Naxhije Dume

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Naxhije Dume
Ministre e Arësimit
Në detyrë
6 shkurt – 22 nëntor 1948
Paraprirë ngaManol Konomi
Pasuar ngaKahreman Ylli
Të dhëna vetjake
U lind më3 janar 1921
Lubonjë, Kolonjë
NënshtetësiaShqiptare
Bashkjetuesja/etNesti Kerenxhi
PunësimiPolitikane

Naxhije Dume ose Dumi (Lubonjë, 3 janar 1921 - Tiranë, 29 shtator 2008[1]) ishte veprimtare e Frontit Nacional-Çlirimtar gjatë rezistencës shqiptare, anëtare e Komitetit Qendror dhe ministri i parë femër.[2] Dume përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qene, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”.[3]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind më 3 janar të vitit 1921, në fshatin Lubonjë të rrethit të Kolonjës. Babai i saj ishte nëpunës dhe për këtë, asaj iu desh të shkollohej në Ersekë, Sarandë, Shkodër, Elbasan, Korçë. Ndoqi mësimet në vitet 1933-1941 në Institutin Femëror «Nana Mbretneshë», pasi kreu e emëruan mësuese në shkollën «Avni Rustemi», në Tiranë.

Naxhija mori pjesë në të gjitha demonstratat dhe aktivitetet antifashiste të ditëve të para të prillit 1939. Në vitin 1943, Naxhija ishte sekretare e komitetit të gruas komuniste të Korçës, ndërsa në Konferencën e Parë të Vendit vetëm 23-vjeçare, ajo do të ishte një nga 15 anëtarët e Komitetit Qendror definitiv të PKSH-së. Një vit më vonë e zgjodhën delegate të Qarkut të Korçës për në Kongresin e Përmetit, nga ku vjen anëtare e Këshillit Antifashist. Së bashku me Kristo Themelkon, caktohen për organizimin dhe përurimin e Brigadës së XXII Sulmuese. Naxhija ishte një nga gratë që mori pjesë në mbledhjen e dytë të Komitetit Antifashist dhe punimet e plenumit të dytë të KQ të PKSH-së, që u mbajtën në Berat.

Me transferimin e Qeverisë së re në Tiranë, emërohet pranë aparatit të Komitetit Qendror. Atje punoi deri në vitin 1948, vit në të cilin do të ngjitej në postin e Ministres së Arsimit. Deri atëherë, ajo ishte e vetmja grua shqiptare e të gjitha kohëve, që ishte emëruar si anëtare e ekzekutivit. Në Kongresin e Parë të PKSH-së, pas kritikash të ashpra dhe akuzash të pabazuara të Enver Hoxhes e Mehmet Shehut, Naxhije Dume u shkarkua nga të gjitha detyrat e larta shtetërore dhe partiake. Këtu fillon persekutimi i saj 54-vjeçar. Më pas, ajo caktohet drejtoreshë e Muzeumit Arkeologjik-Etnografik (1951) dhe drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare (1956)[4]. Punoi drejtore e Shkollës së Kuqe dhe tek shkolla "Emin Duraku", më pas u transferua në Elbasan ku punoi drejtore e bibliotekës së qytetit[5].

Pas Konferencës së Partisë së Tiranës filloi kalvari i ri edhe më i egër politik dhe administrativ për Naxhije Dumen dhe bashkëshortin e saj Nesti Kerenxhi. Pasi kishte punuar gjatë si arsimtare, në vitin 1972 doli në pension. Dhjetë vjet më vonë atë dhe familjen e saj e priste një fatkeqësi edhe më e rëndë, pasi i internuan përsëri në Petë-Mavrovë e Selenicë, të Vlorës. Vetëm në vitin 1996 familja kthehet përsëri në Tiranë[4].

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Kastriot Dervishi: Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet : anëtarët e Këshillit të Ministrave në vitet 1912-2012, jetëshkrimet e tyre dhe veprimtaria e ekzekutivit shqiptar. Tirana: Shtepia Botuese 55, 2012, s. 120-121.
  2. ^ Dibra, Zenepe (2009). Fjalor enciklopedik i gruas shqiptare. Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 141. ISBN 9789995602673. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Gazeta Standard (29 nëntor 2014). "Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri, E papublikuar/ Arkivi i Shtetit, 260 emrat që "rrëfyen" ekzekutimet në ushtrinë partizane". Marrë më 22 maj 2018. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ a b Titani Gj. dhe Kondi L., Naxhije Dume: Vrasja e Qemal Stafës, pengu im i përjetshëm: [Për herë të parë ish-anëtarja e KQ të PKSH-së, rrëfen historinë e Luftës], Panorama. - Nr. 203, 20 prill, 2003, f. 12 - 13.
  5. ^ M. Lalaj, Instituti Femnor "Nana Mbretneshë", Tiranë: Qendra Kombëtare e Artit dhe e Kulturës, 2013. fq. 195. ISBN 978-99943-51-90-9