Shaban Hadëri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shaban Hadëri (Palavli, 28 mars 1928 - 14 janar 2010) ka qenë skulptor shqiptar.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Palavli të Delvinës, i biri i Halil Hadërit. Pas çlirimit kreu Liceun Artistik "Jordan Misja" në Tiranë (1947-1950). Në vitin 1950-1952 ishte drejtori i Pinakotekës së Tiranës, e cila në vitin 1954 do merrte emrin Galeria e Arteve. Studimet e larta për skulpturë i kreu në Institutin e Arteve të Bukura "Rjepin" në Shën Peterburg. Diploma e Hadërit me titull "Shokët" u ekspozua në Moskë, në ekspozitën e 13 vendeve socialiste të kohës. Me kthimin në atdhe, Hadëri do të ishte një nga pedagogët e parë në Institutin e Arteve të Tiranës, duke përgatitur brezat e artistëve të rinj shqiptarë. Skulptori i Popullit, Shaban Hadëri ishte një nga skulptorët e rëndësishëm të realizmit socialist. Në krijimtarinë e tij të gjerë zënë vend të gjitha gjinitë e skulpturës, duke filluar nga portretet, figurat, kompozimet figurave dhe monumentet e shesheve të qyteteve shqiptare. Ai ka trajtuar në veprat e tij tema nga historia dhe heronjtë e saj në shekuj, nga lufta antifashiste nacionalçlirimtare, nga ndërtimi i socializmit. Procesi i tij krijues përfshin dy periudha, atë nga vitet 1960-1990 dhe krijimtaria pas viteve 1990. Vepra skulpturore e Shaban Hadërit - Skulptor i Popullit - vlerësohet për realizmin e tij nëpërmjet plasticitetit të formave skulpturore, evidentimin e psikologjisë së personazheve, monumentalitetin e fuqishëm ekspresiv. Hadëri është bashkautor në "Monumentin e Pavarësisë në Vlorë" (1972), Monumentin "Nënë Shqipëri" (1972), Relievin e kushtuar luftës së vitit 1920, Relievit të Kryeministrisë (1974), si edhe autori i monumentit "Heronjtë e Vigut"- Shkodër (1984), "Isa Boletini" (1986) - Shkodër. Skulptori i Popullit, Shaban Hadëri është vlerësuar me çmime të ndryshme, ndërmjet të cilave: "Skulptor i Merituar", "Skulptor i Popullit", Urdhri "Flamuri i Kuq" i Klasit I, Çmimin e Republikës - Klasi i I. Ai është bashkautor i një prej 4 monumenteve kushtuar Enver Hoxhës (në sheshet e qyteteve), atij të vendosur në qendër të Tiranës më 1988-ën dhe që u rrëzua në marsin e viti 1991 nga qytetarët gjatë lëvizjes demokratike për rrëzimin e diktaturës. Pas viteve 1990, artisti pati një paralizë parciale, por edhe pse i sëmurë vazhdoi krijimtarinë e tij duke realizuar punime në përmasa të vogla dhe kryesisht iu kushtua dhe pasionit të tij, pikturës, duke realizuar natyra të qeta, peizazhe etj. Në fondin e GKA, Tiranë ruhen 27 punime të autorit kryesisht portrete, kompozime (në dru, gips, bronz). Vdiq më 14 janar 2010.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]