Organizimi shtetëror dhe jeta politike shqiptare

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Regjimi i Temave në Shqipëri[redakto | redakto tekstin burimor]

Tema e Durrësit[redakto | redakto tekstin burimor]

Ndonëse mbetej gjithnjë provincë bizantine, Shqipëria i humbi lidhjet e drejtpërdrejta me Perandorinë pas dyndjes e kolonizimit sllav në Ballkan. Strukturat shtetërore-administrative nuk funksiononin më, ndërkohë që në qytete apo jashtë tyre po zhvilloheshin struktura autonome të qeverisjes. Në qendrat e mëdha, si p.sh. në Durrës, fillon e bëhet fjalë për njerëz me ndikim e pushtet, përfaqësues të aristokracisë vendase (arkondët), të cilët luajnë rol gjithnjë e më të dukshëm në zhvillimet politike të vendit. Vetë pushteti bizantin, duke mos qenë në gjendje të vendoste një kontroll të fortë në provincat e tij të skajshme perëndimore, u detyrua të zbatonte këtu forma specifike organizimi e marrëdhëniesh, forma në të cilat elementët lokalë ishin shumë të rëndësishëm. Shembull tipik të këtyre marrëdhënieve të reja përbën në këtë kohë Durrësi dhe treva e tij (Epiri i Ri). Në shek. VII-VIII treva e Durrësit përfaqësonte një arkondat, ku pushteti dhe autoriteti ushtrohej nga arkondët vendas. Këta ishin bartës të autonomisë lokale dhe të vetëqeverisjes. Deri në fillim të shek. IX, Durrësi dhe gjithë prapatoka e tij kaluan një fazë vetëqeverisjeje dhe autonomie. Arkondë të tillë, me atribute pushteti, ndeshen në të njëjtën kohë edhe gjetkë, si në Vageneti (Çamëri), në Kolonjë etj. Zbehja e rrezikut arab, në lindje, dhe keqësimi i situatës në zotërimet bizantine në Ballkanin Perëndimor dhe në Italinë e Jugut, si rezultat i sulmeve të sllavëve e të frankëve, e shtyu Perandorinë Bizantine të kalojë në një organizim të ri administrativ në këto treva, në atë të temave.

Dihet se regjimi i temave, ose i provincave ushtarake, filloi të zbatohej që nga shek. VII në viset me emergjencë ushtarake. Ai bazohej në thelb në rekrutimin e një ushtrie vendase në radhët e fshatarësisë së lirë, e cila në këmbim të tokës, ofronte shërbimin ushtarak. Në krye të temës qëndronte strategu i emëruar drejtpërdrejt nga perandori bizantin, i cili përqendronte në duart e tij si pushtetin ushtarak, ashtu edhe atë civil. Pas tij vinin funksionarë vartës, si pretori, nënstrategët, kartularët, klisarkët etj. Ndër këto ofiqe, pretori dhe kartulari kishin karakter civil: pretori merrej me shqyrtimin e çështjeve gjyqësore dhe dërgohej nga pushteti qendror, kurse kartulari kryente detyrat e sekretarit të strategut. Ndër detyrat e tij kryesore ishte ndjekja e procesit të rekrutimit të trupave ushtarake, ajo e problemeve financiare të kancelarisë etj. Nënstrategët e klisarkët, që dëshmohen si pjesëtarë të hierarkisë drejtuese në Temën e Durrësit, kryenin detyra kryekëput ushtarake në njësitë përbërëse të Temës apo në sektorët me rëndësi të posaçme strategjike, siç qenë klisurat (ngushticat) që kontrollonin lëvizjet në rrugëkalimet kryesore. Në shek. X në krye të Temës së Durrësit gjejmë një katepan që kishte në juridiksion edhe zotërimet bizantine të Puljes (Itali). Në shek. XI komandanti i Temës së Durrësit thirret tashmë me titullin dukë.

Organizimi i ri i temave synonte të konsolidonte forcën ushtarake bizantine nëpërmjet krijimit të një ushtrie që rekrutohej në vend nga radhët e stratiotëve ose bujqve ushtarë, që kishin të drejtën e shfrytëzimit të një parcele toke kundrejt kryerjes së shërbimit ushtarak. Mjaft të dhëna historike provojnë se, në fakt, forcat ushtarake të strategut të Durrësit përfaqësoheshin nga rekrutët vendas (enkoroi dynameis).

Themelimi i Temës së Durrësit bie me siguri në dhjetëvjeçarët e parë të shek. IX. Si terminus ante quem mund të konsiderohet një letër e vitit 826 e patrikut të Konstandinopojës, Teodor Studiti, për kryepeshkopin e Durrësit, Antonin, ku bëhet fjalë pikërisht edhe për një funksionar laik, Thomanë, në atë kohë me detyrën e hipatit e të kartularit në Durrës.

Juridiksioni i Temës së Durrësit shtrihej prej Tivari në veri, në Gjirin e Vlorës në jug e në një thellësi drejt lindjes, që kapte rrjedhën e lumit Drin. Territoret e tjera shqiptare, që dilnin jashtë kuadrit të Temës së Durrësit, u përfshinë në temat fqinje të Nikopojës, që shtrihej në kufijtë e provincës së dikurshme të Epirit të Vjetër, të Selanikut, e cila kishte nën juridiksionin edhe viset e Kosovës e të Maqedonisë Perëndimore, dhe të Dalmacisë. Të gjitha këto tema u krijuan gjatë shek. IX. Vonë, në vitet e para të shek. XI, në viset e Maqedonisë Perëndimore u krijua një temë e re, qendra e së cilës ishte Shkupi.

Tema e Durrësit ishte në qendër të sistemit mbrojtës bizantin në zotërimet e perëndimit. Kjo është arsyeja që, në raste të veçanta, nën urdhrat e strategut të Durrësit viheshin edhe forcat ushtarake të temave fqinje, përfshirë ato të Italisë bizantine. Si rregull, veprimtaria e ushtrisë së temës përmblidhej brenda kufijve të temës përkatëse. Por, në raste të veçanta, ushtria apo reparte të veçanta të ushtrisë së temës dërgoheshin të vepronin edhe në fronte të tjera, siç ndodhte, p.sh. me luftëtarë nga Tema e Durrësit që dërgoheshin të luftonin në Italinë e Jugut.

Një karakteristikë dalluese për temën e Durrësit ishte roli i madh që elementi vendës shqiptar luante në strukturat administrative e ushtarake të saj. Ushtria e temës bazohej në rekrutët vendas. Nga ana tjetër, edhe elementë të aristokracisë vendase luanin një rol të rëndësishëm duke u integruar në sistemin e temës e duke luajtur shpeshherë një rol parësor në drejtimin e saj. Një rol të tillë ka luajtur p.sh. gjatë shek. X-XI familja e Krisilëve nga Durrësi. Pinjollë të saj u nderuan deri me titujt e lartë proteuon apo patric nga pushteti bizantin. Në vitet e fundit të shek. X e në fillimet e shek. XI, fati i vetë qytetit të Durrësit e rrethinës së tij ishte në duart e fisnikut Gjon Krisili, i cili ia dorëzoi një herë qytetin carit Samuel e ca vjet më vonë ia kaloi atë perandorit bizantin Bazili II. Aty nga viti 1040 i biri i Gjonit arriti të emërohej nga perandori bizantin komandant i ushtrisë së Temës së Durrësit dhe i forcave lokale që do të shkonin të shtronin Dioklenë, që kishte ngritur krye kundër sundimit bizantin. Pinjollë nga familje fisnike shqiptare të Temës së Durrësit, si Skurra, Vrana, Arianiti, Muzaka etj., arritën të zinin poste të rëndësishme në administratën e Temës. Madje, ndonjë syresh ngjiti shkallët e karrierës edhe në administratën qendrore.

Duke lënë mënjanë brezin bregdetar të Adriatikut, bërthamën e Temës së Durrësit e përbënte vendi i Arbrit (greq. Al(r) banon, lat. Al (r) banum, sllav. Raban), me një fjalë treva e përfshirë midis Lezhës, Vlorës, Ohrit e Dibrës. Vendi i Arbrit përfaqësonte mbështetjen kryesore të Temës së Durrësit. Prej andej vinin kontingjentet kryesore ushtarake të Temës. Rëndësia e Arbrit ishte e tillë që, në një moment të caktuar, tema e Durrësit filloi të quhej "Tema e Durrësit dhe e Arbrit". Një emërtim i tillë veç rëndësisë shprehte edhe individualitetin dhe pavarësinë e kësaj krahine brenda kuadrit të temës së Durrësit. Në fakt, Arbri ishte treva ku më tepër se në çdo trevë tjetër shqiptare, proceset politike kishin çuar që herët në krijimin e një autonomie relative ndaj pushtetit bizantin.

Autori bizantin i shek. XI, Mihal Ataliati, e ka fjalën pikërisht për trevën e Arbrit kur thotë se marrëdhëniet e shqiptarëve (Albanoi) me pushtetin bizantin ishin ndërtuar mbi bazën e sistemit të izopolitisë. Por nuk përjashtohet që pohimi i tij të vlejë, ku më shumë e ku më pak, edhe për treva të tjera shqiptare. Sistemi i izopolitisë ishte një sistem i privilegjuar marrëdhëniesh të një komuniteti të caktuar me pushtetin bizantin. Në thelb ai përfaqësonte një lloj statusi federimi, që Perandoria Bizantine u akordonte popujve dhe bashkësive të tjera, me të cilat i lidhte feja dhe përbashkësia e interesave. Statusi i izopolitisë iu akordua nga Bizanti për ca kohë edhe Venedikut. Izopolitia nënkuptonte njohjen e një autonomie të gjerë, përjashtimin nga taksat e detyrimet kryesore, si dhe privilegje të tjera. Detyrimi kryesor i parashikuar nga një sistem i tillë kishte të bënte me furnizimin me trupa ushtarake, të drejtuara nga komandantë vendas, që viheshin në dispozicion të strategut bizantin (në rastin tonë të strategut të Durrësit) në rast fushatash ushtarake.

Të përfshira në ushtrinë bizantine, trupat e Arbrit vepronin jo vetëm në Temën e Durrësit, por edhe jashtë saj, si edhe në vende të tjera, Maqedoni, Greqi, Itali etj. Gjithsesi ato përbënin një strukturë të veçantë, që dallohej nga masa tjetër e ushtrisë bizantine. Forca ushtarake, që treva e Arbrit arrinte të nxirrte në shekujt e mesjetës së hershme, përbënte edhe bazën e statusit të veçantë autonom që ai gëzoi në marrëdhëniet me Perandorinë Bizantine.

Lufta kundër ikonave dhe efektet e saj në Shqipëri[redakto | redakto tekstin burimor]

Në kohën e sundimit të Leonit III (717-741), Perandoria Bizantine u përfshi nga një konflikt i ashpër i brendshëm fetar. Në thelb të tij qëndronte interpretimi i ndryshëm që i bëhej rolit që kishin imazhet e shenjta (ikonat) kishin në besimin e krishterë. Duke filluar nga koha e Justinianit kulti i ikonave të shenjtorëve (ikonolatria) njohu një përhapje aq të gjerë në kishën bizantine, saqë u kthye në një nga format kryesore të shprehjes së ndjenjës fetare. Kishat e manastiret u mbushën aso kohe me ikona shenjtorësh të çmuara e të kushtueshme, duke u bërë njëherësh tregues i luksit dhe i pasurisë në të cilin notonin kleri dhe institucionet fetare. Një gjë e tillë ushqente pakënaqësi në një masë të gjerë njerëzish të çdo niveli shoqëror, të cilët mendonin se kisha duhej të ishte si në kohën e apostujve, e varfër dhe e virtytshme. Nga ana tjetër, nuk mungonin edhe në vetë gjirin e kishës prirje kundër kultit të ikonave, sipas të cilave një kult i tillë s’kishte asgjë të përbashkët me krishterimin, si fe krejtësisht shpirtërore. Këto prirje ishin më të forta në provincat lindore të Bizantit, tokë gjithnjë pjellore për lëvizje fetare, ku vazhdonin të mbijetonin mbeturina të monofizizmit dhe ku atë kohë po forcohej dhe po shtrihej sekti i pavlikanëve, që luftonte kundër çdo forme kulti fetar.

Më në fund, lufta kundër kultit të ikonave ishte rezultat i ndikimit që ushtronin mbi krishterimin bizantin feja islame dhe ajo hebraike, me të cilat Bizanti ishte në kontakt të vazhdueshëm. Të dyja këto fe janë prerazi kundër çdo forme të riprodhimit në figurë të shenjtorëve të vet. Në këtë mënyrë, lufta kundër kultit të ikonave (ikonoklastia) kishte rrënjë të thella fetare, kulturore e shoqërore.

Perandor Leoni III, duke ndërmarrë hapur betejën kundër kultit të ikonave, synonte në radhë të parë të afirmonte fuqinë e pushtetit qendror mbi pushtetin e pakufizuar të institucioneve fetare si dhe mbi provincat, veçanërisht ato periferike, që jo rastësisht u rreshtuan në krahun e adhuruesve të ikonave. Ikonoklastia ndeshi në kundërshtim të ashpër në provincat bizantine të Italisë e të Ilirikut, që ishin nën juridiksionin kishtar të Papës së Romës. Megjithatë edhe këtu ikonoklastia nuk mungoi të bëjë për vete përkrahësit e vet. Kështu, nga dy letra që teologu i njohur bizantin, Teodor Studiti, i dërgoi në vitet 820, kryepeshkopit të Durrësit, Antonit, dhe një murgu tjetër po nga Durrësi, Dionisit, mësohet se ikonoklastia ishte përqafuar në atë dioqezë edhe nga përfaqësues të klerit rregullar (murgjit), të cilët përgjithësisht qenë kundërshtarët më të rreptë të saj.

Nuk ka prova se lufta e ikonave do të ketë marrë në trevat shqiptare format e ashpra që pati në pjesë të tjera të Perandorisë Bizantine. Megjithatë, në kuadrin e saj ndodhi një ngjarje me rëndësi të madhe për zhvillimet jo vetëm kishtare, por edhe për ato politike në trevat shqiptare. Perandori ikonoklast Leoni III i shkëputi ato nga juridiksioni i Papës së Romës dhe i vuri nën varësinë e drejtpërdrejtë të Patriarkatit të Konstandinopojës (732). Ky hap, i shoqëruar edhe me krijimin, në fillim të shek. IX, të temës bizantine të Durrësit e asaj të Nikopojës, ndikoi së tepërmi në forcimin e kontrollit të pushtetit qendror në këto provinca perëndimore të Perandorisë.

Trevat shqiptare dhe Mbretëria Bullgare (shek. IX-X)[redakto | redakto tekstin burimor]

Një ndër arsyet kryesore të krijimit të Temës së Durrësit në gjysmën e parë të shek. IX kishte qenë përballimi i presionit sllav, përkatësisht i atij bullgar. Që nga fundi i shek. VII, nga shkrirja e fiseve sllave dhe atyre bullgare (me origjinë turke), u krijua midis Danubit e maleve Ballkan shteti i parë ballkanik sllav, Mbretëria Bullgare, e cila shumë shpejt u bë një rrezik i madh për Perandorinë Bizantine. Aty nga mesi i shek. IX shteti bullgar i kishte shtrirë kufijtë e tij në Maqedoni dhe, nën mbretin Boris (852-879), përfshiu edhe brezin midis lumit Devoll e Vjosë. Kështjellat e Devollit dhe e Pulkeropolit (Beratit) u bënë baza të pushtetit bullgar në këto anë. Në vitin 864 Borisi përqafoi së bashku me popullin e vet, fenë e krishterë, duke marrë emrin Mihal. Feja e re i dha kohezionin e duhur shtetit sllavo-bullgar dhe i lejoi atij shtrirjen e mëtejshme në territoret bizantine. Në kohën e Simeonit (894-927), Bullgaria arriti shtrirjen e saj më të gjerë. Me përjashtim të Durrësit e të Shkodrës, Simeoni pushtoi krejt viset në Shqipërinë Qendrore e të Poshtme. Në jug ai mori Vlorën e një pjesë të mirë të Temës së Nikopojës. Në vitin 913 perandori bizantin Konstandini VII u detyrua t'i njihte Simeonit titullin “Perandor i Bullgarisë” dhe të martohej me një vajzë të carit bullgar. Ndërkohë prej vitesh Perandoria Bizantine ishte e detyruar t'u paguante bullgarëve një haraç të përvitshëm. Por paqja bullgaro-bizantine nuk vazhdoi gjatë. Në vitet që ndoqën ushtritë e Simeonit sulmuan Durrësin dhe shkretuan rrethinat e tij. Më 918 bullgarët u shtynë në jug nëpër Temën e Nikopojës dhe mbërritën në Gjirin e Korintit.

Gjithsesi ëndrra e car Simeonit, për të krijuar një perandori bullgare në vend të asaj bizantine, përfundoi me vdekjen e papritur të tij më 27 maj 927. Trashëgimtarët e tij, Pjetri e Borisi, nuk ishin në lartësinë e Simeonit dhe u detyruan të njihnin, kush më shumë e kush më pak, sovranitetin bizantin.

Pushtimi bullgar la shenja të dukshme edhe në trevat shqiptare, sidomos në korridorin që zgjatej nëpër luginën e lumit Devoll e deri në bregdet, ku ai vazhdoi të ruhet deri në fillimet e shek. XI. Në krye të krahinave të veçanta këtu u vunë bujarë bullgarë, të cilët shpeshherë sollën me vete njerëzit e tyre, përfshirë edhe klerikë bullgarë, që ndihmuan për depërtimin e një kulture sllavo-bizantine në këto treva. Në gjysmën e dytë të shek. IX në zonën e Ohrit, Korçës, Devollit, Beratit zhvilloi aktivitetin e tij misionar Klementi i Ohrit, dishepull i Cirilit e Metodit, i cili punoi për vite me radhë për hapjen e shkollave e të kishave sllave. Nga kjo kohë trevat midis rrjedhës së Devollit e të Vjosës u përfshinë në ndikimin kishtar e kulturor të Ohrit, të cilin bullgarët e kthyen në qendër të Patriarkatit të pavarur bullgar. Me pushtimin bullgar të shek. IX-X lidhet edhe lulëzimi i disa qendrave të rëndësishme ushtarako-administrative e kishtare, siç ishin Devolli, Glavinica (Ballshi) etj. Në bazilikën madhështore të Ballshit u gjet në fillimet e shek. XX edhe një mbishkrim i gdhendur, që kujtonte kthimin e Boris-Mihalit dhe të popullit bullgar në fenë e krishterë më 864.

Pas disa dekadash nënshtrimi ndaj Perandorisë Bizantine, si rezultat i një kryengritjeje antibizantine që pati për epiqendër Maqedoninë, në fronin bullgar erdhi car Samueli (976-1014). Nën sundimin e tij, qendra e shtetit bullgar u zhvendos nga lindja, Preslavi, në Prespë e në Ohër. Në këtë kuadër trevat shqiptare morën një rëndësi të dorës së parë dhe u përfshinë për së afërmi në konfliktin e gjatë midis Samuelit dhe Perandorisë Bizantine. Car Samueli bashkoi nën sundimin e tij krejt Maqedoninë deri në Selanik, trevën e vjetër bullgare midis Danubit dhe vargmaleve Ballkan, si dhe Thesalinë, Temat e Nikopojës e të Durrësit, si dhe Dioklenë e Rashën në Veri. Nën sundimin e tij u rimëkëmb Patriarkati i pavarur bullgar, i cili vendosi përfundimisht selinë në Ohër, kryeqendra e Samuelit.

Dëshmitë historike tregojnë se car Samueli nuk synoi të sjellë një përmbysje në strukturat administrativo-ushtarake të trevave shqiptare të pushtuara prej tij. Kështu, në Diokle, ai la në pushtet princin Gjon Vladimir, të cilit për më tepër i ofroi dorën e vajzës së tij, Kozarës. Në Durrës, pas vitit 997, Samueli nuk i preku privilegjet dhe pushtetin e parisë së qytetit, që përfaqësohej nga familja e fuqishme e Krisilëve. Gjon Krisili, proteuon i qytetit, e kishte favorizuar kalimin e qytetit në duart e Samuelit. Aleanca e carit bullgar me Krisilët e parinë durrsake u vulos edhe me martesën e tij me të bijën e Gjon Krisilit. Në trevën e Vlorës e të Beratit, Samueli ia besoi komandën pinjollit të një familjeje fisnike vendase, Elinagër Frëngut. Po kështu veproi në Devoll, Kolonjë, Vageneti e gjetkë. Shtrirja e pushtetit të Samuelit në këto vende u lehtësua edhe për faktin se ai zbatoi një sistem të ri detyrimesh ndaj fshatarësisë, i cili mbështetej mbi kontributet në natyrë e në lehtësira të tjera.

Kundërshtar i car Samuelit, që në fillim të sundimit të tij, ishte perandori i ri bizantin, Bazili II, i mbiquajtur "Bullgarovrasësi", (976-1025). Përpjekja e parë serioze e tij për të goditur perandorinë e Samuelit përfundoi me disfatë më 986 në afërsi të Sofjes (Serdika). Pas kësaj, perandor Bazili II kërkoi të gjejë aleatë në vetë trevat e pushtuara nga cari bullgar. Në vitin 1001 shpërtheu kundërofensiva e madhe bizantine e Bazilit II.

Në vitin 1004 Shkupi u kthye në duart e bizantinëve e pas një viti, si rezultat i një marrëveshjeje të fshehtë me proteuonin Gjon Krisili, edhe Durrësi iu dorëzua perandorit Bazili II. Qeveritari i vënë aty nga Samueli, Torona, dhëndër i carit bullgar, u arratis në oborrin bizantin. Me anë premtimesh e të marrëveshjeve paraprake, Bazili II arriti të bëjë për vete edhe qeveritarë e fisnikë të tjerë lokalë në Berat e në Devoll. Pak nga pak rrethi u shtrëngua rrotull Ohrit, kryeqendrës së Samuelit. Në qershor 1014, Bazili II i shkaktoi një disfatë të rëndë ushtrisë bullgare në ngushticat e malit Belashik, në rrjedhën e sipërme të Strumës. Rreth 15 000 luftëtarë të Samuelit u zunë robë. Vetë Samueli i shpëtoi me vështirësi kapjes dhe u strehua në kështjellën e Përlepit. Bazili II urdhëroi të verbohen robërit bullgarë dhe t'i dërgoheshin carit të tyre në Përlep. Pamja makabër e kësaj ushtrie të verbër e tmerroi Samuelin që vdiq në vend (6 tetor 1014).

Vdekja e Samuelit shoqëroi edhe shpërbërjen e perandorisë ballkanike të tij. Ivan Vladislavi (1015-1018) u përpoq të vendoste përsëri hegjemoninë bullgare në provincat perëndimore të Dioklesë, Durrësit e të Nikopojës. Por, në shkurt të vitit 1018, gjatë një sulmi mbi Durrës, cari i fundit i Perandorisë Bullgare mbeti i vrarë. Pas kësaj, Bazili hyri triumfues në Ohër, ndërkohë që ushtria e tij i shuajti vatrat e fundit të qëndresës bullgare në lartësitë e Tomorrit, në Vlorë e në Thesali.

Pavarësisht nga egërsia me të cilën Bazili II asgjësoi Perandorinë Bullgare ndaj vendeve e popullsive, që futi përsëri nën sundimin bizantin, ai ndoqi një politikë të matur. Kështu, ai la këtu në fuqi edhe paskëtaj sistemin e detyrimeve në natyrë, të vendosur gjatë sundimit bullgar. Bujqit edhe paskëtaj i detyroheshin shtetit një mod grurë, një mod miell dhe një shtambë verë. Patriarkati i Ohrit vërtet u ul prej tij në shkallën e kryepeshkopatës, por edhe kështu Bazili II i njohu kësaj një sërë privilegjesh që kisha e Ohrit i kishte fituar në kohën e sundimit bullgar. Po kështu nuk u prek juridiksioni i kryepeshkopatës së Ohrit, e cila me gjithë protestat e kryepeshkopatave fqinje, veçanërisht asaj të Durrësit, vazhdoi të ketë në varësi mjaft peshkopata që s'kishin qenë sufragane të sajat dhe që ishin bërë të tilla nën sundimin bullgar. Këto të fundit perandori Bazili II i pajisi me toka e bujq me anë diplomash të veçanta. Me toka, privilegje, tituj dhe me ofiqe Bazili II pajisi edhe ata krerë shqiptarë, që gjatë luftërave me Samuelin kishin qëndruar në krah të tij. Njërit prej tyre, patricit David Arianiti, që llogaritej ndër komandatët më të shquar të tij në betejat me bullgarët, perandori i besoi postin e rëndësishëm e delikat të strategut të Temës së porsakrijuar të Shkupit. Kjo Temë së bashku me Temën tjetër të Paradunavit (Bullgari) kishin për detyrë të kontrollonin territoret e mbretërisë së dikurshme bullgare dhe të shtypnin që në embrion çdo përpjekje të re për shkëputje nga Bizanti.

Në krye të Temës së Durrësit, pikëmbështetja kryesore e bizantinëve në bregdetin Adriatik, u vu një dukë, njëlloj si në Temën e Selanikut, gjë që nënvizonte rëndësinë e veçantë të saj. Po kështu u veprua më vonë edhe me Temën e Shkupit.

Kriza e regjimit të temave dhe revoltat e dukëve bizantinë të Durrësit në gjysmën e dytë të shek. XI[redakto | redakto tekstin burimor]

Kryengritja e madhe panballkanike e viteve 1040-1041, si dhe ajo e vitit 1073, që patën jehonë të thellë edhe në trevat shqiptare, paralajmëruan një periudhë të tërë trazirash e revoltash, që tronditën nga themelet Perandorinë Bizantine. Krahas lëvizjeve masive fshatare, periudhën 1040-1081 e karakterizojnë edhe një varg rebelimesh ushtarake të nxitura dhe të drejtuara nga komandantët (strategët) e temave të veçanta. Shqipëria e posaçërisht Tema e Durrësit u bë në ato vite një nga pikat më të nxehta të Perandorisë Bizantine.

Revoltat ushtarake të gjysmës së dytë të shek. XI, mes të cilave edhe revoltat e strategëve (dukëve) të Durrësit, qe një pasqyrim i drejtpërdrejtë i ndryshimeve të brendshme që po pësonte në atë kohë Perandoria Bizantine dhe që lidhen kryesisht me zhvillimin e marrëdhënieve feudale. Pas vdekjes së Perandorit Bazili II dhe fundit të dinastisë maqedone me Konstandinin IX Monomahos (1042-1055), mori fund edhe epoka e karakterizuar nga prona e vogël e lirë e bujkut-ushtar (stratiotit). Deri në atë kohë, e mbrojtur me fanatizëm prej perandorëve bizantinë, që hartuan për këtë qëllim edhe një legjislacion të posaçëm, prona e vogël u la paskëtaj në mëshirën e pronarëve të mëdhenj, që në kurriz të saj filluan të zgjerojnë zotërimet e tyre. Një proces i tillë i gllabërimit të pronës së vogël të lirë dhe i ekspansionit të pronës së madhe feudale, kërcënonte me rrënim klasën e madhe të ushtarëve-bujq, të cilët për më se një shekull kishin qenë shtylla kurrizore e shtetit bizantin, përsa kohë bujqit shqiptarë qenë furnizuesit kryesorë të financave dhe të ushtrisë bizantine. Por bashkë me rënien e klasës së bujqve-ushtarë binte roli edhe i kastës së krerëve ushtarakë, strategëve, ndërkohë që rritej pesha e pronarëve të mëdhenj të tokave dhe e aristokracisë burokratike të kryeqytetit bizantin, Konstandinopojës.

Këto zhvillime të reja në gjirin e perandorisë Bizantine prekën nga afër Shqipërinë, që ishte vendi klasik i fshatarësisë së lirë dhe i stratiotëve. Ndaj, disa nga kryengritjet ushtarake më të fuqishme të shek. XI patën si teatër kryesor pikërisht trojet shqiptare.

Në vitin 1043 ngriti krye kundër pushtetit qendror Georg Maniaku, komandat bizantin i shquar nga luftimet kundër arabëve dhe normanëve në Sicili dhe Italinë e Jugut. Rritja e autoritetit të Maniakut nuk shihej me sy të mirë nga strategu i ri bizantin i Italisë, Mihal Dokianos, dhe nga vetë perandor Konstantini IX, i cili e shkarkoi atë nga detyra. I mbështetur nga repartet e tij besnike, midis të cilave shquheshin kontingjentet e ardhura nga Arbri, Maniaku dha sinjalin e kryengritjes në Sicili, ku trupat e tij e shpallën perandor. Në krye të tyre ai zbarkoi në Durrës dhe i përkrahur nga vendasit, që iu bashkëngjitën ushtrisë së tij bizantino-shqiptare, iu drejtua Selanikut nëpër Rrugën Mbretërore (Egnacia). Ushtria e kryengritësve përparoi në Maqedoni pa hasur pengesa, derisa në vendin e quajtur Ostrov u ndesh me ushtrinë perandorake. Vrasja aksidentale e Georg Maniakut, në kohën kur fitorja për kryengritësit ishte e sigurt, solli shuarjen e lëvizjes.

Megjithatë, ecuria e kryengritjes së Georg Maniakut tregoi qartë se Shqipëria, e veçanërisht Tema e Durrësit në vendin e Arbrit (Arbanon) ishin kthyer tashmë në një terren pjellor për ngjarje të tilla. Historiani bizantin i shek. XI, Mihal Ataliati, shprehet se në atë kohë shqiptarët, dikur aleatë të Perandorisë Bizantine (symmachioi), u bënë "papritur" kundërshtarë të saj (polemioi). Një zhvillim i tillë në marrëdhëniet e shqiptarëve me Bizantin, posaçërisht i atyre të trevës së Arbrit, nuk vonoi të pasqyrohej edhe në vetë marrëdhëniet e Temës së Durrësit me pushtetin qendror. Me pakënaqësitë e popullsisë shqiptare bashkoheshin shpeshherë edhe vetë dukët e Temës së Durrësit. Këta po shqetësoheshin gjithnjë e më shumë nga rrudhja e vazhdueshme e kompetencave sa në fushën ushtarake aq edhe në atë civile. Në fakt, pas vdekjes së Bazilit II, ushtria bizantine filloi të mbështetej gjithnjë e më shumë në angazhimin e trupave mercenare të dërguara nga qendra, gjë që e dobësonte rolin e ushtrisë së Temës të rekrutuar tek elementi vendas dhe të drejtuar nga strategu i Temës. Nga ana tjetër, edhe kompetencat e strategut të Temës në lëmin e pushtetit civil u rrudhën në favor të nëpunësve, siç ishte gjykatësi i Temës (krites apo pretor), që varej drejtpërsëdrejti nga qendra dhe që tani trajtonte çështjet e administratës civile. Tronditjet e mëdha shoqërore të atij shekulli, si dhe vështirësitë e jashtme në lindje të Perandorisë Bizantine në marrëdhëniet me Perëndimin dhe me turqit selxhukë, kontribuan për të krijuar terrenin e përshtatshëm për kryengritjet e mëdha të strategëve ushtarakë të Durrësit të gjysmës së dytë të shek. XI. Tema e Durrësit u bë në atë kohë njëra nga vatrat kryesore të kryengritjeve ndaj pushtetit qendror bizantin. I pari ndër strategët e Durrësit, që ngriti krye kundër Konstandinopojës, ishte proedri Niqifor Brieni. Ky kishte qenë më përpara strateg i Temës së Shkupit, ku kishte shtypur kryengritjen e vitit 1073. I transferuar në Temën e Durrësit nga mesi i viteve 70, Brieni ishte dalluar në mbrojtjen e kufijve veriorë në luftë me sllavët kroatë si dhe me diokleasit. Njëherësh ai u ballafaqua edhe me sulmet pirateske të anijeve të normanëve të Italisë, të cilët tashmë synonin të shtriheshin drejt Lindjes, në territoret e Perandorisë Bizantine.

Në tetor të vitit 1077, strategu Niqifor Brieni dha sinjalin e kryengritjes kundër perandorit Mihal VII Dukas. Kronistët bizantinë të kohës pohojnë njëzëri se me kryengritësin Niqifor u bashkua popullsia vendase e Temës së Durrësit si dhe mjaft fisnikë vendas, në mes të të cilëve Bazil Kurtiqi nga Arbri. Niqifori e deklaroi të rrëzuar perandorin Mihal dhe, pasi e shpalli veten perandor, iu drejtua Konstandinopojës me një ushtri që rrugës vinte e zmadhohej me vullnetarë të rinj. Në Adrianopojë Brienin e prisnin kryengritës të tjerë të organizuar nga i vëllai, Johani. Por në të dalë të qytetit forcat kryengritëse u ndeshën me ushtrinë perandorake, të cilën tashmë e komandonte Aleks Komneni, një ndër gjeneralët bizantinë më të shquar të të gjitha kohërave. Ushtria kryengritëse u thye dhe mbeturinat e saj u shpërndanë.

Ndërkohë që Brieni me kryengritësit e tij ishin nisur në drejtim të Konstandinopojës, në Durrës kishte hyrë Niqifor Baziliaku, i emëruar dukë i Durrësit pas rebelimit të të parit. Por edhe duka i ri i Durrësit nuk vonoi dhe, vetëm pak muaj pas Brienit, u vetëshpall perandor dhe ngriti krye kundër qendrës.

I mbështetur nga paria dhe kleri vendas, ku u shqua peshkopi i Devollit, Teodori, ai grumbulloi forca të shumta shqiptaro-bizantine, ku nuk mungonin edhe mercenarë nga perëndimi. Në krye të tyre ai u nis nga Durrësi, kaloi Ohrin dhe iu drejtua qytetit të dytë të Perandorisë, Selanikut. Fillimisht perandori Niqifor III Botoniati u përpoq ta bindte kryengritësin të hiqte dorë nga marshimi mbi kryeqytet, duke i premtuar falje e tituj të rinj finikërie. Baziliaku e refuzoi ofertën dhe kështu u arrit në një betejë të përgjakshme me forcat qeveritare, të cilat i komandonte përsëri Aleks Komneni. Kryengritësit u shpartalluan dhe vetë Baziliaku u çua në pranga në Konstandinopojë.

Kryengritjet e mëdha antibizantine të shek. XI[redakto | redakto tekstin burimor]

Bazili II ishte perandori i fundit i dinastisë maqedone që mundi të ruajë ekuilibrin e brendshëm shoqëror e politik midis interesave të shtetit, atyre të aristokracisë feudale dhe të fshatarësisë së lirë, si dhe të stratiotëve që përbënin shtyllën kurrizore të shtetit bizantin. Me vdekjen e tij (1018) ky ekuilibër u prish: aristokracia feudale, civile apo ushtarake filloi t'i rrisë në mënyrë të pakontrolluar pronat e veta duke gllabëruar pronën e vogël. Pronarët e vegjël e humbën pak nga pak statusin e mëparshëm të lirisë dhe u kthyen në fshatarë të varur. Për një kohë të gjatë shteti bizantin, e në radhë të parë perandorët e dinastisë maqedone (shek. IX-XI) ishin përpjekur t'i vinin fre procesit të krijimit të pronës së madhe dhe të zhdukjes së pronës së vogël të fshatarit. Fshatari i lirë si dhe stratioti, që merrte nga shteti një parcelë toke kundrejt përmbushjes së detyrimit fiskal e atij ushtarak, kishin përfaqësuar për shumë kohë burimin kryesor të të ardhurave të arkës perandorake dhe njëherësh elementin bazë të ushtrisë bizantine. Por në kushtet e reja që u krijuan pas vdekjes së Bazilit II, pronarët e vegjël u gjendën përballë një sulmi të dyfishtë: të aristokracisë feudale të tokës, nga njëra anë, dhe të shtetit bizantin që rëndoi në mënyrë galopante barrën e taksave në dëm të tyre. Për rrjedhojë u krijua një gjendje shpërthyese, e cila jo rastësisht arriti kulmet e saj në territoret ballkanike të goditura rëndë nga luftërat e fundit bullgaro-bizantine. Në vitin 1040 shpërtheu këtu një kryengritje e fuqishme kundër pushtetit qendror e udhëhequr nga Pjetër Deljani, një bujar bullgar që e mbante veten për nip të car Samuelit dhe që e shpalli sakaq veten car. Kryengritja prej Beogradit u përhap me shpejtësi drejt Nishit e Shkupit. Strategu bizantin i Durrësit, Bazil Sinadeni, mblodhi ushtarakë të temës së tij dhe shpejtoi t'u zërë rrugën kryengritësve të Pjetër Deljanit "përpara se e keqja të përhapej", siç shprehet kronisti Johan Skilice që përshkruan këtë ngjarje. Por revolta preku edhe vetë radhët e ushtrisë së Temës së Durrësit dhe një ushtarak me emrin Tihomir ngriti flamurin e kryengritjes në zonën e Dibrës, ku ishin dislokuar forcat e strategut të Durrësit. Këtu kryengritësit i arriti Pjetër Deljani me të vetët. Forcat e kryengritësve u bashkuan nën drejtimin e Pjetër Deljanit, që ndërkohë kishte hequr qafe Tihomirin. Paskëtaj forcat kryengritëse iu drejtuan Durrësit, të cilin e morën, dhe më tej morën Selanikun. Flakët e kryengritjes përfshinë sakaq edhe temën e Nikopojës, popullsia e së cilës ishte tejet e pakënaqur nga arbitrariteti i nëpunësve perandorakë. Bizantinët mundën të mbanin këtu vetëm kështjellën e Naupaktit mbi Gjirin e Korintit.

Megjithatë, si rezultat i kontradiktave që vazhduan të ekzistojnë në gjirin e drejtuesve të kryengritjes edhe pas vrasjes së Tihomirit, lëvizja u shua më shpejt nga çka pritej po të kihen parasysh përmasat e saj. Këtu luajti rolin e vet edhe një djalë i carit bullgar Ivan Vladisllav, Alusiani, që u arratis nga Konstandinopoja ku mbahej rob dhe u bashkua me kryengritësit. Pasi eliminoi Pjetër Dejlanin, Alusiani u vu në krye të kryengritësve. Por pas një beteje të pasuksesshme me trupat perandorake, Alusiani iu dorëzua perandorit bizantin duke shpejtuar kështu edhe fundin e kryengritjes. Megjithatë kryengritja e madhe e vitit 1040-1041 ishte sinjali i parë i fuqishëm i tensioneve shoqërore që do të mbërthenin Perandorinë Bizantine. Në të njëjtën kohë, ajo qe një tregues i hendekut të madh që ishte krijuar ndërkohë midis pushtetit qendror bizantin dhe provincave perëndimore të tij, ku bënin pjesë edhe trevat shqiptare.

Rreth 30 vjet pas kryengritjes së Pjetër Dejlanit, një tjetër lëvizje shpërtheu në Kosovë, nga ku u hap me shpejtësi në viset fqinje. Kryengritësit kërkuan t'i printe princi i Dioklesë, Mihali, i cili dërgoi për këtë qëllim të birin, Konstandin Bodinin. Në Prizren kryengritësit e shpallën Bodinin mbret të tyre. Me Bodinin u bashkua edhe paria e Shkupit me kreun e saj, Gjergj Vojtehu, i cili erdhi vetë në Prizren. Në Prizren kryengritësit thyen keqas edhe forcat e dukës bizantin të Shkupit, që u dërguan kundër tyre. Pas kësaj kryengritësit morën Nishin, Ohrin, Devollin dhe vetëm në Kostur forcat e riorganizuara bizantine mundën të thyenin grupin kryesor të kryengritësve. Pjesa tjetër e kryengritësve, me "mbretin" Bodin, ishte përqendruar në Nish. Në përpjekje për të sulmuar e për të pushtuar Shkupin, forcat e Bodinit u thyen keq nga ushtria bizantine e dërguar me ngut nga perandori bizantin "për të shuar flakën, përpara se ajo të merrte dhenë", siç është shprehur një kronist bizantin, dëshmitar i ngjarjes.

Gjatë betejës Bodini u zu rob dhe u dërgua në Konstandinopojë ku u mbyll në manastirin e Serxhit e të Bakut derisa i ati i tij, Mihali i Dioklesë, organizoi arratisjen e kthimin e tij në atdhe.

Marrëdhëniet e Perandorisë Bizantine me Bodinin e Dioklesë vazhduan edhe më tej të tensionuara. Pas betejës së vitit 1082 në rrethinat e Durrësit, kur Bodini nuk u erdhi në ndihmë ushtrive bizantine të angazhuara në një betejë vendimtare me normanët e Robert Guiskardit, princi i Dioklesë i shfaqi hapur ambicjet për ta shtrirë sundimin e vet sa në viset e Dalmacisë, në veri, aq edhe në territoret e Temës së Durrësit, në jug. Madje, sipas Kronikës së Priftit të Dioklesë, për një periudhë të shkurtër Bodini mundi të pushtojë dhe të mbajë temën në fjalë, së bashku me kryeqendrën e saj, Durrësin (tulit atque obtinuit totam terram Duracinorum et ipsam civitatem Durachium). Perandori bizantin, Aleksi I Komneni, dërgoi atëherë si strateg të Durrësit një kunatin e tij, Johan Duka, i cili rifitoi kontrollin mbi Temën e Durrësit dhe e mbajti Bodinin larg territoreve të saj.