Shqiptarët, sërbët dhe grekët

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

"Shqiptarët, sërbët dhe grekët" është një analizë politike dhe historike me autor Enver Bytyçi, është botuar nga shtëpia botuese "Koha". Ky libër pasqyron marrëdhëniet historike të tre popujve të Ballkanit Perendimor Qëndror, sidomos gjatë shek. XX dhe në momentet aktuale të shek. XXI.

Përshkrimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shqiptarët, serbët dhe grekët, janë tre popujt shumicë dërrmuese të Ballkanit Perëndimor e Qendror. Historia e këtyre kombeve deri në fillimin e shekullit XIX ka qenë e mbushur me luftëra për të përballuar fuqitë e jashtme ballkanike, por edhe histori me konflikte të herëpashershme midis tyre, për shkak të ambicieve perandorake të serbëve dhe grekëve, që u trashëguan nga mesjeta deri në ditët e sotme. Gjithsesi, luftërat para krijimit të kombeve ballkanike ishin në përgjithësi luftëra principatash, që në të shumtën e herës kishin një ekuilibër të admirueshëm fuqie dhe, për pasojë, shqiptarët, ndonëse u tkurën në trojet e tyre etnike nga dyndjet sllavo-serbe, ruajtën identitetin, fizionominë kombëtare, traditën dhe etninë, derisa erdhën të kompaktësuar në kohën e çlirimit nga sundimi osman. Atë kohë, shqiptarët ishin thuajse homogjenë në katër vilajetet osmane, në atë të Shkodrës, Janinës, Shkupit e Manastirit. Në kapitujt e këtij libri dalin në pah lakmitë e serbëve dhe grekëve ndaj trojeve shqiptare dhe përpjekjet që ata kanë bërë për zhdukjen e emrit dhe kombësisë shqiptare. Duke u mbështetur në të dhëna konkrete të kohës, në argumente dhe fakte të pakundërshtueshme, çdo njeri i paanshëm do të dilte në konkluzionin se, në Gadishullin Ballkanik shqiptarët kanë qenë populli më i kërcënuar për ekzistencë. Në këtë libër, Bytyçi përshkruan aktet terroriste, që serbët e grekët kanë bërë kundër shqiptarëve nga mesi i shekullit XIX deri më sot, rolin e Kishës Ortodokse në funksion të nacionalizmave barbare e shoviniste etj. Çdo fakt i pohuar, çdo e dhënë e koncentruar, çdo moment i shënuar në marrëdhëniet mes shqiptarëve, serbëve dhe grekëve, nga mesi i shekullit XIX e deri më sot, ka aktualizuar vazhdimisht përfundimin, në të cilin kishin ardhur mendimtarët e shquar shqiptarë, si Pashko Vasa e Sami Frashëri, se "Serbët, grekët dhe sllavët janë armiqtë kryesorë ekzistencialë të shqiptarëve". Në faqet e këtij libri do të jepen me shembuj, fakte dhe argumente të shumta për dobitë dhe padobitë e qëndrimeve të shqiptarëve, aleancat, miqësitë dhe partneriteti i tyre me vendet e tjera. Ashtu siç shprehet edhe vetë Bytyçi, në parathënien e librit të tij, “probleme të tilla nuk shterojnë në një libër, ato kanë nevojë të argumentohen e zgjerohen më tej, madje, kritika rend të ndalet në përcaktimet që jepen aty. Por thelbi i çështjes për të cilën janë të interesuar lexuesit, besoj se jepet qartë dhe qëllimi për të cilin është shkruar ky libër, besoj se në masë të mjaftueshme arrihet”. Për realizimin e librit të tij, autori ka shfrytëzuar të dhënat burimore të revistës "Koha", botuar në Tiranë (1998-2002) si dhe shkrimet shkencore të Abdi Baletës, Besnik Konçit, Ramadan Sokolit, Zekeria Canës, Muharrem Dëzhgiut, Mitro Çelës, Ndriçim Mehmetit, Sherif Delvinës, Blerim Çelës, Hysamedin Ferajt, Beqir Haçit, Qemal Velisë, Avenir Pekës, etj. Ndihmesë kanë qenë edhe informacionet e gazetës gjermane “Allgemeine Sollinger", sidomos lidhur me zhvillimet historike e politike në Kosovë. Krahas tyre, si burim i rëndësishëm të dhënash e faktesh, kanë shërbyer edhe radioja gjermane "Dojçe Vele", shërbimet e teletekstit në televizionet ZDF dhe ARD, gazetat shqiptare që botohen në Perëndim "Bota sot", "Zëri" dhe "Koha Ditore".