Pjetër Meshkalla
Pjetër Meshkalla S.J. Meshtar Katolik, jezuit shqiptar i “Shoqnisë Jezu – S.J.”, ka lindur në qytetin e Shkodrës, me 25 shtator 1901, në një shtëpi përdhese në fund të rrugës së “Daulles”.
[redakto] Jetëshkrimi
Mbas mësimeve të para që mori në vendlindje, shkoi për studime teologjike në Linz të Austrisë. Atjé, në vitin e dytë u sëmur, kështu, në vitin e tretë u bashkua me Don Kolec Prennushin, dhe sëbashku vazhduan studimet deri në vitin e fundit. Don Koleci, ishte një vit më i ri (datëlindja 1 janar 1902) dhe vdiq i ri me 2 korrik 1950, mbas 11 muajsh hetuesi në Shkodër. Ai vdiq prej zemrës, që, si dukët, iu shkatërrua prej torturave të Sigurimit të Shtetit komunist. Nëna e Tij, që e thirrshin Nana Nine, çdo ngjarje të jetës së Don Kolecit dhe të rinisë studentore të Tij, e lidhte me Padër Pjetër Meshkallën, që aso kohe ishte në burg, mbasi ishte arrestuar Ai në vitin 1946, në Tiranë.
Gjendja në Austri ishte e mjerë sepse kishte filluar Lufta e Madhe. Njerëzit vdisnin urije. As shkolla e as konvikte nuk kishin funksionue më. Lufta kishte marrë përmasa përditë e ma të mëdha. Një mjek ushtarak austriak që, aso kohe banonte në shtëpinë e Pjetër Prennushit ose, siç njihej nga rusjanët Tukja i Kol Dedës, që ishte edhe vëllau i madh i At Mati Prennushit O.F.M. (Provinçial i Fraçeskanve të Shqipnisë, që u pushkatue me 11 mars 1948), i premton gjyshit, se, nëpërmjet ushtarëve austriakë që shkonin me çue informacionet në Vienë, ai mund të dërgonte atje edhe një paketë të vogël me ushqime, rreth 500 gr. ku futeshin dy rriska bukë të thata dhe në mes të tyne edhe dy rriska proshutë për me ia çue Kolecit në Linz. Paketa nisëj çdo dy ditë, por përgjigje nuk vinte ma prej andej, mbasi ushtarët nuk këthenin ma në Shqipni. Lidhje tjera nuk kishte.
Kur mbas 10 muajsh të humbun pushoi Lufta, djelmët u kthyen të dobsuem asht’ e lëkurë në Shqipni dhe treguan se kishin jetue në një shtëpi të një austriaku, që nuk kishte pasë bukë as për vedi, por jetesa e tyne ishte kenë dy rriskat e bukës së thatë e proshuta që shkonte nga Shqipnia e, që, njenën e kishte hangër Koleci, ndërsa, tjetrën ia kishte dhanë shokut të vet Pjetrit. Ç’ prej asaj kohe e deri në vdekje, Padër Pjetër Meshkalla, ka kenë një Mik i përjetshëm i familjes sonë, kushërinjve me nipa e mbesa të Don Kolecit. Mbas kthimit në Shqipni, daja u ba prift. Pjetri, zgjodhi rrugën e Urdhnit Jezuit S.J. Ai vazhdoi plotësimin e moshës 33 vjeçare me studime mbasuniversitare në Poloni, Itali etj. dhe mbas Shugurimit meshtar u këthye në Atdhé, ku filloi punën si mësues në shkollën fillore të Jezuitëve në Shkodër e, ma vonë profesor në Seminarin e tyne. Kur nana e Tij Agëja, shkonte me e pa P. Pjetrin të mbyllun në kuvendin e Jezuitëve në kohë dimni, pa zjerm e pa ngrohje, u zemronte me të birin dhe i thonte: “Ik mor prej kndêj, pse rrin k'tu, bukuri Don Koleci, prift e me të gjitha kushtët...”. Ajo bisedonte edhe me gjyshen tême për këtë problem, por kot!... Ai nuk këthehëj mâ prej rrugës që ishte nisë, rrugë n't'cilën Ai mbylli jetën e Tij plot lavdi, me 28 korrik 1988. Kishte kënaqësi të madhe kur na të rinjtë i kujtonim veprimet e nanës së Tij, me detaje ashtusi na i kishte shpjegue gjyshja né dikur... Fëtyra i merrte pamje tjetër, u çilte, qeshte, maparë se çdo pjesë tjetër e fëtyrës i qeshnin sytë, që i vezullonin e, për ata që e njohtën, ata sy janë të paharrueshëm për ambëlsinë joshëse të Tyne, por, edhe për shkëndijat që nxirrnin kur e lypte rasa. Besoj i kujtojnë mirë Ata sy të gjithë atá që ishin të ulun në podin e Institutit Pedagogjik të Shkodrës e, besa edhe ata që folën prej auditorit, mbasi edhe na që ishim në rrugë, kurrë nuk mund të harrojmë Burrin e shkurtë mjedis oficerave e xhelatëve të Sigurimit, që e morën me mendimin se mosha e madhe do të bante të vetën e, populli i Shkodrës nuk do ta shihte kurrë ma...
Unë e njohta Padër Meshkallën për fëtyrë, mbasi doli prej burgut të parë aty nga vitët 1961-62, kur erdhi për vizitë në shtëpinë tonë, që, tashma nuk ishte as Don Koleci, por as nana Nine, e cila pak kohë maparë kishte vdekë, po ishin motrat e Don Kolecit, ose ma mirë me thanë edhe motrat e Tija, të cilat i deshti dhe i respektoi si një vëlla i mirë i tyne. Vinte shpesh sepse gjente ngrohtësinë e të gjithëve, dashni e ngrohtësi të cilën Ai e gjeti në të gjitha votrat e Shkodrës, ose ma mirë me thanë në secilin prak dere ku i shkeli kamba. Kujtoj njëditë, e pashë tek dera dhe simbas zakonit e ftova me hy mbrend për një kafe, por ai nuk erdhi, më diftoi se ishte nisë për vizita të largëta prej shtëpisë, po shkonte për festën e Bajramit ndër disa miqë Myslimanë. Të parën vizitë e bante tek Hafiz Ali Tari, mandej me radhë për tri ditë shkonte ndër shtëpijat e atyne Myslimanëve, për të cilët ruante kujtime të mira nga jeta e burgut që kishte kalue me tá. Edhe atá ia këthenin vizitën, por, ajo që do të vê në dukje asht tjetër gja, se, kur hyni të dytën herë në burg ata e kujtuan dhe e ndihmuan edhe materialisht deri ditën që doli prej burgut. Lutja e Tij ishte e barabartë e me fryt për të gjithë padallim Feje, fjala e Tij ishte mësim e dashni për të gjithë. Ai gjithmonë përsonifikonte të vërtetin dhe të pagabueshmin. Fjala e Tij nuk diskutohëj prej askujt.
Ja, çfarë shkruan për Té, i nderuemi Prof. Arshi Pipa: “ ...në kjoftë se kam shpetue nga burgu i Burrelit e jam sot i gjallë, i detyrohëm lutjeve të njerëzve si, Padër Meshkalla e të tjerëve, të cilët kujtoj se kanë kontribue në determinimin e fatit tem.” (Intervistë e dhanun për revistën “Kumbona e së Diellës” Shkodër,1993). Tregojnë, se, kur bahëj ndonjë debat në diskutimet që zhvillonin të burgosunit mes besimeve të ndryshme, për problemët filozofike apo teologjike, Hafiz Ali Tari, ndër fetarët ma të kulturuem të Fesë Myslimane, u thonte të gjithve në mënyrë të preme: “...Kjo çeshtje qëndron kështu, sepse, kështu, ka thanë edhe P. Meshkalla!”. Po, në burg të Burrelit, njëherë i nderuemi Ibrahim Biçaku (ish kryeministër i Shqipnise në 1944), nuk binte dakord me të nderuemin Gjergj Kokoshi për një problem filozofik në fushen politike e, për me përcaktue përfundimin e bisedës vëndosën me e mbyllë bisedën ashtusi do të thonte P. Meshkalla.... Ai me të gjithë bisedonte për çdo problem papritesë, madje, me dashamirësi. Ai i kishte vue vedit detyrë që duhët të bajmë çka asht e mundun për unitetit e Atdheut dhe përparimin e tij.
Duhej “thérë” për me e ba me folë, atëherë, ata që e njohtën, besoj e kujtojnë portretin e Tij fisnik, të vendosun e të pakëthyeshëm. Fliste me buzë të afrueme, nofullën paksa e shtërngonte, me zâ të lehtë e, mollzat e faqeve i kuqeshin si dy kokrra qerrshia, që e banin edhe ma të freskët fizionominë e Tij, merrte pamje me ngjyrën e bukur të një djalit të rinj si të një drandofillës, ashtu si kishte edhe forcën e Shpirtit. Në rrethët “Shën Gjon Bosko” të themeluem në Shkodër, në vitin 1934, si, edhe atë të “Shën Pjetrit” në Tiranë, në vitin 1937, Ai bani një punë të madhe me të rinjtë, sidoemos kundër ideve komuniste, ateiste e antiatdhetare që po përhapëshin aso kohe në Shqipni.
Në pranverën e vitit 1940, kur Shqipnia ishte e pushtueme nga Italia fashiste, e cila veç tjerash kishte dhunue edhe Flamurin tonë Kombëtar, P. Meshkalla bashkë me At Gjergj Fishtën (që ndodhej për vizitë në famullinë e Tij, në Tiranë), u folën nxanësve që ata mos me përshëndetë në mënyrën fashiste. Për këte Ai asht konsiderue “i padëshrueshëm” nga autoritetët fashiste. Kujtimet e nxanësve të Tij pasunojnë veprën atdhetare të periudhës së pushtimit fashist, nazist e ma vonë atij sllavo-komunist, për të cilat vepra kanë shkrue e do të shkruajnë, mbasi ata nuk e harrojnë asnjëherë mësuesin e tyne P. Meshkallën. Madje, ata në shênjë nderimi për veprat e Tija, me rastin e katër vjetorit të vdekjës i kanë ndertue edhe vorrin, ku sot prehën eshtnat e Tija. Pikëpamjet e Tija politike janë kenë të shprehuna haptas prej Tij dhe të njohtuna prej të gjithëve.
Ai ishte kundër cilësdo lloj diktaturë. Ishte antifashist dhe, këte, përveç faktit sipërm, e vërteton edhe qëndrimi i Tij atdhetar dhe i premë kundër disa veprimeve në lidhje me ndonjë jezuit italian në Shkodër, gja për të cilën u transferue në Tiranë nga eprorët jezuit, në vitin 1937.
Ai qëndroi në mendimet e Tija edhe në Tiranë, këte e vërteton letra që Ai i ka dergue Vatikanit për largimin e Delegatit Apostolik nga Shqipnia, për pikëpamjet e tija fashiste dhe antishqiptare. Ndoshta, për këte komunistët e quajtën “fashist”!...
Ai ishte kundër nazizmit dhe për këte flet fakti i strehimit të popullsisë së Tiranës, në refugjion pranë qelës së Tij, kur, ata po ndiqëshin nga forcat gjermane. Ishte P. Meshkalla, ashtusi shumë klerikë tjerë, tue perfshi këtu edhe misionarët Don Alfons Tracki e At Zef Maksen (të dy të pushkatuem nga komunistët si agjenta të nazistëve gjermanë), sepse, u dolën me gjoks përpara ushtarëve nazistë, madje, edhe ndaluan reprezaljet e tyne kundër shqiptarëve.
Ai ishte kundër diktaturës komuniste dhe këte e vërteton gjithë jeta e Tij e martirizueme. Në vitin 1945, Ai u takue në një shtëpi të Tiranës me Mehmet Shehun, që njihëj një ndër terroristët e grupeve vullnetare të Spanjës, që në vitin 1936 dhe ishte P. Meshkalla, Ai, që i tha troç ndër sy se çfarë do të bajnë komunistët në Shqipni, posa të forcojnë paksa pozitat shtetnore. Kur, P. Meshkalla, i tha: “Ju, do të kërkoni me zhdukë Fenë me dhunë, se, ky asht parimi i parë i komunistëve, aty ku ata marrin pushtetin dhe, Kishat e Xhamijat ju do ti këtheni në klube dhe kinema.” Mehmeti, iu përgjigjë: -“Kjo asht vetëm propagandë e atyne që nuk e donë pushtetin tonë popullor dhe, kërkojnë me na armiqësue me popullin, kjo nuk do të ndodhin kurrë në Shqipni!”...Më tregonte dhelpninë e Mehmetit për me mujtë me hjekë një ashkël në kokën e P. Meshkallës, në lidhje me shkëputjen e Klerit Katolik Shqiptar nga Vatikani dhe Papa. Përgjigja e P. Meshkallës merrët me mend cila ishte!...
Një prej nxanësve të Tij me tregonte njëherë, se një prej shokëve të shkollës tue luejt me top kishte thye një xham. P. Meshkalla, sa hyni në klasë, u thotë nxanësve: Të çohët në kambë ai që ka thye xhamin me top! Një prej nxanësve çohët dhe i thotë: -Xhamin e ka thye X-si. P. Meshkalla mbasi e nxori nxanësin që foli para klasës, e ndëshkoi me një shputë dhe i tha: Unë nuk të thashë me më tregue ti, se kush e ka thye xhamin, por kërkova me u çue në kambë ai vetë e me më tregue, mbasi kjo që ban ti asht që, ti me u ba spijuni i shokëve tuaj, prandej, të ndeshkova. Fajtori duhët të kenë guximin me diftue ai vetë fajin e vet!
Ai ndëshkonte vesët e sidoemos até të spijunit që në shfaqjet e para. Qé, pra, kjo ishte ajo edukata jezuite që P. Meshkalla, i jepte rinisë shqiptare! E cilin ves nuk luftoi Ai?!
Poezia “Hipokrizia” asht një dëshmi e gjallë që tregon, se me çfarë dufi Ai i luftonte vesët deri në zhdukjen e tyne :
- ...mos të jem’ unë ujk i veshun me lëkurë kingji
- as varr i zbardhun jashtë, e mbrendë kufomë.
- (Lutje, prej pjesës së VII.)
Me pat tregue njëherë sesi e kishte thirrë në Argjipeshkvi Imzot Ernesto Çoba, kohë në të cilën Ai kryente detyrën e Famullitarit të Shkodrës dhe, i kishte thanë P. Meshkallës :
- - A të pelqen me dijtë se çfarë ka shkrue profesori yt kujdestar në karakteristikën që ka sjellë prej Austrijet, kur ke mbarue studimet universitare?
- – Sigurisht që po,- ishte përgjigjë ky.
Imzot Çoba i kishte dhanë letrën origjinale që kishte shkrue me dorën e tij profesori austriak për P. Meshkallën dhe Don Kolecin dhe, që e kishte përcjellë këtu në Argjipeshkvinë e Shkodrës. Për P. Meshkallën, kishte shkrue: “...Që, asht studioz, i pregatitun në filozofi dhe teologji shumë mirë, por asht nervoz dhe kryefortë, prandej nuk ban me kenë në drejtim të Klerit. Ka aftësi dhe prirje të veçantë për organizimin dhe edukimin e rinisë.... Ndërsa, për Don Kolecin, shkruhëj që asht kenë student i shkelqyeshëm në mësime, shumë i pregatitun në filozofi dhe teologji, por asht natyrë shumë e mbyllun dhe e kemi pasë të pamuejtun me studjue në mbrendi karakterin e Tij, prandej asht e mira, që të kihet nën kujdes për me pa ma vonë natyrën e Tij.”. Mbasi me tregoi këte qeshte me atë të qeshunin e Tij karakteristik e pohonte: “...se, asgja nuk ka gabue profesori, unë nuk e kam dijtë deri tashti mbas 40 vjetësh, se, ai profesori që më donte aq shumë dhe më afronte tej mase, më paska ba atë karakteristikë pa gabue gja. Ta kishe dijtë – e thonte me të qeshun – makare, do ti ishe ruejt mos me më kuptue “kryefortësinë”, mandej, fliste gjatë për konsideraten që kishte për pregatitjën e dajës Don Kolec, vullnetin e Tij të hekurt dhe për qendrimin konseguent ndaj dogmave të Kishës, gja, të cilën e ka tregue edhe në kohën e diskutimit të “Statutit të Kishës” në mbledhjet që janë ba nga Kleri, në Argjipeshkvinë e Shkodrës, para vitit 1950, parase Ai të vdiste. Kur fliste për kambnguljën e Don Kolecit për mos me nënshkrue Statutin dhe për ato çeshtje që edhe P. Meshkalla, ishte i pakënaqun ashtusi ka kenë Ai, nuk i zente në gojë kurrë ata, që, me veprimët e tyne kanë punue për aprovimin e atij Statuti ndër ato mbledhje, por atypëraty vlerësonte pamasë qendrimin heroik të Don Dedë Malaj, i cili u pushkatue mbas një qendrimi shumë burrnor në gjyqin e Tij të famshëm dhe të paharrueshëm për popullin e Shkodrës, që u zhvillue në kinema “Republika”, në muajn prill të vitit 1959. Don Deda vdiq pa e firmue Statutin ndër të paktët klerikë. Unë ruaj kujtime të veçanta për Té dhe do ti shkruaj veçmas, mbasi meriton ma shumë se këto pak rreshta. P.Meshkalla, tregonte, se, kur ka marrë vesh vdekjën e Don Kolecit, kur ishte në Burrel, “...kam kja për të parën herë në jetën teme, kaq shumë jam pikllue. Ai ishte shoku dhe miku i vetëm i gjithë jetës seme!...”.
Prej P. Meshkallës pata marrë vesh se, kur jezuitët banin ushtrimet e shpirtit në Kolegjen “Saveriane” të Shkodrës, Don Koleci, asht kenë ndër të paktët ata priftën që u thirrnin me mbajtë konferenca filozofike para jezuitëve. Ai më ka tregue se Don Kolec Prennushin, jezuitët e kanë vlersue aq shumë, sa vetë P. Zef Valentini S.J., e kishte cilësue: “Futuro Cardinale d’Albania”.
- Mekenëse, ra fjala për ushtrimet e shpirtit, njëherë një prift i rinj i shuguruem mësheftas në vitin 1962, nga Imzot Çoba, meqë do të hynte përherë të parë në ushtrimët e shpirtit i tregon P. Meshkallës, sesi Imzot Çoba, i kishte mësue priftit të rinj “gjashtë arësyet që njeriu duhët me heshtë!...” P. Meshkalla, i thotë atij:
- - “Shko e thuej Imzot Çobës, me të mësue gjashtë arësyet që duhet me folë, se, s’asht koha me heshtë ma!”...
Kuptohët, se në jetën e P.Meshkallës, nuk ka asnjë çast vend për heshtje, sepse Ai nuk e njihte frikën, madje, jo vetëm se nuk e njihte frikën, por e luftonte edhe tek të tjerët. Kur e kishin çue në burgun e Burrelit Imzot Irené Banushin, Ipeshkëv orthodoks, që u dënue bashkë me P. Meshkallën, në herën e parë, disa të burgosun e kishin pyet Imzot Irenéun, se, pse ishin dënue aq shumë vite?.... Ai u ishte përgjigjë: “Mund të dënoheshim ma pak vite, po, nuk mujt me ndejë pa folë ashtusi e ka zakon P. Meshkalla!....”. E pra, flisni, flisni edhe ju bashkvuajtësit e Tij... Flisni, se kjo asht ajo kohë që paralajmëronte P. Meshkalla... Harroni edhe ju gjashtë kushtet që duhët me heshtë ! Flisni ju, o nxanësit e Tij, flisni, mos heshtni... Flisni nëse, në gjakun tuaj ruani Idealin me të cilin ju mësoi dhe edukoi Mësuesi i Juaj i pavdekshëm, flisni, se koha kalon!... Flisni ju, o bashkqytetarët e Tij, flisni, flisni, se duhët me folë ashtusi fliste Ai!... Kurrë mos harroni porositë e Tija!... Ai foli e vazhdon me folë përditë, po, ju, kur doni me folë?!... Bisedat e rrjedhëshme te Tija gjithmonë kishin një qellim, prandej, koha që kalonte njeriu me Té për të gjithë ishte një shkollë. Çdo fjalë e Tija të mësonte diçka të mangët në atë që mujshe me ditë ti. Ai nuk pritonte me u rikëthye në bisedë për me të mbushë mendjën. Kur rikëthehëj për me dhanë ndonjë mendim për Imzot Ernesto Çobën, e përfundonte bisedën me respekt për Té, kryesisht për mostolerancën e Tij në çeshtjet dogmatike dhe e myllte bisedën me mendimin se; vetëm Imzot Çoba, asht fakt, që asht kenë adapt për këte kohë, mbasi asnjë tjetër nuk do të kishte ditë as mujtë me veprue si Ai, për kushtet që janë kenë në Shqipni. E, me të vertetë edhe Imzot Ernesto Çoba, vdiq Martir i Fesë në labirintet e Sigurimit në vitin 1981. Në burgun e Burrelit me vite të tana kishin ruajt me kujdes dhe i kishin qarkullue dorë në dorë fletorët me mësimet e P. Meshkallës. Ato janë kenë gjaja ma e shtrenjtë për të gjithë ata që i kanë lexue e mësue me ta. Bashvuejtësi Frano Prendi, me tregonte për kujdesin e madh me i mëshef ato, kur bahëj kontrolli i plaçkave të burgosunve që hapeshin në oborrin e burgut në kohë shiu e dielli përvlues. Ato ruheshin si rrelike. Rinia ndër ato fletore lexonte të vërtetën, shihte realitetin, merrte gurtë e parë të themelëve të kulturës evropiane me të cilën P. Meshkalla, kishte edukue brezni të tana. E cilës fushë nuk i përkisnin ato ?
Për shkathtësinë apo dinamizmin e Tij asht zori me shkrue, për mos me thanë, që asht gjaja ma e vështirë, mbasi guximi dhe inteligjenca në personin e Tij ndërthureshin në një mënyrë krejt origjinale. Njëherë, e pyeta: “ Si e shpjegoni Ju, Padër, që Kleri Katolik asht i pashembullt për qëndrimin e Tij si në birucat e Sigurimit, si ndër burgje e kampe pune, ashtu edhe ndër gjyqe, që pa asnjë mëdyshje janë kenë të gjitha montazhe, për këte unë nuk kam asnjë dyshim, se kjo asht diçka e njoftun dhe e provueme, atëherë, pse ndodhi ashtu me Don Ejëll Kovaçin? (Don Ejëlli asht pushkatue me akuza false në vitin 1958. Edhe Ai nuk ka nënshkrue Statutin e Kishës Katolike të përpiluem nga Qeveria Komuniste, në vitin 1951 dhe të nënshkruem nga pjesa ma e madhe e klerit që ishte i lirë).
P. Meshkalla, më dha këte përgjigje : -“Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijë vjeçare të Krishtit, sepse, mbas pesëqind vjetë robnije nën Turqi, po të merrët historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri me 1944, që këtu erdhën në fuqi komunistët, tue lanë në njëanë okupacionin fashist italian (me të cilin nuk jam pajtue kurrsesi), janë vetëm 30 vjet mundësi për me formue një Kler Shqiptar e, për 30 vjet me nxjerrë aq Heronjë sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë kler në Botë.
Përsa i përket qëndrimit të ndonjenit që e kanë ligështue në tortura të pashembullta, si Don Engjullin e ndonjë tjetër, nuk duhët me harrue fjalët e Kardinalit Minzenti, në Revolucionin Hungarez të vitit 1956, që pat thanë, se po rashë në duart e komunistëve, mos merrni asgja për bazë se çka mund të flas mbas arrestimit, mbasi torturat mund të me bajnë mos me kenë ma ky që jam sot; e, sigurisht, torturat e Sigurimit Hungarez as nuk mund të krahasohën asnjëherë me torturat e Sigurimit Shqiptar. Dikush nuk ka gjetë forca për me përballue, dikush po. Unë për vedi po të diftoj çfarë me ka ndodhë kur jam arrestue në fillim. Kur hetuesi po më pyeste, unë i kundërshtova...Ai më ra një shputë dhe unë rashë përtokë... mu duk se mu hap qiella dhe i kërkova ndihmë Zojës së Papërlyeme: O Zojë, më ndihmo me bajtë këto tortura, më forco mos të ligështohëm, me ruej nën dorën Tande!... Ndoshta, askush nuk e beson, por asht fakt që gjatë gjithë hetuesisë mue vetëm një shputë më kanë ra e, ç’prej asaj dite që Ju mbështeta Zojës, nuk më ka prekë ma kush prej tyne me dorë!”.
Njëditë, kur po më bisedonte për një ngjarje burgu në Burrel, aty rreth vitit 1956, e pyeta nëse asht e vërtetë apo jo, që kishte shkue me pa të burgosunit në atë burg Mehmet Shehu, mbasi ndonjëherë kriminelët kishin ândje me pa me sytë e tyne, sesi po realizohej komunizmi, kështu që Mehmeti me të vërtetë kishte kenë në Burrel dhe, kur e kishte pa aty P. Meshkallën , e kishte pyet: “Hë, a ke zenë mend apo jo P. Meshkalla?” – P. Meshkalla, ishte përgjigjë: “Zotni Kryeministër, me xanë mend xanë fëmija, unë e ti, nuk kemi çka xamë mend të tjera.”
Ndërsa, njëherë tjetër kur Mehmeti ishte atje bashkë me gjeneral Gjin Markun, e ngucën P. Meshkallën, për me pa a ia ka dobësue guximin vuejtja dhe, Ky iu tha: “Na jemi nën dhé e, ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju!”. Më tregonte Z. Xhemal Alimëhmeti, bashkvuajtës i Tij në Burrel: “Drejtori i burgut të Burrelit, njëfare krimineli i regjun Njazi Tunxhi, po iu fliste të burgosunve për disa rregulla në lidhje me rininë... P. Meshkalla nga rreshti i kërkon me hapë shkolla në burg për të rinjtë, por drejtori e ndërpret: -Të qanë zemra ty për rininë, ke për ta parë sonte shkollën atje poshtë në birucë! P. Meshkalla qeshët ; ai nervozohët dhe i thotë: - Ç’e ke atë buzëqeshje, or jezuit i poshtër?... P. Meshkalla i thotë: -Unë, po qeshi me ty! Ende nuk e keni kuptue, se unë do të ishe i lumtun me vdekë i kryqëzuem si Zoti i em, Jezu Krishti! Ende, nuk e keni kuptue? E, çka ke me më ba ti mashumëse aq sa i kanë ba shokët tuej Krishtit?”... Kështu, qëndronte P. Meshkalla, para bishave të terbueme me dhambët e tyne shkyes e të gjakosun të Sigurimit komunist !
Në një mbramje vonë, natën e Sh’Tomës P. Meshkalla, bashkë me një shok të vetin mërrijnë tek një derë e vogël ku banonte Tom Leci. Toma aso kohe ishte i paralizuem dhe jetonte me nanën e vet plakë, e cila me shpirt ndër dhambë mërrijti me pritë këte djalë derisa doli prej burgut. Posa, hapi derën P. Meshkalla, pau Tomën që me njenën dorë që mund ta lëvizte, po fërkonte drrasat me tel, ndërsa, nana i mbushte ujë dhe i shpërlante ato. Prej derës, P. Meshkalla menjëherë me zâ pak të naltë i tha: “Mjaft, Tomë, mos vazhdo, ndërsa, ti nanë ulu aty!”. Nana u ul në një karrigë aty afër, ndërsa në tjetren urdhnoi me u ulë Toma. Ai vetë u ul tek një stol i vogël dhe hoqi këpucët, çveshi çorapët, shpërvjeli pantallonat, mori telin dhe ia dha shokut të vet që ishte ma i ri në moshë, ndërsa, Ai vetë mori rragun dhe me té fshinte drrasat që lanin, mbasi thithte ujin delte në krye të sokakut dhe shtrydhte rragun... Aty nga mesnata shtëpia e Tomës, ishte e gatëshme me pritë vizitat e ditës së emnit... Ky, pra, ishte P. Meshkalla ndër shtëpijat e të sëmurëve!...
Më tregonte një grue që njëditë ndodhi tek dera e oborrit e shtëpisë së saj në Gjuhadol. Ishte tue kalue rrugës Dava. Një murgeshë që ka shkue ndër dyert e të gjitha burgjeve e kampeve të shfarosjes së komunizmit, mbasi ndër të gjitha e gjithnjë kishte priftën. Ajo lypte ndihma nga të vorfnit për me ushqye të uritunit... Në këthesë të rrugës ajo takon P. Meshkallën dhe, i tregon se, mbas pak ditësh donte me shkue në një kamp pune, mbasi kishte grumbullue paksa të holla e ndonjë plaçkë... P. Meshkalla, menjëherë i thotë Davës, më e pritë një minut aty dhe drejtohet nga plaka që ishte në derë të oborrit... Ajo habitët për një çast, kur Ky hyn mbas kapakut të derës që nuk hapej, i jep asaj xhaketën me ia mbajtë, çveshë një xhup që kishte të veshun dhe mbi këmishe veshë xhaketën e, ashtu në atë natë të ftohtë vjeshte del dhe drejtohët nga Dava, tue i thanë: “Sa mirë që të takova para se me ikë ti atje, na këte xhup dhe nepja X, se ai nuk ka çka me veshë e, po afrohet dimni!....”.
Bamirësia ishte hija e Tij... që nuk Ju nda për asnjë çast, ashtusi vorfnia... një lëkurë e vërtetë e Tija, që lindi me Té e nuk iu çvesh kurrë, asnjëherë, deri ditën që Ai i la të gjitha!... Ai, me vedi mori vetëm një brilant...Shpirtin! Njëditë, kur po bisedonim e ishim zhytë në një diskutim plot pasion e, kjo gja asht krejt e kuptueshme prej vetë mënyrës si fliste e natyrës tërheqëse të P. Meshkallës, kur, papritë, Ai ndërpreu bisedën, shikoi orën dhe më tha: “Duhët me më falë, mbasi më duhët me shkue në shtëpi...”, unë, mendova për ndonjë çeshtje ore të caktueme të shërbesave fetare që kryente..., por, jo! Ai më tregoi, se do të ndiqte në radio turneun çiklistik të Francës (Le tour de France)... Unë u qesha, por, edhe e vështrova me habi...po, jo! Ai ma përforcoi mendimin që kishte tue me shpjegue, se gjithmonë e kishte ndjekë me radio tue e shoqnue me hartë rrugën çiklistike. Në kohën e rinisë së Tij, në Austri, ishte marrë edhe Ai vetë me këte sport aq të dashtun për Té... E tham të drejtën, për mue kjo ishte diçka e papritun!... Ai Padër Meshkalla, -Ai Meshtari i Madh!...ishte edhe sportist! Ma vonë me kanë tregue, sesi lonte futboll në oborrin e jezuitëve me nxanësit e vet. Nuk pritonte në çdo kohë me albitrue ndeshjet e studentave. Fushat sportive për jezuitët kanë kenë gjithmonë terrene grumbullimi për edukimin fizik e moral të rinisë. Ata punonin për një rini të ditun e të shëndetëshme.
Ai merrte pjesë në të gjitha fushat e jetës dhe me kompetencë fliste për ato. Horizonti i dijes së Tij ishte i pakufi.
Unë i tregova një grafikë të paekspozueme në të cilën kisha punue Krishtin e vdekun, në vitin 1961. (Asht ajo vepër që u vue në kopertinën e librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare”, dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës së Tij, në Shqipni, me 23 Prill 1993). Ai u kënaq tue e pa dhe menjëherë të nesërmen më solli një album të jetës së Krishtit, të punuem me akuarel nga një piktor anglez, që kishte shkue me e punue në Palestinë shumë vite maparë. Bashkë me këte album më solli edhe një fletore me disa poezi të shkrueme prej vetë Meshkallës, që menjëherë unë fillova ilustrimet e tyne.
Vinte pak ma shpesh ato ditë mbasi kishte shumë pretendime në fushen artistike, të cilën e njihte shumë mirë; si në letersi, pikturë, muzikë. Nuk kënaqej me pak! Prej Tij unë ruaj këshillen: “Me kenë kërkues i së bukres deri në fund!”, - kambngulja - ishte tipari veçues i Tij. Më diftonte sesi poezinë “Sant’ Elena” e kishte punue tri herë...e, me të vërtetë, ajo poezi asht shumë e bukur për mos me thanë që asht ndër ma të bukrat ose, ma mirë me thanë ndër kryeveprat e Tij.
Për me mërrijtë sado pak e me kuptue se kush ishte P. Meshkalla në art mjafton me lexue artikullin e Tij: “Art e moralitet”, botue në gazetën e përdyjavëshme “Tomorri i vogël”, në Tiranë, me 15 gusht 1942. Artikullin e përfundon kështu: “Kush mbjellë erë, korrë stuhi, thotë një proverb i huej!”. Ai që e lexon tashti atë artikull asht zor me e kuptue se P. Meshkalla, artikullin nuk e ka shkrue sot. Nuk fliste kurrë gjatë për kohën e shkueme. Piksynimi ishte tek e ardhmja. Parashikimi i saktë për kohën që vjen asht veti e figurave të mëdha, pikërisht, ajo, që sot na e quajmë aktualitet e që gjithmonë asht thirrë: “Pavdeksi”.
P. Meshkalla shkruan atëherë: “....Nuk ka art të vërtetë që të jetë në kundërshtim me ligjin e natyrës dhe pa një përmbajtje (mbrendësi) morale.”.... “Kur vepra artistike merr gjallni prej frymës së idealeve ma të larta njerëzore, jo vetëm shumfishohet ndikimi i saj mbi lexuesa apo shikuesa, (prej shkrirjës së idealeve të larta morale me ato thjeshtë estetike), por edhe artisti vetë fuqizohet në cilsitë artistike që ka prej natyre.” “...Shtrembënimi (prishja, turbullimi) i ndjesive dhe i karakterit të turmave, i frynë vetë zjarrit që ka ndezun në to propaganda e pandërgjegjëshme. Të gjitha klasat shoqnore edhe ma të pazhvilluemet i kërkojnë sot artit sorogate të lehta.” “Çka mund të mendohet ma e terbueme ose e bastardhueme, ma kriminele ose gjaksore, pranohët, shfaqët e përhapët prej këtij pseudo-arti, tue ndezë dëshira të pafrenueshme, sidomos ndër zemra që posa kanë nisë me bulue, tue polarizue vëmendjen e tyne kah objektet seksuale...”. Këta artikuj sot janë një bazë studimi për artin dhe gjuhën e njësueme.
Ndokush mund të pyesin: “A dinte me këndue P. Meshkalla?” dhe, unë, po ju përgjigjëm se “PO!...” Në fundin e ferrit ku ishte Ai, ndoshta, ndokush nuk e beson, por asht ma vështirë me ba të tjerët me këndue, se me këndue ai vetë, pra, me 24 dhetor 1952, natën e Krishtlindjeve, janë dëshmitarë djelmoçat e rinjë të asaj kohe, bashkvuejtës në kampin e të burgosunve nr. 1, tek Ura vojgurore në Berat, që bashkë me mësuesin e tyne kënduan me zâ të lehtë “Schtille Nacht”, madje, shumë lehtë, se me zâ ma të lartë mund ti “prishej” qetësia policve që aq iu donte e, kush e din se çfarë mund të vinte prej drite!...
Fatkeqësisht nuk e kujtoj emnin e një djalit të rinj për të cilin më ka tregue i nderuemi Pjetër Gjini, (kur pat dalë nga burgu i Burrelit në 1957), aq e kishin rrah e torturue në mënyrë çnjerëzore, sa për kush e din sa ditë nuk mund të çohej i shkreti në kambët e veta. E, pse? -Dikush e kishte paditë se ai djali kishte thanë: “P. Meshkalla asht njeriu ma i madh që kam njohtë në jetën teme!”... E pabesueshme!... por, ai u ndeshkue aq rrebtë vetëm se guxoi e vuni figurën e P.Meshkallës, mbi Enver Hoxhen e Stalinin e “madh” ... Për kësi lloj faji nuk ishte aspak çudi edhe me të pushkatue në ato kohë. I ka këto gjana “demokracia proletare”, thonte, i madhi Pjetër Gjini, “lum kush e provon!...”.
P. Meshkalla mbasi doli nga burgu i Burrelit, aty nga fundi i vitit 1961, pak vite prej jetës së Tij i kaloi bashkë me nanën, në shtëpinë e kushrinës së vet Ganxhës, në rrugën e njohtun Ballabane që shumë shpejt u ba qendër pelegrinazhi për të gjitha moshat dhe për të gjithë shkodranët pa dallim Feje. Vepra e paharrueshme e Tij, asht puna e palodhun me rininë me të cilën Ai ishte i pakursyem, i patrembun, korrekt, i dashtun, i papritueshëm, i përvujtë, gjithmonë buzagaz, Meshtar e Pishtar i vertetë i dijes dhe i atdhetarizmës deri në fundin e jetës së Tij.
Në Shkodër, kush nuk e kishte ndigjue emnin e këtij Meshtari që nuk shihej asnjëherë as ndër Kisha, madje, as tue thanë meshë, se, jo, ma tue predikue?
Pak vite maparë mësova një të fshehtë për P. Meshkallën... Isha me një gazetar anglez në varrezat e Rëmajit, pak ditë mbas hapjës së Kishave, kur, papritmas, afrohët një vajzë e re dhe më kërkon me folë me gazetarin. Fol, i thashë, se nuk të ndalon kush ma me folë me té, po, a din ti me folë anglisht?
– Po, mu përgjigj ajo, dhe, menjëherë, filloi me i folë rrjellshëm gazetarit. Ajo i tregoi atij kënaqësinë që ndiente për hapjen e Kishave në Shqipni, edhe pse ajo kishte lind mbas mbylljes së tyne, në vitin 1970. Ajo i foli për bindjen e plotë që kishte prej kohësh, se do të vine kjo ditë, sepse, kur e pyeti gazetari sesi të asht krijue kjo bindje? Vajza, me krenari iu përgjigj:
“Unë, e dijsha se do të hapën prap Kishat në Shqipni, madje, edhe shpejtë, se këte ma ka thanë Mësuesi i em, Padër Meshkalla. Unë jam kenë nxanëse e Tij, Ai më ka mësue fshehtas uratët e para, katekizmin, Ai më ka kungue sëpari, madje, Ai më ka mësue edhe anglishtën tue më nxitë se ka me tu dashtë njëditë dhe, qé, sot po flas me ju! Unë jam krenare sepse kam kenë nxanësja e fundit e Tij. Prej Tij kam mësue moralin fetar katolik, prej Tij kam mësue çdo gja të mirë, se vetëm mirë dinte me mësue Padër Pjetër Meshkalla!”.
Ajo edukatë ka kenë, asht e do të mbetët e pavdekëshme për të gjithë Popullin Shqiptar e Rininë e tij, që me vepra Ai provoi se e deshti e sakrifikoi për té aq shumë!
Ai shkruan: “....Na jemi gurët (të mëdhaj o të vogjel) të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shifen ma, por janë në themel të parë! Qé, ambicioni i themelit. M’u zhdukë e mos me u pa ma!...”.
Gurët e Atij themeli asht e vërtetë se komunistëve iu dukën të vogjël. Ata menduan se Ata gurë me të vërtetë do të zhduken e, nuk do të shihen ma në truell të Kastriotit. Ndoshta, mendohej se dallgët e “Revolucionit”, do të rrafshojnë bashkë me gurët “që kishin fillue me nxjerrë krye” e, pikërisht, me Ata gurë, që ishin vue mbi themelet e kulturës evropiane edhe Heronjtë, që kishin la me gjakun e Tyne Ata themele, por koha tregoi se gurët e parë nuk kishin luajtë, nuk ishin thye, as nuk ishin ciflosë e plasë, nuk ishin shkatrrue as rrokullisë, jo, kurrë, ATA GURË të vendosun në themel të tokës Shqiptare që në Shekullin e Parë të Epokës së Ré nga Sh’Pali, dhe, sot Ata gurë po mbroheshin nga Pjetri, që tha: “Ju, Kishat rranoni, por Toka nuk lot! Ju, prishni Kisha e Xhamija, por Ata do të ndërtohen prap njëditë!....” Kishin “harrue” me lexue:“...por janë në themel të parë !.... ” Meshkalla me shokë...
Në njëditë të bukur vjeshte jo e zakonëshme në Shkodër, mbasi ky qytet veçohët për shinat e shumta që bijnë. Pikërisht në një ndër ditët ma të shënueme të historisë së lashtë të këtij qyteti, me datën 11 Nandor 1990, njerëzit tuba-tuba prej të katër anëve po vërshenin si lumi e po grumbulloheshin në një skutë të periferisë, që thirret Rëmaji. Aty, në një rrenojë, në atë kapelë të vogël të varrezave mbas sa e sa vitësh do të thohej Mesha e Parë, prej Don Simon Jubanit...
Gra, burra, plaka, pleqë, sakata e të gjymtuem me patërica, të rinjë e të reja të të gjitha moshave, foshnje me faqe të kuqe nga të ftohtit ndër karroca; fëmijë të vogjel të kapun për Kryqa mermeri, që dukeshin sikur po i rrokun për mos me i lëshue kurrma;... mijra vetësh pranë të Parëve të tyne që u kane ba Kryq në ballë; mijra vetësh që vênë një Kryq mbi gurë të ndonjë vorri mbetë shkrèt; mijra vetësh pa gja te kryet mbas atij muri nën ata çinarë, múr që ndanë paqën e përjetëshme të këndejme, me atë të kobëshmen vdekje të dhunëshme nën plumbat komuniste e, që, sot mbi
Ata vorre të përbashkëta Heronjësh janë prapseprap vagonat e mbushun me ushtarë të forcave speciale të Sigurimit, në ballin e të cilëve asht ende simboli i varrmihësve të Tyne, që me ata pesë cepat e tij të ngulun në zemrat e Nanave e Motrave Shqiptare, gjithmonë ndër mote ata pesë cepa do të na kujtojnë Zojen e Shkodrës me shtatë hanxharë... Pikërisht, këte ditë po më ripërtrihej në mend ajo ngjarje, që para 23 vjetësh ndodhi në shtëpinë e njenës prej këtyne Burrneshave, një grues shkodrane me brandavekë e me bohçe të bardhë që nuk iu hoq gjithë jetën bashkë me at’ shami si futa mbi kryet e saj...
Ishte njena prej Atyne Nanave që rrëkaja e lotve ende të pathame kishte lá gurtë e Zallit të Kirit!... Njëditë, Sigurimi i Shtetit i kontrolloi edhe shtëpinë përdhese dhe mbasi i dogj edhe një figure që i kishte mbetë e fshehun nën kllef të jestekut, figurën e Zojës së Shkodrës, me të cilën ngushllohej e flente, njeni prej mizorve u suell dhe e pyeti: “Hë, plaké...fol, a ke më ndonjë gjë tjatër të fshehur?”, Padër Meshkalla, pat tregue sesi iu përgjigj plaka: -“Po, kam edhe një gjâ që ju nuk keni si me ma marrë dhe, vuni dorën në ballë e, iu tha: -“Kam edhe këté: Në Emën të Atit e, të Birit e, të Shpirtit Shenjtë e, Ashtu kjoftë!”.
E, ashtu, ndodhi, në mes të Atyne Kryqave, prap na e pamë me sytë tonë edhe njëherë Até që na mësoi dhe predikoi gjithë jetën e Tij, PADËR PJETËR MESHKALLA S.J. “CHRISTUS VINCIT !”[1].
[redakto] Burime të dhëna
- ^ Nga Fritz Radovani

