Shkodra në Lidhjet Tregtare me Trevat e Tjera në Shekujt XIV - XV

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Shkodra në Lidhjet Tregtare me Trevat e Tjera në Shekujt XIV - XV


Shkodra, qytet i famshëm i kohës së mesme, si e cilëson Shufflaj, para periudhës së invazionit shkatërrues osman, lulëzoi krahas Durrësit, Vlorës, Ulqinit, Tivarit, Prizrenit dhe mjaft qyteteve të tjera të trevave shqiptare, duke u bërë në vitet 60-80 të shekullit XIV qendra më e rëndësishme ekonomike e trevës shqiptare[1] në pjesën veriore. Qendra e rëndësishme në shekuj, e rrethuar nga një trevë e pasur dhe e begatë, me një pozitë gjeografike shumë të favorshme për zhvillimin ekonomik, kështjellë me një pozicion shtrategjiko-ushtarak shumë të përshtatshëm në të dy formacionet ekonomiko-shoqërore : në rendin skllavopronar dhe në atë feudal ; nyje e vazhdueshme komunikacioni tokësor dhe ujor, duke u lidhur nëpërmjet lumit të Bunës me detin ; nëpërmjet liqenit në krahinat e brendshme veriore dhe nëpërmjet rrugëve tokësore në krahinat e tjera veri-lindore dhe jugore ; në një nivel të mirë zhvillimi ekonomik dhe në vazhdimësi edhe në fusha të tjera, e solli historia Shkodrën deri në shekujt XIV-XV, etapë e lulëzimit të marrëdhënieve feudale. Proçesi i zhvillimit në të gjitha fushat dhe gjithnjë në rritje në këtë vijë kohore, ka edhe zbatica të përkohshme të shkaktuara nga rrethana politike të disfavorshme, të jashtme në radhë të parë, por edhe të brendshme. Megjithatë Shkodra e ka ruajtur pothuajse të pandryshuar deri në shek. XV një tipar, qënien e saj si qendër ekonomike në radhë të parë, por edhe si qendër me rëndësi të madhe politike për Shqipërinë e veriut. Lulëzimin e parë të madh të saj e njohu në periudhën antike pararomake, si kryeqendër e shtetit Ilir në fazën e tij më të zhvilluar. Ky lulëzim i kësaj etape, si dhe një seri rrethanash të tjera, e bënë Shkodrën që dhe mbas pushtimit romak të mbetet kryeqendër, tani e provincës së Prevaletanies.

Mbas ndarjes së Perandorisë Romake, Shkodra, u përfshi në përbërjen e Perandorisë Bizantine, si trevë periferike e saj. Ajo erdhi në mesjetën e hershme në shekujt V-X me toponimin e saj Ilir[2], me pothuajse të njëjtën pozitë topografike, me të njëjtën kështjellë të famshme nga ana strategjike ushtarake.[3] Ndonëse dokumentat e shkruara janë varfra, duke operuar me të si dhe me të dhëna nga fusha të tjera, mund të thuhet se Shkodra me hiderlandin e saj, mbas goditjes që pati nga pushtimi romak e në veçanti nga faktorët e disfavorshëm që shkaktuan dyndjet barbare, e rimori vehten. Zhvillimi social-ekonomik e kulturor, ndonëse me rritje të ngadalshme, eci vazhdimisht përpara. Rifunksionimi e rrugëve të vjetra tregtare, që e lidhnin Shkodrën me krahinat veriore, lindore dhe jugore të trevës Ilire, funksionimi i tyre, riparimi dhe forcimi me stacione ndërmjetëse të mbrojtura nga kështjella të vogla . gjatë sundimit romak, lundrimi nëpër Bunë dhe vazhdimi i saj si rrugë tregtare, lulëzimi i Shirqit (Sergut) si skelë e Shkodrës më periudhëne vonë antike e mbi të gjitha për mendimin tonë, lindja e qëndrave të reja të vogla urbane rreth shekujve VI-IX si: Drishti, Balësi, Sapa, Sarda, Shasi etj. dhe gjallërimi i qyteteve të vjetra Ilire: Lezha, Tivari, Ulqini, etj., të cilat në mënyrë rrethore vendoseshin jo shumë larg Shkodrës, janë dëshmi të zhvillimit të forcave prodhuese në këtë trevë të Ilirisë jugore në etapën e mesjetës së hershme. Ekzistenca e një vargu të shumtë qendrash urbane në këta shekuj, i dhanë shkas shkëmbimit dhe forcimit të marrëdhënieve të brendshme ekonomike. Shkodra mori pamjen e një qyteti tipik mesjetar me çitadelën e tij të fortifikuar dhe varoshin. Lagja e vjetër romake e vendosur në rrezen jugore të kodrës së fortesës[4], ishte e rrethuar me mure që u rindërtuan dhe u përforcuan në kohën e Justinianit. Qyteti njihte një organizim të brendshëm, kishte milicinë e vet qytetare, me flamurin e vet origjinal, në fushën e të cilit spikati muri i qytetit. Kjo shenjtë do të zërë vend më vonë në vulën e qytetit, duke u bërë simbol i stemës së ardhshme të qytetit. Pa mohuar interesat ekonomike që treguan romakët apo bizantinët për këtë trevë, faktori themelor dhe përcaktues i progresit ekonomik në këto periudha, qe pa dyshim ekzistenca e një substrati ekonomiko-kulturor ilir, që kishte fituar qëndrueshmëri në shekuj në etapën e zhvillimit dhe të lulëzimit të shtetit skllavopronar, i cili në kushtet e reja të rendit feudal, u bë bazë e proeeseve të reja ekonomike dhe e ritmeve të shpejta të zhvillimit të tyre. Që nga shekulli i XIII, për afro 150 vjet Shkodra u përfshi në shtetin serb të Nemanjanëve, duke qenë në ndonjë periudhë dhe kryeqendër e tij. Proçesi i zhvillimit të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror nuk u ndërpre, megjithë piksynimet politike, kolonizuese e serbizuese që donte të arrinte shteti serb në këto treva shqiptare. Dëshmi për këtë është edhe shtrirja që merr qyteti duke krijuar lagje të reja që quhen të jashtme, borgo të pambrojtura, që filluan të marrin rëndësi të veçantë. Në zonën e përmendur nën Skandar thekson Shufflaj[5] në breg të Drinazit, gjindet lagja e bukur, plot pallate e oborrit të mbretërve serbë, seli më vonë e Balshajve, e cila deri në fillim të shekullit XV është quajtur la corte delo imperator.

Shkodra dhe treva e saj gjatë kësaj periudhe lidhjet e tyre ekonomike i mbajnë kryesisht në këtë shtet. megjithëse në trojet shqiptare u vendosën mjaft kolonistë serbë, si të gjithë pushtuesit paraardhës edhe këta nuk i realizuan dot ato qëllime që i kishin vënë vehtes, kolonizimin e vazhdueshëm dhe çkombtarizimin e trevave shqiptare.

Në këtë shkallë zhvillimi të jetës ekonomike, krahas fuqizimit dhe rritjes së qyteteve, erdhi edhe forcimi ekonomik i klasës feudale, e cila në kushtet e ekzistencës së perandorisë serbe të Stefan Dushanit gjendej në pozita vasaliteti. Me krizën dhe shkatërrimin e kësaj perandorie, feudalët shqiptarë, si Balshajt, Dukagjinët, Shpanët, Dushmanët etj. të fuqizuar me kohë ekonomikisht, e ndienë vehten të fortë për të krijuar principatat e tyre të pavarura, duke futur nën mvartësinë e tyre dhe qendrat qytetare. Kështu Skodra u bë kryeqendër e principatës më të madhe feudale së dinastisë së Balshajve, duke arritur në vitet 60-80-të të shekullit XIV, kulmin e zhvillimit të saj dhe si një nga qendrat më të mëdha zejtare e tregtare të trevave të Shqipërisë. Kjo principatë që u shtri në Berat, Vlorë dhe Himarë, nuk arriti dot të realizojë qoftë dhe bashkëkohësisht centralizimin e plotë politik për një seri faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm. Qyteti i Shkodrës, në këtë periudhë, arrinë shtrirjen më të madhe urbane në krahsim me të gjitha periudhat e tjera paraardhëse. Rritja e numurit të popullsisë dhe i ndërtimeve sjellin zgjerimin në shtrirje të vetë qytetit. Krahas ndërtesave të qytetarëve, fillojnë të zënë vend qëndror ndërtesat me karakter publik.[6] Në kushtet e një hapësire të kufizuar nga muret mbrojtëse të qytetit dhe Kështjellës, shtëpitë vendosen shumë afër njëra tjetrës deri lart pranë kalasë duke u mbështetur në murin rrethues të saj.[7] Qyteti përshkohet në këtë kohë nga tri rrugë kryesore; rruga publike, rruga e përbashkët dhe rruga e bashkisë. Ai kishte dhe sheshin e vet. Një rëndësi e veçantë ju vu kështjellës së qytetit. Ajo u rindërtua plotësisht në kohën e sundimit venecian. Muri i saj rrethues u përforcua me 8 pirgje në formë ovale, 3 në veri, 4 në lindje dhe 1 në jugë, dhe hendekun e barbakanit. Qyteti kishte tregun e vet dhe statutin, në të cilin paracaktoheshin rregullat urbane të ndërtimit, higjenizimit etj. Në territorin e qytetit u përfshinë edhe disa fshatra të afërt, kryesisht mendojmë në pjesën lindore të cilët, shdërrohen në lagje periferike të tij, duke formuar kështu la citta borgo, qytet-fshat.[8] I gjithë territori i qytetit ishte i rrethuar nga tri anë nga ujërat: liqeni dhe lumi i Kirit në veri dhe verilindje, lumi i Drinit në jugë dhe lumi i Bunës në perëndim. Vetëm pjesërisht pjesa lindore kufizohej me tokë.

Zona qytetare e rrethuar me mure ka pasur hyrjet e veta. Të gjitha shpenzimet që nevojiteshin për mirëmbajtjen e qytetit, sidomos për fortifikimin e tij, nxirreshin nga të ardhurat doganore. Rreth e rrotull qytetit shtriheshin zonat tokësore e qytetarëve. Tokat pranë qytetit kanë qenë kryesisht të specializuara në kulturat bujqësore,[10] si: kopshte, vreshta, ullishte, etj.

Ndryshimet demografike që ndodhen nën këtë etapë dhe mbi këtë bazë, shtrirja dhe rritja e qytetit, janë rezultat i proçesit të thellimit të diferencimit shoqëror të banirëve të kësaj treve. Fshati, ku ishin të vendosura plotësisht marrëdhëniet feudale, filloi të luajë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në forcimin dhe zhvillimin e shkëmbimit me tregun e qytetit.

Tregu i Shkodrës me produktet e shkëmbimit që realizonte brenda trevës së vet, i dha shkas zhvillimit të tregëtisë dhe përtej kësaj treve, dhe treva të tjera shqipëtare brenda vendit dhe jashtë nëpërmjet Adriatikut apo rrugëve tokësore. Sasitë e mëdha të grurit, melit, venës, peshkut të ndryshëm, lëndës drusore e të tjera prodhime, ishin në bazë të këtij sërbimi. Në kushtet e ekzistencës së plotë të marrëdhënieve feudale dhe të lulëzimit të tyre, interesat e dinastive feudale i lidhën gjithnjë e më shumë me qytetet të cilat reciprokisht duke siguruar mbështetjen e tyre, përpiqeshin të fitonin qetësinë dhe sigurinë në veprimtarinë e tyre. Influenca e feudalëve të mëdhenj mbi qytetet shihet dhe në vulat e qyteteve, ku vërehen shtesa të elementeve të stemave feudale.[11] Ky fuqizim i klasës feudale vendase nuk qe në rastësi. Krijimi i dinastive feudale shqiptare qe rezultati i proçeseve të mëdha ekonomiko-shoqërore të brendshme që ndodhin në këta shekuj, i nivelit të lartë që arritën zhvillimi i forcave prodhuese, që sollën si pasojë thellimin e diferencimit sicial të popullsisë. Dinastitë feudale shqiptare, u bënë faktor i rëndësishëm për zhvillimin e ngjarjeve të brendshme, i tendencës për unjizimin territorial të tokave shqiptare, fenomen i shfaqur që në shekullin XII.

Lulëzimi i marrëdhënieve feudale në shekujt XIV-XV, solli si pasojë jo vetëm fuqizimin e klasës feudale vendase së bashku me kontradiktat e tyre, por dhe një interesim më të madh nga monarkitë feudale të Ballkanit dhe Evropës për të vendosur lidhje tregëtare, apo futjen e këtyre trevave nën mvartësinë e tyre. Të dy këto tipare në fushën e jetës politike i ndeshëm të gërshetuara edhe në trevën e Shkodrës. Kështu në vitet 60-80-të të shekullit XIV, kur në krye të trevës së Shkodrës është një nga dinastitë feudale shqiptare nga më të fuqishmet, ajo e Balshajve, e cila bëhet vazhduese e këtyre nismave të klasave feudale shqiptare paraardhëse të zonës së Shqipërisë së mesme dhe të jugut për një centralizim politik të trevave shqiptare, ky piksynim gjen zgjidhje të pjesëshme në shtrirje dhe të përkohëshme në kohë, si rezultat i veprimit të këtyre faktorëve. Nga kjo situatë përfitoi republika e Venedikut, një nga shtetet feudale më të zhvilluara, lakmitë e së cilës për këto treva ishin të njohura, të paktën që nga shekulli XI.

Tendenca objektive më thelbësore që shfaqet në këtë periudhë në 1/2 e dytë të shek. XIV, ajo për formimin e një shteti feudal të centralizuar (tendencë kjo e njëkohshme dhe me vende të tjera europiane) mbi bazën e konflikteve midis principatave feudale shqiptare nuk pati sukses. Një influecë të madhe në mos realizimin e këtij objektivi ushtroi Republika e Venedikut. Në periudhën e pushtimit venecian, gjatë shekullit XV deri në pushtimin turk, Shkodra nuk e ndërpreu proçesin e zhvillimit ekonomik, por gjithçka duhet të bëhej nën kontrollin venecian. Qyteti merr tiparet e plota të një qyteti komunë. Në juridiksionin e saj përfshihen fshatra, pyje, ara, livadhe, pemishte, ullishte dhe vreshta. Territori i Shkodrës arrinte nga bregu i detit midis derdhjes së Bunës e Drinit deri në fshatin Tuz afër Podgoricës, ku përmenden rreth 114 fshatra të shtrira në dy distrikte: 38 në distriktin e sipërm dhe 76 në të poshtëmin.[12]

Në shekujt XIII-XV që përbëjnë pikën më të lartë ku arrijnë marrëdhëniet feudale në këtë trevë, Shkodra shdërrohet në një qendër nga më të rëndësishmet e prodhimit zejtar dhe e shkëmbimit të mallrave. Dokumetacioni historik i kohës hedh dritë për zejet e shumta që ushtroheshin në këtë qytet. Një zhvillim të madh mori punimi i metalit. Ari dhe argjendi, ndonëse nuk ka dokumentacion që të shprehë se nga sigurohej si lëndë e parë: brenda trevës apo vinte nga treva të tjera, punohej me shumë shije e mjeshtri të lartë nga argjendarët shkodranë, që prodhonin sende luksi. Hekuri punohej nga kovaçët që prodhonin vegla bujqësore: shetër, plugje, etj.. por dhe gozhdë, këmbana etj. Punohej mirë dhe plumbi, i cili sillej nga brendësia e Ballkanit. Qytetet e Shqipërisë veriore, veçanërisht Shkodra përmenden dhe për punishtet e prerjes së monedhave. Si dëshmon Shufflaj premja e monedhave në Shkodër dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë Veriore, u bë simbas shembullit të kohës antike.[13] Monedhat e prera kanë qenë prej sermi dhe bronxi. Në periudhën e sundimit të Kostandinit[14] në Shkodër u prenë pesë tipe paresh sermi. Shkodra, Drishti e Svaçi kanë bërë dhe prerjet e tyre autonome të monedhave prej bronxi. Në periudhën e sundimit të Balshajve, u bënë në Shkodër prerje të veçanta monedhash me emrat e sundimtarëve të kësaj dinastie feudale. Kështu gjatë sundimit të Gjergjit të II të Strazimirit, janë prerë 20 tipe monedhash.[15] Edhe gjatë periudhës së sundimit venecian vazhdoi në Shkodër prerja e monedhave.

Përdorimi i parave me një kontinuitet pothuajse të pandërprerë dhe prerja e tyre në vend janë dëshmi për shkallën e lartë të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe të shkëmbimit që realizoheshin në qytetin e Shkodrës dhe në trevat e saj, veçanërisht në shekujt XIV-XV. Ashtu siç dëshmon edhe kadastri venecian, marrëdhëniet monetare kishin depërtuar plotësisht në jetën ekonomike të fshatit. Vetë shlyerja e detyrimeve edhe në të holla është dëshmi e këtij procesi, i njëkohshëm ky fenomen dhe në shtete të Evropës me marrëdhënie feudale të zhvilluara, që bëhet bazë në shekujt e ardhshëm në këto shtete për procese të tjera të mëdha; ndërsa në kushtet e vendit tonë për arsye të pushtimit turk, këto proçese u ndërprenë duke e hedhur prapa zhvillimin disa shekuj. Teknika e lartë në prerjen e monedhave dhe sasia e madhe e tyre e kane bazën tek tradita e lashtë dhe tek vazhdimësia e këtij profesioni.

Degë tjetër e rëdësishme e prodhimit zejtar në shekuj XIV-XV në Shkodër ishte dhe ajo e punimit të lëkurës. Dukuri kryesore në këtë degë është kufizimi i eksportit të lëkurave të lopës, dhenve, dhive etj. Kjo mendojmë se u shkaktua si rezultat i përpunimit në vend të tyre. Në industrinë e punimit të këtij artikulli morën zhvillim disa zeje si: punishtet e regjieve të lëkurëve (tabakëve) dhe mbas këtij procesi, punimi i saj nga këpucarë, opingarë, gëzoftarë e saraçë, të cilët prodhonin mallra kryesisht për të plotësuar nevojat e vendit, por edhe për eksport.

Shkodra përmendet dhe për industrinë tekstile. Mbizotëronte kryesisht prodhimi i pëlhurës prej lini e kerpi dhe i cohrave të leshta. Tërësia e këtyre prodhimeve përdoreshin për konfeksione, mbulesa kuajsh dhe zbukurime interioresh. Në bazë të disa burimeve që i përkasin antikitetit të vonë dëshmohet se punimi i leshit dhe i shajakut ka qenë një traditë e vjetër. Rrjedhimisht përhapja dhe zhvillimi i kesaj zeje në mesjetë e ka bazën e vet tek tradita e vjetër, por e ngritur kjo mbi një bazë të re më të avancuar. Këtë e dëshmon përhapja e gjërë e qeleshes dhe e shajakut në veshjet popullore dhe eksportimi në sasi të konsiderueshme i shajakut.[16]

Zeja tjetër e rëndësishme në prodhimin e pëlhurave ishte dhe ajo e mëndafshit. Prodhimi i mëndafshit. si lëndë e parë, ka zënë një vend të rëndësishëm në kuadrin e përgjithshëm të prodhimit shoqëror në Shqipërinë e veriut, në shekujt XIV-XV.

Që në mesjetën e hershme në Perandorinë Bizantine në shekujt VI-VIII ishte mjaft e përhapur zeja e punimit me thurje. Gëlçiç s kruan se në mesjetë në brigjet lindore të Adriatikut punimi i mëndafshit ishte në lulëzim, ndërsa në perëndim ishte në hapat e para.[17] Hapat e para të filaturës, së mëndafshit në Venedik lidhen me shekujt X-XI[18] ndërsa lulëzimin e vet kjo degë e ka në shekujt XIII-XIV. Duke qenë se trevat shqiptare ndodheshin në rrugët e krahinat midis lindjes dhe perëndimit, ka të ngjarë që të jenë bërë këto treva si urë kalimi për kulturën e prodhimit dhe punimit të mëndafshit.[19]

Nga ana tjetër një dokument venecian i vitit 1303 dëshmon se Senati kishte marrë vendin që asnjë tregtar venedikas të mos lejohet që të çojë ose të bjerë nga skela e Durrësit mëndafsh të punuar, pëlhura mëndafshi e tjera, pa qenë barka e armatosur.[20] Megjithëse mungojnë dokumentat historikë mesjetarë për të na informuar mbi shkallën e zhvillimit të zejes së filaturës në qytetet shqiptare, faktet e mësipërme hedhin dritë mbi ekzistencën e saj, mbi prodhimin e pëlhurave të mëndafshta dhe eksportimin e tyre.

Shkodra duke u ndodhur pranë zonave kryesore të rritjes së krymbit të mëndafshit mendojnë se që herët është qendër e rëndësishme filature. Artikujt e mëndafshit janë prodhuar edhe mbi bazën ekonomike familjare, kryesisht për nevojat e brendshme të familjes, por edhe mbi bazën e punishteve të vogla të specializuara ku prodhoheshin artikuj gjysëm të punuar së fije e dredhur e gatshme për thurje, ashtu dhe pëlhura e konfeksione si këmisha e veshmathje të tjera, të përhapura gjërësisht në veshjen popullore siç dëshmon edhe folklori në ciklin e këngëve mbi kreshnikët. Është kjo traditë e përpunuar në shekuj, e cila e përbën bazën mbi të cilën u zhvilluar në një nivel të lartë zeja e prodhimit të artikujve të mëndafshit në Shkodër, edhe më vonë, duke dalë përsëri në shekullin XIX si qendra më kryesore që furnizonte me të tilla prodhime jo vetëm trevën shqiptare e ballkanike, por edhe vendet jashtë gadishullit.[21]

Mendimi i dhënë se në shekujt XIII-XIV mëndafshi eksportohej si fshikëz, si lëndë e parë dhe pastaj vinte i përpunuar si pëlhurë apo komfeksion nga Venediku e Raguza dhe se dinastët shqiptarë si Balshajt, pëlhurat që u nevojiteshin i sillnin nga Venediku, s'na dukej e drejtë. Mundet që me zhvillimin e filaturës në bregun perëndimor të Adriatikut u rrit çmimi i mëndafshit si lëndë e parë, në krahasim me periudhat e mëparshme, kur filatura në perëndim ishte në hapat e para të zhvillimit, por në asnjë mënyrë ajo s'ka pushuar e s'është eliminuar duke e zëvendësuar nga importi. Me rëndësi të veçantë ishte dhe zeja e punimit të drurit. Lënda drusore në këtë periudhë përbën materialin bazë për ndërtimin e godinave. Jo vetëm çatia që në pjesën më të madhe të ndërtesave ishte e bmuluar me drasa (patavra) që punohej në vend, por edhe pjesë të tjera të konstruksionit të godinës ishin në përgjithësi jo prej guri e tulle, por prej druri. Përpunimi i lëndës së drurit në këtë periudhë përfshinte disa zeje si: marangozë, ndërtues barkash, gdhënës të drurit, etj.

Ashtu siç theksohet në dokumentacionin e kohës, në Fushën e Bunës u krijuan punishtet e lundraxhijve. Përgjithësisht zejatarët lundraxhinj ishin me origjinë nga Kraja. Kjo zeje si rezultat i zhvillimit të madh që mori pashkimi dhe tregëtia mori zgjerim të madh. Kjo jo vetëm arriti formën e prodhimit zejtar por ishte ngritur dhe në ndarje më të imta të procesit të punës, në specializime më të vogla duke krijuar degë të reja zejtarie, si: atë në nxjerrjes dhe të tregëtimit të lëndës drusore, marangozë, kallafatë[22] e yjera. Përveç ndërtimit të enëve (kështu thirreshin varkat e llojave të ndryshme) nxirreshin në treg dhe eksportoheshin mjete lundrimi si: dërrasa për lundra, lopata, trungje dhe dyrekë anijesh, etj.

Në zë ishte dhe mjeshtëria e zënies dhe e përpunimit të peshkut. Përgatitja e saragave dhe e putarkave ishte prodhimtari specifike e qytetit të Shkodrës. Këto artikuj ushqimor kishin zë jo vetëm në trevat shqiptare, por edhe në të gjithë Dalmacinë dhe në Itali.

Mjeshtëri e veçantë ishte dhe punimi i gurit. Guri i nxjerrë në zona të posaçme, të njohura si gurore, përdorej jo vetëm për ndërtim e për prodhim gëlqereje, por edhe gur i punuar për mokra, për mure kështjelle, për rrethimin e qytetit, për ndërtimin e portave të hyrjes në qytet dhe në kështjellat e tjera. Mbi bazën e kësaj lënde të parë, e cila ishte me shumicë dhe në afërsi, u zhvilluan zejet e gurgëdhënësve dhe të gëlqerëxhijve.

Në regjistrin e kadastrit venecian përmendet toponimi gëlqerorja, diku pranë malit Tarabosh, apo Mali i Larit në Vaun e Dejës, i njohur për nxjerrjen e gurëve të mullirit.[24] Guri i mullirit ishte një artikull që kërkohej mjaft, mbasi mullinjtë për bluarjen e drithrave ishin të përhapur shumë. Vetëm në rrjedhjen e lumit të Rrjollt përmenden 5 mullinj.[25] Përveç zejeve të mësipërme në qytetitn e Shkodrës kishte dhe mjaft furrtarë, nallbanë, kasapë etj. Megjithatë qytetipërbën vazën e prodhimit zejtar, kjo është e perhapur dhe në zonat rurale. Një shtrirje e tillë tregon për shkallën e lartë të zhvillimit të forcave prodhuese në shekujt XIV-XV, për një ndarje gjithnjë e më të thellë të punës dhe një nivel të përgjithshëm zhvillimi ekonomik që solli përçimin e lidhjeve të krahinave me tregjet e tyre lokale, duke shënuar kshtu hapa progresive në lindjen e një ejte të përbashkët ekonomike. Kështu në zonën e Pultit ku prodhohej mëshikëza e mëndafshit, në familje nxirrej edhe fija dhe ky mall tregtohej nga kjo zonë dhe si fshikëzë dhe si fije.[26]

Pjesë e ekonomisë familjare në fshat ishte dhe punimi i leshit. Mjaft konfeksione shfaqeshin në treg nga fshatarët. Nxjerrja e gurëve dhe e lëndës së drurit, ishte kryesisht punë e fshatarëve, të cilët kontraktoheshin me zejtarët në qytet. Ndërsa prodhimi i verës e përpunimi i produkteve blegtoralë ishin tërësisht mjeshtëri e fshatit.

Zhvillimi i madh i zejtarisë në Shkodër dhe në trevat e saj në këta shekuj, erdhi si rezultat në rradhë të parë i hiderlandit mjaft të pasur të saj dhe e lidhjeve që kjo krijon brenda trevës dhe me treva të tjera.

Në prodhimin zejtar morën hov ato degë prodhimi lënda e parë e të cilave sigurohej kryesisht brenda trevës së vet. Përjashtim mendojmë se bëjnë metalet. Kështu rritja e krymbit të mëndafshit që zinte një peshë të rëndësishme në ekonominë fshatare (në mesjetë shquhej për prodhimin e kësaj kulture krahina e Pultit)[27], furnizonte me lëndë të parë zejtarët e Shkodrës, Drishtit etj. Nga zonat malore qyteti i Shkodrës furnizohej në sasi të mjaftueshme me lëndë druri për ndërtim, përpunim dhe për eksport. Blegtoria ishte e zhvilluar përveç zonës malore dhe në atë fushore dhe ku sigurohej lëkura, leshi, përveç produkteve të tjera ushqimore. Liqeni i Shkodrës, është mjaft i pasur me peshk të llojeve të ndryshme, ishte burim i vazhdueshëm për saragë e putargë, që aq shumë kërkoheshin e tregtoheshin.

Shprehje e nivelit të lartë që arrit në trevën e Shkodrës në shekujt XIV-XV është dhe organizimi korporativ. Si kudo dhe në vendin tonë korporatat lindën nga nevoja e zejtarëve dhe të tregtarëve për të zgjidhur problemet e shumta dhe të ndërlikuara të ekonomisë feudale qytetare në zhvillim, për t'i prerë hovin konkurencës së lirë në kushtet e tregut të kufizuar lokal, si dhe për të frenuar qëndrimin arbitrar të feudalëve. Lindja e këtyre organizatave ishte rezultat i zhvillimit të brendshëm të forcave prodhuese, i ngritjes dhe i zhvillimit të mëtejshëm të shoqërisë feudale shqiptare. Korporatat me rregulloret e tyre përcaktonin prodhimet si sasi dhe cilësi, çmimet e mallrave, rregullat e të pajtuarve rishtaz në puën etj. Ata u dukën që në periudhën bizantine, ku si theksoi Shufflaj, shteti ishte njëkohësisht edhe sipërmarrës dhe i blinte produktet e tyre.[28]

Në Shkodër, në shekujt XIV-XV, korporatat shfaqen të organizuara në vëllazëri, bamirësie, fetare apo të ndihmës reciproke. Në vitin 1416 gjejmë, në Shkodër La scuola overo frateglia de S. Barbaro, Marcucio, grosie.[29] Në regjistrin e katastrit venecian ndeshemi me pronat tokësore të vëllazërisë së Shën Markut (fl. 19/6 faqe 35), të Shën, Kryqit (fl. 21/6, faqe 37) etj. Ekzistojnë mjaft dokumenta të karakterit juridik që hedhin dritë për pajtimin e qytetarëve në Shkodër, në shekullin e XIV, jo tek zejtarë të veçantë, por tek korporatat, ku përcaktohej koha e pajtimit dhe detyrimet e të pajtuarit dhe të korporatës ndaj tij.[30] Bartës dhe zhvillues të jetës ekonomike në degët e prodhimit zejtar si në sigurimin e lëndës së parë ashtu dhe në përpunimin e saj bëhen shtresat e ulta dhe të mesme të popullsisë qytetare e asaj fshatare. Pushtuesit (është fjala kur këto troje kanë qenë nën sundimin e huaj) dhe klasa e pasur vendase ka zënë postet e larta të drejtimin të administratës së qytetit dhe të kështjellës. Është për këtë arsye që ne se krahasojmë gjetjet e kulturës materiale dhe duke u mbështetur në të dhëna historike të drejtpërdrejta ose të tërthorta, disa prej zejeve të kësaj etape, shekujve XIII-XV, me periudhën para mesjetare, ato kanë vazhdimësi. Kështu prerja e monedhave, përpunimi i lëndës së drurit, ndërtimi i enëve (anijeve) të vogla e tjera; janë zeje në vazhdimësi, që ruajnë tipare të mëparshme, por që kanë marrë edhe tipare të reja duke iu përgjigjur nivelit të zhvillimit social ekonomik të kësaj etape, si dhe duke u bërë ballë këtyre forcave shthurëse të brendshme e të jashtme.[31]

Niveli i lartë që arriti në shekujt XIV-XV zhvillimi i zejtarisë në qytetin e Shkodrës dhe trevën e saj duke krijuar edhe korporatat si forma më e lartë e prodhimit zejtar, i dha një shtytje të madhe zhvillimit të tregtisë së brendshme dhe të jashtme. Edhe kjo degë e ekonomisë mori tiparet e një tregtie tipike mesjetare, ashtu si dhe në trevat e tjera të Shqipërisë, apo dhe në qytetet shtetet republika dhe në monarkitë e centralizuara dhe të decentralizuara të Evropës. Vënia në funksion të plotë e rrugëve të vjetra tregtare të periudhës antike, lindja e rrugëve të reja, qarkullimi i madh i mallrave, krijimi i shoqërive tregtare i agjensive tregtare dhe i lagjeve të veçanta të tregtarëve të huaj, janë dëshmi të lulëzimit të tregëtisë dhe në trevat e Shqipërisë veriore, me qendër Shkodrën gjatë shekujve XIV-XV.

Krahas shumë treguesve, vetë zhvillimi dhe zgjerimi i madh i rrjetit rrugor gjatë kësaj periudhe, janë shprehje të këtij fenomeni. E tërë Shqipëria veriore përshkohet nga një rrjet i gjërë dhe i dëndur rrugësh qëndrore e sekondare, ujore e tokësore, të cilat konvergonin të gjitha në Shkodër. Kjo shtrirje e rrjetit rrugor, që gjatë shekujve XIV-XV arrijnë kulmin e saj në krahasim me të gjitha periudhat paraardhëse, krijoi mundësinë e qarkullimit të mallrave në tërë Shqipërinë veriore. Kjo i dha shkas lindjes dhe zhvillimit të panaireve ndërkombëtare, forcoi lidhjet midis krahinave dhe hodhi bazat për një unitet ekonomik ndërkrahinor. Në tërësinë e rrjetit rrugor që lidhin Shkodrën me krahinat veriore dhe lindore të Ballkanit, dallojmë këto arterie kryesore: rrugën e antikitetit të vonë Lissus-Ulpiana, që lidhte Shqipërinë bregdetare me zonë lindore të Ballkanit që vazhdoi të funksiononte edhe në mesjetë. Në regjistrin e kadastrit të vitit 1416 del në Shkodër toponimi rruga tatareska, që permendimin tonë, është rruga që të çon prej Shkodrës në Vaun e Dejës dhe që lidhte këtë me rrugën lindore. Rrugën nga Shkodra në Prizren karvanet e përshkonin për 33 orë.[33] Gjatë kësaj rruge u ndërtuan disa stacione, qëndra të vogla urbane,[34] për mbrojtjen e të cilave u ndërtuan kështjella të vogla të tipit mesjetar.[35] Kjo rrugë degëzohej në Va Spas. Dega e re ndjek luginën e kumit të Grudës dhe del në Gjakovë. Dokumentat mesjetare hodhën dritë dhe për rrugë të tjera që bashkojnë Shkodrën me Kosovën.[36] Duke qenë se këto nuk përmenden në burimet antike, mendojmë se lindën gjatë mesjetës, e pikërisht në fazën e lulëzimit të marrëdhënieve feudale. Këto rrugë përshkonin tejpërtej krahinë veriore të Dukagjinit dhe bashkojnë Shkodrën e Podgoricën me Pejën, Gjakovën, duke vazhduar më tej deri në Novi-Pazar.

Brenda arterieve kryesore filluan funksionimin dhe lulëzuan dhe një seri rrugësh të ndërmjetme që bënin të mundur lidhjen e plotë të krahinave sado të thella që të ishin.[37] Shkodra lidhej me krahinat veriore kryesisht nëpërmjet dy rrugëve të vjetra të periudhës së instiktit të vonë. Ajo që vinte gjatë bregdetit dalmat nëpër Trebinjë (Ad-zisi), Budva (Batua), Tivar (Antivaris), Ulqin (Olqinium), Shas, kalonte Vaun e Bunës në Belaj[38], nëpër Dajç[39] dhe arrinte në Shkodër si dhe rruga e Shkozës[40] e cila duke ardhur nga mali i Zi (Nikshiq - Saderva antike - shënimi ynë) kalonte gjatë bregut lindor të liqenit duke zbritur poshtë në Shkodër.[41] Ekzistencën e kësaj rruge e vërteton dhe toponimi që del në regjistrin e Kadastrit 1416, rruga skjavoneske, që do të thotë rruga për në vendet sllave.Dokumentat mesjetare vërtetojnë dhe rrugë të tjera të krahinës veriore që lulëzon në mesjetë.[42] Ato lidhnin krahinat e brendshme me arteriet kryesore si: rruga Medun-Kuç-Plavë[43], Shkodër-Depeduhen-Medun, të cilat siguronin komunikimin e plotë të trevës veriore brenda për brenda saj dhe lidhjen me Bosnjën dhe Hercegovinën.

Ekzistonte dhe një sistem i tërë rrugësh që lidhnin Shkodrën me qytetet që e rrethonin e zonat e rëndësishme të afërta si: rruga Via publike që del qartë në hartën e Cornelit[44], e cila kalonte nëpër qafën e Shtinqit[45], fshatin Reç e gjatë rrjedhës së Bunës nëpër fushën e pasur të velipojës arrinte në Pulaj; rruga Shkodër-Koplik-Krevenicë[46], Shkodër-Balezë, Shkodër-Drisht[47] dhe Shkodër-Lezhë[48].

Përveç rrugëve tokësore Shkodra lidhej me zonat e tjera dhe me rrugë ujore. Liqeni i Shkodrës lundrohej shumë në mesjetë. Shkodra ishte një port i vërtetë ku ankoroheshin mjetet e lundrimit që vinin mga krahinat përreth liqenit. Një rëndësi të veçantë mori lumi i Bunës, i cili ishte i lundrueshëm. Nëpërmjet tij Shkodra lidhej me detin. Deti nuk qe element veçues për Shkodrën si qytet i vendosur në brendësi. Krahas skelës Pulaj në derdhjen e Bunës; lulëzoi në mesjetë edhe Shirqi, i cili u kthye në një port të rëndësishëm të Shkodrës. Duke qenë Shkodra pikë konvergjente e sistemit rrugor të Shqipërisë Veriore, lundrimi nëpër Bunë mori një rëndësi të veçantë dhe pati një intensitet të madh, du ke u shdërruar së bashku me Shirqin në qendra tranzite të mallit që eksportohej dhe importohej. Në këtë mënyrë e gjithë zona nga Shkodra në Pulaj u shndërrua në një zonë të rëndësishme tregtare. Dëshmi e këtij fakti janë krahas të tjerave, dhe numri i madh i fshatrave të shtriheshin gjatë rrjedhës së Bunës dhe që njihen për zhvillimin e tyre ekonomik.[49]

Përësia e rrugëve të sipërme përbën në shekujt XIV-XV një sistem unik rrugor, i cili lidhte më së miri krahinat e Shqipërisë Veriore me trojet e tjera shqiptare brenda vendit, por edhe me shtete të tjera. Zhvillimi dhe lulëzimi i këtij rrjeti komunikacioni mjaft të gjërë dhe shkëmbimi që realizohej nëpërmjet tij janë një tregues tjetër kryesor për premisat që krijojnë gjatë kësaj etape të zhvillimit historik për bashkësinë e jetës ekonomike të këtyre trojeve. Brenda kësaj treve ndërkrahinore lulëzuan mjaft qytetete si Tivari, Ulqini, Budva, Plava, Peja, Prizreni etj., por Shkodra mbeti në tërësinë e tyre qëndra më kryesore ekonomike. Baza e zhvillimit të madh të këtij rrjeti të gjatë komunikacioni të Shkodrës duhet kërkuar në vetë zhvillimin e brendshëm e konomik të kësaj treve, në shekujt XIV-XV, në hiderlandin e pasur të saj duke shdërruar në këta shekuj Shkodrën në një qendër të rëndësishme traziti që lidhte zonat veriore e veri-lindore në Shqipërinë e mesme e jugore dhe në pellgun e Adriatikut dhe të Jonit nëpërmjet rrugëve detare.

  • * *

Shkodra në shekujt XIV-XV ishte një nga qëndrat më të rëndësishme tregtare për trevat shqiptare dhe jashtë saj. Bazën e qarkullimit të mallrave e përbënin prodhimet zejtare dhe ato bujqësore e blegtorale, që prodhoheshin në trevën e saj, por dhe në të gjithë pjesën veriore e veri-lindore të Shqipërisë. Mbi këtë bazë ekonomike mori zhvillim të madh tregtia e brendshme. Dinamika e zhvillimit të rrjetit rrugor, lulëzimi i shumë qendrave urbane, doganet e të ardhurat që nxirrte ajo etj., e shprehim më së miri këtë aspekt. Forca e tregut të Shkodrës mbështeti në rradhë të parë në prodhimet e juridikasionit të saj të pasur, por thithte dhe mallrat e krahinave të brendshme e të thella të Shqipërisë veriore, si Pultin, Shoshin, Shalën, Kelmendin, Piperin, Palabardhin, Zhabiakun, Shestanin, Merkodin, krajën etj. Një drejtim tjetër kryesor të lidhjeve tregtare e përbënin qytetet shqiptare të bregut dalmat si Tivari, Buna, Kotorri e Ulqini. Nga veri-lindja lidhjet tregtare të Shkodrës të çonin në zonën e Alltun ilisë (zonë në mes të Gjakovës, Junikut dhe Tropojës) dhe shtriheshin në tërë zonën e Kosovës. Në qytetin e lulëzuar të kësaj treve, në Prizren, tregtarët shkodranë kishin përfaqësuesit e tyre. Së fundi, me tregun e Shkodrës lidhej dhe zona e Mjetit, në jug, (perëndim të saj. Në një territor të tillë të gjërë, me një shtrirje ndërkrahinore të tregtisë së brendshme realizohej një qarkullim me shkëmbim të madh dhe të shumëllojshëm mallrash.[50]

Në tërësinë e këtyre shkëmbimeve tregtarët e brendshëm të Shkodrës, jo gjithmonë dhe njëkohësisht në shekujt XIII-XIV kanë ekzistuar lidhje me tërësinë e këtyre trevave. Kjo ka qenë e kondicionuar si nga pushtuesit e huaj: sundimi serb dhe ai venecian në këta shekuj, ashtu dhe nga feudalët vendas, në veçanti gjatë sundimit të dinastisë së Balshajve, ku synimet e tyre politike kanë përcaktuar dhe orientimet në fushën e lidhjeve tregtare si të brendshme ashtu dhe të jashtme. Për pasojë sferat e këtyre lidhjeve ose është ngushtuar ose shtrirë duke ddalë në plan të parë herë lidhjet e Shkodrës me trevat e tjera shqiptare veriore dhe veri-lindore, herë me ato jugore, perëndimore dhe veri-perëndimore.

Kështu tregtia e jashtme pësoi një rënie dhe përfufizim të përkohshëm pas shkatërrimit të mbretërisë serbe, në veçanti në rrugët tokësore. Rritja e pushtetit të klasës feudale vendase dhe anarkia feudale që vihet re në këtë periudhë e bënë të pasigurta rrugët tregtare duke dobësuar përkohësisht lidhjet e krahinave si brenda vendit ashtu dhe në trevat e tjera.[51] Kjo gjendje vazhdoi derisa mbi të gjithë feudalët vendas të trevës së Shkodrës u fuqizua pushteti i dinastisë së Balshajve, gjatë kohës së sundimit të së cilës iu krijuan kushtet për një zhvillim të mëtejshëm si të tregtisë së brendshme ashtu dhe asaj të jashtme. Prirja e republikave të Raguzës e Venedikut per afrim e aleancë me Balshajt, krahas interesave të tyre politike që donin të arrinin në veçanti Republika e Shën Markut, ato kishin dhe synimet e tyre ekonomike për një shfrytëzim sa më intensiv të kësaj zone të pasur.

Nga të dy Republikat kishte më të favorshme për marrëdhënie tregtare kishte Raguza e cila marrëveshjet për lundrime e shkëmbime tregare me Shkodrën i përsëriste disa herë në vit sipas stinëve. Ndërsa Republika e Venedikut duke pasur nën kontrollin e vet mjaft skela bregdetare të trevës shqiptare donte të fuste nën vartësinë e vet politike edhe Shkodrën, si nyje më të rëndësishme të trevës Shqiptare në pjesën veriore. Në fushën ekonomike kjo donte të vendoste monopolin e saj në tregtinë e drithit, verës etj. Megjithë këtë kondicionim nga fusha politike, tipari themelor i tregtisë në këta shekuj mbeti zhvillimi i tij në gjërësi dhe thellësi, i një niveli të tillë që shënon etapën më të lartë që kishte arritur në zhvillimin e kësaj dege, deri në këta shekuj në trevat veriore. Qarkullimi i mallrave në një shtrirje të tillë ndërkrahinore ishte i madh dhe i shumëllojshëm. Vendin kryesor në këto shkëmbime e zinte drithi. Në qytetin e Shkodrës kishte vend të veçantë për këtë tregtim, që thirrej fusha e drithit. Në trevën veriore në zonën fushore prodhohej: grurë, mel, elb dhe bathë, ndërsa në zonën malore dhe në Kosovë edhe thekra e tershëra. Megjithëtë këto, siç del nga dokumentacioni i kohës kultura e grupit ishte kultura bazë. Detyrimi i grurit për të gjitha fshtarat si gjatë sundimit bizantin, venecian dhe atij turk mbetej detyrimi kryesor. Përmenden në këta shekuj drithorja e fushës së Shkodrës, e Sanjës dhe e Drishtit si zona që kultivonin këto kultura.

Në llojet e drithrave që tregtoheshin vendin e parë e zinte gruri. Më vonë filloi dhe tregtimi në masë i melit. Gruri blihej pjesërisht nga fshtrat e zonave malore, ndërsa pjesa tjetër eksportohej jashtë trevës. Shkodra fuqizonte vazhdimisht me drith qytetet shqiptare të bregut dalmat, të cilët në mjaft raste shndërroheshin në një qendër ndërmjetëse tranziti për tregtimin e drithit në vendet e tjera të pellgut të Adriatikut. Tregtimi i drithit brenda për brenda trevës shqiptare ishte një fenomen i vjetër. Ndësa tani në shekujt XIV-XV, në kushtet e lulëzimit të marrëdhënieve feudale, sigurohej nëpërmjet detyrimit (rentës feudale) një sasi e konsiderueshme tepricë që shërbente për tregtim të brendshëm dhe për eksport, duke realizuar nëpërmjet formës së shkëmbimit mall-para. Vetë përhapja e kësaj forme të re dhe më të lartë të shkëmbimit, pothuajse si proces i njëkohshëm dhe me vende europiane me marrëdhënie feudale të zhvilluar, është një dëshmi i nivelit të lartë të arrirë që arriti zhvillimi i forcave prodhuese në këto treva në këto shekuj.

Tregu i Shkodrës konsiderohej si një ndër katër tregjet kryesore të drithit të trevës shqiptare. Në Shkodrën e Shirq ekzistonin magazina ku kgrumbulloheshin sasira të mëdha gruri rezervë. Veçanërisht në vitet 20-të të shekullit XV, Shkodra e bë një qendër e rëndësishme e depozitimit dhe e tregtimit të drithit. Këtë rezervë të madhe drithi administrata veneciane e përdorte jo vetëm për të plotësuar nevojat ekonomike të komunës e për eksport, por edhe në shërbim të synimeve të veta politike.[52]

Krahas drithit me shumicë tregëtohej edhe vera. Ishin të përmendura në mesjetë plantacionet e vreshtave në Nënshkodër (Bërdicë, Bardhaj), në bregun lindor të Liqenit (Kalldrun, Koplik etj). Duke u shtrirë nga lindja deri në rrëzë të Maranajt plantacionet e Drishtit e Danjës.[53]

Prodhimi i verës ishte mjaft i madh.[54] Përveç prodhimit të fushës, tregu i Shkodrës përfshinte dhe prodhimin e verës së zonave të brendshme si të Dushmanit[55], të Pultit[56], etj. Vera në përgjithësi tregtohej në voza[57]. Një shtrirje të gjërë në hiderlandin e Shkodrës kishin dhe ullishtat[58], prodhimi i të cilave tregtohej si frut, por dhe i përpunuar: si vaj në voza. Vetë ekzistenca e doganës së vajit në Shirq tregon se tregtohej kryesisht bimë të përpunuar.[59] Frutikultura dhe aplikatura ishin të përhapura kryesisht në Zadrimë[60], një zonë mjaft e pasur me punë dhe që kultivonte bletën. Nga kjo krahinë sillej dhe tregtohej në Shkodër kryesisht mjaltë dhe dyllë. Rëndësi të veçantë kishte dhe tregtia e lëndës së drurit. Kjo sillej nga zonat e brendshme malore dhe shkëmbehej me drithë, kripë dhe prodhime industriale të zejtarisë vendase në radhë të parë por edhe të jashtme. Zakonisht lënda drusore sillej e papërpunuar në formën e shtyllave që përdoreshin kryesisht për ndërtim.[61] Sipas nevojave kjo lëndë përpunohej në Shkodër dhe tregothej si drrasë, dyrekë anijesh, etj.Lidhjet tregtare të fushës me zonat malore realizoheshin edhe nëpërmjet shkëmbimit të prodhimeve bujqësore e zejtare me ato blegtorale. Veçanërisht zona e Dukagjinit kishte të zhvilluar blegtorinë. Tregtoheshin bagëti, derra, kuaj si dhe mishi i freskët dhe i përpunuar (i thatë dhe i kripur).[62]

Një peshë të madhe zinte tregtimi i peshkut si rezultat i ujrave të shumta që e rrethonin Shkodrën (Liqeni, Lumi i Drinit i Bunës dhe Deti).[63] Peshku tregtohej i freskët por edhe i përpunuar (i thatë).[64]

Gjithashtu në tregun e Shkodrës realizohej tregtimi i fshikëzave të mëndafshit dhe i fijes së përpunuar. Në sferën e gjërë të shkëmbimit të mallrave bujqësore e blegtorale me mallrat industriale të vendit ose të importuara, një rëndësi të veçantë merrte tregtimi i kripës. Tregtimi i këtij malli e lidhte Shkodrën në këta shekuj me të gjithë zonën bregdetare shqiptare. Në portin e Shkodrës, në Shirq, grumbullohej sasi e madhe kripe, e cila tregtohej në tërë trevat veriore dhe verilindore. Për rezervat e mëdha të saj në këtë port flasin dokumentat e kohës.[65] Kripa sillej nga Vlora, Durrësi e kripërat e bregut dalmat që, megjithëse të vogla, qenë të shumta në vitin 1425.[66] E përmendur ishte kripa e bardhë e Durrësit (sal albus Durachin, 1284).[67]

Transportimi i kripës kryhej me anije private, pronarët e të cilëve kontraktonin me shoqëritë tregtare. Dokumentacioni i kohës hedh dritë mbi përmbajtjen e kontratave të nënshkruara, ku përcaktohen detyrimet e të drejtat e kontraktuesve.[68] Qarkullimi i kripës si mall kishte filluar që herët dhe në këtë sferë tregtia ishte e zhvilluar shumë dhe kishte fituar "pjekuri". Në mjaft raste tregtarët shkodranë i bënë lidhje dhe me portin e Durrësit dhe i tregtonin mallrat, sidomos drithin, edhe ngakjo skelë, veçanërisht në periudhën e konflikteve politike, kur portet nga gryka e Bunës ishin të bllokuara. Krahas tregtisë së brnedshme ishte e zhvilluar mjaft edhe tregtia e jashtme. Shkodra tregtonte me trevat e tjra jo vetëm mallrat që prodhonte qyteti dhe hiderlandi i saj, por si qendër tranziti grumbullonte e tregtonte mallra që vinin nga zonat e thella malore veriore, apo nga treva e gjërë dhe e pasur e Kosovës.

Në veri-lindje Shkodra nëpërmjet rrugës së Prizrenit lidhej nga njëra anë me trevën serbe dhe nga ana jugore me Shkupin dhe Selanikun. Lidhjet me pellgun e Adriatikut Shkodra i zhvillonte nëpërmjet lumit të Bunës ku përveç skelës së Pulaj (në grykën e derdhjes së lumit) ekzistonte dhe skela shumë e përmendur e Shirqit, e cila u shdërrua në një qendër të madhe tregtare që varej nga Shkodra. Këtu ishte vendosur zyra e doganës dhe shumë magazina e sheshe ku depozitoheshin mallra të importuara ose për eksport, si magazinat e kripës, verës, drithit dhe sheshet e grumbullimit të lëndës së drurit, qeramikës etj. Eksportin e përbënin kryesisht mallrat si drithra, lëndë drusore, dyllë, peshk, veshmbathje, armë, vegla pune, orendi, kripë, tjegulla,[69] dhe në ndonjë rast edhe verë apo grurë kur kishte korrje të këqia. Për sasinë e mallit që grumbullohej në skelën e Shirqit dhe për rëndësinë e vetë skelës flasin doganat që lidheshin me eksport importin e mallrave në këtë skelë[70]. Ekzistenca e shoqërisë së doganierëve dhe kthimi i kësaj skele në një vendbanim të drejtorëve të shoqërisë tregtare dëshmojnë se Shirqi[71] ishte një qytet skelë me rëndësi, përpara hyrjes për në Shkodër. Marrëdhëniet tregatare të Shkodrës me pellgun e Adriatikut kanë qenë mjaft dinamike nga dy nga republikat feudale më në zë gjatë periudhës së mesjetës së lulëzuar, me atë të Raguzës dhe të Venedikut. Mallrat e trevës së Shkodrës i kaloni caqet dhe të këtyre republikave, në të gjitha tregjet e bregdetit Dalmat deri në Istria dhe përtej saj. Blerës të rëndësishëm ishin dhe tregtarët italianë, të cilët tregtonin me Shkodrën ose direkt ose indirekt nëpërmjet Venedikut apo Raguzës, që luanin në këto raste rolin e ndërmjetësit në ngarkim shkarkim dhe në shkëmbimin e mallrave. Në tregjet e Apuljes, Otrantos, Brindizit, Bolonjës, Firences tregtoheshin mallra që dilnin nga skelat e Bunës. Në jugë lidhjet regtare përfshini jo vetëm Greqinë perëndimore dhe atë lindore, por dhe mëtej këtyre territoreve. Trasportues të mallrave ishin kryesisht lundërtarët ulqinakë dhe tivaras por shpesh dhe anije të Raguzës e Venedikut.

Fuqinë e madhe të tregtisë që zhvillohej në vende të tjera e shpreh më së miri fakti i anijeve të shumta në që qarkullonin në lumin e Bunës, ku brenda vitit në Shkodër ankoroheshin mbi 200 anije tregtare.[72]

Republika e Raguzës dhe ajo e Venedikut janë dy nga Republikat mesjetare, që mbajnë marrëdhënie tregtare pothuajse të vazhdueshme në këta shekuj me të gjithë trevën shqiptare bregdetare. Në Shkodër dhe në Shirq ato kishin përfaqësuesit e tyre në formën e agjencive tregtare. Madje raguzanët kishin krijuar në Shkodër edhe lagjen e tyre të banuar nga kolonë raguzanë[73]. Këto agjensi tregtarë interesoheshin për të gjithë veprimtarinë tregtare, për mbarëvajtjen sa më të mirë të saj. Ato kontraktonin për mallrat e ndryshme dhe ndërhynin pranë administratës qytetare në çdo rast që dëmtoheshin interesat e tregtarëve, sidomos në rastet kur sulmoheshin karvanet tregtare apo anijet, duke kërkuar dëmshpërblim[74].

Në kohën e dinastisë së Balshajve të dy republikat bëjnë përpjekje për të siguruar tregëti të lirë dhe kushte lehtësuese, veçanërisht për tregtuesit të drithit. Madje vetë këto Republika për të inkurajuar tregtimin e drithit kanë nxjerrë mjaft urdhëresa që lidheshin me stimulimin e kësaj tregtie[75].

Edhe në kushte të disfavorshme politike, që kanë shërbyer si faktor frenues në zhvillimin e tregtisë së jashtme, eksportimi i drithit pothuajse nuk kanë pushuar asnjëherë. Kjo lidhej dhe me leverdinë ekonomike të këtyre Republikave mbasi çmimi i drithit i trevës shqiptare ishte më i lirë se ai i drithërave të Sicilisë dhe Apuljes. Prandaj drithi shqiptar ka mbetur gjithnjë në qarkullim tregtar të Adriatikut. Një rol të rëndësishëm në forcën tregtare të Shkodrës luante grumbullimi i mallrave, veçanërisht të klarakterit bujqësor e blegtoral por dhe minerale që vini nga treva epasur e Kosovës. Një dëshmi e rëndësishme për këtë është Dogana e Vaut të Dejës, e cila sillte të ardhura të mëdha (2200 perper) që ishin pothuajse të barabarta me të ardhurat që nxirrte Komuna e Shkodrës nga dogana e peshkimit (2362 perper) kur dihet që kjo ishte një nga degët kryesore të ekonomisë së qytetit.

Shkëmbimet tregtare bëheshin me të holla, por kishte raste edhe mal me mall[76]. Tregtia i nënshtrohej kontrollit të pushtetit qendror (pushtetit të komunës qytetare) e cila nëpërmjet doganave të ndryshme që kishte vënë për mallrat që hynin në qytet e që dilnin jashtë, siguronte të ardhura të mëdha. Përveç kontrollit Komuna gëzonte të drejtën e monopolit tregtar në disa artikuj si: drithë, verë, etj. dhe lejohej shitja e lirë e tyre vetëm me urdhërin e saj. Forcimi i jetës ekonomike dhe lulëzimi i tregtisë bënë që nga fundi i shekullit XIV juridiksioni i Shkodrës të zgjerohet mjaft duke përfshirë qendra urbane që më parë lulëzuan si pika autonome si: Sarda, Balëzi dhe të ngushtohejë shumë juridiksionin e Komunës së Drishtit[77].

Më vonë, në gjysmën e parë të shekullit XV, Shkodra si qendër ndërkrahinore, hyn në grindje për çështje kufiri edhe me qytetet e Tivarit, Ulqinit e Kotorrit[78]. Kësaj periudhe i përket ajo shkallë e zhvillimit të jetës ekonomike në të cilën marrëdhëniet mall-para nuk ishin kufizuar vetëm në zonën bregdetare por përfshinin edhe zonat e brendshme, ku ekonomia natyrore kishte rrënjë më të thella.

Nga këta tregues të nivelit të marrëdhënieve tregtare të Shkodrës në shekujt XIV-XV del se ato kishin arritur një shkallë të mirë zhvillimi. Edhe kjo fushë tregon për marrëdhënie feudale në lulëzim. Megjithatë, në shekullin XV deri në periudhën e pushtimit turk, kur rrethanat e brendshme ishin të favorshme për të bërë hapa të mëtejshme në drejtim të centralizimit politik, Republika e Shën Markut, e cila kishte shtënë në dorë të gjitha qytetet kryesore bregdetare, midis tyre dhe ato të trevës shqiptare veriore si Kotorrin, Buduan, Tivarin, Ulqinin, Drishtin, Lezhën dhe Shkodrën, që krahas qyteteve të tjera bregdetare ishin qendrat më të zhvilluara ekonomike, ku mund të mbështetej klasa feudale vendase, ashtu sikurse kishte ndodhur dhe në vende të tjera Europiane, për te realizuar centralizimin politik, me ndarjen në njësi administrative më vete të të gjithë këtyre qyteteve ajo cënoi atë unitet ekonomik që këto qendra kishin vendosur më përpara me tokat e tjera shqiptare.

Rënia e Shkodrës më 1479 dhe e trevave të tjera shqiptare përrreth saj nën zgjedhen turke, shkatërrimet masive dhe kthimi i këtyre qendrave thjesht në kështjella ushtarako-administrative, ishte goditje që i hodhi mbrapa disa shekuj, proceset e reja që kishin marrë zhvillim.

Prof. Menduh Dërguti, Prof. Manol Tasellari