Përdoruesi:Brikena kena

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kalaja e Prizrenit përmban në vete një pjesë të rëndësishme të historisë së lashtë të qytetit. Pozicioni i saj topografik, dominues mbi qytetin, peizazhi natyror mjaft tërheqës dhe konfigurimi arkitektonik i menduar mjaft mirë e bëjnë këtë objekt me vlera të padiskutueshme arkeologjike, historike dhe turistike.

Është e vendosur në pjesën lindore të qytetit mbi një kodër me formë konike, me lartësi 525 m. mbi nivelin e detit. Muret fortifikuese ndjekin izohipset e terrenit duke rrethuar një sipërfaqe rreth 1.5 ha në trajte përafërsisht vezake me zgjatje veri-jug.

Burimet shkrimore flasin shumë pak për Kalanë e Prizrenit. Këto i nisi kronisti Bizantin Prokopi i Cezares me veprën “De aedificiis” – Mbi ndërtimet. Në këtë vepër në mesin e fortifikimeve të meremetuara në Dardani, evidentohet për herë të parë edhe kjo Kala me emrin Petrizen, që i përket emrit të sotshëm të Prizrenit.Tekst i theksuar

Pasi dokumentet e shkruara flasin pak për Kalanë mbetet që gërmimet arkeologjike të dëshmojnë më shumë për këtë monument të rëndësishëm. Vlen të përmendet se gërmimeve u parapriu incizimi arkitektonik i objektit në fillim të viteve 60-ta.

Incizimet e bëra paraqitën një gjendje të përafërt reale të strukturës së brendshme ndërtimore dhe sistemit fortifikues së Kalasë. Hulumtimet arkeologjike në këtë lokalitet për herë të parë filluan që në vitin 1969.

Gjatë këtyre gërmimeve u konstatuan: gjurmë të banimit dhe gjetje të lëvizshme të periudhës së mesjetës (shek. XI-XV) dhe materiali i lëvizshëm i periudhës Osmane. Vazhdimi i gërmimeve arkeologjike të bëra në vitet 2004 dhe 2009, 2010 dhe 2011 dha këto rezultate: Për herë të parë u dokumentuan dëshmi të një vendbanimi parahistorik të datuar paraprakisht në epokën e bronzit dhe periudhën e hershëm të hekurit i cili ka shërbyer si bërthama e parë e jetës në këtë vend. Po ashtu për herë të parë këto gërmime dhanë gjurmë të arkitekturës dhe dëshmi të materialit të datueshëm në periudhën romake dhe antikën e vonë.

Periudha e mesjetës e posaçërisht mes shekujve XI- XV, dëshmohet si një periudhë me banim të dendur, të cilën e rikonfirmojnë edhe rezultatet e kërkimeve të kryera më parë.

Gjatë periudhës Osmane, Kalaja zgjerohet duke përforcuar e ndërtuar muret fortifikuese si dhe pasurohet me objekte të reja si hamami, xhamia dhe objekte tjera për nevojat ushtarake.

Kalaja e Prizrenit funksionin primar kreu deri më vitin 1912. Prej asaj kohe objekti lihet pas dore me çka fillon procesi i degradimit të saj. Nga viti 2008 fillojnë disa punë restauruese-konservuese si masë emergjente në parandalimin e këtij procesi degradues.

Gërmimet Arkeologjike të përmendura dëshmojnë se Kalaja e Prizrenit nuk u shfaq në formën e saj të përfunduar, por se ajo vjen si fryt i një procesi të gjatë historik. Në aspektin ndërtimor Kalaja është ndarë në tri komplekse të veçanta të quajtura qytete: Qyteti i Epërm-Akropoli; qyteti i poshtëm dhe qyteti jugor.

Si e tillë, Kalaja është një nga pikat më interesante për hulumtimin e mëtutjeshëm dhe për promovimin e vlerave të turizmit kulturor - historik në territorin e Kosovës.