Mati Prennushi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
At Mati Prenushi
“Jo!…Mos me e zgjedhë At Çiprianin, se komunistat punën e parë që kanë me ba, kanë me pushkatue Provinçialin, prandej t’a ruejmë At Çiprianin për ma vonë mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né”. “Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë nuk i bante përshtypje pushkatimi se, edhe dy herë ma parë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile, edhe deri tek stoli i konopit në Serbi…”[1]

Mati Prennushi lindi më 2 tetor 1882 nga prindët Kolë e Drande (Roza) Prennushi, në qytetin e Shkodrës. U pagzue me emrin Paulin[2]. Është i familjes Prennushi, nipi i Don Matisë që vdiq në vitin 1904, vit në të cilin Shugurohet Meshtar i nipi At Matia. Mbas mësimeve të para në vendlindje, ndjeku të mesmen në Kolegjin e Troshanit, ku edhe ju kushtue urdhrit të Shën Françeskut. Vazhdoi edhe dy vjet studime përgatitore për të lartat në Bosnje dhe, në vitin 1904 kryen studimet teologjike në Grac të Austrisë. Ishte njohës i mirë i gjermanishtes, frëngjishtes, serbo-kroatishtes dhe italishtes.

Me datën 4 prill 1904, Shugurohet Meshtar.

“Kur turqit në agoninë e tatpjetës, mendonin aty nga 1905 me djegë Shkodrën, në shenjë hakmarrjëje për përpjekjet që po baheshin me dalë nga zgjedha e robnisë së tyne, njëditë të dielë mbas meshët At Matia, çveshi teshat e meshës, u tha besimtarëve me pritë në oborr pesë minuta. Ai vetë shkoi te qela, doli para Kishës dhe iu drejtue të pranishëmve tue nxjerrë prej xhepit të zhgunit një alltije: -“Kush asht burrë dhe e don me zemër Shkodrën, o sot o kurrë, me ardhë mbas meje, do t’ju prij unë e do të shkojmë me i ndalue dorën hasmitturk, që don me zharitë vëllaznit tonë!”[2]

Pak muej asht në Kuvendin e Françeskanëve të Shkodrës si mësues, mandej shkon Meshtar në Katund të Kastratit, ku përfshihej edhe Bajza. Aty gjenë të mbërthyeme për brez të malësorëve, armët e Lirisë. Mes tyre merr zakonet e mira dhe lufton me shpirt zakonin e gjakmarrjes. Kudo ndër kuvendet e tyre ndodhej At Matia.

Në vitin 1911, At Matia bashkë me At Buon Gjeçaj janë të dy tek maja e Bratilës përkrah Dedë Gjo Lulit, me Flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut të palosun në gjoksin e Tyre.

"Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiqit, afër Tuzit. Até e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e Tij"[3]

Por kjo fitore duhej shtri në gjithë Shqipërinë ! Asht Imzot Lazër Mjeda, që me petkun e Argjipeshkvit merr malet dhe me 10 qershor 1911, i prinë ngjarjeve të Mëdha të Pavarësisë së Vlorës, tue shkue drejt e në çelën e At Mati Prennushit në Gerçë, ku u përpilue “Memorandumin e Gerçës” bashkë me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, etj.

Në vitin 1926, malët ushtuen. Ata nuk u pajtuen me qeverisjen e Ahmet Zogut, i cili mbas vitit 1924 merr tipare tjera drejtuese, tue u pajtue me veprime diktature. Asht ai vit kur pothuej krejt Veriu kërkon largimin e tij nga froni. Kleri Katolik Shqiptar tue mos u pajtue me mënyren e qeverisjes së Zogut, i cili kishte ba marrveshje me Jugosllavinë kundër interesave kombëtare, doli në opozitë të haptë. Zogu dënoi me varje në litar Don Gjon Gazullin dhe, e ekzekutoi vendimin në Rëmaj të Shkodrës, ku Don Gjoni ka vorrin. Ndërsa, një pjesë tjetër e klerit u interrnuen, disa morën dënime të randa, At Matia ishte në listën e të parve që mund të pushkatohen. Asht At Pal Dodaj që ndërhynë tek Zogu dhe e shpëton At Matinë, me kusht që ky të mos shërbente ma në krahinat e maleve të Veriut. Për këtë arsye dërgohet në Laç të Kurbinit, Iballe e Gomsiqe të Pukës.

Nga Katundi i Kastratit, shkon në Traboin, Gerçë, Jugosllavi, në Shkodër profesor i gjimnazit fretërve, LaçKurbinit, IballePukës dhe në Gomsiqe në vitin 1928, në Tiranë në vitin 1941, në Shkodër në vitin 1943 dhe, në vitin 1944 asht Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, me qendër në Kuvendin e Gjuhadolit në Shkodër.

Në vitin 1941, bashkë me Provincialin e vet At Anton Harapin hapin famullinë në Tiranë, ku çilet edhe një kishë e vogël, në të cilën shërben At Matia deri në vitin 1943, vit në të cilin At Antoni shkon në Regjencë Shqiptare dhe, At Matia e zëvendëson në Shkodër, por zyrtarisht asht Provincial i Fretërve të Shqipërisë, në muejn qershor të vitit 1944.

Vrasja e kryeme trathtisht kundër At Lekë Lulit, i angazhuem në Luftën Nacional Çlirimtare me Organizatën e Legalitetit dhe veshja e figurës së Tij me motive të ndryshme nga e vërteta, e detyrojnë At Matinë me dërgue një letër në të gjitha famullitë, ku urdhëron në mënyrë të preme mosangazhimin e fretërve me politikë. Kjo letër ruhet edhe sot nga Arkivi i Shtetit në Tiranë. Kjo letër tregon largpamësinë e Tij dhe aftësinë organizative të At Matisë, të cilin me të drejtë At Konrrad Gjolaj, bashkëkohës i atyre viteve e quen :

“Ardhjen e At Mati Prennushit, si Provinçial i Françeskanve të gjithë Shqipnisë unë e kam konsiderue si një fat i madh i Kishës Katolike dhe i Françeskanve. Ai asht kenë portreti shpirtnuer, fizik e moral i një françeskani të vërtetë. Inteligjent, trim dhe organizator…”[4].

At Mati Prennushi asht përballë bishave komuniste, por trimnia dhe guximi i tij janë mbështetë mbi piedestalin historik të Françeskanëve Shqiptar, të lamë me gjak ndër shekuj e që mbi Atë piedestal do të ndërtojnë Monumentin e Lavdishëm dhe të Përjetshëm, ku çdo Frat me litarin e Tij u lidh me binomin “Fé e Atdhé” për të cilin Ata dhanë jetën “si me lé” :

At Mati Prennushi, At Çiprian Nika, Imzot Vinçens Prenushi, At Pal Dodaj, At Gjon Shllaku, At Anton Harapi, At Lekë Luli, At Bernardin Llupi, At Zef Maksen, At Lorenc Mitroviq, At Leonard Tagaj, At Serafin Koda, At Karlo Serreqi, At Bernardin Palaj, At Klement Miraj, At Gaspër Suma, Fra Gjon Pantalia e Fra Ndue Vila… i cili u torturue në mënyrën ma të mnershme se nuk i dorëzoi Sigurimit të Shtetit çilsat e Kishës së Fretënve në Gjuhadol, me datën 16 nëntor 1946, në të dalun të dritës së datës 17, kur ata futne nën Elterët e Kishës “armët e municionët” për të cilat akuzuen dhe pushkatuen krejtësisht pa faj

Grupin e Prelatve të kryesuem nga Imzot Frano Gjini, me datën 11 Mars 1948. Gjyqi u zhvillue në mensën e Kuvendit, por “me dyer të mbylluna”, mbasi asnjeni nuk iu përul torturës mizore të bame mbi trupat e Tyne… Armët dhe gjyqi u filmuen nga gjiruesit jugosllav, thëmeluesit dhe miqtë e “partisë komuniste shqiptare” dhe të Sigurimit. Dosja “Imzot Frano Gjini me grupin e tij, Nr. 1302/2”, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Mbrendshme në Tiranë, asht dokumenti ma i sakti që vërteton skenarin jugosllav të përgatitun me komunistët shqiptar dhe Sigurimin famëkeq komunist të Shqipërisë, që me fakte dhe prova të pakundërshtueshme dëshmon besnikrinë e trathtinë e spijunve tonë ndaj UDB – jugosllave e KGB – sovjetike, në gjithë ekzistencën e vet 66 vjeçare të turpëshme !

Në fjalën e fundit, me datën 11 Mars 1948, në ora 5.00 në Zallin e Kirit, pranë Rëmajt, me dok. Nr. Regj. 67, në praninë e gjykatsit Kap. I Misto Bllaci, para ekzekutimit, At Mati Kol Prennushi tha : “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrrnoftë Papa, Rrrnofshin Katolikët, Rrnoftë Shqipnia! U baj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm !”.[5]

Burimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ At Konrrad Gjolaj OFM, në librin “Çinarët” faqe, 67.
  2. ^ a b At Mati Prennushi OFM[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]
  3. ^ Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq. 150, University of San Francisco, USA.
  4. ^ A.K. Gjolaj “Çinarët”, fq. 65. 1996.
  5. ^ N'elterein e fesë e t'atdheut Arkivuar 10 shtator 2011 tek Wayback Machine, nga Fritz Radovani