Pazari i vjetër në Korçë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Pazari është objekt me vlera të hershme historike, kulturore dhe artistike. Karakterizohet nga ndërtesa në përgjithësisht një dhe dy katëshe, rrugica të ngushta e një stil ndërtimi që tërheq vëmendjen e vizitorëve. Në shekujt e kaluar pazari ka qenë vendi i shkëmbimeve të tregtarëve që vinin nga Turqia, Greqia, Trieste dhe Venecia.

Ai ka qenë i shquar për hanet e vendosur njëri pas tjetrit ku ia vlen të veçohet Hani i Elbasanit dhe Hani i Manastirit të cilët shërbenin si fjetore për njerëzit që vinin nga jashtë qytetit. Tregu me rreth 1.000 dyqane arriti kulmin e tij gjatë fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX. Në strukturën urbanistike të qytetit, pazari krijonte një ansambël më vete.

Të dy pjesët e pazarit që ndaheshin nga lumi lidheshin me ura të drunjta, ndërsa rruga kryesore që vinte nga qyteti, e kalonte lumin mbi një urë të gurtë me qemerë, sipër së cilës ngrihen dyqane. Pazari është djegur tre herë por është ndërtuar sërish. Tani pazari vazhdon të funksionojë njëlloj si më parë dhe ka vlera historike dhe monumentale.