Letërsia në diasporë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko


Kur flitet për letërsinë shqiptare, kurrsesi nuk duhet harruar se krahas saj vazhdon të mbijetojë një letërsi e brishtë që lind e rritet me shumë vështirësi në shumë vende të botës ku kanë emigruar dhe vazhdojnë të emigrojnë breza të tërë bashkatdhetarësh tanë. Nuk duhet harruar se edhe ata janë pjesë e gjenit tonë. Nuk duhet harruar se midis tyre ka edhe intelektualë të shquar, talente të vërtetë, krijues të palodhur, pasardhës të denjë të Bardhit, Budit e Bogdanit, De Radës e Serembes, Fishtës, Konicës e Xhaferrit, të cilët përfaqësojnë atë pjesë krijimtarie që quhet letërsia shqiptare në diasporë.

Në këtë kuptim, letërsia bashkëkohore shqiptare duhet parë në një këndvështrim më të gjerë gjeografik, pra, përtej një kornize të ngushtë nacionale. Është koha të flitet dhe të zërë vendin e duhur termi letërsia kombëtare shqiptare.

Pavarësisht nga zhvillimet brenda trungut amë, Shqipërisë, si dhe brenda viseve etnike si: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Çamëri, duhet pranuar se letërsia shqiptare ka njohur dhe po njeh zhvillime dhe në diasporë.

Zhvillimet e letërsisë në diasporë, mund të shikohen gjeografikisht brenda dy vatrave kryesore :

1. Vatra historike e diasporës shqiptare: Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Turqi etj.

2. Vatra të reja të diasporës shqiptare: Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi etj.

Zhvillimet më të rëndësishme të letërsisë shqiptare në diasporë ndodhën në Itali, aty ku vazhdojnë të jetojnë rreth një qind mijë arbëreshë, që flasin shqipen. Në përgjithësi mund të thuhet se një "rilindje" e letërsisë arbëreshe ndodhi diku rreth fundit të viteve '50, kur dhe nisi të botohej revista "Shejzat" nga Ernest KoliqiRomë e më pas revistat "Zgjimi", "Katundi ynë", "Zjarri", "Zëri i Arbëreshëvet", "Lidhja", "Bota shqiptare" etj. Këto organe ndikuan në rritjen e një brezi krijuesish që shkruan në arbërisht. Një pjesë e këtyre tribumave të shtypit arbëresh shërbyen edhe si shtëpi botuese, duke publikuar shumë vepra letrare në të gjitha zhanret.

Përfaqësuesit më të rëndësishëm të diasporës arbëreshe janë :

Françesk Solano (1914), i njohur me pseudonimin Dushko Vetmo, i lindur në Kozencë. Pas një periudhe të gjatë qëndrimi në Argjentinë, Uruguai dhe Kili, ku dhe shugurohet prift, ai u kthye në vendlindje. Solano është poet, prozator, dramaturg dhe publicist. Veprat e tij më të rëndësishme janë: “Burbuqe t'egra”, poezi (1946), “Shkretëtira prej gurit”, dramë(1974), “Tregimet e Lëmit”, etj.

Domenico Bellizzi (1931), prift nga Frasnita, i njohur me pseudonimin Vorea Ujko, është një ndër trashëgimtarët më të denjë të Jeronim De Radës e Zef Serembes. Ai me poezinë e tij arriti nivele të spikatura të ligjërimit poetik, veçanërisht me veprat: “Zgjimet e gjakut”, “Këngë arbëreshe”, “Hapma derën zonja mëmë” etj.

Karmell Kandreva (1931), poet, bartës i identitetit kombëtar me anë të një ligjërimi poetik origjinal si dhe luftëtar i angazhimit social të arbëreshëve në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës origjinale, ka shkruar trilogjinë poetike: “Shpirti i arbërit rron”; “Shpirti i arbërit rron. Arbëreshi tregon”; “Shpirti i arbërit rron. Vuan dega e hershme”.

Zef Skiro Di Maxhio (1944), poet, përkthyes dhe dramaturg i shquar. Ai është angazhuar edhe si drejtor i revistës "Bota shqiptare" dhe është shquar për tonin e tij ironik e shpesh sarkastik,. Di Maxhio ka shkruar rreth dhjetë libra poetikë, ndër të cilat vlen të përmenden: “Nëpër udhat e parrajsit shqipëtarë e t'arbreshë”. “Poemë gjysmëserioze arbëreshe Orëmira”, “Për tokën fisnike të Horës” etj.

Vetëkuptohet që letërsia arbëreshe ka edhe të tjerë shkrimtarë, breza më të rinj dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm jo vetëm në diversitetin kulturor shqiptar, por edhe atë italian.

Një tjetër vatër e rëndësishme historike, ku ka lulëzuar krijimtaria në gjuhën shqip që në fundin e shekullit XIX dhe ku jeta kulturore e elementëve shqiptarë ka qenë e organizuar më së miri, është edhe Rumania. Përfaqësuesi më i rëndësishëm i letrave shqiptare është Viktor Eftimiu (1889 - 1972) , autor i rreth njëqind vëllimeve letrare të shkruara në rumanisht. Mjaft prej veprave dramatike të tij janë ndërtuar mbi bazën e motiveve shqiptare e të fëmijërisë së tij në malet e vendlindjes.

Po aq e rëndësishme sa dhe Rumania në pikëpamje të jetës kulturore shqiptare mbetet edhe Bullgaria, ku janë shfaqur organizime të hershme të komunitetit shqiptar. Një figurë që vlen të merret në konsideratë nga njerëzit e letrave shqipe, është Thoma Kaçori, i cili shkroi në shqip disa romane e vëllime me tregime.

Në vatrat e reja të zhvillimít të letërsisë bashkëkohore shqiptare hyjnë ato vende në të cilat emigruan për motive kryesisht politike një pjesë e shkrimtarëve të talentuar shqiptarë, që duke mos u pajtuar me diktaturën dhe duke ndjerë etjen për liri, realizuan në periudha të ndryshme të regjimit komunist eksodet e sforcuara.

Një nga shkrimtarët e diasporës me peshë më të madhe që jetoi e krijoi në Gjermani, është Martin Camaj (1925 - 1992). Vepra e tij hyn në fondin më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilloi veprimtarinë më të madhe studimore e letrare Arshi Pipa (1920 - 1997), një ndër punëtorët më të mëdhenj të letrave shqipe, intelektual i shquar, poet, përkthyes, studiues e polemist. Më 1944 ai drejtoi revistën "Kritika" dhe po këtë vit botoi librin e parë me poezi “Lundërtarë”. Në SHBA, ku emigroi në vitin 1958, punoi si profesor në disa universitete amerikane deri sa doli në pension. Si dëshmi e asaj që kishte përjetuar në kampet dhe burgjet komuniste ai botoi në Romë vëllimin me poezi “Libri i burgut” (1959) dhe më vonë dhe vepra të tjera. Një ndihmesë të madhe Arshi Pipa ka dhënë edhe në studimet letrare, sociologjike e politike me vepra të dorës së parë, ku operoi me metoda moderne studimi.

Në vatrat e reja të diasporës shqiptare, po krijohet edhe një shtresëzim i vonshëm krijimtarie letrare, që daton pas vitit 1990, kur një dallgë e madhe emigracioni u shkëput nga Shqipëria dhe u derdh rrëmbimthi drejt qytetërimeve perëndimore. Ky shtresëzim që po e mban ndezur zjarrin e letërsisë në diasporë në gjuhën shqipe, përfaqësohet nga një brez më i ri krijuesish emigrantë si Gjekë Marinaj, Dalan Luzaj, Petraq Pali, Rasim Bebo etj., në Amerikë; Artur Spanjolli, Gëzim Hajdari, Shpendi Sollaku, Ornela Vorpsi, Ron Kubati etj., në Itali; Alush Avduli, Kolec Traboini[[1]], Miho Gjini, Mina Çaushi, Nase Jani etj., në Greqi.

Ky brez më i ri poetësh, prozatorësh e publicistësh emigrantë që përfaqësohen me krijimet e tyre në organe shtypi si “Egnatia-Emigranti” [2]“Bota e emigrantit”, “Iliria”, “Tribuna”, “Mëmëdheu”, “Pelegrin”, “Pegasi”, etj. janë një dëshmi e madhe se letërsia në diasporë vazhdon të jetojë e do të jetojë gjatë duke ushqyer e frymëzuar ndjenjat atdhetare kombëtare shqiptare.

Në këto kushte u takon edhe strukturave shtetërore shqiptare që përfaqësojnë organizmat e kulturës sonë të bëjnë më shumë përpjekje që të gjitha këto shtresëzime dhe këta krahë të shkëputur në kohë dhe në hapësirë të letërsisë shqiptare, të lidhen dhe të integrohen për të përcaktuar dhe krijuar një nocion të plotë: letërsi kombëtare në gjuhën shqipe.

Burimi i të dhënave[redakto | redakto tekstin burimor]

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]