Liria e mendimit në Islam

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Liria e mendimit është e shenjtë dhe e mbrojtur me ligje të rregulluara nga vetë Zoti në Islam.

Islami është një fe që siguron dhe garanton liri të ideve, të mendimit dhe të jetës. Ai ka lëshuar urdhëresa për të penguar dhe ndaluar tensionin, konfliktet, shpifjet madje edhe mendimin negativ mes njerëzve. Në të njëjtën mënyrë e me të njëjtën vendosmëri që ai i është kundërvënë terrorizmit dhe të gjitha akteve të dhunës, ia ka ndaluar presionin ideologjik ndaj njerëzve :

"Nuk ka detyrim në fe. Rruga e drejtë dallohet qartë nga e gabuara."[1]
"Prandaj këshilloji ata, sepse ti nuk je tjetër përveçse këshillues. Ti nuk je vënë për të kontrolluar ata." [2]

Pavarësisht nga besimi fetar që mund të ketë dikush, qoftë ai çifut, i krishterë, budist apo hindu, Kurani u bën thirrje myslimanëve që të jenë tolerantë, falës dhe të sillen me drejtësi e në mënyrë njerëzore ndaj tyre.

Detyrimi i njerëzve për të besuar në një fe apo për të pranuar format e saj të besimit, është në kundërshtim të plotë me thelbin dhe shpirtin e Islamit. Sipas Islamit, besimi i vërtetë është i mundur vetëm nëpërmjet vullnetit dhe ndërgjegjes së lirë. Sigurisht që myslimanët mund të këshillojnë dhe nxisin njëri-tjetrin në cilësitë e moralit kuranor. Të gjithë besimtarët janë të obliguar t'u sqarojnë njerëzve këtë moral dhe t'u japin shpjegime në mënyrën më të sjellshme të mundshme. Ata duhet të tregojnë për bukuritë e fesë në dritën e vargut kuranor që thotë: "Fto në rrugën e Zotit tënd me urtësi e fjalë të mira..."[3] Sidoqoftë, ata duhet të mbajnë parasysh edhe vargun: "...ti nuk je përgjegjës për udhëzimin e tyre, por është Zoti ai që udhëzon kë të dëshirojë."[4]

Besimtarët nuk mund të përdorin kurrë dhunën dhe as ndonjë lloj presioni fizik apo psikologjik. Atyre nuk u lejohet as të përdorin epërsinë e mundshme materiale për të detyruar dikë në çështje të fesë. Kur ftesës së tyre në besim i jepet përgjigje negative, myslimanët duhet të përgjigjen në linjat e vargut kuranor që thotë: "Ju keni fenë tuaj, unë kam fenë time."[5]

Në botën ku jetojmë, gjenden shoqëri që karakterizohen nga besime të ndryshme: të krishterë, çifutë, budistë, hindusë etj. Myslimanët që jetojnë në këtë botë, duhet të jenë tolerantë ndaj të gjitha besimeve dhe të sillen me drejtësi e humanizëm. Kjo përgjegjësi, me të cilën janë të ngarkuar besimtarët, vlen edhe për t'i ftuar njerëzit në bukurinë e fesë së Zotit me mjetet e paqes e tolerancës. Vendimi përfundimtar për t'i zbatuar apo jo këto vlera, për të besuar apo jo, qëndron në krahun tjetër. Imponimi ndaj dikujt për të besuar, apo përpjekja për t'i detyruar atij diçka, përbën shkelje të moralit kuranor. Në të vërtetë, Zoti në Kuran na sjell ndër mend sa më poshtë:

"Nëse Zoti yt do të kishte dëshiruar, të gjithë njerëzit në tokë do të kishin besuar. Mos vallë mendon se mund t'i detyrosh njerëzit të besojnë?"[6]
"Ne e dimë më së miri se ç'të thonë ty ata, por ti nuk je shtrëngues për ta. Këshillo me anë të Kuranit këdo që i trembet paralajmërimit Tim!"[7]

Në vitin 1492, çifutët që kundërshtuan të konvertoheshin, u përzunë nga Spanja prej mbretit Ferdinand dhe mbretëreshës Izabela (lart). Çifutët u mirëpritën në Perandorinë Osmane, e cila njihte drejtësinë dhe tolerancën islame.[8]

Një shembull i shoqërisë, në të cilën njerëzit janë të detyruar të besojnë, është tërësisht në kundërshtim me Islamin. Besimi dhe lutjet duhet t'i drejtohen Zotit vetëm përmes vullnetit të lirë të individit. Nëse një sistem u imponon njerëzve besimin dhe adhurimin ndaj Zotit, atëherë njerëzit do të shndërrohen në praktikues të fesë vetëm për shkak të frikës ndaj këtij sistemi. Nga pikëpamja fetare, ajo që është e rëndësishme, është të jetuarit për kënaqësinë e Zotit në një mjedis ku ndërgjegjja e njerëzve është plotësisht e lirë.

Historia e Islamit është plot me praktika tolerante të udhëheqësve myslimanë, të cilët kanë respektuar të gjithë besimet dhe kanë ndërtuar me duart e tyre një liri të admirueshme fetare. Për shembull, Tomas Arnold, një misionar britanik, i ngarkuar me detyra shërbimi në qeverinë indiane, e përshkruan lirinë e nxitur nga Islami me këto fjalë:

"Ndërsa për ndonjë përpjekje të organizuar për të shtrënguar popullsitë jomyslimane që të pranojnë Islamin, apo për ndonjë përndjekje sistematike për shkak të besimit të krishterë, nuk dëgjojmë kurrë të bëhet fjalë. Nëse kalifët do të kishin zgjedhur të vepronin kështu, ata do ta kishin hedhur tej Krishterimin nga tokat e tyre me të njëjtën lehtësi që Ferdinandi dhe Izabela hodhën tej Islamin nga Spanja, apo Luigji XIV penalizoi Protestantizmin në Francë, apo çifutët u mbajtën jashtë Anglisë për 350 vjet. Kishat lindore në Azi ishin tërësisht të shkëputura nga pjesa tjetër e bashkësisë së Krishterimit dhe asnjëra prej tyre nuk mund të ngrinte gishtin në interes të vet, pasi ato konsideroheshin si bashkësi heretike. Në këtë mënyrë, edhe mbijetesa e thjeshtë e këtyre kishave deri në ditët tona, është një provë e fortë e qëndrimit përgjithësisht tolerant të qeverive muhamedane ndaj tyre."[9]

Zoti i urdhëron besimtarët të jenë të dhembshur dhe të mëshirshëm Morali islam përshkruhet në vargjet kuranore në këtë mënyrë:

"E të jesh ndër ata që besojnë dhe ftojnë njëri-tjetrin në qëndrueshmëri e bamirësi."[10]

Siç e shohim në këtë varg, një nga tiparet më të rëndësishme të moralit, i cili do t'i udhëheqë besimtarët në shpëtim në Ditën e Gjykimit, qëndron në të qenit "një ndër ata që ftojnë njëri-tjetrin në bamirësi".

Burimi i vërtetë i bamirësisë është dashuria për Zotin. Kjo dashuri nxit, njëkohësisht edhe dashurinë për atë që Zoti ka krijuar. Kjo dashuri e fortë dhe afria që besimtari ndjen ndaj Zotit që e krijoi atë dhe gjithë njerëzimin, e nxit besimtarin në manifestimin e një morali të kënaqshëm, si ai që është urdhëruar në Kuran. Bamirësia e vërtetë lind kur ai jeton me këtë moral. Ky shembull morali, plot dashuri, mëshirë e shpirt vetëflijimi, përshkruhet në këto vargje:

"Ata ndër ju, që zotërojnë begati e pasuri të mjaftueshme, të mos betohen se nuk do t'u japin të afërmve të tyre dhe të varfërve, si dhe atyre që u shpërngulën për hir të Zotit! Përkundrazi, ata duhet të falin dhe të përkujdesen. A nuk do të dëshironit që Zoti t'ju falte juve? Zoti është Gjithëfalës, i Mëshirshëm."[11]
"Ata që përgatitën vendin (Medinen) e jetonin në besim që më parë, i duan ata që u shpërngulën te ta dhe nuk ndjejnë zili në zemrat e tyre për atë që iu dha të shpërngulurve. Madje ata u japin përparësi atyre, edhe nëse janë në nevojë të madhe."[12]
"... ata që kanë dhënë strehim e ndihmë, janë besimtarët e vërtetë. Atyre do t'u sigurohet falje dhe shpërblim plot bujari."[13]
"Tregohuni të mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmëve, ndaj jetimëve, ndaj të mjerëve, ndaj fqinjëve tuaj të afërm e të largët, ndaj miqve, ndaj udhëtarëve dhe ndaj skllevërve tuaj! Zoti nuk e do atë që është mburracak e mendjemadh." [14]
"Lëmoshat janë për nevojtarët, për të varfrit, për ata që janë ngarkuar me grumbullimin e këtyre lëmoshave, për ata, zemrat e të cilëve duhen fituar, për lirimin e skllevërve, për ata që janë të ngarkuar me borxhe, për shpenzimet në rrugë të Zotit dhe për udhëtarët. Kjo përbën një detyrim nga Zoti. Zoti është i Gjithëditur, i Urtë."[15]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Suretu El Bekare, ajeti 256
  2. ^ Suretu El Gashije, ajetet 21-22
  3. ^ Suretu el-En`amë, ajeti 125]]
  4. ^ Suretu El Bekare, ajeti 272
  5. ^ Suretu El Kafirunë, ajeti 6
  6. ^ Suretu Junus, ajeti 99
  7. ^ Suretu Kaf, ajeti 45
  8. ^ Islami mbron lirinë e mendimit
  9. ^ Prof. Thomas Arnold, The Spread of Islam in the World, A History of Peaceful Preaching,Goodword Books, 2001, fq. 79-80
  10. ^ Suretu El Beled, ajeti 17
  11. ^ Suretu En Nurë, ajeti 22
  12. ^ Suretu El Hashr, ajeti 9
  13. ^ Suretu El Enfalë, ajeti 74
  14. ^ Suretu En Nisaë, ajeti 36
  15. ^ Suretu Et Tevvbe, ajeti 60

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]