi" e cila botoi tekstet shkollore të asaj kohe. Më 1905 qe emëruar si ndihmës i ipeshkvit Imzot Guerinit dhe si i tillë rrethoi me mure e parmakë hekurit oborrin e Katedrales dhe ndërtoi rreshtin e dyqaneve në pjesën jugperëndimore të oborrit, si dhe plotësoi kullën e kishës. Imzot Lazer Mjedja kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës, ka qenë ipeshkëv edhe në dioqezën e Sapës, kryeipeshkëv i dioqezës së Shkupit. Luftëtar i pathyeshëm për të drejtat e fesë, atdhetar i flakët e veprues i panjollë, punëtor i vlefshëm i gjuhës e këshilltar dhe mbrojtës i shndritur, ndihmëtar zemërgjerë i letërsisë kombëtare, themelues e kryetar i shoqnisë letrare “Agimi” dhe i shoqněs botuese Jeronyme[1]. Në Shkup hapi shumë shkolla nëpër fshatra dhe punoi për lulëzimin e fesë e të kulturës në atë krahinë; ngriti struktura kishtare e i pasuroi, si dhe zbukuroi Kishën Katedrale të Prizrenit të Zojës Ndihmëtare. Át Pal Dodaj do shkruajnë në ditarin e vet:

«Imzot Mjeda niset prej Shkodre për Vienë, për t'u operue atje. Asht i shoqënuem nga vëllai i tij D. Ndreu[2]

Në Shkup ndërtoi selinë arqipeshkvnore dhe shtëpinë e Kishës famullitare.Lazër Mjeda, që ishte arqipeshkvi i fundit i Arqipeshkvisë së Shkupit (i emëruar që më 1909), e cila më vonë ishte transformuar në ipeshkvi. Sipas disa dokumenteve që gjenden në Arkivin Ushtarak të Beogradit, në to flitet për imzot Lazër Mjedën se i kishte arritur një letër nga dom Mikel Tarabulluzi nga Stublla, letër kjo që e mban datën 15 janar 1920. Ajo është e shkruar në gjuhën italiane. Nga letra pushteti dyshonte se këta të dy (Mjeda e Tarabulluzi) veprojnë kundër shtetit jugosllav, sepse ata dëshironin që të mos mbyllen shkollat në gjuhën shqipe, që gjendeshin në kuadër të kishave (famullive) nëpër Kosovë dhe në Shkup. Kjo letër zihet nga pushteti i atëhershëm jugosllav. Në bazë të saj, dom Mikel Tarabulluzi burgoset për shkaqe të angazhimit për shkollën në gjuhën shqipe. Megjithatë, siç duket qeveria serbe kishte telashe më të mëdha me arqipeshkvin e Shkupit, imzot Lazër Mjedën, sesa me dom Mikel Tarabulluzin. Mirëpo, pushteti serb ishte i vetëdijshëm se po të ushtronte ndonjë aktivitet ndaj imzot Lazër Mjedës, do të kishte probleme ndërkombëtare, sepse Lazër Mjeda ishte ipeshkëv. Nga prefekti i atëhershëm i Prizrenit (1921) na lejohet të kuptojmë se Lazër Mjeda bënte “atak” mbi popullatën serbe me letrat që ia dërgonte botës mbarë, lindi ideja për kërkesë drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme që “Dom Tarabulluzi të pensionohet në mënyrë që gradualisht të krijohen mundësitë për ta larguar nga arqipeshkvia jo vetëm dom Mikel Tarabulluzin, por edhe arqipeshkvin imzot Lazër Mjedën. Qeveria serbe pretendonte që Selinë ipeshkvore ta shpërngulte nga Prizreni dhe ta vendoste në Shkup. Qarqet e caktuara, me rekomandim të Beogradit, e bënë aktpadinë kundër imzot Lazër Mjedës, të cilin edhe e dënuan, kurse për t’u ikur telasheve, Vatikani e emëroi Mjedën (në vitin 1922) metropol të Arqipeshkvisë së Shkodrës. Largimi i tij nga Arqipeshkvia e Shkupit u bë fshehurazi, për të mos e hetuar e burgosur organet shtetërore. Kështu, ai më 14 shkurt 1922 arrin në Arqipeshkvinë metropolitane në Shkodër. Pas largimit të Mjedës nga Arqipeshkvia, Beogradi krijohet arqipeshkvi, kurse Shkupi bëhet ipeshkvi. Më 1922 erdhi Arqipeshkëv i Shkodrës ku u vu menjëherë në punë për të përmirësuar dhe pasuruar Kishën e shtëpitë famullitare dhe nisi ndërtimin e kishës së Rusit. Stolisi kapelën e Arqipeshkvisë, në formë artistike, nën drejtimin e artistit Kolë Idromeno, i cili me duart e veta goditi Elterin. Themeloi Fletoren e Klerit Katolik dhe Fletoren e së dielës, botoi librin "Rruga e Shelbimit" dhe me 19 mars1923 bekoi kambanat e reja të Kishës Katedrale. Me 4 gusht 1929 shuguroi ipeshkëv Imzot Pjetër Gjurën Arqipeshkëv të Durrësit dhe Imzot Frano Gjinin ipeshkëv Abat të Mirditës në shtator të vitit 1930. Të dielën më 7 korrik kur nëpër Kishat e maleve e të katundeve të Shqipërisë jehonte kënga monotone për nga melodia, por plot dalldi e burrëri për nga shprehja e fjalëve: “Un prej Zotit jam i kështenë”, hartuesi i saj, imzot Lazer Mjedja, metropolit i Shkodrës, kryeipeshkëv i drejtë dhe i parimeve të ngurta, njeri i çmuar dhe i dashur - i kundërshtuar dhe i respektuar, fillonte fazën e mbrame të jetës tokësore, hynte në agoni e të nesërmen më 8 korrik të vitit 1935 në ora 17.20 të, shpirti i tij i bardhë shkëputej ëmbël e fluturonte ndër krahë të Krijuesit të vet. e funerali i imzot Lazër Mjedjes qe ndër ma madhështorët që iu banë arqipeshkvijve katolikë në Shkodër e Shqipëri. Me 1926 pati kremtuar 25- vjetorin e ipeshkvisë[1].

Arqipeshvkia është titull më i lartë kishtar se ipeshkvia. Pas Mjedës, që kishte reziduar në Prizren, ipeshkvi ardhshëm imzot Ivan Gnjidovec, slloven, do të rezidojë në Shkup.[3]

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

[1]

  • Albert Ramaj: LAZËR MJEDA NË ARGJIPESHKVINË SHKUP-PRIZREN MES 1909-1921 (Sipas arkivit Austriak, emërimi tij, laramanizmi, largimi nga Prizreni) (S. 47-172) in: IMZOT LAZËR MJEDA- Mbrojtës dhe lëvrues i identitetit shqiptar, St. Gallen 2011 (ISBN 978-3-9523077-7-9)