Mustafa Qulli

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Muço Qulli)

Mustafa Hilmiu[1] i njohur si Muço Qulli (Leskovik, 1887 - Shkodër, 17 korrik 1915) ka qenë veprimtar i çështjes kombëtar, gazetar dhe botues. U pushkatua me Çerçiz Topullin nga malazezët kur administronin qytetin gjatë Luftës së Parë Botërore.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pasi ndoqi shkollimin e mesëm në idadijen e Manastirit, u thellua më tej në shkollimin e lartë në Stamboll po për veterineri në Baytar Mektebi (Shkolla e Veterinarisë).[2] U shqua në interpretimin e rolit të njërit prej personazheve të dramës BesaSami Frashërit, kur kjo pjesë u vu në skenë më 24 nëntor 1908 nga grupi amator teatral i studentëve shqiptarë të Stambollit.[3] Gjatë kohës që ishte student bashkëpunoi me të përkohshmen Arnavud, botuar nga Dervish Hima po në Stamboll.[4]

Pasi kreu shkollën e bajtarisë, u emërua nga autoritetet shtetërore me detyrën e veterinerit në Durrës. Në tetor të 1912 ushtria osmane e emëroi oficer veteriner. Më 18 janar 1911 njoftohet se ishte në Manastir, drejtor i një shoqërie aksionere në qendrën e vilajetit. Asokohe nis të botonte gazetën Drita në Manastir, e cila nisi të botohej në mars 1911 dhe pati jetë deri në funddhjetorin e 1912, të subvencionuar nga Ministria e Jashtme Austro-Hungareze. Pas 3 janarit 1913 u zhvendos në Elbasan, ku qëndroi disa ditë deri në majin e 1913. U emërua nënministër Arsimi i qeverisë së përkohshme të Vlorës si dhe nisi bashkëpunimin me organin qeveritar Përlindja e Shqipënies.[5] Më 4 prill 1914 nxorri gazetën Populli në Vlorë,[1] por gushtin e po atij viti iku për arsye të Kryengritjes së Shqipërisë Mesme. U vendos në Shkodër, ku nxorri Dritën e Popullit për vetëm një numër dhe më pas sërish Popullin,[6] gjithnjë e mbështetur nga austro-hungarezët.[7] Sejfi Vllamasi e përshkruan "organ i nacionalistëve, e subvencionuar prej Austrisë". U arrestua nga autoritetet ushtarake malazeze më 15 korrik 1915 dhe pas dy ditësh së bashku me Çerciz Topullin u pushkatuan fushën e Shtojit, pranë fshatit Golem të Shkodrës.[8]

Mustafa Qulli u shpall Deshmor i Atdheut ne vitin 2012.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Boriçi, Hamit (1997). Një shekull e gjysmë publicistikë shqiptare (1848-1997). Gjergj Fishta. fq. 47.
  2. ^ Doğan, Ümit (2019). "Arnavud Gazetesinin (1909-1912) Transkripsiyon ve Değerlendirmesi" (PDF). acikerisim.nigde.edu.tr (në turqisht). fq. 95. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 24 janar 2022. Marrë më 24 janar 2022.
  3. ^ Zelka, Luan (2001). Shtypi shqiptar gjatë viteve të pavarësisë 1913-1939. Tiranë: Toena. fq. 81. ISBN 9992713925.
  4. ^ Doğan (2019), fq. 539.
  5. ^ Zelka (2001), fq. 82-83.
  6. ^ Saraçi, Heral (gusht 2015). "Mustafa (Muço) Qulli – Drita e Popullit" (PDF). Global Challenge nr. 3. IV: 66–73. ISSN 2227-8540.
  7. ^ Zelka (2001), fq. 84-86.
  8. ^ Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 127–131. ISBN 978-9928-140-54-8.