Sfinksi (shoqatë)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko


Shoqata e enigmatëve dhe enigmologëve "Sfinksi" u themelua në Prishtinë në majin e vitit 1994, ndërsa nismëtar i themelimit ishte enigmati i njohur shqiptar dhe kryemjeshtri i parë shqiptar i enigmatikës Xhevat Ruhani. Qëllimi i themelimit të kësaj shoqate ishte që t'i tubonte në një vend forcat kreative shqiptare të enigmatikës të rajonit të Prishtinës, në mënyrë që me përpjekje të përbashkëta të punohej në drejtim të avancimit sasior e cilësor të enigmatikës shqiptare.

Së shpejti rreth "Sfinksit" u mbodhën enigmatët e njohur Nazim Lleshi, Driton Sejdiu, Kadri Bicaj, Arlind Boshnjaku, Gazmend Kajtazi, Riza Bërbatovci, Ilir Morina, Basri Berisha e shumë enigmatë të tjerë, disa nga të cilët edhe sot e kësaj dite paraqesin krijuesit më kreativë të këtij lëmi, duke e kultivuar enigmatikën dhe teorinë e saj, enigmologjinë, në mediat e shkruara (gazeta, revista dhe revista të specializuara të enigmatikës) dhe në mediat elektronike (radio dhe televizion), duke i dhënë kontribut të jashtëzakonshëm ngritjes cilësore të enigmatikës shqiptare.

Pas Xhevat Ruhanit, i cili vazhdoi të jetë ideator dhe prijatar i zhvillimit të enigmatikës shqiptare, në krye të Shoqatës së enigmatëve dhe enigmologëve "Sfinksi" erdhi enigmati i njohur, Nazim Leshi, profesor i gjuhës dhe letërsisë frenge, ndërsa nga viti 1996 e këndej në krye të "Sfinksit" ndodhet Mustafë Statovci, profesor i letërsisë.

Pas themelimit, në vitin 1994, ShEE "Sfinksi" zuri të botojë edhe organin e vet, revistën për enigmatikë dhe enigmologji "Stili", në të cilin filluan të bashkëpunojnë enigmatët më të njohur të rajonit të Prishtinës, të cilët deri atëherë kontributin e tyre e kishin dhënë në revistën "Horizonti", që asokohe dilte në Gjilan. Në postin e kryeredaktorit të kësaj reviste u ndërruan Xhevat Ruhani, Mustafë Statovci etj., të cilët ndikuan që "Stili" edhe pas ndërprerjes së daljes së tij, të mbetet një kapitull jashtëzakonisht i rëndësishëm i zhvillimit të enigmatikës dhe enigmologjisë shqiptare.

Pas një pushimi disavjeçar, Shoqata e enigmatëve dhe enigmologëve "Sfinksi" sërish është riaktivizuar në fillim të vitit 2009 dhe është për të pritur që ajo shumë shpejtë t'i kthejë atributet që e kanë karakterizuar veprimtarinë e saj në zhvillimin e enigmatikës dhe enigmologjisë shqiptare përgjithësisht.