Ndue Dedaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Publicist, shkrimtar dhe studiues. Lindur me 22. 04. 1957 në Shëngjergj (Kaçinar), Mirditë. Arsimin fillor e kreu në Kalor (Lezhë), arsimin 8-vjeçar dhe të mesëm në Rrëshen, arsimin e lartë në Fakultetin Gjuhë-Letërsi të Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër (1979-1983), arsimin pasuniversitar (kursi i kritikës letrare) në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës (1986-1987). Ka punuar mësues i letërsisë në Gjimnazin e Rrëshenit, punonjës i shërbimit psikologjik në shkollat e Mirditës etj. Pjesëmarrës në seminare dhe trajnime kombëtare për Arsimin, në Tiranë e rrethe, si dhe jashtë vendit, në Vjenë (Austri), Brno (Çeki) me “Kultur-Kontakt” etj. Me 1994 krijon Shtëpinë Botuese “Mirdita”, duke qenë redaktor letrar i rreth 300 tituj librash artistikë, monografikë etj. Nga viti 2000 e në vazhdim është kryetar i Lidhjes Kulturore Austri-Mirditë (KÖM); hartues dhe drejtues miniprojektesh arsimore, kulturore, botimesh - me fondacione dhe organizata humanitare, si SOROS (AEDP), KOMPAS (Co-Plan), World Vision-Albania, Caritasi Austriak etj.

Kontributet krijuese si autor ngërthejnë disa fusha: a) publicistikë, ese. b) krijimtari letrare (poezi, prozë). c) studime të profilit historik.

Publicistikë: Bashkëpunon me shtypin periodik që nga mesi i viteve ’70, si reporter i lirë i gazetës “Zëri i Rinisë” dhe organe të tjera: “Bashkimi”, “Zëri i popullit”, “Puna”; shtypin letrar: gazetën “Drita”, revistën “nëntori” etj. Laureuar në fushën e gazetarisë, me çmim të parë për reportazhin më të mirë të vitit, “Zëri i Rinisë” (1988), çmimin “Arshi Pipa” nga revista “Kuvendi”, Miçigan (2011). Pas 90-ës ka bashkëpunuar me gazetat e pavarura: “Koha Jonë”, “Aleanca”, “Shekulli” etj. me reportazhe, portrete, reçensa, opinione, intervista, etj., duke qenë lëvrues i zellshëm i gjinive dhe llojeve të ndryshme publicistike. Nga viti 2006 e në vazhdim është analist i pavarur në gazetën “Shqip”, ku ka trajtuar tema të mprehta social-politike, si dhe një varg esesh të zgjedhura, reportazhesh etj.

Ndër esetë e publikuara kanë spikatur: Vajet dhe vajtimoret e Mirditës, “Mirdita në histori dhe etnokulturë”, 2001; Libromania, epidemia e shkrimanëve, “Koha Jonë”, 6 gusht 2003; Balada e Nuses së Vdekur, “Shekulli”, 31 janar 2005, “Tema” 12 gusht 2007; Përqasje midis Edipit Mbret dhe një legjende mirditase, “Shqip” 2006; Ismail Kadare, mes letërsisë dhe biografisë, “Shqip”, 17 nëntor 2006; Epopeja homerike e një rruge (Durrës-Prishtinë), “Shqip”, 22 maj 2009; Musine Kokalari, triptik për një disidente shqiptare, “Shqip”, 29 shtator 2010; Martin Camaj drejt Panteonit, “Shqip”, 26 tetor 2010; Nënë Tereza, përmasat planetare të një lumnim-shenjtërimi (Misioni-Miti-Modeli), “Shqip”, 30 nëntor 2010; Një histori e pabesueshme me “Lahutën e Malcis'”, “Shqip”, maj 2011; Një panteton kombëtar në Has të Thatë (Kosovë), “Bota sot”, shtator 2011, etj.

Libra artistikë:

  • 1998, “Aizbergu i Hanës” (poezi).
  • 2001, “Këndej kaloi koha” (poezi).
  • 2007, “Planetare” (poezi).
  • 2004, “Dashuri në kullën e ngujimit” (tregime e novelë).
  • 2004, “Hyjnesha e Pyllit” (tregime për fëmijë).
  • 2005, “Shembja” (roman).

Libra studimorë, monografikë:

  • 1999 & 2006 ribotim, “Toka e katedraleve” (studim).
  • 2000, “Kaçinari” (monografi).
  • 2001, “Kanuni dhe koha e sotme” (vështrim historiko-publicistik).
  • 2005, “Fabian Barkata dhe ditari i tij shqiptar” (biografi & ditar).
  • 2010, “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit” (studim-ese)

Bashkautor:

  • 1998, “Prengë Marka Prenga” (Bajraktari i Oroshit).
  • 1998, “Monsinjor Zef Skana”.

Ndue Dedaj mban titullin "Qytetar Nderi" i Komunës Kaçinar. Banon në Rrëshen. I martuar, me tre fëmijë.

Referimet: - Dhori Qiriazi, mbi vëllimin poetik “Këndej kaloi koha”. - Ndoc Gjetja, për profilin si krijues. - Dhimitër Xhuvani, mbi romanin “Shembja”. - Prof. Dr. Fatbardha Fishta (Hoxha), mbi romanin “Shembja” - Preç Zogaj, për publicistikën (lëvrimin e reportazhit) etj. - Hamit Boriçi, në përmbledhjen “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë” (2005). - Maksim Gjinaj, në Bibliografi e historisë së shtypit shqiptar (2003). - Prof. Dr. Ismet Elezi, mbi librin “Kanuni dhe koha e sotme” (2001). - Akademik Zef Mirdita, mbi librin studimor “Toka e katedraleve” (1996). - Akademik Mark Tirta, për librin “Toka e katedraleve”. - Dr. Pal Doçi, për veprën “Toka e katedraleve”. - Fatos Baxhaku, për veprën “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit”. - Dr. Dom Nikë Ukgjini, për veprën “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit”. - Akademik Kolec Topalli, për veprën “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit”. - Miho Gjini, Mjeshtër i Madh, krtikë për veprën letrare.

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]