Nazmi Mustafa

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Nazmi Mustafa (6 janar 1924 - 21 gusht 1997) ishte teknokrat shqiptar nga Kosova. Është më së shumti i njohur për punën e tij si Kryetar i Komunës së Prishtinës.

Jeta e Herëshme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nazmi Mustafa lindi në fshatin Rimanishtë, në Komunën e Prishtinës, me 6 janar 1924. Prindërit e tij ishin Asllan Sejdi Mustafa, nga Rimanishta, dhe Zahe Mustafa (lindur Maqastena), nga Dumnica. Nazmiu kishte dy motra. Në moshë të re i bashkangjitet Luftës Nacional Çlirimtare. Qendron në ushtri deri në vitin 1946, kur lirohet nga shërbimi me gradën Tetar. Në luftë ai plagoset në betejë nga një predhë artilerie. Gjatë kohës në ushtri në menyrë autodidakte merr mësimet e para. Pas shërbimit ushtarak kthehet në Prishtinë ku vazhdon punë të rëndomta në administratë.

Jeta Personale[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 1952 martohet me Fatime Arifin nga Babushi i Muhaxherëve, me të cilën ka dy vajza; Burbuqen dhe Violetën.

Shkollimi Profesional[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 1952 fillon shkollën e mesme profesionale të xehtarisë në Bor, Serbi. Gjatë shkollimit, netët i kalon duke punuar si minator për të mbajtur vehten dhe familjen. Pas përfundimit të shkollës së mesme, kthehet në Kosovë dhe fillon punën në minierën e Kishnicës. Në vitin 1958 vazhdon fakultetin e xehtarisë në Tuzëll, Bosnie dhe Hercegovinë, nga ku diplomohet me titullin Inxhinier i Diplomuar i Xehtarisë.

Veprimtaria Profesionale[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas diplomimit nga fakulteti, Nazmi Mustafa, kthehet në Prishtinë dhe punësohet si Drejtor i Përgjithshëm në Minierën e Goleshit (1963-1968).

Me 1968 merr pozitën e nënkryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës. Me 1970 emërohet Drejtor i mihjes sipërfaqësore në kompleksin energjetik Obiliq (tani i njohur si Korporata Energjetike e Kosovës).

Veprimtaria si Kryetar i Prishtinës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 1972 propozohet dhe pranon për të vazhduar një mandat te lënë përgjysëm në pozitën e Kryetarit të Prishtinës. Në një mandat e gjysëm, 6 vjeçar, sa ishte kryetar i Prishtinës, karakteri i qytetit i nënshtrohet një ndryshimi thelbësor si kulturor ashtu edhe urbanistik. Në këtë kohë për herë të parë në histori ndalohet mbajtja dhe qarkullimi i bagëtive brenda qytetit. Gjithashtu ndalohet qarkullimi i traktorëve dhe mjeteve tjera bujqësore në qytet.

Në këtë kohë fillon edhe ndryshimi i dukjes së qytetit nga një qytet oriental në një qytet bashkëkohor. Gjatë kësaj kohe ndodh edhe rrënimi i një pjese, asokohe periferike, të Prishtinës që nuk mund të rehabilitohej nga aspekti urbanistik.

Kjo ishte koha e planifikimit dhe ndërtimit të lagjeve kryesore të Prishtinës si Ulpiana, Arbëria (ish-Dragodani), Bregu i Diellit, Qendra Universitare, Dardania (të cilën me iniciativë personale e mbron nga emërtimi serb). Kjo është edhe hera e parë kur paraqitet një stil më modern urbanistik në Prishtinë duke ikur nga kaotizmi orientalistik dhe duke mos iu nënshtruar monokromatizmit të arkitekturës komuniste. Në këto vite ndërtohen edhe objektet kapitale të identitetit modern të Prishtinës; ndërtesa e qeverisë (ish-Pallati i Shtypit “Rilindja”), Qendra Sportive e Rinisë (ish-Boro-Ramizi; projekt ky që vetëfinancohet nga qytetarët e komunës së Prishtinës pasi që votohet në referendum), Hotel Grand Prishtina, ndërtesa e Bankës Qendrore të Kosovës (ish-Shërbimi i Kontabilitetit Shoqëror) Biblioteka Kombëtare, Mensa e Studentëve, Halla Sportive 1 tetori (ish-25 maji), Stacioni HekurudhorëFushë Kosovë (që asokohe bënte pjesë në Komunën e Prishtinës), objekti i Radio Kosovës.[1] Një projekt, i cili konsiderohej madhorë në kohën e implementimit, ishte edhe mbulimi i prrockave kolektore të ujrave të zeza në Prishtinë.

 Veprimtaria pas Pozitës si Kryetar i Prishtinës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas përfundimit të mandatit të dytë si Kryetar i Prishtinës, Nazmi Mustafa emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Kombinatit Industrial-Ndërtimor “Ramiz Sadiku”. Këtë organizatë e drejton deri në vitin 1987.

Angazhimin i fundit profesional e kishte si Kryetar i Pleqësisë për Zhvillim Ekonomik të Kosovës në Këshillin Ekzekutiv të Kosovës.

Aktivitete Politiko-Shoqërore[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Anëtar i Kuvendit Krahinor të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës. Anëtar i Komitetit Krahinor. Nënkryetar i Shoqatës së Teknikëve dhe Inxhinierëve të Jugosllavisë. Deputet i Kosovës në Parlament.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "Nazmi Mustafa vuri themelet e imazhit të kryeqytetitldate=August.21.2007". kosovapress. Marrë më 19 janar 2014. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)