Masakra e Reçakut

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Masakra e Reçakut ishte masakrimi i 45 shqiptarëve nga Kosova në fshatin Reçak, me 15 janar 1999.[1][2] Masakra u organizua dhe u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe. Serbia refuzon ta ketë kryer këtë masakër.[3]

Një ditë pas kryerjes së masakrës, William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, vizitoi vendin e ngjarjes u tmerrua nga kufomat e masakruara. Ai deklaroi:"Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time." Lajmi i masakrës senzibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe i hapi rrugën bombardimeve të Natos në Serbi.

Ngjarja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, ushtarake dhe paraushtarake serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprejes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi. Në këto momente mjaftë të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejn një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë.

Forcat policore serbe që ishin futur përmes rrugës kryesore të fshatit kishin arrestuar në oborrin e shtëpisë (afër xhamisë) Banush Azem Kamberin, ndërsa familja e tij pak kohë më herët kishte braktisur shtëpinë. Forcat kriminale, Banushin pasi e maltretojnë fizikisht e ekzekutojnë me rafale automatiku në oborrin e fqiut të tij Rashit Rashiti. Këta barbarë të mesjetës, nuk e lënë me kaq, pas ekzekutimit Banushit ia këpusin edhe kokën, e cila nuk është gjetur dot në vendin e krimit. Formacionet kriminale, në të cilat janë radhitur edhe serbët lokalë, në këtë operacion shfarosës nuk lanë vend në fshat pa kontrolluar, djegur e shkatërruar.

Drama me e tmerrshme në këtë ditë, për banorët e Reçakut u zhvillua në shtëpinë e Sadik Osmanit. Qysh në orët e para të mëngjesit ishin tubuar shumë familje në podrumin e shtëpisë dhe në ahurin e lopëve të tij për t´u mbrojtur nga granatimet e artilerisë së rëndë. Kriminelët pasi kishin hetuar strehimin e banorëve të fshatit në këtë shtëpi, fillimisht nga largësia prej shtëpisë së Ragip Jahir Bajramit dhe shitores së Lutës (siç e quajn fshatarët) gjuajnë me armë të kalibreve të ndryshme dhe në këtë moment vrasin plakun Nazmi Nuha dhe më pastaj hidhen në sulm, rrethojnë shtëpinë e Sadikut dhe futen në oborr.

Dëshmitarët okular: Ramë Nesret Shabani dhe Sadie Ramadani, nga kjo ditë tragjike rikujtojnë: “ Rreth orës 8:30, jemi tubuar në bodrum të shtëpisë së Sadik Osmanit, për t´u mbrojtur nga granatimet. Aty kanë qenë rreth 30 gra me fëmijë, kurse prej meshkujve ishin Sadik Osmani, Ramë Nesret Shabani, Mufail Hajrizi, Burim Osmani dhe disa djemë të rinj. Ndërsa burrat tjerë, rreth 30 veta, kanë qenë të vendosur në ahurin e lopëve të Sadik Osmanit. Fillimisht policia serbe i ka nxjerrë jashtë nga ahuri burrat dhe mandej ka ardhur një polic i maskuar dhe ka hapur derën e bodrumit, ka këqyr brenda dhe ka dalë jashtë. Ndërkohë, ka ardhur komandanti i policisë së Shtimjes dhe e ka pyetur policin e maskuar:“Çka ka këtu brenda?“.Polici i përgjigjet:“Gra dhe fëmijë“. Komandanti ia kthen: “Pse po gënjen? Këtu paska edhe burra“. Na kanë nxjerrë në oborr dhe na i kanë marrë letërnjoftimet…, ndërsa gratë dhe fëmijtë i kanë mbyllur me dry (çelës) në bodrum.

Ndërkaq dëshmitari Bilall Sadri Avdiu, i cili ka qenë i strehuar në ahurin e lopëve thotë:” Dy tre policë e çelën derën e ahurit…dhe thanë:”Ima ovde mnogo irredentista, majko im jebem” (Këtu ka shumë irrredentistë, he nënën ja u qivsha). Na urdhëruan të dalim përjashtë me duart përpjet, dhe kur dolëm përjashtë ata kishin qenë shumë - 30 deri në 40 policë të renditur prej kodre, krejt të armatosur deri në dhëmbë e të mëdhenj, disa me masaka e disa pa to”. I kanë tubuar në oborr dhe ia kanë marrë letërnjoftimet e dokumentet tjera.

Në oborrin e Sadikut në këtë moment kritik ishin këta mashkuj: ”Hakip Imer Hakipi, Ahmet Izet Jakupi, Esheref Halim Jakupi, Lutfi Hasan Bilalli, Sadik Xhemë Osmani, Jashar Milaim Salihu, Njazi Sherif Zymberi, Shyqeri Ismajl Syla, Haqif Hysenaj nga fshati Petrovë, Muhamet Faik Syla, Fatmir Faik Ramadani, Murtez Ramiz Imeri, Mehmet Qerim Jakupi, Muhamet Hafiz Mustafa, Shukri Milaim Salihu, Sheremet Shyqeri Syla, Mufail Mehdi Hajrizi, Bujar Hanafi Hajrizi, Salih Faik Ramadani, Nexhat Faik Ramadani, Xheladin Ahmet Jakupi, Raif Milaim Salihu, Ragip Jahir Bajrami, Bajrush Nesret Shabani, Bilall Bilalli, Ramë Nesret Shabani, dhe Nesret Shabani. Sipas dëshmitarëve që kanë mbetur gjallë, kriminelët serbë pasi i kanë legjitimuar burrat e zënë, i kanë shtri për toke dhe kanë filluar t´i rrahin mizorisht duke përdorur kondakët e armëve, shqelmat, dru, zinxhirë dhe gjësende tjera të forta. Gjatë rrahjeve në oborrin e Sadikut, dëgjohej gjëma dhe britmat e burrave, ndërsa në bodrum qanin e lemeritnin gratë e fëmijtë e mbyllur në çelës.

Pas kësaj drame tmerruese, kriminelët sipas skenarit të përgatitur më herët kalojnë në fazën e dytë të veprimit. Dëshmitarët gjatë rrahjeve brutale në oborrin e shtëpisë së Sadik Osmanit kanë dëgjuar një komunikim me radiolidhje të drejtuesve të këtij oprecioni. Pas një orë e gjysmë rrahjesh për vdekje, dikur në mesditë, këta burra i marrin dhe në rresht (kolon) për një i nisin në drejtim të malit dhe te ”Gropa e Bebushit” ndalohen nga njësitë tjera kriminale serbe, me të cilët pak kohë më parë nga oborri i Sadikut është biseduar në radiolidhje.

Pikërisht në rrugicën e “Gropës së Bebushit” ashtu siç kanë qenë duke ecur në kolonë, njësitë kriminale serbe me rafale automatiku nga afër i ekzekutojnë pamëshirshëm 24 burra, ndërsa me këtë rast (meqë ishin të fundit në kolonë) arrijnë të shpëtojnë: Ramë Shabani, Bilall Bilalli, Nesret Shabani, Ali Qazimi dhe Immer Imeri.

Emrat e viktimave[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 15 janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.[4]

  1. Lute Asllani
  2. Banush Kamberi
  3. Ragip Bajrami
  4. Halim Beqiri
  5. Rizah Beqiri
  6. Zenel Beqiri
  7. Lutfi Bilalli
  8. Ajet Emini
  9. Bujar Hajrizi
  10. Myfail Hajrizi
  11. Skënder Halili
  12. Haqif Hysenaj
  13. Hajriz Ibrahimi
  14. Hakip Imeri
  15. Murtez Imeri
  16. Nazmi Imeri
  17. Mehë Ismajli
  18. Muhamet Ismaji
  19. Ahmet Jakupi
  20. Eshref Jakupi
  21. Hajriz Jakupi
  22. Mehmet Jakupi
  23. Xhelal Jakupi
  24. Jashar Jashari
  25. Raif Jashari
  26. Shukri Jashari
  27. Fatmir Ramadani
  28. Nexhat Ramadani
  29. Salif Ramadani
  30. Bajram Mehmeti
  31. Hanumshah Mehmeti
  32. Arif Metushi
  33. Haki Metushi
  34. Ahmet Mustafa
  35. Asllan Mustafa
  36. Muhamet Mustafa
  37. Sadik Osmani
  38. Jashar Salihu
  39. Shukri Salihu
  40. Bajrush Shabani
  41. Ahmet Smajlaj
  42. Sheremet Syla
  43. Shyqëri Syla
  44. Bajram Xheladini
  45. Njazi Zymeri

Reagimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, ishte i pari person i cili filloi të denonconte krimet serbe në Kosovë. Denoncimet e tij të vazhdueshme se popullsia në Kosovë po vritej nga serbët i hapi rrugën bombardimeve të Natos në Serbi.[5][6]

Një ditë pas kryerjes së masakrës, më 16 janar rreth orës 13:30, Walker ndodhej në Reçak për të atë që kishte ndodhur vetëm një ditë më parë. Walker pasi vizitojë fshatin u ngjitë lartë te Gropa e Bebushit dhe pasi po i afrohej luginës së ngushtë u tmerrua kur i pa kufomat e tre mashkujve të moshuar dhe në këto momente deklaroi: "Për nga pamja duket si ekzekutim. Duket se njerëzit pa kurrfarë vlere për jetët e njerëzve kanë vrarë këta njerëz, që mua me duken si bujq, si punëtorë, si fshatarë, që definitivisht nuk kanë merituar të vdesin kështu."[7]

Më pas Walker vazhdoi rrugën drejt luginës së vdekjes, ku po qëndronin të shtrirë me duar të shtangur e trupa të sakatosura kufomat tjera të civilëve të ekezekutuar barbarisht. Ai shtoi: "T´i shohësh kufomat kështu me fytyra të shkatërruara, që si duket janë bërë nga armët që janë mbajtur afër kokave të tyre, t´i shohësh 15 në një gropë, dhe në një mënyrë të ekzekutuar, mendoj se më nevojiten disa minuta para se të përcaktohem se çka dua të them." Në konferencën me gazetarë pa ngurrim ai do të deklaroi: "Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time."[8]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "Masakra e Reçakut, ngjarja që bëri botën të kthejë kokën nga Kosova". Radio Televizioni Shqiptar. 15 janar 2019. Arkivuar nga origjinali më 15 janar 2019. Marrë më 20 dhjetor 2019.
  2. ^ "Masakra e Reçakut e 15 janarit, turpi i madh i Serbisë". Kultplus.com. 12 janar 2019. Marrë më 20 dhjetor 2019.
  3. ^ "Serbia mohon masakrën e Reçakut – MPJ publikon fotografitë e kryerësve të krimit". Insajderi.com. 7 dhjetor 2019. Marrë më 20 dhjetor 2019.
  4. ^ "Përkujtojmë 45 viktimat e masakrës së Reçakut (FOTO+18)". Zëri.info. 15 janar 2015. Arkivuar nga origjinali më 20 dhjetor 2019. Marrë më 20 dhjetor 2019.
  5. ^ "Ambasadori William Walker reflekton 20 vjet pas masakrës së Reçakut". Zëri i Amerikës. 12 janar 2019. Marrë më 20 dhjetor 2019.
  6. ^ "Kur kujtojmë Reçakun, kujtojmë njeriun e madh William Walker". Kultplus.com. 12 janar 2019. Marrë më 20 dhjetor 2019.
  7. ^ Beqir Sina (15 janar 2019). "Heroi i Reçakut Ambasadori William Walker". Botasot.info. Marrë më 20 dhjetor 2019.
  8. ^ Sheradin Berisha (9 dhjetor 2019). "Masakra e Raçakut – Krim kundër njerëzimit!". Info Press Albania. Marrë më 20 dhjetor 2019.

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]