Masakra e Urës Vajgurore

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Masakra e Urës Vajgurore ndodhi më 17 qershor 1997. Nga kjo ngjarje mbetën të vrarë 5 persona dhe u plagosën 6 të tjerë, të gjithë punonjës policie.

Ngjarja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fushatë e Partisë Socialiste në Urën Vajgurore, 17 qershor 1997

Përplasja e armatosur ka filluar në orën 11:55 të paradites, pas shumë mitingjeve elektorale të partive politike. Atë ditë, në këtë qytezë ishin Fatos Nano, asokohe kryetar i PS , i shoqëruar nga Skënder Gjinushi, ndërsa në komunën Poshnje përfaqësonin PD-në në miting i ndjeri Azem Hajdari dhe Genc Pollo. Pas mbarimit të dy mitingjeve, eskorta e PD-së është larguar dhe pas saj ka ardhur ajo Fatos Nanos dhe Skënder Gjinushit dhe anëtarë e simpatizantë të tjerë të kësaj partie. Atë kohë, qytetin e kontrollonin bandat, që pas hapjes së depove të ushtrisë. Krerët e PS-së pas mitingut në Berat ishin larguar nga qyteti për të vijuar rrugën drejt Fierit. Eskorta që shoqëroi drejtuesit e PS-së, mbërriti në Urën Vajgurore, kur një i ri qëlloi drejt rojeve të vilës së Protoduarëve, që thuhej se ishin mbështetës të Partisë Demokratike. Të vendosur mbi tarracën e vilës, rojet e Protoduarëve vranë një 17-vjeçar. Pjesa e eskortës, që mundi të kalojë vilën shkoi në Berat dhe mori përforcime të mëdha armësh municioni dhe njerëzish. Kurse pjesa tjetër që mbeti pas, u mblodh në sheshin përpara karburantit të Urës. Disa persona rrëmbyen një autoblindë policie, duke kërcënuar uniformat blu dhe nën urdhrat e civilëve blindi i policisë u nis për tek vila e Protoduarëve. Rojet e vilës u detyruan të qëllojnë mbi tankun me predhë antitanku, pa e ditur se brenda tij kishte ende policë. Dy prej policëve, Milto Koçi dhe Arjan Shemani u dogjën brenda tankut, dy të tjerët Asllan Selami dhe Ilia Bano u vranë sapo dolën nga flakët e blindit. Nga ana tjetër, rojet e vilës, të ndodhur midis dy zjarreve, mundën të tërhiqen, por jo të gjithë. Njëri prej tyre u kap rob nga kundërshtarët dhe u ekzekutua. Trupi i tij u lidh pas një autoveture, me të cilën e zvarritën deri në Berat, ku e dogjën. Dëshmitarët kanë treguar se protagonistët e kësaj masakre, por edhe ngjarjeve të tjera të rënda, ishin simpatizantë të dy partive kryesore në vend, PS-së dhe PD-së.

Vila e shkatërruar e Protoduarëve

Të vrarët[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Miltiadh Koçi, punonjës i policisë
  • Arjan Shemuni, punonjës policie
  • Asllan Selami, punonjës policie
  • Ilia Bano, punonjës policie
  • Roja i vilës së Protoduarëve, i paidentifikuar

Të plagosurit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Thimi Tanku, punonjës policie
  • Ylli Dhamo, punonjës policie
  • Neim Gjeroveni, punonjës policie
  • Ëngjëllush Pasha, punonjës policie
  • Arben Bega, punonjës policie
  • Shkëlqim Selfo, punonjës policie

Të dënuarit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Musa Protoduari, i dënuar me burgim të përjetshëm
  • Shkëlqim Protoduari, i dënuar me burgim të përjetshëm
  • Fran Marashi, i dënuar me burgim të përjetshëm
  • Fatbardha Protoduari, dënuar me 25 vjet burg, gruaja e Musait
  • Sokol Ndreu
  • Gjovalin Ndreu
  • Preng Miri
  • Gjelosh Miri

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]