Pasaporta e Shqipërisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Pasaporta shqiptare biometrike 2009 EPassport logo.svg
Faqja e të dhënave plastike prej polikarbonati dhe e papërthyeshme e pasaportës biometrike EPassport logo.svg

Pasaporta e Shqipërisë është dokument identifikimi dhe udhëtimi që përdoret nga shtetasit shqiptarë për të kryer udhëtime jashtë kufijve të Shqipërisë[1] dhe shërben për të provuar shtetësinë shqiptare dhe për të identifikuar mbajtësin e saj. Organi kompetent për lëshimin e tyre është Ministria e Brendshme. Mbajtësi i pasaportës shqiptare gëzon të drejtën për mbrojtje diplomatike në çdo skaj të botës kapilarisht nga Shteti shqiptar në rast të cënimit të dinjitetit, integritetit dhe të drejtave njerëzore të shtetasve shqiptarë në vendet e huaja. Në fillim të vitit 2011 është hapur debati lidhur me mundësinë që Republika e Shqipërisë të lëshojë pasaporta për të gjithë pjestarët e bashkësisë shqiptare kudo në Ballkan.[Cito burimet] Me Vendim te Keshillit te Ministrave nr. 913 te dates 21.12.2011 pasaporat jobiemtrike nxirren jashte perdorimit duke filluar nga data 01.03.2012. Nga kjo date pasaportat jobiometrike nuk do vlejne me si dukument udhetimi. [2]

Pasaporta biometrike[redakto | redakto tekstin burimor]

Në kuadër të nismës së Qeverisë shqiptare për modernizimin e Gjendjes Civile dhe paisjen e qytetarëve shqiptarë me dokumenta identifikimi të një standardi të lartë ndërkombëtar, pasaporta që lëshohet prej muajit maj të vitit 2009 është e formatit biometrik [3]. Paisja në një numër të konsiderueshëm me këtë dokument të rëndësishëm ishte një nga kushtet që mundësoi qytetarët e Shqipërisë të hyjnë në listën e bardhë Schengen duke filluar nga fundi vitit 2010 [4]. Vetëm mbajtësit e pasaportës biometrike mund të udhëtojnë pa viza në hapësirën Schengen dhe si rrjedhim pasaporta e lëshuar në vitin 2002 natyrshëm do të dalë jashtë qarkullimit.

Aplikimi për pasaportat biometrike bëhet në zyrat e gjendjes civile, aty ku aplikohet edhe për letërnjoftimin dhe pas rreth 15 ditësh tërheqja kryhet pranë organeve të policisë rajonale. Nuk është e nevojshme të paraqiten fotografi pasi personi fotografohet aty për aty me anë të një aparati fotografik digjital. Edhe shenjat e gishtave merren me aparate skaner digjitalë. Praktikisht i njëjti aplikim për letërnjoftim është i vlefshëm edhe për pasaportë. Qytetarët shqiptarë mbi moshën 16 vjeç nuk mund të aplikojnë për pasaportë biometrike pa aplikuar më parë për letërnjoftimin biometrik. Të dy këto dokumenta përmbajnë të njëjtat të dhëna personale të mbajtësit. Ideimi dhe mënyra e prodhimit e pasaportës elektronike ku gjithçka kryhet përballë një nëpunësi të vetëm civil në mënyrë të shpejtë dhe të integruar (identifikimi, fotografimi, marrja e shenjave të gishtave, firma e skanerizuar) e bën këtë dokument një nga më të besueshmit dhe pararojët në botë. Siguria e shtuar e këtij dokumenti qëndron në faktin se të njëjtat të dhëna ndodhen në tre ambjente :

  • në mënyrë të dukshme të shkruara mbi pasaportë,
  • brenda në mikroprocesorin e trupëzuar në faqen plastike të të dhënave dhe të lexueshme vetëm me elektrovalë dhe pa mundësi modifikimi nga askush
  • si dhe po ashtu të depozituara në arkivin elektronik të policisë.

Nëse të dhënat në të tre këto ambjente nuk përputhen atëherë pasaporta bëhet e pavlefshme dhe kjo sjell edhe përballjen me sanksionet ligjore në fuqi.

Kostoja e pasaportës është 6 mijë lekë dhe ka vlefshmëri 10 vjeçare për të rritur dhe 5 vjeçare për personat nga 0 deri në 16 vjeç.

Shqipëri lëshohen tre lloj pasaportash: të zakonshme nga MPB, shërbimi dhe diplomatike nga MPJ.

Tiparet e pasaportës biometrike[redakto | redakto tekstin burimor]

Pasaporta biometrike shqiptare dhe europiane (ita) të lëshuara në 2009

Pasaporta biometrike ka një përmbajtje të lartë elektronike dhe lyp kujdes të veçantë në mbajtjen e saj. Ngjyra është e kuqerremtë ashtu si pasaporta e vendeve të Bashkimit Europian. Faqja e të dhënave/fotos është e një konceptimi bashkohor. Është plastike prej polikarbonati, e ngurtë dhe e papërkulshme pasi në të ndodhet i trupëzuar mikroprocesori në të cilin janë të magazinuar një sërë elementesh biometrikë dhe identifikues të mbajtësit si: fotografia, shenjat e 10 gishtave dhe firma e skanerizuar e mbajtësit. Nxjerrja e të dhënave nga microchipi bëhet me anë të teknologjisë wireless RFID (Radio Frequency IDentification) prej një distance jo më shumë se 10 cm për arsye sigurie për të dhënat personale. Në qendër të kopertinës qëndron stema e Republikës së Shqipërisë ku në dallim nga pasaportat e mëparshme ka edhe përkrenaren e Skënderbeut. Në fund të kapakut qëndron simboli i mikroproçesorit EPassport logo.svg. Në faqen e të dhënave, lirisht të dukshme dhe të shkruara në shqip dhe anglisht, janë stamposur mbiemri, emri, datëlindja, vendlindja, shtetësia, data e lëshimit dhe skadencës, autoriteti lëshues, firma e mbajtësit, numri i pasaportës dhe ai personal. Në fund të faqes ndodhet kodi alfanumerik që e bën pasaportën të lexueshme në mënyrë të menjëhershme me lexues optik. Janë shtuar karakteristika sigurie të ngjashme me ato të kartëmonedhave. Konkretisht në faqen e fotos janë stamposur mikropulla, shkrime me përmasa mikroskopike dhe të një preçizioni shumë të lartë, pamje holografike, pamje të shikueshme vetëm me Rrezet ultravioletë, filigrana dhe të tjerë elementë sigurie. Imazhi digjital është i pirografuar direkt në faqe dhe reagon ndaj rrezeve UV. Edhe faqet e vizave përmbajnë filigrana(shirit) dhe pamje të Skënderbeut që duken vetëm kundrejt dritës. Pasaportat biometrike shqiptare janë konform udhëzimeve të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.

Proçedura për paisje[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Në zyrën postare paguhet shuma prej 6 mijë lekësh të reja dhe merret kuponi për aplikim. Ndërsa për proçedurën e përshpejtuar e cila zgjat nga 3 ditë, qytetari duhet të pajiset me kuponin që kushton 15 mijë lekë të reja.
  • Në zyrën e gjendjes civile dorëzohet kuponi, kryhet gjetja dhe kontrollimi i të dhënave personale. Kryhet fotografimi, marrja e shenjave të gishtave dhe firma digjitale. Nëpunësi lëshon kuponin përkatës me të cilin qytetari shkon pranë policisë kur është përmbushur afati i prodhimit të pasaportës.
  • polici, pas 15-30 ditësh, personi vetë ose një i deleguar i tij tërheq pasaportën. Në këtë moment qytetarit i bëhet me dije se pasaporta e mëparshme (nqs e ka) bëhet e pavlefshme dhe nxirret jashtë perdorimit duke e shënuar.[5]
  • Qytetari duhet të ketë parasysh që në momentin që ai aplikon për pasaportën biometrike, me pasaportën e vjetër nuk mund të udhëtojë më ndërkohë që pret pasaportën e re sepse sistemi kompjuterik TIMS e nxjerr automatikisht jashtë përdorimit pasaportën e vjetër.

Proçedura për paisje ne zyrat konusllore dhe ambasadë[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Shtetasit shqipëtarë në emigrim mund të pajisen me pasaporta biometrike dhe letërnjoftime pranë zyrave konsullore dhe legatave shqiptare. [6]
  • Pagesa e shërbimit për pajisjen më pasaporte biometrike shtetasi duhet ta kryej pranë një banke të paracaktuar nga zyrat konsullore apo legatat e me pas te paraqitet pranë tyre me mandat-pagesën për të zhvilluar proçesin. Pajisja me letërnjoftim kushton 10 euro, ndërsa me pasaportë biometrike kushton 108 euro.

Historia[redakto | redakto tekstin burimor]

Pasaportat e para shqiptare fillojnë të lëshohen nga vitet '20 te shekullit të kaluar periudhë kjo kur filloi të merrte trajtë Shteti shqiptar [1]. Pasaporta e mbretërisë kishte në parathënie të saj disa citime.

  • Ta dijsh dhe të jesh i sigurtë se fatbardhësia dhe lumtunija jote gjindet në Shqipni, e cila t’ep nder e të falë emnin Shqiptar.
  • Ruaje mire karakterin kombtar dhe kryenaltësinë shqiptare; bindju ligjeve dhe urdhnave të vendit, kudo që të jesh.
  • Çdo shqiptar asht vllau i yt: nderoje kurdohere dhe ndihmoje kur të ketë nevojë.
  • Mos e përbuz gjuhën e nanes s’ate tue folë në gjuhë të huej, kur nuk asht nevoja.
  • Ndero flamurin e Atdheut t’and: kush nuk e nderon Shenjin e kombësisë, shnderon vehten e vet.

Gjatë periudhës së regjimit komunist Shqipëria nuk lejonte qytetarët e saj të udhëtonin jashtë shtetit ndaj nuk lëshonte pasaporta të zakonshme por vetëm pasaporta diplomatike dhe shërbimi në numër të kufizuar. Pasaporta shërbimi u lëshoheshin edhe shoferëve apo studentëve shqiptarë me studime në vende të huaja por pas përfundimit të misioneve apo studimeve pasaporta duhej të dorëzohej përsëri në organet e policisë. Me ardhjen e demokracisë autoritetet lëshojnë pasaporta per çdo qytetar që bën kërkesë dhe që përmbush kushtet e vendosura me ligj.

  • Nga viti 1991 deri në 1996 pasaporta ishte me ngjyrë te kuqe dhe nuk përmbante asnjë element sigurie në mos vulën e thatë mbi foton e pambuluar. Të dhënat ishin të shkruara me dorë me bojë tush. Mbante ende stemën e Shqipërisë komuniste.
  • Nga viti 1996 e deri në 2002 pasaporta kishte ngjyrë te kaftë dhe përmbante elementet e parë të sigurisë si foto e mbështjellë me plastikë(e laminuar), etj. Të dhënat ishin të shkruara me makinë. Prodhohej nga një kompani kanadeze.
  • Pasaporta e lëshuar në vitin 2002, përsëri me ngjyrë të kuqe, është e një standardi mjaft të kënaqshëm. Ka shumë elementë sigurie të ngjashëm me pasaportën biometrike përveç microchipit. Prodhohej nga kompania ish shtetërore gjermane Bundesdruckerei.
  • Pasaporta biometrike 2009 dhe letërnjoftimi elektronik prodhohen nga kompania franceze Sagem Sécurité (Morfo, Safran Group)[7] fituese e Tenderit ndërkombëtar.

Galeri[redakto | redakto tekstin burimor]

Udhëtimi dhe vizat[redakto | redakto tekstin burimor]

Vendet në të cilat mbajtësit e pasaportave shqiptare hyjnë pa patur nevojë për vizë ose e marrin vizën në kufi :

Harta e shteteve në të cilët qytetarët shqiptarë, mbajtës të pasaportave biometrike, hyjnë pa patur nevojë për vizë ose e marrin atë në kufi

Europë[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Flag of Europe.svg Zona Schengen . Me vendim të datës 08.11.2010 Bashkimi Europian e futi Shqipërinë në listën e vendeve që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë ne Hapësirën Schengen për qëllime turistike, familjare apo bisnesi me pasaportë biometrike dhe jo më tepër se 90 ditë në çdo 180. [4].

Amerikat[redakto | redakto tekstin burimor]

Azi, Afrikë dhe Oqeani[redakto | redakto tekstin burimor]

Marrëveshje për qarkullim duke përdorur vetëm letërnjoftimin shqiptar[12].

Shiko edhe[redakto | redakto tekstin burimor]

Burim i të dhënave[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Kuvendi i RSh, Ligji Nr.8668, datë 23.11.2001
  2. ^ Consolato Generale d'Albania - Milano
  3. ^ Udhëzimi për paisjen me pasaporta biometrike
  4. ^ a b BE liberalizon vizat me Shqipërinë
  5. ^ Udhëzim i Ministrisë së Brendshme për paisjen me pasaportë biometrike
  6. ^ Consolato Generale d'Albania - Milano
  7. ^ Albania selects Sagem Sécurité (Safran Group) for secure ID documents
  8. ^ Shqipëri - Kroaci pa viza
  9. ^ Shqipëri - Serbi pa viza
  10. ^ Shqipëri - Brazil pa viza, Ministria e Jashtme e Brazilit
  11. ^ Shqipëri - Brazil, hiqen vizat, http://top-channel.tv
  12. ^ Marrëveshje trepalëshe SHQ-MZ-MQ për qarkullim vetëm me letërnjoftim përkatës

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]