Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
United States of America

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Flamuri i Shteteve të Bashkuara
Stema - Shtetet e Bashkuara
Flamuri Emblema
Moto: In God We Trust (Në Zot Ne Besojmë)
United States (orthographic projection).svg
Gjuha Gjuha angleze
Kryeqyteti Washington, D.C.
Forma e qeverisë Republikë Fedrative
Kryeministri Joseph Biden
Kryetarë Barack Obama
Sipërfaqja 9.631.418 km²
Popullsia 316.285.000 (2013)
Dendësia e popullsisë 32 për banorë në km²
Prodhimi i Brendshëm Bruto
  • Total (Nominal)
  • Total (PPP)
  • BIP/Banorë. (Nominal)
  • BIP/Banorë. (PPP)
22.9 Mrd. USD
  • 14.256 Mrd. US$
  • 14.256 Mrd. US$
  • 46.381 US$
  • 46.381 US$
Prodhimi i Brendshëm Bruto për banorë 7.223 USD
Indeksi i zhvillimit njerëzor (13.) 0,956
Valuta Dollari ($) USD
Pavarësia 4 korrik 1776
Himni kombëtar The Star-Spangled Banner
Festa kombëtare 4 korrik (Independence Day)
Zona kohore UTC-1 deri

UTC-10

Targat e automjeteve USA
Kodi i internetit TLD .us, .gov, .mil, .edu
Prefiksi telefonik +1 (NANP)

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë republikë federative kushtetuese, e përbërë prej 50 shtetesh dhe një qarku federal. Vendi shtrihet kryesisht në Amerikën e Veriut, ku dyzetetetë shtete të ngjitura dhe Washington, D.C., qarku i kryeqytetit, ndodhen midis oqeaneve Atlantik dhe Paqësor, në kufi me Kanadanë në veri dhe Meksikën në jug. Shteti i Alaskës ndodhet në veriperëndim të kontinentit dhe kufizohet me Kanadanë në lindje dhe Rusinë në perëndim përtej Ngushticës së Beringut. Shteti i Hawait është arkipelag në mes të Paqësorit. SHBA-të gjithashtu posedojnë disa territore, treva ishullore, në Karaibe dhe Paqësor.

Me sipërfaqe prej 9,83 milion km² dhe me popullsi prej 306 milion banorësh, Shtetet e Bashkuara janë vendi i tretë ose i katërt në botë për nga sipërfaqja, si dhe i treti sipas hapësirës tokësore dhe popullsisë. Shtetet e Bashkuara janë njëri prej vendeve më të spikatur për nga shumëllojshmëria etnike dhe kulturore, si rrjedhojë e imigrimit në shkallë të lartë prej shumë vendeve.[1] Ekonomia e SHBA-së është më e madhja në botë, me prodhim të brendshëm bruto (PBB, GDP) vlerësuar më 2008 në shumë prej 14,3 trilion dollarësh (23 % e PBB-së nominale të botës dhe gati 21 % sipas barazimit të fuqisë blerëse).[2][3]

Kombi amerikan u themelua nga trembëdhjetë kolonitë e Britanisë së Madhe, ndodhur përgjatë bregdetit Atlantik. Më 4 korrik 1776, ato nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, që shpalli pavarësinë e tyre nga Britania e Madhe dhe formimin e një bashkimi kooperativ.[4] Shtetet kryengritëse mposhtën Britaninë e Madhe në Luftën Revolucionare Amerikane, luftën e parë të suksesshme të kolonive për pavarësi. Kuvendi i Filadelfisë përpiloi Kushtetutën e tashme të Shteteve të Bashkuara më 17 shtator 1787; miratimi i saj në vitet vijuese i bëri shtetet pjesë të një republike të vetme me qeveri të fuqishme qendrore. Karta e të Drejtave, e përbërë nga 10 amendamentet e para kushtetuese si garanci e të drejtave dhe lirive themelore qytetare, u ratifikua më 1791.

Në shekullin XIX, Shtetet e Bashkuara fituan toka nga Franca, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Meksika dhe Rusia, si dhe aneksuan Republikën e Teksasit dhe Republikën e Hawait. Mosmarrëveshjet mes jugut bujqësor dhe veriut industrial rreth të drejtave të shteteve dhe zgjerimit të institucionit të skllavërisë provokoi Luftën Qytetare Amerikane të viteve 1860. Fitorja e veriut parandaloi një ndarje të përhershme të vendit dhe çoi drejt përfundimit të skllavërisë së ligjshme në Shtetet e Bashkuara. Në vitet 1870-të, ekonomia kombëtare ishte më e madhja në botë.[5] Lufta Spanjollo-Amerikane dhe Lufta e Parë Botërore konfirmuan statusin e vendit si fuqi ushtarake. Më 1945, Shtetet e Bashkuara dolën nga Lufta e Dytë Botërore si vendi i parë me armë bërthamore, anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe themeluese e NATO-s. Fundi i Luftës së Ftohtë dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik e la SHBA-në si superfuqinë e vetme. Afro 50% të shpenzimeve ushtarake të rruzullit bëhen nga Shtetet e Bashkuara, që vazhdojnë të jenë forcë drejtuese ekonomike, politike dhe kulturore në botë.