Shoqata evropiane për arsim ndërkombëtar

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Shoqata evropiane për arsim ndërkombëtar (SHEAN), (European Association for International Education - EAIE, në anglisht) është organizatë jofitimprurëse që ka për qëllim kryesor ta stimulojë dhe ta lehtësojë ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në Evropë dhe në mbarë botën, dhe t'i përmbushë nevojat profesionale të individëve që janë aktivë në arsimin ndërkombëtar. Anëtarësia në SHEAN, e cila është themeluar në vitin 1989, është rritur dukshëm gjatë 20 viteve të kaluara. Sot ka mbi 2400 anëtarë – duke filluar nga rektorët, profesorët e deri te koordinatorët për këmbim ndërkombëtar dhe vlerësuesit e dëshmuar – që punojnë në mbi 80 vende. SHEAN-i ka për qëllim t'i lidhë këta profesionistë, duke krijuar një mjedis ku ka mobilitet dhe arsim për të gjithë.

Që ta lehtësojë këtë, Programi për zhvillim profesional i SHEAN-it ofron mundësi njëvjeçare për trajnim, duke përfshirë Forumet ekzekutive njëditore të përgatitura enkas për profesionistët në nivel menaxherial dhe strategjik të ndërkombëtarizimit, si dhe trajnime praktike për ata që gjenden në nivele të ndryshme të karierës së tyre.

Kjo shoqatë poashtu bën shpërndarjen e informatave të rëndësishme nëpërmjet publikimeve, ueb-faqes dhe buletineve të ndryshme, për ta ngritur vetëdijen për çështjet kritike dhe përparësitë e kësaj fushe. Anëtarët e saj e marrin revistën Forum, e cila publikohet tre herë në vit, si dhe disa materiale më formale të quajtura Occasional Papers; që kanë për qëllim informimin e profesionistëve për zhvillimet më të reja në këtë fushë, si dhe Professional Development Series; një grup doracakësh, që njihen si Toolkits, të cilat i përfshijnë shkathtësitë themelore që i duhen çdo arsimtari ndërkombëtar.

Ndoshta ajo që është më e rëndësishme, SHEAN-i u ofron anëtarëve të saj qasje në një rrjet me mbi 13 000 profesionistë ndërkombëtarë të arsimit nga e gjithë bota. Anëtarësia ndahet në disa nëngrupe për ta lehtësuar punën në rrjet të anëtarëve që janë të specializuar në fusha të veçanta të arsimit ndërkombëtar. Me rritjen e shoqatës, këto nëngrupe, të njohura si Seksionet profesionale dhe Grupet me interese të veçanta, janë zhvilluar dhe janë zgjeruar edhe më tepër. Këtu bëjnë pjesë grupet për Marketing dhe Rekrutim, Ekonomi dhe Studime të biznesit, Bashkëpunim arsimor me vendet në zhvillim, dhe Çështje të invaliditetit në mbarë botën.

Konferenca vjetore e SHEAN-it është ngjarja kryesore ku takohen profesionistët dhe inspirohen nga trendet më të fundit në arsimin ndërkombëtar. Kjo konferencë që është ngjarja më e madhe e këtij lloji në Evropë, mbahet çdo vit në qytete të ndryshme të Evropës dhe në të marrin pjesë mijëra pjesëmarrës ndërkombëtarë. Përveç një numri të madh të punëtorive, sesioneve dhe seminareve, në konferencë poashtu organizohet një ekspozitë, që u mundëson kompanive, organizatave dhe institucioneve që janë aktive në këtë fushë, t'i promovojnë produktet e tyre para një audience të madhe.

Referencat[redakto | redakto tekstin burimor]

Shih poashtu[redakto | redakto tekstin burimor]