Ndajfolja

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Ndajfolje quhen fjalët e pandryshueshme që plotësojnë para së gjithash foljen, duke treguar mënyrë, vend, kohë, shak, qëllim, sasi: Blendi shkruan bukur, qartë dhe saktë.

Ndajfoljet mund të plotësojnë edhe një mbiemër ose ndajfolje tjetër: Ata u ngritën shumë herët atë ditë.

Për nga kuptimi ndajfoljet janë gjashtë llojesh: mënyre, vendi, kohe, shkaku, qëllimi, sasie.

Ndajfoljet e mënyrës[redakto | redakto tekstin burimor]

Ndajfoljet e mënyrës luajnë rolin e grupeve parafjalore rrethanor mënyre: Vjollca e Dritani silleshin natyrshëm (=në mënyrë të natyrshme) me të gjithë.

Ndajfoljet kryesore të mënyrës janë:

  • mirë, keq, bukur, pastër, qartë, shkurt, thjesht, që tregojnë cilësinë e veprimit. Të tilla janë edhe ndajfoljet gëzueshëm, natyrshëm, furishëm, etj.: Vjollca flet bukur frëngjisht.
  • menjëherë, pak nga pak, vazhdimisht, shpesh, papritur etj., që tregojnë ecurinë e veprimit: Dritani u ngrit papritur.
  • cekët, gjerë, gjatë, thellë, ulët që tregojnë përmasa: Toka duhet punuar thellë.
  • bujarisht, trimërisht, artistikisht, besnikërisht, teorikisht, që kanë kuptimin e togut në mënyrë + mbiemër: bujarisht (në mënyrë bujare), po edhe shqip, frëngjisht, anglisht: Në Shqipëri më pritën dhe më përcollën bujarisht (në mënyrë bujare).

Ndajfoljet e vendit[redakto | redakto tekstin burimor]

Ndajfoljet e vendit luajnë rolin e grupeve parafjalorë plotës vendi.

Ndajfoljet kryesore të vendit janë:

  • afër, larg, pranë, rreth, djathtas, majtas, aty, atje, diku, gjëkund, gjithkund, anembanë, gjithandej, kudo, ngado, asgjëkund, kurrkund, etj, që tregojnë vendin ku kryhet veprimi: Makina u kthye djathtas (në anën e djathtë).
  • ku, nga: Ku po shkon? Nga je edhe pse ke ardhur?

Në të vërtetë "ku" dhe "nga" janë ndajfolje pyetëse, po merren edhe si ndajfolje vendi.

Ndajfoljet e kohës[redakto | redakto tekstin burimor]

Ndajfoljet e kohës luajnë rolin e grupeve parafjalore rrethanor kohe.

Ndajfoljet kryesore të kohës janë:

  • dje, pardje, nesër, pasnesër, paradite, pasdite, sot, sonte, tani, vjet, që tregojnë kohën e saktë të kryerjes së veprimit: Erdha sot (=ditën e sotme) nga Tirana dhe do të nisem nesër (ditën e nesërme).
  • njëherë, një herë e një kohë, gjithmonë, kurdo, së shpejti, së lashti, që tregojnë një kohë të papërcaktuar: Së shpejti do të organizohet në Tiranë një konferencë për gjuhën shqipe.

Ndajfoljet e shkakut[redakto | redakto tekstin burimor]

Ndajfoljet e shkakut luajnë rolin e një grupi parafjalor rrethanor shkaku. Ndajfoljet e shkakut janë: përse, pse të cilat përdoren për të pyetur për shkakun e kryerjes së një veprimi: Pse (për çfarë arsyeje) nuk punon edhe ti si të tjerët? Përse (për çfarë qëllimi) më kërkon?

Këtu mund të fshihen edhe fjalët prandaj, andaj, (=për këtë shkak, për këtë arsye, për këtë qëllim) të cilat funksionojnë edhe si lidhëza.

Ndajfoljet e sasisë[redakto | redakto tekstin burimor]

Ndajfoljet e sasisë luajnë rolin e grupeve emërore rrethanor sasie. Ndajfoljet kryesore të sasisë janë:

  • shumë, pak, tepër, fort, së tepërmi, për së tepërmi, njëherë, dyherë, etj, që tregojnë në ç`masë realizohet veprimi: E njoh mirë Butrintin, se e kam vizituar tri herë. Gjeta një libër shumë të vjetër, të ruajtur shumë mirë.
  • fort, tepër, së tepërmi, njëfish, dyfish, trefish, aq, kaq, mjaft, pak, etj. që shprehin intensitetin ose shkallën e një veprimi a të një cilësie.

Dëgjomë, mua plakun, se di më tepër se ti.

Shkallët e ndajfoljeve[redakto | redakto tekstin burimor]

Ndajfoljet përdoren në shkallën pohore, krahasore dhe sipërore, kryesisht ndajfoljet e mënyrës: mirë, bukur, qartë, si edhe disa ndajfolje vendi e kohe: lart, poshtë, afër, larg, vonë, herët, etj. Shkalla krahasore dhe shkalla sipërore e ndajfoljeve formohen me po ato fjalë me të cilat formohen shkalla krahasore e shkalla sipërore e mbiemrave.

  • Shkalla pohore: Miri ecën shpejt.
  • Shkalla krahasore e barazisë: Miri ecën aq shpejt sa Genti.
  • Shkalla krahasore e sipërisë: Miri ecën më shpejt se Genti.
  • Shkalla krahasore e ultësisë: Miri ecën jo aq shpejt sa Genti.
  • Shkalla sipërore: Miri ecën shumë shpejt.