Nexhip Fazëll Kësakyrek

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Fëmijëria e mendimtarit, poetit, shkrimtarit, publicistit e pedagogut Nexhip Fazëll kaloi në konakun e gjyshit të vet kryetar gjykate në pension, në lagjen “Çemberlitash” të Stambollit ku erdhi në jetë më 26 maj 1905.

Arsimin fillor e të mesëm e plotësoi në kolegjet amerikane, franceze dhe në Liceun Ushtarak Detar të quajtur “Bahrije Mektebi”. Mes pedagogëve të tij të viteve të liceut dallohen figura të shquara të kohës si Jahja Kemal. Pasi përfundoi degën e filozofisë të Fakultetit të Letërsisë të Universitetit të Stambollit më 1924, u dërgua në Paris ku studioi dy vjet (1924 – 1925) në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Sorbonës. Kur u kthye në Turqi pas ditëve të një jete boheme të kaluar në Paris, punoi, gjatë viteve 1928-1939, si inspektor dhe shef llogarie në bankat hollandeze, osmane dhe të punës. Pas kësaj, në vitet 1939-1943 dha mësim në kolegjin francez, në kolegjin amerikan, në Akademinë e Arteve të Bukura të Stambollit, në Konservatorin Shtetëror të Ankarasë, në Fakultetin Gjuhë- Histori-Gjeografi të Universitetit të Ankarasë.


Në vitet pasuese nuk u muar me gjë tjetër veçse me kërkime e krijime në fushat e mendimit e të artit. Hapin e parë në poezi e hodhi, sipas dëshirës së nënës, në moshën 17-vjeçare dhe poezitë e para iu botuan më 1922 në Revistën e Re (Yeni Mecmua). Për Nexhip Fazëllin nisi të bëhej fjalë pas botimit të poezive të tjera në organet Revista Kombëtare (Milli Mecmua) dhe Jeta e Re (Yeni Hayat), kurse, me botimin e librave poetikë Rrjeta e Merimangës (Örümcek Ağı, 1925) dhe Kalldrëmet (Kaldırımlar, 1928) pas kthimit nga Parisi, vepra, këto, që e nxorën atë në moshë të re në krye të poetëve bashkëkohës, autori zgjoi habi dhe entuziazëm të madh në rrethet letrare. Ndërsa me botimin e librit poetik Unë dhe Përtej (Ben ve Ötesi, 1932) kur ende s’kishte shkelur në të tridhjetat, vazhdoi të mblidhte miratimin e opinionit artdashës në një masë të paktën sa edhe krerët e artit të poezisë. Me rastin e botimit të këtij libri, poeti i njohur Zija Osman Saba qe shprehur kështu: “Nexhip Fazëll mbase s’është poeti më i madh turk, por libri i tij poetik “Unë dhe Përtej” gjithsesi është libri poetik më i fuqishëm i letërsisë turke.

Vdiq me 25.05.1983 në Stamboll.

Burimi i të dhëave[redakto | redakto tekstin burimor]

[1]