Shefkije Islamaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shefkije Islamaj lindi më 25.10.1953 në fshatin Likovc të Skënderajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje më 1968, ndërsa shkollën Normale në Mitrovicë më 1972. Më 1977 mbaroi Fakultetin Filozofik - Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë, ndërsa në vitin vijues 1978 u regjistrua në studimet pasuniversitare të këtij fakulteti. Magjistroi me temën “Sinonimet në gjuhën shqipe” më 1982. Në vitin 1999 mbrojti me sukses edhe tezën e disertacionit “Veçoritë leksiko-semantike dhe stilistike të gjuhës së veprës letrare të Jakov Xoxës” me të cilën mori gradën ‘doktor i shkencave filologjike’. Dr. Shefkije Islamaj gjatë studimeve ka punuar në arsim, një kohë në shkollën fillore “Liria” në Isniq, pak kohë në Qendrën e Shkollimit të Mesëm “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Ka punuar si ligjëruese e lëndës Kulturë gjuhe në Fakultetin e Arteve Dramatike gjatë viteve 2001-2004. Fill pas përfundimit të studimeve, në vitin 1977 filloi punën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Degën e Gjuhës, në Sektorin e Leksikografisë, në fillim si asistente, më vonë si hulumtuese e pavarur, bashkëpunëtore shkencore, bashkëpunëtore e lartë shkencore, ndërsa në vitin 2002 është zgjedhur këshilltare shkencore. Sot punon në Institutin Albanologjik dhe ka titullin këshilltare shkencore.

Më 3 mars 2014 u zgjodh anëtare e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës[1] të cilin e kryesoi deri më 21 tetor 2015 kur u shkarkua nga detyra për shkak se kishte votuar për shkarkimin e rektorit të UP Ramadan Zejnullahu[2].

  1. ^ "Në Këshillin Drejtues të UP-së edhe dy përfaqësues të shoqërisë civile". KOHA.net. Arkivuar nga origjinali më 22 janar 2020. Marrë më 2018-07-23. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ "Shefkije Islamaj shkarkohet nga Këshilli Drejtues i UP'së - Lajme - Kosova Sot". Kosova Sot. Marrë më 2018-07-23. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)