Pirro i Epirit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Pirro)
Pirro i Epirit Glypoteka e Ny Carlsberg.
Lufta e pirros në Itali - 280 p.l.k - 275 p.l.k

Pirro i Epirit (319-272 p.e.s., greqisht: Πύρρος της Ηπείρου) ishte një nga gjeneralet më të shquar të asaj kohe dhe mbret i Epirit dhe i Molosise. Ai vinte nga fisi ilir i epirotëve. Ndimues dhe aleat i popujve italian qe ishin në luftë me Romën. Thirrej "shqiponjë" nga ushtarët e tij. U bë i famshëm kur në vitin 280 p.e.s. kaloi ngushticën e Otrantos me 20 000 këmbësorë, 3000 kalorës dhe rreth 200 elefantë, për të luftuar kundër Romës, e cila rrezikonte qytetin e Tarantos. Në krye të ushtrive të përbëra nga Molosët, Thesprotët dhe Kaonët, Pirro arriti fitore të dhimbshme kundër ushtrive romake. Në kulturën perëndimore sot shprehja "Fitorja e Pirros" nënkupton një fitore me sakrifica të mëdha.

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 307, në moshën 12-vjeçare, Pirroja u kthye në Epir me ndihmën e Glaukut dhe u bë mbret. Por më 302, kur ndodhej përsëri te taulantët, kundërshtarët e tij ngritën krye dhe shpallën si mbret Neoptolemin e II, birin e Aleksandër Molosit. Pasi nuk mund të kthehej më në Epir ai hyri në shërbim të Diadokëve më në zë të kohës, Dhimitër Poliorketit të Maqedonisë, Ptolemeut të i I të Egjyptit si dhe mbretit Agathokli të Sirakuzës, ku u njoh me jetën shoqërore, administrative dhe ushtarake të këtyre shteteve helenistike dhe u kalit në një tok betejash. Në vitin 296, me, ndihmën e mbretit Ptoleme të Egjyptit si dhe mbretit Agathokli të Sirakuzës u kthye përsëri në Epir. Për një kohë e ndau pushtetin me Neoptolemin, pastaj e vrau atë dhe u bë sundimtar i vetëm i Epirit. Pas kësaj ai i dha fund edhe autonomive që kishin fiset në simahinë e mëparëshme. Pirrua erdhi në fuqi edhe sundoi në një kohë kur fqinjtë e Epirit, Mqedonia dhe Greqia, ndodheshin në një kaos të plotë politik dhe ishin dobësuar nga luftat e gjata e shkatërrimtare që bënin midis tyre pasardhësit e Aleksandrit të Maqedonisë, Diadokët. Në këto lufta u përzie edhe Pirrua dhe u bë një nga pretendentët për fronin maqedon. Në fillim ai ndërhyri në luftën që bënin midis tyre dy djemtë e Kasandrit, pas vdekjes së të jatit. Nga kjo luftë ai i shkëputi Maqedonisë tokat që i përkisnin Epirit: Paravinë, Tymfenë, Amfilokinë, Akarnaninë dhe qytetin Ambraki, të cilin i bëri kryeqytet të mbretërisë së vet. Por mbret i Maqedonisë u shpall Dhimitër Poliorketi. Pak më vonë Pirrua u lidh me sunduesin e Thrakisë dhe Jonisë, Lisimakun, dhe e dëbuan Dhimitrin nga Maqedonia kurse tokat dhe ushtrinë e tij i ndanë midis tyre. Tani kufijtë e shtetit të Pirros u shtrinë në lindje deri në lumin Aksios (Vardar), në veri përtej Apollonisë kurse në jug deri në Peloponez. Por Pirrua nuk mundi t'i mbante gjatë tokat e pushtuara. Lisimaku e dëboi nga një pjesë e mirë e krahinave maqedone e greke dhe u bë vetë zot i tyre. Rasti e bëri Pirron t'i drejtonte sytë pas kësaj nga Italia. Tarenti dhe qytete të tjera greke të Italisë së jugut, të kërcënuara nga Roma, e ftuan këtë për ndihmë. Pirrua u kap pas kësaj ftese dhe filloi të ëndërronte për krijimin e një monarkie të madhe në perëndim sikurse ajo e Aleksandrit të Maqedonisë në lindje. Në pranverën e vitit 280 Pirrua zbarkoi në Itali me një ushtri të madhe të stërvitur dhe të armatosur mirë. Kjo ishte më tepër një ushtri mercenare që Pirrua e kishte mbledhur jo vetëm në Epir por edhe në krahina të tjera të Greqisë. Ajo përbëhej prej 20.000 këmbësorësh të armatosur rëndë, 300 kalorësish, 2000 shigjetarësh, 5000 hobetaisësh dhe 20 elefantësh, përdorimin në luftë të të cilëve Pirrua e kishte parë në lindje. Shpenzimet e luftës i kishte marrë përsipër Tarenti, i cili ishte i detyruar t'i jepte edhe ushtri ndihmëse. Ndeshja e parë e Piros me romakët u bë në qytetin Heraklea. Përleshja qe shumë e ashpër. Fatin e luftës e vendosën elefantët dhe kalorësia e Pirros. Nga kjo disfatë romakët humbën Lukaninë. Në anën e Pirros kaluan brutët, lukanët, samnitët dhe pothuajse gjithë qytetet greke të Italisë së jugut. Një vit më vonë Pirrua ndërmori një sulm të ri kundër romakëve, të cilët kishin grumbulluar këtë radhë një ushtri të madhe që arrinte deri në 70.000 vetë. Në betejën që u zhvillua afër qytetit Auskulum romakët pësuan përsëri disfatë, por edhe Pirros fitorja i kushtoi shumë. Humbjet e tij qenë kaq të mëdha sa që kur e uruan thuhet se u përgjegj: "Edhe një fitore si kjo dhe unë nuk do të kem me se të kthehem në Epir". Prej kësaj rrjedh edhe shprehja "fitore si ajo e Pirros" e cila përdoret sa herë që duan të tregojnë për një fitore me humbje të rënda. Pas këtyre dy betejave gjendja e Pirros në Itali u keqësua. Forcat e tij ishin dhjetuar kurse Tarenti dhe qytetet e tjera aleate kishin filluar të lëkundeshin dhe të ishin të pakënaqura. Roma përkundrazi kishte akoma rezerva të mëdha në njerëz dhe një mbështetje të shëndoshë në aleatët latinë. Për Pirron u bë e qartë se lufta kundër Romës kërkonte kohë dhe sakrifica të reja. Ndërkaq në Sicili kishin hyrë kartagjenasit dhe Sirakuza e kërcënuar i u drejtua për ndihmë Pirros. Në këto rrethana Pirrua vendosi të bënte paqe me Romën dhe t'i drejtonte forcat kundër Kartagjenës me shpresë se këtu do të arrinte fitore më të lehta. Kushtet e paqes ishin me sa duket të favorëshme për Romën, megjithatë senati nuk i pranoi, sepse kartagjenasit, të interesuar që ta mbanin Pirron në Itali dhe të mos e linin të hidhej në Siqeli, i propozuan Romës aleancë dhe ndihme ushtarake. Duke u mbeshtetur në këtë aleancë Roma vendosi ta vazhdonte luftën. Pa përfunduar paqën me Romën Pirrua u largua në vitin 278 nga Italia dhe u drejtua me ushtritë e veta në ndihmë të Sirakuzës duke lënë në Itali vetëm dy garnizone të vogla. Në Sicili Pirrua korri në fillim disa suksese. Ai i theu dhe i ndoqi kartagjenasit pothuajse nga gjithë Sicilia. Vetëm qyteti Lilibea në skajin jugperëndimor të ishullit mbeti në duart e kartagjenasve. Pirrua u nderua nga banorët e Sicilisë me titullin "prijs e mbret". Monedhat e prera në Sicili mbanin tani emrin e mbretit epirot. Pas këtyre fitoreve Pirrua filloi përgatitet për t'u hedhur në Afrikë. Por këtë plan nuk mundi ta realizonte sepse në marrëdhëniet e tij me qytetet filluan të lindin mosmarrëveshje të mëdha. Pirrua po i ngarkonte me taksa të rënda dhe sillej me to keq duke ndërhyrë në mënyrë brutale në punët e brendëshme dhe duke mos respektuar traditat demokratike të tyre. Kjo i bëri disa nga qytetet të ngriheshin kundër tij kurse disa të tjera të hidheshin në anën e Kartagjenës. Kartagjenasit nuk vonuan to shfytëzonin rastin. Në Sicili doli përseri një ushtri e tyre, a cila në pakë kohë asgjësoi të gjitha fitoret e arritura nga Pirrua; në duart e tij mbeti Sirakuza. Në këtë mënyrë planet e Pirros në Sicili dështuan. Por edhe në Itali gjendja nuk ishte më e mirë. Romakët ishin hedhur në sulm dhe pasi kishin kapur disa qytete ish-aleate të Pirros po vepronin me sukses kundër samnitëve dhe lukanëve. Kjo i detyroi grekët dhe italikët që ishin akoma të lidhur me Pirron t'i drejtoheshin këtij prap për ndihmë. Pirrua vendosi të linte Sicilinë ku kishte humbur çdo shpresë dhe të kthehej në Itali. Rrugës ai u sulmua nga flota e Kartagjenës, e cila i shkatërroi më shumë se gjysmën e anijeve. Megiithatë, në pranverën e vitit 275 Pirro zbriti përsëri në Itali dhe filloi përgatitjet për sulmin e ri kundër romakëve. Beteja vendimtare u zhvillua pranë qytetit Beneventum. Këtu Pirrua pësoi disfatë të plotë. Kampi i tij u kap. Ai vetë mundi të shpëtonte dhe të arrinte në Tarent prej nga, pas pak kohe, u kthye në Epir. Gjatë mungesës së Pirros, mbreti i Maqedonisë. Antigon Gonata, kishte rimëkëmbur dhe forcuar shtetin e vet. Autoriteti i Maqedonisë në Greqi ishte rritur përsëri. Sa u kthve nga Italia, Pirro vendosi të ndryshonte gjendjen e krijuar në Ballkan dhe të provonte edhe një herë të zinte fronin e Maqedonisë. Për këtë qëllim ai sulmoi Antigon Gonatën, por mundi t'i shkëpuste vetëm disa toka nga shteti i tij. Pas kësaj ai u nis për në Peloponez kundër mbretit spartan, Areut, aleatit të Maqedonisë. Këtu ai korri një varg fitoresh të reja, por në një përleshje rrugësh në qytetin Argos (në gjirin a Korinthit) u vra më 272 dhe ushtria e tij u shpartallua plotësisht. Pirro ka qenë një nga udhëheqësit ushtarakë më të shquar të kohës së vet. Kur e pyetën njërin nga shokët e Aleksandrit të Maqedonisë kush ishte tani strategu më i shquar ai u përgjegj: "Pirro, kur të arrijë në moshë të pjekur". Më vonë strategu i madh i kohës së vjetër, Hanibali, i dha Pirros vendin e dytë pas Aleksandrit, kurse vehtes, vetëm të tretin. Pirro nuk ishte vetëm një udhëheqës ushtarak i praktikës, por edhe një teoricient ushtarak. Shumë mendime mbi artin ushtarak ai i shkroi në kujtimet e tij të cilat për fat të keq nuk na janë ruajtur. Por Pirro, ndonse ishte një udhëheqës ushtarak i shquar, me ekspeditat e tij mori përsipër një barrë që ishte jashtë fuqive të Epirit: të krijonte një perandori. Këto plane e hodhën atë në një varg luftash që përfunduan pa sukses. Gjatë sundimit të Pirros shteti i Epirit arriti kulmin e fuqisë. Luftat e vazhdueshme u forcuan shumë pushtetin e mbretit dhe të rrethit të tij; institucioneve të rendit fisnor iu dha një grusht i rëndë. Plaçka e luftës dhe robërit e kapur gjatë betejave e pasuruan aristokracinë epirote dhe e bënë një burim për zhvillimin e mëtejshëm të skllavërisë në Epir. Por këto lufta të përgjithëshme i shkaktuan Eprit humbje të mëdha në njerëz dhe rënduan shumë mbi masën e gjerë të popullsisë së Epirit. Pas vdekjes së Pirros shteti i Epirit u dobësua. Prej tij u shkëputën njëra pas tjetrës të gjitha tokat e pushtuara të taulantëve, Maqedonisë e Thesalisë. Maqedonia u forcuar e detyroi shtetin e Epirit ta njihte epërsinë e saj. Aleksandri i 2 ndër mbretit taulant, Mytilit, të cilit i shkëputi disa toka në jugë të Apollonisë. Por në një luftë kundër maqedonëve ai u mund dhe i humbi përsëri tokat ilire të luginës së Vjosës. Mbretëria e Epirit u kthye kështu pothuajse në kufijtë e vjetër të saj. Pakënaqësia e popullsisë në kohën e pasardhësve të Pirros u shtua edhe më shumë. Këtë e shfrytëzoi aristokracia epirote, e cila e shihte me pakënaqësi gjithnjë më të madhe përqëndrimin e gjithë pushtetit në duart e mbretit. Si pasojë, në Epir shpërthyen konflikte të ashpëra që mbaruan me vrasjen, rreth vitit 230, të mbretëreshës së fundit të Epirit, Deidameia, dhe me përmbysjen a pushtetit mbretëror.

Pirro gjatë sundimit të Epirit (297-272 p.e.s.)[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 297 para Krishtit në krye të shtetit të Epirit erdhi Pirroja. Ai u bë gjeneral i plotfuqishëm ushtarak dhe krijoi një shtet te pavarur qe mori emrin e vet Epiri. Gjatë sundimit të Pirros, Epiri zhvilloi politikë të pavarur dhe vendosi marrëdhënie diplomatike me shtetet e fuqishme të kohës.Epiri njohu një lulëzim të jetës qytetare, me veprimtari te dendur ndërtimesh në qendrat e vjetra dhe me ngritjen e qyteteve të reja.Pirroja i zgjeroi kufinjët e shtetit të ri të Epirit në kurriz të fqinjëve. Në veri shkoi deri te lumi Shkumbin, në lindje deri në Vardar kurse në jug pushtoi tokat deri në Kornit.

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]