Rruga e shtëpisë sime

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Romani i gjashtë i Nazmi Rrahmanit Rruga e shtëpisë sime, është rrëfim mbi fatin e kosovarëve të çrrënjosur me dhunë nga pushtuesi sllav, gjatë viteve tridhjetë të këtij shekulli; vendosja e tyre diku në Anadollin e Turqisë dhe rikthimi i pjesës së mbetur gjallë të kësaj familjeje në vatrën e vet stërgjyshore. Kryetari i kësaj familjeje të shpërngulur të Llapit, në vitet 1911-12, kishte qenë luftëtar kundër pushtuesit osman, dhe tani, i pafuqishëm ndaj terrorit të pushtuesit të ri, kërkon strehim dhe shpëtim tek armiku i dikurshëm. Do të jetë kjo një golgotë tragjike që këtë famille e sjell në kufi të shuarjes fizike: vdesin gati të gjithë anëtarët e saj njëri pas tjetrit në dhè të huaj, duke ëndërruar kthimin tek fshati i lindjes, me emrin "Përroi i Keq" (dhe fshati, njësoj si titulli i romanit, ka emërtim simbolik). Fjala e fundit, amaneti i fundit i secilit përpara vdekjes është: "kthehuni", amanet ky të cilin do ta shpjerë në vend Bajrami, i biri i Babës. Bajrami, që si fëmijë është dëshmitar i aktit të çrrënjosjes, e ngjall ëndrrën e kthimit tek djali i vet i lindur në Anadoll. Një ditë, kur mbetet fill vetëm me të birin, Shpëtimin, ai vendos të kthehet duke e sjellë në vend porosinë e të gjithëve, por dhe ëndrrën e vet më të madhe. Romani "Rruga e shtëpisë sime", për nga teknika e narracionit shënon kthesë dhe përvojë të re në rrugën krijuese letrare të Nazmi Rrahmanit. Rrëfimi romanor në këtë vepër kryesisht mbështetet në evokimin e kujtimeve. Narracionin e bart dhe e udhëheq kryepersonazhi, që sipas mendimit të kritikut Sabri Hamiti, arrin shkallën e heroit (arrin të realizojë ëndrrën e shumë personazheve dhe të tejkalojë shumë pengesa drejt këtij udhëtimi dramatik dhe tragjik) Bajrami i ka të gjalla kujtimet e shpërnguljes dhe pjesën e kaluar në fshatin llapian Përroi i Keq. E mban mend dhe rrëfen për terrorin serb, si dhe për futjen e krimbit të dyshimit midis banorëve të Përroit të Keq, të cilët i bashkon, përkatësisht i ndan ura. Është Përroni simbolik që fut dyshim e mosbesim mes banorëve, që e ndan hapësirën etnike, me çfarë krijon konotacione metaforike për mosbesim dhe ndarje globale etnike, shpesh me pasoja tragjike. Kryepersonazhi rrëfen pjesën e rrugëtimit dhe jetën në vend të huaj, goditjet tragjike të njëpasnjëshme dhe aktin e kthimit, që është pikëvrojtimi i narracionit. Autori e ka zgjidhur pikërisht Bajramin për perspektivë narrazioni, meqë ai bart me vete dhe botën, dramën e Babait, por synon që atë ta përcjellë tek trashëgimtari, pasardhësi, duke mbuluar kështu dy krahë kohorë. Derisa te tipi i romanit "Malësorja" autori rrëfen duke ecur, duke e ndjekur rrjedhën e bëmave, të njerëzve, kryepersonazhi që me këtë rast është dhe narrator i romanit "Rruga e shtëpisë sime", rrëfen pasojat e bëmave të dikurshme. Te tipi i parë narrativi karakteret lindin dhe formohen gjatë ecurisë së tekstit, ndërsa tek tipi i dytë ara janë të gatshëm, me tipare të caktuara të karakterit, vetëdijes, filozofisë jetësore. Tek tipi i parë i romaneve të këtij autori, kryesisht rrëfehet në vetën e tretë, me dialogë të paktë, gati në nivel sentencial, kurse te romani "Rruga e shtëpisë sime" rrëfen kryepersonazhi në vetën e parë. Dialogu në këtë roman është i llojit evokativ (Më kujtohet, mbaj mend, etj ... ) dhe zhvillohet mes Babës, Birit dhe nipit, por shpesh edhe mes uni-t të dyzuar të kryepersonazhit, realizuar si monolog i dialogëzuar. Pra, dallimi mes njërit tip të romaneve të këtij shkrimtari dhe tipit tjetër është në rrafsh të proçedimit krijues, kurse si bindje dhe vetëdije e krijuesit, për rolin e artit letrar në jetë, për ndikimin e tij në botën e njeriut, në filozofinë e të qenit dhe të ekzistencës, teksti është i formësuar dhe mbetet unik për tërë veprën letrare të Nazmi Rrahmanit.