Llambi Blido

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Llambi Blido u lind në Strum të Roskovecit, në mars të vitit 1939. Pas Politeknikumit “7 Nëntori” në Tiranë, në degën gjeologji – miniera me medalje të artë, vazhdoi studimet studimet në Fakultetin e Grafikës të Akademisë së Arteve “Rjepin” në Leningrad (Shën Petërburg). Me përkeqësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve kthehet në Tiranë dhe përfundon studimet në Institutin e Lartë të Arteve Figurative, në degën e pikturës me pedagogë Vilso Kilicën dhe Danish Jukniun. Mbron diplomën me temën “Në kopshtin e fëmijëve” me vlerësimin shkëlqyeshëm. Gjatë viteve 1965-1975 punon redaktor artistik në organet shtypit për fëmijë e më pas (1975-1987) piktor, pedagog pikture në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Në periudhën 1987-1991 emërohet inspektor për artin figurativ në Ministrinë e Kulturës. Nga viti 1992 e në vijim vazhdon aktivitetin artistik në krijimtari të lirë. Në vitin 1971 ekspozon punimet e tij të para “Në kopshtin e fëmijëve”, “Vajza në breg të detit”, “Nudo”, “Në park”, “Vajza e vogël rozë”, etj.. Një vlerë të veçantë paraqesin 70 vizatimet dhe 38 poezitë e botimit “Album –Vizatime lirike të viteve 1960-1980”. Blido është pjesëmarrës me ekspozita vetjake dhe të përbashkëta brenda dhe jashtë shtetit, nga të cilat mund të veçojmë: Në Kelne (Overat) Gjermani (1990-1991); në Bon, Overat dhe Gelsenkirshen në Gjermani (1991); në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë (viti 1992), në galerinë “Dajti” në Tiranë. Në vitin 1998, së bashku me Vilson Kolicën, Kujtim Buzën, Agim Zajmin e më vonë me Sali Shijakun, artistë të shquar, themeluan ekspozitën e përvitshme kombëtare të pikturës, të quajtur “Nëntori”, e cila u hap në Muzeun Historik Kombëtar. Prej vitit 2002 kjo ekspozitë është bërë aktivitet i përvitshëm zyrtar i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, duke u kthyer në një institucion të pikturës shqiptare bashkëkohore. Është ideator dhe bashkëorganizator i ekspozitës “Pranverë Art”,-aktivitet ky i përvitshëm artistik. Veç kësaj Llambi Blido me artikujt e tij të shumtë dhe referimet shkencore dhe artistike njihet si estet arti. Në vitin 1999 përfundon monografinë “Shkolla ruse e Arteve Figurative dhe kontributi i saj i drejtpërdrejtë në shkollën shqiptare të Pikturës, Skulpturës dhe Grafikës”. Dikur emrin e tij e gjeje në ilustrimet e revistave të kohës për fëmijë, “Yllkat”, “Fatosi”, “Pionieri”, në ilustrimet e dhjetëra librave të shtëpive botuese “Naim Frashëri” dhe “8 Nëntori”, në ekspozita me pikturat e tij të veçanta në Galerinë e Arteve apo edhe jashtë Shqipërisë, më shumë në Gjermani; në artikujt kritikë si një estet arti në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Nëntori” si dhe shumë veprimtari të tjera të kohës. Tani atë e ndesh më rrallë në jetën artistike të kryeqytetit. Dhe kjo për një arsye madhore, ka dhjetë vjet që ai nuk shikon më. Dhjet vjet që ai e ka ngadalësuar, por jo ndalur punën krijuese. Vetëm në vitet 2010-2011 ka bërë 84 punime në pikturë të linjës së tij abstrakte, të cilat, nën kujdesin e miqve të tij, ai i ekspozoi këto ditë në galerinë “Didart”. Veç kësaj Llambi me mënyrën e vetë ka kohë që shkruan kujtime për miqtë e tij të artit si Kasem Trebeshinën, Lekë Tasin, Fatmir Haxhiun, Viktor Halimin, Dragush Çabejn etj.