Numizmatika

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Numizmatika është veprimtari shkencore e cila merret me studimin e mjeteve monetare si të kohërave të moçme ashtu edhe të kohës moderne. Emri i saj rrjedh nga fjala nomisma, që do të thotë farkatari monedhash. Në veprimtarinë e gjërë të numizmatikës bjen edhe modelimi, faleristika (grumbullimi i medaljeve dhe dekoratave) dhe skripofilija (grumbullimi i letrave të vjetra me vlerë). Numizmatika është bërë lëmi interesante shkencore, e cila materialin numizmatik e përpunon si burim të historisë politike dhe ekonomike, kronologjisë epigrafike, gjuhësisë, heraldikës dhe historisë së artit.

Në vendin tonë prerja (shtypja e monedhave) e ka zanafillën që në shekujt VII -VI p.e.s në Dyrrah (Durrësi i sotëm) dhe Apolloni (Pojan i Fierit). Janë pikërisht monedhat e kësaj periudhe të cilat shënojnë pikënisjen e historisë të koleksionit të monedhave për qëllime numizmatike.

Për rëndësinë që paraqet ruajtja dhe evidentimi i historisë së emetimit të të gjithë monedhave dhe kartëmonedhave shqiptare, Banka e Shqipërisë në vitin 2002 publikoi katalogun e kartëmonedhave e monedhave shqiptare për periudhën nga lashtesia - deri në vitin 2002.

Ndarja e numizmatikës

Numizmatika ndahet në tri pjesë kryesore:

  • Monedhat e botës së vjetër
  • Monedhat e mesjetës, dhe
  • Monedhat e kohës së re

Ekspozita e parë e numizmatikës shqiptare


Për herë të parë në vitin 1880, Preng Bib Doda bëri të mundur që koleksioni shqiptar i monedhave të arit të grumbulluar nga zoti Ndoc Xhuxha të ekspozohej në ekspozitën numizmatike të organizuar në Vatikan. Natyrisht kjo është dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e numizmatikës shqiptare.