Qazim Kokoshi
Qazim Kokoshi (1882-1945) nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Qazim Kokoshi lindi në qytetin e Vlorës. Mësimet e para i mori në shkollën turke të qytetit të Vlorës dhe më pas shkoi në Janinë, ku mbaroi gjimnazin “Zosimea”. Pas mbarimit të asaj shkolle aty rreth fillimit të viteve 1900 u kthye në vëndlindje dhe u angazhua në Klubin “Labëria”, ku punoi për përhapjen e gjuhës shqipe në fshatrat e Vlorës. Mori pjesë në kuvendin e Vlorës në nëntor 1912, si delegat i Vlorës. Firmoi aktin e pavarësisë me siglën “ Qazim Kokoshi”. Në gusht 1913, Qeveria e përkohshme e Vlorës e caktoi me detyrën e nënprefektit të Lushnjes. Pasi punoi afro shtatë muaj në atë detyrë, në shkurt 1914 u emërua me detyrën e kryesekretarit të Prefekturës së Vlorës. Pas rënies së Qeverisë së Vlorës, u caktua antar i delegacionit për të zhvilluar takimin me Princ Vidin. Konkuroi në zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan në vitin 1921 ku dhe u zgjodh deputet i Parlamentit të parë shqiptar. Pas tre vjetësh, në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924, u bashkua me grupin opozitar që udhëhiqej nga Fan Noli e Luigj Gurakuqi. Pas dështimit emigroi në Itali e më pas në Austri. Më 1928 u kthye në atdhe pas amnistisë së mbretit, por në vitin 1932 u arrestua me akuzë komploti kundër Zogut dhe u burgos, për te dalë sërish më 1936. Pas vrasjes së të dhëndrit të tij, dëshmorit Reshit Çollaku (i shoqi i së bijës), Kokoshi u arrestua nga GESTAPO-ja dhe u internua në Bergamo. Në prill 1946, komunistët arrestuan Qazim Kokoshin, i cili ishte kthyer në Shqipëri nga internimi nazist, në vitin 1945. I izoluar në hetuesinë e Vlorës, vdiq nga torturat.