Malet e Karadakut

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Pamje e Maleve të Karadakut
pamje nga Malet e Karadakut

Malet e Karadakut, (ose Malet e Zeza), të cilat njihen shpesh si Karadaku i Shkupit, shtrihen nga Gryka e Kaçanikut, gjegjësisht nga lumi Lepenc në perëndim e deri te Gryka e Konçulit tek lumi Morava e Binçes në jug-lindje, me një gjatësi prej rreth 50 km, ndërmjet Anamoravës në veri, Luginës së Preshevës në jug-lindje dhe fushës së Shkupit në jug.

Struktura e relievit është mjaft e copëtuar. Këtë e bëjnë luginat e lumenjve si pjesët më të ulëta dhe majat e maleve si pjesët më të larta të relievit. Sedimentet e reja në pjesën perëndimore, mesozoike në pjesën e mesme dhe ato të vjetra të paleozoikut në lindje tregojnë një larmi në ndërtimin gjeologjik. Në formimin e relievit kanë ndikuar rrjedhat e lumenjve që i kanë dhënë kësaj pjese një strukturë të copëtuar. Ata, duke zbritur prej zonave të larta, kanë thelluar shtratin e tyre dhe kanë kanë bartur material të eroduar me vete. Lumenjtë më të rëndësishëm të kësaj krahine janë: Golemareka, Letnica, Karadaku, Lashtica, Pasjani, Llapushnica etj. Të gjithë këta derdhen në Moravën e Binçës.

Relievi i lartë i kësaj zone pengon depërtimin e masave të nxehta të jugut, ndërsa ndaj veriut ai është i hapët. Zona e Karadakut të Shkupit ka një izotermë vjetore 9 ºC ose 10 ºC ndërsa reshjet mesatare vjetore janë ndërmjet 700 e 800 mm.

Kushte të tilla natyrore kanë ndikuar në fizionominë e pejsazhit. Sipërfaqet më të mëdha janë pyjet, të cilët përfshijnë më shumë se gjysmën e territorit të trevës. Sipërfaqet e shfrytëzuara nga bujqësia përfshijnë 31% të territorit dhe janë sa gjysma e atyre në Drenicë. Kullotat dhe livadhet përbëjnë rreth 11 % të sipërfaqeve të tokave. Një strukturë e tillë e tokave ka kushtëzuar që popullsia të merret me shfrytëzimin e tokave të punës dhe të sipërfaqeve pyjore. Blegtoria është për shkak të bazës së vogël ushqyese më e kufizuar.

Malet e larta janë prej 700 - 1.500 m. Pikat më të larta të tyre janë: Maja e Kopilaqës me 1.490 m, Maja e Zezë me 1.219 m dhe Maja Topan me 1.178 m.

Hapsira e Maleve të Karadakut, si pjesë kaluese në mes zonës kodrinore dhe asaj të ulët të fushës në aspektin e ndërtimit gjeologjik, tregon një shtrirje graduale në ndërtimin e formacioneve gjeologjike.

Në Malet e Karadakut, sipërfaqe relativisht të mëdha janë me shkëmbinjtë e gnajsit të moshës parakembriane. Këto formacione shtrihen më thellë në luginën e Moravës në perëndim dhe drejt kufirit me Maqedoninë në lindje. Në veri këto formacione shtrihen deri në Domoroc ndërsa kufirin jugor të tyre e formohet nga lokaliteti i Sllubicës.

Në Malet e Karadakut formacionet e paleozoikut shfaqen në dy sektorë: në atë të parin rreth lokaliteteve Binç, Buzovik, Debellde, Mjak dhe at të dytin në Zhegër, Llashticë, Pisjan, Uglar, Lipovicë, Burincë, Myçybabë, Kokaj dhe Llocë.

shih edhe[redakto | redakto tekstin burimor]