Shën Vilibrordi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Shën Vilibrordi

Shën Vilibrordi ose Willibrord (c. 658 – 7 nëntor 739) ishte një murg benediktin, i vogël me shtat, me sy të thellë e të gjallë, por me trup të dobët e të brishtë. Ai ndan me Shën Bonifacin meritën e ungjillëzimit të Gjermanisë përtej lumit Ren. Ishte anglez i Northumbrias, i formuar shpirtërisht në Irlandë, në shkollën e abatit Egbert dhe në Ripon, që është një fidanishte e vërtetë shenjtërish. Pas dështimit të misionit të parë, Vilfridi dërgoi në Frizi një grup prej njëmbëdhjetë misionarësh të kryesuar nga energjiku dhe guximtari Vilibrordi. Kontakti i parë me krahinën gjermane do ta kishte shkurajuar këdo që do të kishte shkuar me qëllime të tjera, përveçse për t’u çuar porosinë ungjillore paganëve. Dymbëdhjetë misionarët u vendosën në bashkërrjedhjen e Eskaut, mes kënetave të rrezikshme dhe luftëtarëve të shpërndarë, pas përparimit fitimtar të Pipinos nga Heristal. Ky pasi mundi mbretin Radbod, mori në dorë krahinën kundërshtare veriore. Një fitore provanore edhe për Vilibrordin, i cili mundi të drejtohej në brendësi të Gjermanisë dhe të kontaktonte me popullsitë pagane. Por, para se të fillonte ungjillëzimin, Vilibrordi deshi të merrte pëlqimin e papës. Përshpirtëria për papën do të jetë një shenjë dalluese e këtij «apostulli» kokëfortë dhe besnik.

Pasi u kthye nga Roma, me inkurajimin e papa Sergjit I, Vilibrordi zgjodhi Anversën si pikë nisje për ndriçimin e misioneve të ardhshme. Para se të vinte dorë në një themelim tjetër të rëndësishëm, siç ishte krijimi i një dioqeze të re në Frizi, Vilibrordi shkoi një herë të dytë në Romë. Dhe kësaj here takoi papën e ri, Gregorin II, i cili e shuguroi ipeshkëv me emrin Klement. Në vitin 698, Vilibrordi themeloi në Luksemburg kuvendin e Ehternahut, si paraprirje për dërgimet e ardhshme misionare, të cilat prej këtij momenti është e vështirë të numërohen. Njeri veprimi dhe lutjeje, ai është mishërim i murgut – abat – ipeshkëv benediktin, organizator i shkëlqyer dhe me një autoritet të dalluar qendror. Ai ka meritën e krijimit të ipeshkvijve ndihmëtarë që do të shmangin ndarjen e Kishave të ndryshme falë një veprimtarie misionare të përbashkët dhe më energjike. Ka vdekur në abacinë e Ehternahut, ku edhe nderohet trupi i tij.