Muzeu Kombëtar i Arsimit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë
Ambientet e Muzeut
Ambientet e Mizeut
Ambientet e Muzeut
ABC në Korçë

Muzeu Kombëtar i ArsimitKorçë ndodhet në ndërtesën e shkollës së parë shqipe, e hapur më 7 mars 1887 nga ana e mësuesit patriot Pandeli Sotiri. Ky objekt i cili fillimisht ishte shtëpi private e patriotit korçar Diamant Terpo, nga viti 1967 gëzon statusin Muze Kombëtar i Arsimit ndërsa nga viti 1973 është shpallur edhe Monument Kulture.[1]

Historiku[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në ndërtesën ku ndodhet sot Muzeu Kombetar i Arsimit shqiptar, është hapur Shkolla e Parë në gjuhën shqipe, ose siç thirrej atëherë, "Mësonjëtorja e Parë Shqipe". Kjo shkollë u hap më 7 Mars 1887, në shtëpinë ku banonte patrioti korçar Diamant Terpo i cili e dhuroi këtë banesë për shkollën shqipe.

Mësonjëtorja e Parë Shqipe ishte një shkollë kombëtare e laike, e cila konsiderohet si e para shkollë që u pajis me tekstet e lëndëve të ndryshme mësimore në gjuhën shqipe e ku dhanë mësim metodistë dhe didakticienë të shquar të arsimit kombëtar shqiptar, personalitete të rëndësishme të jetës arsimore, shoqërore e politike. Kolonia patriotike e Bukureshtit nga njëra anë dhe rilindësit që gjendeshin në Stamboll ishin shtyllat kryesore ku u mbështet themelimi i Mësonjëtores së Korçës. Anastas Avramidhi Lakçe, kryetari i kolonisë shqiptare të Bukureshtit parashtroi mësimin e gjuhës shqipe në shkollat turke dhe greke të Korçës, propozim i cili nuk u pranua nga autoritetet e vendit. Kështu, bazuar në ligjin e arsimit, shqiptarët kërkuan hapjen e shkollës private shqipe, për zyrtarizimin e së cilës ndihmoi fuqimisht rilindësi Naim Frashëri, asokohe punonjës i Ministrisë së Arsimit në Stamboll. Komiteti i Fshehtë Kombëtar, i përbërë nga Jovan C. Kosturi, Orhan Çerçiz Pojani, Thimi Vasil Marko nga një anë dhe "Shoqëria e Mësimit Shqip" me Ali bej Dishnicën nga ana tjetër, përgatitën terrenin e çeljes së shkollës, duke mbledhur mbi 100 nënshkrime të kryefamiljarëve të Korçës, të cilët zotoheshin të dërgonin fëmijët e tyre në këtë shkollë. Kontribues i çeljes së Mësonjëtores ishte edhe papa Llambro Ballamaçi, prift vlleh që më parë kishte hapur një shkollë rumune në qytet. Me hapjen e shkollës shqipe, një pjesë të nxënësve të tij ai i dërgoi në Mësonjëtore e ndërkohë vijonte të jepte mësimin e shqipes fshehurazi në shkollën e tij. Gjithë barrën e shpenzimeve financiare e përballuan shqiptarët e Rumanisë, në krye të së cilëve qëndronin Anastas Avram-Lakçe, Nikolla Naum Naço si dhe aktivistët Pandeli Evangjeli, Visar Dodani etj. Mësonjëtorja i përkiste sistemit të shkollës fillore dhe kishte pesë klasë. Përveç tyre ishte edhe “klasa përgatitore", ku fëmijët merrnin mësimet fillestare ende pa shkuar në klasën e parë.[2]

Në këtë institucion për herë të parë në bankat e një klase u ulën djem e vajza bashkë. Deri në atë kohë, në shkollat e ndryshme në Korçë e më gjerë, djemtë ishin të ndarë nga vajzat, në godina shkollash të ndryshme. Për herë të parë në Mësonjëtore u ulën në një bankë muslimanë e të krishterë, gjë që nuk kishte ndodhur më parë jo vetëm në shkollat e Korçës, por edhe më gjerë; për herë të parë ishin bashkënxënës fëmijë të shtresave të pasura dhe të varfra, pasi deri në atë kohë arsimimi nuk ishte privilegj i shtresave të varfra. Drejtorët e Mësonjëtores kanë qenë Pandeli Sotiri, Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Kristaq Vaja. Mësuesit e Mësonjëtores kanë qenë Koço Sotiri, Hafiz Ali Korça, Nikolla Lako, Sabri Qyteza, Nikollaq Zografi, Thanas Nona, Spiro Kosturi, Thoma Avrami etj. Tekstet mësimore u përgatitën nga Naim e Sami Frashëri, Jani Vreto, Nuci Naçi etj. Pas rreth 15 vitesh të funksionimit, Mësonjëtorja u mbyll dhunshëm më 24 qershor 1902, me arrestimin e drejtorit Nuçi Naçi, patriotit dibran Hysen Ballanca që gjendej në Korçë dhe ndihmonte mbarëvajtjen e Mësonjëtores, Orhan Pojanit, Thimi Markos dhe dr. Leonidha Naçit. Shqiptarët e rihapën përsëri shkollën në vitin 1908, duke patur si drejtor patriotin Thanas Floqi bashkë me mësuesit Dhimitër Berati, Sami Pojani, Vasil Kotorri, Nuçi Naçi etj. Shkolla vijoi aktivitetin deri në dhjetor të vitit 1912, kur drejtohej nga profesor Sotir Peci, për t'u rihapur në vitin 1917, gjatë kohës kur pati aktivitetin e vet Republika Shqiptare e Korçës.[2]

Monument kulture[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndërtesa e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë është edhe monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore. Ky monument ka një vjetërsi prej rreth një shekull e gjysmë dhe është i llojit "arkitektural", i miratuar më datën 10.06.1973, me numër vendimi 1886 dhe me numër reference KO081.[3] Godina është dy katëshe. Kati i parë përbëhet nga korridori dhe dy oda të mëdha. Kati i dytë ka katër dhoma. Dritaret janë rreth 80 cm të gjëra dhe të larta. Çatia është prej druri, e mbuluar me tjegulla vendi. Fasadën ballore e zbukuron qoshku në katin e dytë. Lartesia e objektit është rreth 7 m.[4]

Ndërtesa e muzeut ka tetë mjedise ekspozimi. Në ambientet e muzeut janë të ekspozuara lëndë dokumentare nga historia e shkrimit shqip dhe botime të vjetra në gjuhën shqipe. Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908, pastaj edhe historia e librit shqip prej abetares së parë të gjuhës shqipe (Evetari, 1744), hartuar nga Naum Panajot Bredhi (Veqilharxhi) e deri te abetaret më të vonshme.[5] Një pjesë e hapësirës së muzeut i kushtohet edhe masivizimit dhe modernizimit të arsimit dhe shkollës shqipe në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore.[6]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

 Commons: Mësonjëtorja, Korçë – Album me fotografi dhe/apo video dhe materiale multimediale

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "First Albanian School", InYourPocket (në anglisht), arkivuar nga origjinali më 2012-04-20, marrë më 2014-09-09
  2. ^ a b "Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë, jo një muze i thjeshtë". KOHA.net. Marrë më 2018-03-01.
  3. ^ LISTA E MONUMENTEVE: RRETHI I KORÇËS (PDF). Instituti i Monumenteve të Kulturës - Ministria e Kulturës. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 29 mars 2019. Marrë më 26 janar 2016.
  4. ^ "Map - IMK WebGIS". imk.gov.al. IMK. Arkivuar nga origjinali më 16 korrik 2019. Marrë më 13 tetor 2016.
  5. ^ "Muzeu Kombëtar i Arsimit". Arkivuar nga origjinali më 2 mars 2018. Marrë më 20 shtator 2017.
  6. ^ Fjalor Enciklopedik Shqiptar. Tiranë, Shqipëri: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 2008. fq. 1790. Marrë më 20 shtator 2017.
logo e WCUGA Ky artikull është pjesë e Code4Culture Albania 2018 .