Paçe plënci me vezë e limon

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Plënci lahet me ujë të ftohtë, përvëlohet me ujë të vluar për 30 sekonda, pastrohet nga shtresa e brendshme derisa të zbardhet, lahet mirë dhe vendoset në ujë të ftohtë për t'u zier. Gjatë zierjes hidhen perime aromatike, qepë të pjekura mbi sobë, karota, rrënjë selino, kripë dhe piper.

Pasi këto të kenë zier, plënci pritet në copa të vogla dhe përgatitet paçja. Për këtë, në një tenxhere hidhet yndyrë dhe pasi ajo të jetë nxehur shtohet miell, kaurdiset derisa të zverdhet pak dhe pastaj shtohen plëncat e zier. Kaurdisen përsëri së bashku dhe hidhet lëng i kulluar nga zierja e plëncave. Lihen të ziejnë në zjarr të javashëm për 10-15 minuta. Në fund rregullohen me vezë e limon. Në një enë porcelani rrihen vezët, hollohen pak e nga pak me lëngun e paçes, shtohet limon ose limontoz i tretur në ujë dhe hidhen te paçja. Gjatë vendosjes nëpër pjata paçes mund t'i hidhet sipas dëshirës piper i zi.

Për 4-5 persona duhen :

  • plënca 1,5 kg,
  • dhjamë ose gjalpë 50 g,
  • miell 1 lugë gjelle,
  • vezë 1 kokërr,
  • qepë 1 kokërr,
  • karota 2-3 copë,
  • limon 1/2 kokërr mesatare ose 1/2 lugë kafeje limontoz, *piper i zi, kripë.