Parku Kombëtar i Butrintit
Butrinti, ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri,
u shpall Monument Kulture, që në vitin 1948 me një Akt të Parë rregullues për Monumentet e Kulturës. Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu Monument Kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e pasurive Botërore të UNESCO-s. Kjo u bë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, duke iu referuar Konventës së vitit 1972, "Për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore". Parku Kombëtar i Butrintit u krijua nga Ministria e Kulturës, duke përfshirë një sipërfaqe toke shtetërore prej 29 km/katrorë. Kufijtë e këtij Parku, shtrihen në daljen e fshatrave përreth tij, si Ksamili, Vrina, Shëndëllia dhe Xarra. Krijimi i Parkut Kombëtar u bë një domosdoshmëri, sipas specialistëve, për ruajtjen e vendndodhjes dhe atmosferës unikale të Butrintit, për ruajtjen e të dhënave arkeologjike të disa qendrave dhe monumenteve të zbuluara në këtë vatër të qytetërimit antik, si dhe për një menaxhim më efektiv, duke reflektuar edhe rekomandimet e UNESCO-s të vitit 1997. Në këtë kuadër u krijua edhe Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Butrintit, e cila luan një rol determinant për menaxhimin dhe ruajtjen e vlerave të Parkut, politikat që aplikohen dhe kontrollohen nga Ministria e Kulturës, si dhe për parandalimin e të gjitha dëmtimeve dhe zhvillimet e pakontrolluara në këtë zonë. Brenda Parkut ndodhen 10 zona të shquara arkeologjike që lidhen me historinë e Butrintit. Disa prej tyre janë zona brenda mureve të Butrintit, ajo jashtë mureve, Diapori, Fortesa - kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalivoi, Shën Dëllia, Shën Dhimitri, Xarra, Ana e Kanalit të Vivarit etj. Specialistë të arkeologjisë kanë theksuar se "Butrinti është një thesar i jashtëzakonshëm për Shqipërinë" dhe se "çelësi është zhvillimi i ekuilibruar dhe turizmi i padëmshëm".
Shiko edhe [redakto]
|
Parqet Kombëtar në Shqipëri |
||
|---|---|---|
| Kombëtar | Parku Kombëtar i Butrintit • Parku Kombëtar i Dajtit • Laguna Divjakë-Karavasta • Liqenet e Lurës • Parku i Llogarasë • Liqeni i Prespës • Parku i Thethit • Mali i Tomorrit • Lugina e Valbonës • Bredhi i Parkut Kombëtar Hotova-Dangëlli • Bredhi i Drenovës • Qafë Shtama • Shebenik-Jabllanica • Zall-Gjoçaj | |
| Arkeologjik | Amantia • Antigonea • Apollonia • Bylisi • Orikumi • Hadrianopolis | |
| Detar | Karaburun-Sazan | |

