Ndarja e Shqipërisë sipas Strabonit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Ndarja e Shqipërisë sipas Strabonit - ZHAN KLOD FAVEIRIAL

Administrimi Romak[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Administrimi romak në Maqedoni dhe në trevat e Ilirëve-Maqedonia, Iliria dhe Epiri, duke nisur nga viti 147 para Kr., në vend të mbretërve apo të pretorëve, kishin veçse prokonsuj ose magjistratë romakë si guvernatorë. Këta guvernatorë padyshim që nuk ishin të gjithë të mirë, por, edhe nuk ishin të gjithë të këqinj. I pari, që historia tregon se u soll keq, u denoncua në senat dhe, me të arritur në Romë, babai i tij i tha: -"Nuk të njoh më, ti nuk je i denjë për mua, as për familjen tonë: jashtë prej shtëpisë sime".

Pizoni, edhe ai, u denoncua në Romë, dhe u ndoq ligjërisht nga i mirënjohuri Ciceron. Në fjalimin para popullit romak, të cilin e kemi ndër duar, ky gojëtar i thotë Pizonit : -"Ju jeni i vetmi nga të gjithë prokonsujt e Maqedonisë që nuk keni hyrë në Romë nga porta e triumfit, -ju jeni i vetmi që, duke u kthyer nga Maqedonia, nuk keni fituar nderet e triumfit" (k. 23).

Në Ilirinë dhe Maqedoninë, tashmë të pushtuara, Roma dërgon 15 komisionerë : 5 në Iliri dhe 10 në Maqedoni. Ata kishin për detyrë të riorganizonin vendin, dhe udhëzimet për to -thotë Tit-Livi (Lib. 45) -u diskutuan gjerësisht në senat.

Midis tjerash, ata duhej të hiqnin taksat e vendosura mbi minierat dhe të përgjysmonin tributin që u paguhej mbretërve: -"Me këto masa -thotë Tit-Livi (libri 45, k. 18), -populli romak dëshmon se ai nuk u sillte skllavërinë njerëzve të lirë, por lirinë atyre që ishin skllevër". Maqedonasit kërkuan një legjislacion të ri. Ai iu dha atyre, dhe po ky legjislacion ishte ende në fuqi në kohën që Tit-Livi përpilonte analet e tij.

Kantu vëren veç tjerash (vëll. 5, fq. 205) se, për të rrënjosur sundimin e saj, Roma, gjithherët, kishte si kujdes parësor që tek të mundurit: -të asgjësonte fuqinë publike dhe lirinë konstitucionale, -të shkrinte konfederatat, -të fuste në ato vende një popullsi romake, -tu akordonte të drejtën e qytetarisë të gjithë vendasve që ishin të denjë për të.

Jeta e 150 mijë familjeve të shpërngulura, dhe 70 qytetet e rrënuara në Epir me urdhër të senatit Romak, e bëri të vuante shumë grekun Plutark në biografinë e tij për Pal-Emilin (k. 29). Por çfarë provon këtë? Se Plutarku i gjykonte ngjarjet si grek, kurse Tit-Livi si romak.

Nga ana tjetër, Thesalianët e masakruar apo të shndërruar në skllevër prej Grekëve, si dhe 150 mijë familjet e shpërngulura nga Pal-Emili, u zëvendësuan sakaq me të tjerë, me Vllehët e dërguar nga Italia dhe të organizuar në koloni nëpër Duumvire.

Nëse vendi nuk do ishte ripopulluar nga kolonët e sjellë prej tjetërkund, si do kish mundur Pompeu të rekrutonte ushtarët po prej këtyre viseve, kur dijmë mirë se Roma, në këto kohë, rekrutonte ushtarë vetëm midis kolonëve dhe qytetarëve.

Në komentaret e Cezarit, tashmë është çështja jo për aleatë por për rekrutë të vërtetë. Lexojmë këtu se as ushtarët e as kalorësit, nuk kishin braktisur Cezarin për të kaluar me Pompeun. Në vend të kësaj, çdo ditë vinin ushtarë të kampit të Pompeut drejt Cezarit, kryesisht nga ata që ishin rekrutuar në Epir, në Thesali dhe në zona të tjera që Çezari kishte nënshtruar. (Bellum Civile. libri 3, kap. 61).

Pasi pushtohej një vend, kujdesi parësor i Romës ishte të lidhte kryeqytetin me anë të rrugëve ushtarake. Këtë bëri ajo edhe në Iliri dhe në Maqedoni. Rruga Egnatia, për të cilën flasin Polibi dhe Straboni, kishte dy degëzime në Adriatik: -e para në Apolloni, e dyta në Dyrrah, ku si njëra dhe tjetra takoheshin në Klaudiana.

Duke iu ngjitur më pas maleve Kandave, ajo u shtri në fillim deri në Trakë, më vonë deri në Bosfor, dhe më tej edhe deri në Persi. Distancat shënoheshin me gurë ushtarakë. Çdo përrua, çdo lumë i madh apo i vogël, kishte nga një urë shumë të fortë. Kuajt e postës vendoseshin në distanca të caktuara. Çdo guvernator apo çdo zyrtar udhëtonte lirisht, por për civilët ishte e nevojëshme një leje ad hoc.

Piloni ose Diavati ndante Ilirinë nga Maqedonia. Rruga Egnatia kalonte nëpër të. Duke u zgjatur më tej në Barnum ose Barnuntum (Perister), ajo arrinte në Heraklea të Pelagonisë. Duke kaluar, më pas, vendin e Linkestëve (Follorina) dhe të Eordëve (Ostrova), ajo merrte drejtimin për në qytetet e Edesës (Vodena) dhe të Pelas drejt Selanikut.

Mbi Rrugën Egnatia, përpara Diavatit apo Pilonit, ne gjejmë Lyhnidin dhe liqenin e tij, Pont Serviliumin mbi Drin në rrethinat e Strugës, stacionin e Tre Tabernave (ose tre khanët e Domuzderit), qytetin e Skampinit, bigëzimin e Klaudianës në rrethinat e Elbasanit, pastaj Durrësin në veri mbi Adriatik, dhe Apoloninë në jug, domethënë në derdhjen e Vjosës.

Duke folur për këtë rrugë që ai duket se e ka përshkuar, Straboni i emërton Epirotë kombet ose fiset shqiptare që ajo kishte në të djathtë, dhe Ilirë ata që kishte në të majtë. Në jug ishin malet e Kandavisë, dhe në veri malet ilirjane. Në ditët e sotme thuhet Gegët në veri dhe Toskët në jug.

Ciceroni është një nga personalitetet më të shquar që ka përshkuar Rrugën Egnatia. I përndjekur nga Klaudi, të cilin e vrau Miloni më vonë, ai u kthye në Selanik, ku qe dëshmitar i orgjive të Pizonit dhe trupave të tij greke. Por rrethanat po ktheheshin në favor të tij, kështu që ai la Selanikun, iu afrua Romës, dhe u vendos në Durrës deri në ditën kur një senatus-consulte i dha fund ekzilit të tij.

Kishte shpërthyer lufta civile midis Pompeut dhe Çezarit dhe përreth Dyrrahut u zhvillua beteja e parë. Falë pozicioneve që kishte zënë dhe përgatitjeve të kohëzgjatura, Pompeu arriti këtu të parën fitore. Por, në vitet në vazhdim, ai humbi një betejë vendimtare në Farsala të Thesalisë (9 gusht 48 para Kr.).

Cezari kishte rrjeshtuar, megjithatë, veçse 22 mijë legjionarë dhe 1000 kalorës, kundër një këmbësorie të dyfishtë në numër, dhe një kalorësie shtatë herë më të madhe. Por, qysh prej dhjetë vitesh, trupat e tij jetonin nëpër çadra. E paktë në numër, ushtria e tij kishte epërsi në disiplinë dhe në përkushtimin ndaj prijësit. Mbi të gjitha, ai kishte një pararojë të pakrahasueshme ose legjionin kelt, që e bëri Çezarin sundimtar të Romës dhe zot të botës.

Më vonë, Çezari u vra (viti 44), por, Oktavi, nipi i tij, dhe Antoni, një nga gjeneralët e tij më të mirë, ndoqën vrasësit dhe i shpartalluan në Filipe (42 para Kr.). Shumë shpejt shpërtheu një luftë e re, -ishte e treta midis Oktavit dhe Antonit, pasi ky i fundit i kishte lënë të motrën. Një betejë vendimtare u zhvillua në Epir, dhe fitorja mbeti në anën e nipit të Çezarit të madh (31 para Kr.).

Pra, në Maqedoni, -në fillim në Thesali e më vonë në Filipe, -e, më në fund, në Epir, ishte caku ku u vendos fati i botës në tre variante të ndryshme. Pas Filipesë, Oktavi kishte qënë i pamëshirshëm: koka e Brutit u pre dhe u vendos në Romë nën këmbët e statujës së Cezarit. Pas Aktit, ai u tregua zemërbutë: -askujt prej robërve që kërkuan tu falej jeta, nuk iu refuzua kërkesa.

Në Ilirinë e Epërme (Dalmaci dhe Myzi) u zhvilluan luftime të shumta midis ithtarëve të Pompeut dhe të Cezarit. Ishte veçse një rrjedhojë e luftës civile, dhe përplasja ndodhte Romak me Romak. Por, në kohën e Augustit, vendi u rebelua dhe u derdh mjaft gjak në rrethimet e qyteteve Andretium dhe Arduba. Tiberi, i cili u ngarkua të nënshtronte kryengritësit, thirri Baton, prijësin e tyre, dhe e pyeti se cili ishte shkaku që i kishte shtyrë të ngrinin krye. "Sepse -iu përgjigj me guxim Batoja, -ju vini ujqërit të ruajnë kopenë, në vend që t'ua besoni kopenë barinjve".

Epoka kristiane[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Atëkohë u vendos një heshtje e thellë në të gjithë universin, dhe, në mes të kësaj heshtjeje të thellë, lindi Jezu Krishti, paqëtori më i madh i popujve dhe i shpirtërave. Vetë Augusti e ndihmoi, pa e ditur, në vënien në jetë të dekreteve hyjnore. Profetët kishin thënë se Mesia, shpresa e popujve, kishte lindur në Betlehem. Regjistrimi i popullsisë, i urdhëruar nga perandori i madh, e detyroi Jozefin dhe Marien të shkonin atje. Mbretërimi i demonit do të pasohej nga perandoria e Jezu Krishtit dhe e Kishës së tij.

Megjithatë, Augusti donte të përjetësonte kujtimin e fitores së tij. Ai e rrethoi me mure të fortë vendin ku ai kishte shtrirë fushimin e tij në Akti, duke ngritur ndërtesa të hijëshme dhe duke ua dhuruar ato një pjesë banorëve të Ambrakisë, dhe të tjerat banorëve të shumë qyteteve epirote që luftërat e mëparshme i kishin shkatërruar. Në kohën kur Straboni viziton Nikopojën, popullsia e këtij qyteti ishte e shumtë në numër dhe tregtia e saj lulëzonte.

Nipi i vogël i Augustit dhe djali i vogël i Antonit, Germaniani, përfitoi nga çasti kur riparoheshin aty anijet e tyre, për të parë Nikopojën. Ai e vizitoi atë në tërësi, si dhe kampin e të mundurve dhe monumentet e ngritura nga ngadhënjyesi. Dhe kjo ishte për të - thotë Taciti -një ndijim i dyfishtë gëzimi dhe dhimbjeje.

Krishtërimi u predikua këtyre anëve nga një prej apostujve më të mëdhenj. Shën Pali na bën me dije se ai vetë kaloi në Nikopojë, në dimër të vitit 64, dhe se dha një pritje në Shën Tite (Letra 3. 12). Në këtë kohë, vetë apostulli kishte predikuar tashmë Ungjillin në Maqedoni, sidomos në Filipe, Selanik dhe në Bereja (Veria). Letra që ai i shkroi nga Roma banorëve të Filipesë, dhe dy letra që ai shkroi nga Korinti banorëve të Selanikut, figurojnë midis librave të Testamentit të Ri.

Ky apostull ishte në Azinë e Vogël, kur një engjëll iu shfaq në formën e një plaku, dhe e ftoi të kalonte në Maqedoni pasi tashmë populli ishte i gatshëm të priste lajmin e ri.

Në letrën e tij shkruar Romakëve (15. 19), Shën Pali thotë se ai kishte predikuar Ungjillin deri në Iliri, por nuk dihet nëse ai ka kaluar nëpër Maqedoni apo nëse ka ardhur nga Adriatiku.

Pasi u kishte predikuar Ungjillin popujve të Skithisë, Ilirisë dhe të Epirit, Shën Ndreu vdes në Patra. Për ti dhënë rëndësi e për të çoroditur të paditurit, patriarkët e Kostandinopojës ia atribuuan këtij apostulli themelimin e qytetit të tyre. Nestori ia atribuoi atij edhe themelimin e selisë në Kiev.

Pohime të tilla nuk i qëndrojnë dot kritikës, por është e vërtetë se vëllai i Shën Pjetrit predikoi Ungjillin në Bizanc. Vetëm Grekët e bënë atë të harronte atë çka kishte dëgjuar prej Jezu Krishtit ti thoshte Shën Pjetrit, dhe të bënin Prodromin ose Gjon Pagëzorin e një Foti.

Aristarku, i martirizuar në kohën e Neronit, është i pari ipeshkv që ne gjejmë në Selanik. Por, me sa duket, ky qytet nuk duhet të ketë pasur vikarë apostolikë përpara Shën Askolit, të cilin e shohim të pagëzojë perandorin Teodori i Madh. Shën Dimitri ishte martirizuar këtu në kohën e Dioklecianit, në vitin 307.

Heliodori, i pari ndër ipeshkvët që e gjejmë në Nikopojë, nënshkroi letrën e shkruar për kishat nga koncili i Sardikës ose Sofias. E njëjta letër ishte nënshkruar, po ashtu, nga Paregori, i pari ipeshkv që e gjejmë në Shkup. Në Shkodër ne nuk gjejmë ipeshkvë para Basit (fundi i shekullit të katërt), dhe Dyrrahu, që duket se ka qënë i drejtuar nga ipeshkvi Apolon, në kohërat apostolike u ngrit në metropoli vetëm në shekullin e pestë. Ipeshkvi Shën Ast, Peregrini, e shumë të tjerë, vuajtën mjaft aty nën Trajanin.

I dëbuar nga Roma prej Domicianit, bashkë me filozofët e tjerë grekë, Epikteti u tërhoq në Epir, dhe qëndroi këtu deri sa ishte gjallë ky perandor (v. 90-96). Megjithatë, perandori Adrian e vlerësonte shumë atë. Por Lukiani tallet me një njeri që pagoi tre drahme për llampën që përdorte Epikteti. Blerësi kishte besuar se, duke punuar nën dritën e kësaj llampe, ai merrte nëpërmjet saj dijet e ish zotëruesit të saj. Përveç kësaj, filozofia e Epiktetit ishte ajo e filozofëve idhujtarë. Një i krishterë nuk i jep shumë rëndësi, meqënëse ka në Ungjill dhe në shembujt e shenjtorëve, parimet e mira dhe modelet më të larta.

Papa Eleuteri, që mbajti mbajti selinë papnore nga viti 177 deri në 186, ishte nga Nikopoja. Atij iu kërkua nga një mbret i Anglisë të bëhej i krishterë. Për atë dhe gjithashtu për paraardhësit e tij, Shën Ireneu, arkipeshkv i Lionit na jep këtë dëshmi: -Prej këtyre Papëve na është ruajtur tradita dhe predikimi apostolik. Duket qartë se besimi i madh fetar i këtyre ipeshkëve është i njëjtë me atë të apostujve, dhe se na është përcjellë prej tyre me të gjithë pastërtinë e tij.

Nikopoja u rimëkëmb nga perandori Julian rreth vitit 361 pas Kr. Pallatet e saj - thotë Mamert -u shembën një kohë nga të gjitha anët, portikët e saj nuk kishin më çati, ujësjellësit nuk sillnin më ujë, dhe lojrat e tyre publike, të krijuara nga Augusti, e të hedhura poshtë nga të krishterët, nuk tërhiqnin më njeri aty.

Nikopoja ishte pushtuar dhe plaçkitur nga Xhenseriku, në vitin 475. Ambasadori grek iu ankua atij duke e cilësuar si një akt armiqësie, dhe Xhenseriku u përgjigj: -"Kisha të drejtë të veproja atëhere si armik. Tashmë, ju më propozoni paqen, unë jam gati të mirëkuptohem me ju". Nikopoja u rrënua, gjithashtu, edhe nga mbreti i Gotëve, Totila, në vitin 542.

Flitet se qyteti u shkatërrua edhe nga ardhacakët bullgarë të vitit 933. Kedreni shkruan se, vetëm duke qënë të detyruar të linin Bullgarinë, ithtarët e një farë Mikeli gjetën aty strehë. Qyteti u mor nga Dolioni më 1040, -shton Kedreni. Shkatërrimi i Nikopojës, pra, ishte ose vepër e kohës, ose e Grekëve.

Nikopoja, për një kohë të gjatë, ishte metropolia e gjithë Epirit. Roli që luajtën ipeshkvët e saj ishte nga më të nderuarit. Ne gjejmë Heliodorin në koncilin e Sardikës, Donatin në atë të Efesit, Atikun në atë të Kalkedonisë. Eugjeni jetoi nën perandorin Zenon, Alkizoni nën Anastasin, Danieli nën Leon Dijetarin. Kur në shekullin e 12-të, Nikopoja ishte shkretuar, qoftë për shkak të Saraçenëve të Kartagjenës, qoftë prej shkaqesh të tjera, të drejtat e saj të metropolit i kaluan në fillim Naupaktit (Lepanto), në vijim Artës, e më tej Janinës. Por çfarë ndryshimi midis ipeshkëve të Janinës dhe atyre të Nikopojës. Për të mos u kthyer më në këtë qytet, le të themi më së fundi se, në vitin 1792, një konsull i Francës, M. dë Lasal, u vra atje nga një ushtar i kapedan Lepeniotit, dhe se, në vitin 1798, një trupë prej 280 francezësh u zhduk në këto rrënoja të vjetra, pasi luftoi aty shumë ditë kundër forcave 20 herë më të mëdha të Ali Tepelenës. Ata që mbijetuan -thotë Pukëvili -u dërguan në Janinë, të ngarkuar me kokat e shokëve të tyre, të cilat ua kishin rrjepur për së gjalli. Nga goja e tyre, Pukëvili mësoi vuajtjet e pësuara gjatë robërisë në Shtatë Kullat e Kostandinopojës. Por, sa mizorisht e kanë pësuar Suljotët dhe Prevezasit tradhëtinë e tyre ndaj francezëve.

Legjionet ilire dhe perandori Sever[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Protesta e tyre kundër shitjes së perandorisë nga pretorianët[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Perandori Sever nuk ishte aspak shqiptar nga prejardhja, por ai komandonte legjionet ilire në kohën kur, apo pasi kishin therur Pertinaksin, rojet perandorake i shitën perandorinë romake Ded Julianit me një çmim prej 6.250 drahmesh për ushtar. Senati, duke mos pasur pushtet, e lejoi këtë, por një pazar i tillë shkaktoi zemërimin e të gjithë legjioneve romake. Ato të Anglisë shpallën perandor gjeneralin Albin, ato të Sirisë Peçen Negrin, dhe ato të Ilirisë Septim Severin. Tashmë legjionet ilire rekrutoheshin veçanërisht në Shqipëri dhe në Maqedoni.

Për të mos nxitur ambicien tek kolegët e tij, Severi nuk dëshironte që ta merrte vetë funksionin perandorak. Ai priti që t'ia impononte ushtria e tij. Vetëm se -thotë Herodiani (libri 2), -ai fitoi bindshëm kundër gardës pretoriane. Midis të tjerash, ai e akuzoi atë (gardën) se kishte masakruar Pertinaksin pasi i ishte betuar për një besnikëri të shenjtë, dhe ai do donte që një burrë energjik të hakmerrej për vdekjen e tij dhe të vendoste nderin e perandorisë. Dhe këto fjalë -shton Herodiani -iu erdhën për shtat ushtarëve të Ilirisë, të cilët kishin shërbyer nën Pertinaksin në kohën e Mark Aurelit, dhe kishin admiruar dashurinë e tij ndaj ushtarëve, po aq sa edhe guximin e tij. Duke parë tek ata nderimin e thellë për Pertinaksin dhe mllefin ndaj atyre që e vranë, Severi shfaqej mospërfillës ndaj gjithçkaje tjetër, përveç hakmarrjes aq të dëshiruar prej ushtarëve.

Ushtarët e besuan -thotë Herodiani -pasi, aq sa ishin shtatviganë dhe turreshin sypatrembur nëpër luftime, po aq pak ata ishin të aftë të kuptonin ndjenjat e vërteta të atyre që i rrethonin. Plotësisht të bindur se Severi nuk mendonte aspak për lartësimin e tij, ata u dhanë me shpirt pas tij, dhe e shpallën perandor.

"Nuk e prisja kurrë -u përgjigj Severi -ta shihja veten në këtë vend ku më kini ngritur. Lidhja me sovranët e mi të ligjshëm më kishte penguar të pretendoja për diçka të tillë, por pasi ju ma ngarkuat si detyrë, as ju, as unë, nuk duhet ta lëmë perandorinë për një kohë të gjatë në këtë llum. Qortimet që mund të bëheshin për Komodin, nuk mund ti adresoheshin Pertinaksit, këtij plaku, vlera dhe urtësia e të cilit do të mbeten përgjithnjë në kujtesën time.

Pretorianët, jo vetëm që guxuan të ngrenë duart e tyre të mallkuara mbi të, por, për më tepër, ata nuk patën turp të shisnin me çmim poshtërues një perandori që shtrihej tejetej, mbi tokë e mbi det. Po aq sa janë të poshtër, aq më pak janë për tu pasur frikë. Këta janë ushtarët e paradës e të ceremonisë. As për nga guximi, as për nga numri, ata nuk krahasohen dot me ju.

Në të vërtetë, ju jeni, ju, të mësuar të shihni armikun përballë, të duroni marshimet më të gjata, të qëndroni të paepur karshi të ftohtit dhe vapës, etjes dhe urisë, e të kapërceni lumenjtë e mbuluar nga akujt. Përkundrazi, kohortat pretoriane, të zhytura mes luksit dhe qejfeve të Romës, nuk do të dijnë t'i bëjnë ballë pranisë suaj".

Sapo mbaron këtë fjalim, ai niset drejt Romës. Kudo tmerri i paraprinte shfaqjes së ushtrisë së Ilirisë. Vetë pretorianët dalin përpara pa armë. Duke i rrethuar me legjionet e tij, Severi nisi t'i qortojë për vdekjen e Pertinaksit dhe për pazarin e turpshëm me Dedin. Ai iu hoqi flamujt ushtarakë, dërmoi kohortat e tyre, dhe theu mbrojtjen e tyre në rrethinat e Romës. Kështu ra, në sajë të legjioneve ilire, kjo gardë turbulluese, prej jeniçerësh të vërtetë otomanë dhe strelicësh të vërtetë rusë. Fillimet e saj ishin të errëta, dhe ajo do të mbaronte duke përvetësuar të drejtën për të shitur perandorinë në ankand.

Shiko dhe këtë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]