Qemal Draçini

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Qemal Draçini
Fotoporteti
Emri Qemal
Mbiemri Draçini
Lindur më 1922
Lindur në Shkodër
Kombësia shqiptare
Profesioni Shkrimtar, Kritik letrar, Pedagog

Qemal Draçini (Shkodër, 6 mars 1922 - 10 tetor 1947) ka qenë arsimtar dhe publicist shqiptar.[1]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind më 6 mars të 1922 në lagjen Rus i Vogël të Shkodrës, i biri i Kasëmit dhe i Sanijes.[2] Shkëlqeu si nxënës në Gjimnazin e Shkodrës[3], ku ra në kontakt me idetë komuniste që nisën të shpërndaheshin nga Skënder Luarasi kur u vendos si drejtor i konviktit "Malet tona". Në moshën 16-vjeçare u dënua me 6 muaj burgim politik,[2] 1938-'39. Pas dy viteve, gjatë pushtimit italian u burgos nga autoritetet[1]Mbreshtan se dallohej për shoqërimin me Qemal Stafën dhe Emin Durakun.[4] Më 25 qershor 1940 shkruan në ditarin e tij:[5]

"Át Gjergj Fishta më ka kërkue sekretar të tij privat... nuk kam kurrse-si me përfitue prej kësaj rase veç më duhet me renuncue; asgjamangut, ende s'e kam thânë fjalën e fundit."

Ndoqi studimet në Firence për juridik, 1941-'43. Më 1945 punoi si mësues i letërsisë, ekonomisë politike dhe drejtësisë në Tiranë n'institutin "Donika Kastrioti" e Shkodër në Gjimnaz, më vonë në Min. e Arsimit e Kulturës për hartimin e teksteve shkollore me Aleksandër Xhuvanin, Dhimitër Shuteriqin e Sterjo Spassen.[3] U arrestua më 1946 mbas lëvizjes së Postrribës prej nderimit që gëzonte ndër intelektualët e kohës por edhe pse i kishte braktisë «mëkatet e rinisë».[6] Ndërroi jetë në burg nga torturat më 10 tetor 1947. Dosjet e deklasifikuara të operacionit BGFIEND përcjellin se Qemali preu damarët mbasi pa dëshminë e shkruar me gjak të Musine Kokalarit.[7]

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nisi krijimtarinë letrare në poezi e prozë, shquhet në fushën e mendimit letrar në fillim të viteve '40. Së bashku me Myzafer Pipën themeloi në Tiranë të përmuajshmen kulturoro-letrare "Fryma" më 1944, duke u bërë edhe redaktor i saj. Aty botoi studime kritike mbi Naim Frashërin, Gjergj Fishtën, Migjenin, Gaspër Palin, Kolë Mirditën e S. Spassen si dhe autorë të huaj.[1]

Draçini kishte lënë dorëshkrime, një pjesë e të cilave u dogjën dhe u asgjësuan nga diktatura dhe ajo çka u shpëtua prej saj nga i vëllai, "Mësuesi i Popullit" Enver Draçini, u botua në përmbledhjen Era të botuar më 1995 nga Muzeu Historik i Shkodrës përkujdesur nga i vëllai. Në përmbajtjen e botimit fletorja e parë fillon më 14 maj 1939, duke vazhduar me shtatë ditarë deri tek i fundit që fillon më 10 shtator 1945 dhe nuk vazhdon përtej datës 1 maj 1946, tre-katër muaj para arrestimit.[3]

Nderime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me anë të një peticioni t'inteligjencës e disidencës shkodrane për 45 vjetorin e vrasjes drejtuar Presidentit të Republikës S. Berisha i kërkohej shpallja e Draçinit "Pishtar i lirisë e demokracisë", shpallja "Martir i Demokracisë" u ba më 1992[5]. Më 2008 Këshilli Bashkiak i Shkodrës e vlerëson me titullin "Qytetar Nderi".[3]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b c Fjalori enciklopedik shqiptar ─ Tiranë, FESH, 2008
  2. ^ a b Kaloçi, Dashnor (6 maj 2007). "Akuzat ndaj 73 komunistëve në gjyqin me Qemal Stafën". Shqip (121): 18–19.
  3. ^ a b c d Bushati N., Qemal Draçini, kush ishte sekretari 16-vjeçar i Fishtës, Metropol (gazetë), 28.11.2011
  4. ^ Bacaj N., Dosja Sekrete Nr.945/III Arkivuar 20 tetor 2016 tek Wayback Machine, Shqipëri Etnike, nr. 112 / 8 dhjetor 2007.
  5. ^ a b Vëllimi "Era" me pjesë përshkruese rreth Q. Draçinit, gjithashtu pjesë nga publicistika, novelat, poezitë e përkthimet e tij ─ Shkodër, 1995
  6. ^ Pipa A., Komunizmi dhe shkrimtarët shqiptarë, Shqiptari i Lirë, 1959
  7. ^ OBOPUS BGFIEND v. 21, 10 prill 1952 Arkivuar 8 janar 2020 tek Wayback Machine. E deklasifikuar qysh më 2007 nga CIA sipas Aktit të Hapjes për Krimet e Luftës së Nazizmit.