Pjetër Pepa

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Pjetër Pepa (Shkodër, 18 dhjetor 1942 - 23 mars 2014) ka qenë stomatolog, diplomat dhe përtëritës i mbamendjes njerëzore për krimet e komunizmit në Shqipëri.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Shkodër, ku ka kryer mësimet fillore e të mesme. Në vitet 1960-1965 ka kryer me rezultate të larta Fakultetin e Mjekësisë, dega Stomatologji. Është emëruar mjek stomatolog në klinikën e qytetit të Shkodrës, më 16 gusht 1965. Është angazhuar në sesionet e para shkencore në shkallë qarku dhe republike të zhvilluara që në vitin 1967, në qytetin e lindjes Shkodër, e më pas në rrethet e tjera të Shqipërisë, Elbasan, Gjirokastër, Durrës, Korçë etj., por posaçërisht në ato të fakultetit në kryeqytet, Tiranë. Botimet e para propagandistike e shkencore i ka filluar që në vitin 1966, në revistat periodike të kohës si, “ Shëndeti “ , “Shëndetësia Popullore” , “Buletini i Shkencave Mjekësore” , “Buletini Stomatologjik”( pas vitit 1973) , etj., dhe më pas, në organet e shtypit të përditshëm e periodik, duke botuar edhe artikuj të karakterit historik, kulturor etj. Në vitet 1969-‘70 ka shërbyer në zonën e thellë malore të Dukagjinit, ku ka vazhduar të mbledhë materiale dhe të botojë tema shkencore, përkthime e botime të ndryshme. Në vitin 1972 ka kryer kursin 3 mujor të kualifikimit në Universitetin Shtetëror Tiranë, gjatë të cilit ka dhënë në fakultetin e Histori- Filologjisë, me rezultate të mira, provimet pasuniversitare në gjuhët italisht, frëngjisht, rusisht, pajisur me certifikatat përkatëse (më vonë ka përvetësuar edhe gjermanishten) .

Në vitin 1974 është specializuar pranë Katedrës së Stomatologjisë për Ortodonti. Problemet e stomatologjisë së fëmijëve, epidemiologjia e sëmundjeve stomatologjike dhe problemet e organizimit të Sanacionit të planifikuar, zbulimit dhe mjekimit të këtyre sëmundjeve tek ata, kanë qenë objekt i disa dekadave pune organizative, mjekuese e shkencore. Në funksion të këtij misioni, kanë shërbyer edhe foto-ekspozitat, broshurat, konkurset stomatologjike, diafilmat, posterat etj., të përgatitura gjatë kësaj periudhe 45-vjeçare, kontribut ky në shërbim të ngritjes së kulturës shëndetësore të masave, posaçërisht nxënësve e fëmijëve. Për afro dhjetë vjet, ka drejtuar Repartin e Shërbimit të Fëmijëve, në qytetin e Shkodrës, dhe në periudha të ndryshme kohe , ka qenë anëtar i kryesisë së Shoqatës së Mjekëve të këtij rrethi, si dhe anëtar i Kolegjiumit të Stomatologjisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Mbas viteve ’90, ka ndjekë në vazhdimësi edhe aktivitetet shkencore jashtë vendit si në Maqedoni-( Strugë, Tetovë ), Serbi-( Beograd), Turqi - ( Kushadac) etj. Në vitin 1992 ka mbrojtur disertacionin për gradën “Doktor i Shkencave”. Për periudha të ndryshme kohe ka dhënë mësim në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe në disa universitete private. Ka drejtuar disa herë, si udhëheqës shkencor, oponent etj., mbrojtjen e diplomave dhe të titujve “Doktor i Shkencave” për studentët dhe mjekët e rinj në Universitetin Shtetëror të Tiranës, sot me grada shkencore. Konsiderohet si një ndër organizatorët e parë të Reparteve të Pedodontisë (fëmijëve) dhe të Shërbimit të Sanacionit të planifikuar të tyre në shkallë rrethi dhe republike.

Në periudhën 1990–1996 është angazhuar në proceset demokratike, duke u zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor për dy legjislatura radhazi. Ka kryer detyrën e ambasadorit të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, në Vatikan gjatë vitit 1997.

Në vitin 1998 është kthyer në profesion të lirë dhe si pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Mjekësisë . Ishte anëtar i Komisionit Historik për kanonizimin e martirëve shqipëtarë për Vatikanin. Është dekoruar nga Presidenti i Republikës me “ Medaljen e Trimërisë”, dhe i zgjedhur nga Kuvendi Popullor me detyrën e anëtarit të bordit drejtues të “ Institutit Studimor për Krimet e Komunizmit në Shqipëri”.

Ndahet nga jeta më 23 mars 2014.

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Botime shkencore[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Të njohim sëmundjet stomatologjike - 1980.
  • Stomatologjia praktike, përkthim - 1981.
  • Anomalitë e numrit të dhëmbëve - 1981.
  • Epidemiologjia e sëmundjeve të gojës tek fëmijët – 2002

Botime historike[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Dosja e diktaturës-Tiranë 1995.
  • Paggine sulla dittatura-Terlizzi 1998.
  • The Criminal File Of Albania’s Comunist Dictator, 2003
  • Tragjedia e Klerit Katolik ne Shqiperi-2007
  • Dosja e Diktatures - Ribotim i plotesuar -2009 III-Botime kulturore:
  • Pranë dhe Larg-2000.
  • Proverba nga gjithë bota -2001.
  • Gjosho Vasija, Meteor i humorit shqiptar-2001
  • Shopenhauer “ Arti si të jemi të lumtur “ (përkthim) -2001
  • A.de Mello “Urtia popullore e Lindjes” ( përkthim)- 2002

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]