Mustafë Statovci

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Mustafë Statovci (emri i plotë Mustafa Sabri Statovci) u lind më 1 maj të vitit 1953 në Prishtinë, Kosovë. Është pedagog, karateist dhe autor shqiptar nga Kosova.

Mbaroi Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Ka studiuar edhe filozofinë lindore.

Me artet marciale ka filluar të merret në vitin 1966.  Fillimisht ka filluar të ushtrojë xhudo. Disa muaj më vonë ka filluar ta mësojë karatenë. Nga stili Wado-kai, që kishte filluar ta mësoi së pari, kaloi në stilin Shotokan, mirëpo me shumë pasion i studioi edhe stilet tjera të karatesë, si Uechi-ryu (Pangai-nun), Shorinji Kempo, Gosoku-ryu etj.

Edhe pse orientim themelor ka Shotokan karatenë, në karatenë e tij gjurmë të thella kanë lënë mësimet e mësuesit Doshin So (Michiomi Nakano), gjegjësisht stili i tij Shorinji Kempo. Për ndikimin e thellë të artit dhe filozofisë së Nakanos në karatenë w M. Statovcit më së miri flet fakti se ai konsiderohet si pasues shpirtëror i Doshin Sosë.

Krahas praktikës, Mustafë Statovci merret edhe me teorinë dhe filozofinë e karatesë, për ç’gjë ka botuar mbi 50 artikuj në shtypin e vendit dhe të jashtëm.

Veprimtaria e tij në fushën e arteve parciale, veçanërisht të karatesë, është e shumëllojshme: një kohë ishte redaktor në revistën për artet marciale "Ippon", kurse më vonë kryeredaktor i revistës "Përparimi Press", që po ashtu u kushtohej sporteve luftarake, është bashkëthemelues i Këshillit komunal të karatesë në Prishtinë (1974), i KKR Prishtina(1974), i Sindikatës së Pavarur të Sportit të Kosovës (1991), i Shoqatës për kultivimin e karatesë "Iliria-Prishtinë" (2002), themelues i Unionit të Shotokan Karatesë të Kosovës (1997, i regjistruar në Ministrinë e Drejtësisë të Republikës së Kosovës në vitin 1998), i Shkollës së karatesë të KK Shkëndija të Tetovës (1999), i klubit të karatesë Seishinkan në Prishtinë (2003), i asociacionit Unioni i Seishinkai Karatesë (2006) etj.

Mustafë Statovci është themelues i metodës së interpretimit të teorisë dhe praktikës së arteve marciale, të quajtur "Shinpo Ryu", për të cilën ka marrë gradën 10 Dan dhe titullin "Soke" (Themelues). Ai njëkohësisht është karateisti i parë shqiptar që ka marrë titullin "Grandmaster" (Mjeshtër i madh).

Ai, bashkë me disa mjeshtër të lartë të arteve marciale, përkatësisht të karatesë nga disa vende të botës, ka themeluar asociacionin "World Shinpo Ryu Federation", në krye të të cilit është që nga themelimi në vitin 2011.

M. Statovci merret edhe me letërsi. Për emisionet kulturore të Radio Prishtinës ka shkruar dhjetëra recensione letrare, ndërsa në shtypin shqiptar ka botuar shumë tregime satirike dhe ndonjë poezi.

Për angazhimet e shumëta në fushën e arteve marciale M. Statovci ka marrë shumë diploma dhe mirënjohje, ndërsa në kuadër të organizimeve “Hall of Fame”, që për çdo vit organizohen nga asociacionet më prestigjioze ndërkombëtare, mbi dhjetë herë është nderuar me çmimin “Gradmaster of the Year” dhe me çmime të tjera.

Mjeshtri i arteve marciale, Mustafë Statovci, jeton në Prishtinë.