Klementi I

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Papa Klementi I)
Papa Klementi I

Shën Klementi ose Papa Klementi I (Latinisht, Clemens Romanus) ishte ipeshkvi i katërt i Romës ose trashëgimtar i tretë i Selisë së Shenjtë, pas Shën Pjetrit. Thuhet se vetë shën Pjetri e shuguroi për meshtar (Tertuliani, Jeronimi), ndërsa Origjeni thotë se ishte bashkëpuntor i Shën Palit, sepse Klementi është ai person të cilin shën Pali e përmend në letrën drejtuar Fil 4, 3. Nuk ka të dhëna mbi jetën e tij, por shumë herët (në shekullin e IV) nderohet si martir i Romës. Nuk dimë se me çfarë vdekjeje martire vdiq, por trupin e tij e gjetën në Herfon. Festën e tij e festojmë më 23 nëntor. Sidoqoftë shën Klementi është njeri, i cili pas vetes la gjurmë të thella në historinë e Kishës. Flitet se ka shkruar shkrime të shumta dhe të ndryshme, por për fat deri më sot janë zbuluar shumë pak. Letra drejtuar Korintianëve është një ndër më të njohurat. Këtë letër ai e shkruan në gjuhën greke rreth vitit 95-96. Titulli origjinal është Kisha e Zotit në Romë, Kishës së Zotit në Korint. Shkas i kësaj letre ishin trazirat që ndodhën në Korint. Besimtarët u ngritën kundër autoriteteve kishtare. Ata silleshin shumë keq me udhëheqësit e vet kishtarë dhe dëshironin t`i largonin nga Korinti. Arsyeja nuk është e njohur, por Kisha e Romës, pasi dëgjoi për këtë vepër skandaloze, e sheh të rrugës që të intervenojë dhe me një letër të tillë të qetësojë shpirtrat e trazuar në Korint. Kjo letër ndër korintas u pranua mirë dhe u arrit qëllimi.

Struktura e Letrës së tij drejtuar Korintianasve Kjo letër ndahet në dy pjesë: kapitujt 1-38. Në këtë pjesë shën Klementi ua tërheq vërejtjen që të kenë dashuri, dëgjesë, përvujtëri, fe dhe vlera tjera shpirtërore, të cilat do të jenë kusht për jetën e përbashkët të besimtarëve në Korint. Pjesa e dytë është prej kapitullit 39 deri në 65. Kjo pjesë merret me problemet e hollësishme që kishin ndodhur në Korint. Zoti ynë Jezu Krishti ka themeluar hierarkinë e Kishës. Ai vetë dërgon apostujt, të cilët dërgojnë ipeshkvijtë dhe diakonët. Fajtorët le të largohen përkohësisht dhe le të bëjnë pendesë, derisa të arrihet paqja në bashkësi. Letra mbaron me një lutje të gjatë për të krishterët, për udhëheqësit e tyre dhe për mbarë botën. Specifika e letrës është se ajo i përngjan letrës drejtuar hebrenjve, e përshkuar me një fe të thellë, por dëshira është që të mbetet në traditat hebraike. Jo pa arsye, sepse disa etër të Kishës thonë se ai është një shkrimtar hebre, i cili u kthye në fenë e krishterë. Këtu shihet se ndikimi ende është i pranishëm. Klementi ka edhe dy letra Ad virgines (të drejtuara virgjrave). Autori virgjërinë e paramendon si dhuratë të Zotit. Celibati dhe virgjëria për Klementin janë mishërim në Krishtin. Ata janë ndjekësit më të denjë të Jezu Krishtit, por virgjëria dhe celibati, në qoftë se nuk lidhen me veprat e dashurisë, nuk e garantojnë shëlbimin.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

[1]