Ndoc Nikaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Ndoc Nikaj
D Ndoc Nikaj.jpg
Dom (SJ)
Ditëlindja: 15 qershor 1865
Vendlindja: Shkodër
Ditëvdekja: 16 Janar1951
Pseudonim(e): N.D.N, Nagdo Monici[1]
Nënshtetësia: Shqiptar
Zhanri: Prozë, Poezi, etj.

Ndoc Nikaj lindi në Shkodër më 15 qershor 1865; megjithëse simbas dokumentit të pagëzimit shenohet se ka lé me 9 marc 1864. Vdiq në burg më 1951. Shkrimtar i palodhun me mbi 400 vepra, dhe babai i romanit shqip.

Jetëshkrimi[redakto | redakto tekstin burimor]

Babai i tij, Gjok Jakë Nikaj (Gjon Shtjefën Jaku), mirrej me ngjyrosje penjsh e shajake malësorësh; e e ama, Age Gjon Luli, i treti ndër 8 fëmij. I ati kishte marrë pjesë në luftën ruso-turke bashkë me disa shokë të tij, në përkrahje të turqve, në Sebastopol krahas me ushtarët francezë, në vitin 1877. Mësimet fillestare i kreu tek françeskanët, kurse në moshë 13 vjeçare hyri tek jezuitët në Kolegjin Papnor në Shkodër të cilat i përfundoi më sukses duke u bërë meshtar në vitin 1888, kur edhe shkruen "Vakinat e Kishës"[2]. Pas shugurimit si ndihmes-famullitar, për 2vj. me radhë shërbeu në Shkodër, mandej në famullinë e Shkrelit, Dajçit, Bregut të Bunës, Pemtarit, Sheldisë, etj. Veprimtaria e tij, e cila filloi pas shugurimit për meshtar, ishte fetare shkencore, historike, letrare, publicistike dhe politike, e botuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Si shkrimtar filloi që në moshën 24 vjeçare, kohë kur shkrim leximi në gjuhën shqipe ishte rrepstësisht i ndaluar prej qeverisë turke. Më 1883 gjendet famullitar në Shkrel ku formohet dhe "Lidhja e Msheht"[3] e cila hapi udhën për kryengritjen që filloi më 25 mars 1910[4]. Lidhja e mshehtë kishte për qëllim përhapjen e idesë kombëtare dhe ndezjen e shkëndisë për pavarsinë e Shqipnisë. Në bazë të programit t'asaj lidhjeje, Dom Ndoc Nikaj u aktivizue në veprimtarinë liridashëse të bashkëpunimit me çetat kryengritëse, që vepronin kundër turqve[5]. Vepra e parë e tij, "Marcja: martirja e parë e krishtenimit në filles të vet". Më 1899, është një nga pjesë themeluesit të shoqërisë "Bashkimi", të Abatit Prenk Doçi. Vetë si botues, Nikaj e nisi karierën duke themeluar më 1 janar 1910 gazetën e përjavshme Koha, ndër të parat gazeta politike në Shqipëni[5]. Në numrin e dytë ai ia ndryshoi emrin në Bashkimi, me siguri për të theksuar afërinë me shoqërinë letrare me të njëjtin emër. Át Pal Dodaj do të shkruajnë në ditarin e tij:

«Dom Ndoc Nikaj, famullitar i Obotit, ka përfitue 600 napolona prej kontrabandës s'armëve[6]

Kjo gazetë me katër faqe në shqip botonte artikuj për politikën, çështjet shoqërore, kulturën, letërsinë dhe ekonominë, dhe vazhdoi kështu deri afër vitit 1912. Në pranverën e vitit 1913 Ndoc Nikaj themeloi një gazetë tjetër, Besa Shqyptare, që dilte dy deri katër herë në javë gjer më 1921. Aty botohej edhe ndonjë artikull gjermanisht e italisht. Pas një periudhe të shkurtër, nga 29 korriku 1915 po kjo gazetë pati emrin Zani i Shkodërs. Përveç punës për nxjerrje gazetash, Ndoc Nikaj kishte edhe firmën e vet të vogël botuese Shtypshkroja Nikaj[7], të themeluar më 1909, ku u botuan shumë nga veprat e tij dhe të të tjerëve. Këtu ai shtypi libra këndimi në gjuhën shqipe, revista periodike si Hylli i Dritës dhe dhjetëra vepra të tjera. Ndonëse firma botuese nuk i dilte me fitim financiar, biznesmeni Nikaj dinte si të kompensonte humbjen me fitime në fusha të tjera më të leverdisshme si ato të tregtisë së lëndës së drurit apo të armëve. [4] Pas Luftës së Parë Botërore, pasi kishte dhënë një ndihmë të madhe në themelimin e shumë gazetave shqiptare, Nikaj iu kthye më fort shkrimeve dhe botoi libra shkollorë, libra fetarë për kishat, si dhe ndonjë prozë letrare. Ishte drejtues i dy shtypshkronjave. Bashkëpunoi shumë me revistën “Albania” të Faik Konicës.[8] Më 1921 u arrestua dhe bëri dyzetegjashtë ditë burg në Tiranë, për arsye që nuk dihen afërsisht që nga viti 1924 nuk shkroi më. Mbas shpalljes së Pavarësisë dhe të vendosjes së qeverisë shqiptare, Dom Ndoci nuk desh të mirrej me veprimtari politike, prandaj qortonte gjithë klerikët që mirreshin me atë punë[5]. Për jetën personale në vitet e mëvonshme, deri në fundin e Luftës II Botërore dihet shumë pak. Në kuadrin e përndjekjeve ndaj klerit katolik në Shqipërinë e veriut në fund të Luftës së Dytë Botërore, dom Ndoc Nikaj u arrestua nga komunistët më 1946, në moshën tetëdhjetedyvjeçare, me akuzën absurde të planeve për përmbysjen e qeverisë me dhunë, dhe vdiq në burgun e Shkodrës pesë vjet më vonë, në janar 1951[9]

Veprimtaria[redakto | redakto tekstin burimor]

Ai shkroi, përveç gazetës, më se 30 vepra të zhanrit të ndryshëm, e ndër to botoi 28 copë vëllime origjinale e më përmbajtje të larmishme[5]. Libri ma i çmueshëm e ma me randesi qe "Historija e Shqypnis", nji vellim prej 414 faqesh me shkroja shumë t'imta, të shtypun në Bruxelles në 1902 nën fillestaret N.D.N. Kjo histori qe përpilue në mbështetje të historjakut Marin Barletit. Përshkrimet e luftimeve të shqiptarëve kundra Turkut, nën kryesin e fatosit Skanderbeg, deri në ramjen e Shkodres në vjetin 1478, janë të gjalla e të shkrueme me nji entuziazem kombëtar, prej të cilit shifet kjartë zemra e ndezun e shkrimtarit për fisin e vet. Prap në vj. 1902 botoi në Londër librin "Historia e Turkis", për të cilin u ndoq nga qeverija turke, pse kishte guxue të shkruente historin e Otomanvet shqip."[2] Dom Ndoc Nikaj njihej si romancieri më i hershëm shqiptar por ai u hodh poshtë nga historia komuniste e Letërsisë Shqipe. Ndoc Nikaj, i njohur edhe si Nagdo Monici, pseudonim ky që e përdor edhe në gazetën “Albania” të Faik Konicës, njihet edhe për romanin historik “Shkodra e rrethueme”, botuar më 1913. Ndoc Nikaj ka lënë shtatë romane të pabotuara.[1] Ndoc Nikaj është pararendës i prozës në gjuhën shqipe, përaktësisht pararendës i Mihal Gramenos, i Milto S. Gurrës, i prozës se Foqion Postolit, Filip Papajanit, Midhat Frashërit, Ernest Koliqit e të tjerëve që do të pasojnë. Është historia e martirizimit të Marcies, e cila kallet e gjallë në dhe, sepse nuk pranon të mohojë Krishtin. Vepra është një rrëfim ndërmjet agjiografisë e romanit, me gjatësinë e një novele, që lexohet me endje edhe sot, nëse mund të gjendet ende në skajin e ndonjë biblioteke tejet të vjetër shkodrane. Titulli në origjinalin e veprës është: "Marzia e ksctenimi n'filles t'vet". Në kohën kur Dom Ndoci, prozatori që u la letrave shqipe një numër të madh veprash të të gjitha natyrave, që nga librat shkollorë, artistikë e deri te historia, është fyer në mënyrë të pabesueshme, burgosur, mohuar e harruar.

Vepra[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Vakinat e scêites kisc 1888, Romë (Historia e të shenjtes kishë).[4]
  • Marcja: martirja e parë e krishtenimit në filles të vet 1899, Shkoder.
  • Bleta nner lule t'Parrizit 1899, Shkoder.[4]
  • Historia E Shcypniis 1902, Bruksel.
  • Historia e Turkiis 1902, Londër (përkthim nga italishtja).[4]
  • Dashunia e msheftë 1905
  • Shkodra e rrethueme 1913
  • Tivari i marrun 1915
  • Bukurusha: Diftim historiak i vietve 1478-79 1918
  • Fejesa ndjep: A se Ulqini i mârrun 1918
  • Lulet në thes 1918
  • Burbuqja 1920
  • Lulja e veshkun 1920
  • Motra për vllàn 1921, pjesë teatrale[4].
  • Për mik (dorëshkrim)
  • Ç’pat thanë gjyshja (dsh)
  • Han Islandi (dsh)
  • Një testament (dsh)
  • Te shpella e murosun (dsh)[8]

Burimet[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b Ndoc Nikaj, Balzaku shqiptar
  2. ^ a b Shkrimtarët shqiptarë, Rilindja 2, Karl Gurakuqi; Nën kujdesin e Ernest Koliqit
  3. ^ Rezistenca antikomuniste ne Malesine e Madhe
  4. ^ a b c d e f Histori e letërsisë
  5. ^ a b c d "Shkodra dhe motet", nga Hamdi Bushati, f. 584-585
  6. ^ Hylli i Dritës Nr. 2-3, (221-222), Vjeti XXI/1993 Tiranë, 1993. fq. 98
  7. ^ Për një pasqyrë mbi veprimtarinë e kësaj shtypshkronje, kr. revista Leka, Shkodër, IX, 8-12 (1937), f. 680-684.
  8. ^ a b Klajd Kapinova: Jeta katolike
  9. ^ Del në dritë romani i parë shqip, "Marcja...", 1889, gazeta Agon