Shtjefën Kurti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shtjefën Kurti

Shtjefën Kurti (Ferizaj, 24 dhjetor 1898 - 20 tetor 1971) ka qenë një prift shqiptar i martirizuar nga regjimi komunist në Shqipëri. Hapja e procesit dioqezan për lumnimin e tij, u shpall më 10 nëntor të viti 2002, nga prefekti i asokohshëm i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Kreshencio Sepe, gjatë kremtimit të Eukaristisë, në katedralen e Shkodrës. Lumnimi dhe pranimi si shenjtor ndodhi më 5 nëntor 2016, në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër.[1]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind më 24 dhjetor 1898 në Ferizaj, fëmija i gjashtë i Jak dhe Katrine Kurtit. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndoqi Seminarin PapnorShkodra. Përvijoi studimet në kolegjin Canisianum në Insbruck të Austrisë. Më 10 janar 1919 kaloi në kolegjin “Propaganda Fide” në Romë, ku dhe u urdhërua meshtar. Më pas, u kthye në vendlindje, ku shërbeu si famullitar në Ferizaj, Novosele si dhe në dioqezën e Shkupit.[2]

Me sivëllezërit Dom Gjon Bisaku dhe Luigj Gashi, të përkrahur nga Mbreti Zogu I, përpiluan më 5 maj 1930 përkujtesën "Gjendja e pakicës shqiptare në Jugosllavi" e cila iu nis sekretarit të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, Erik Drumund.[3]

Ishte ati ku u rrëfente Nënë Tereza dhe ku rrëfehej, në oborrin mbretëror, deri në vitin 1939, Mbretëresha Geraldinë. Ditë të vështira do ta prisnin Kurtin pas Luftës së Dytë Botërore: Më 1944-1945 ishte famulltar në kishën e famullisë katolike në Tiranë (në Bulevard). U arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me 20 vjet burg si agjent i perëndimorëve. U lirua nga Burgu i Burrelit në vitin 1966, por u arrestua sërish në vitin 1971 për spiunazh, sabotazh dhe për kryerjen në fshehtësi të riteve fetare. U fajësua për pagëzimin që u dha fëmijëve. U dënua me vdekje dhe u pushkatua në një vend që ende nuk dihet edhe sot. U lumnua si pjesë e 40 martirëve shqiptarë dhe u pranua shenjtor i kishës katolike më 5 nëntor 2016, në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër.[1]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Flocchini, Emilia. "Beati Martiri Albanesi (Vincenzo Prennushi e 37 compagni)" (në italisht). Santiebeati. Marrë më 6 tetor 2017.{{cite news}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) Gabim referencash: Invalid <ref> tag; name "Flocchini" defined multiple times with different content
  2. ^ Flocchini, Emilia (16 nëntor 2016). "Beato Stefano Kurti, Sacerdote e martire, 20 ottobre". santiebeati.it (në italisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  3. ^ Dervishi, Kastriot (2016). Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së. Tiranë: 55. fq. 62–63. ISBN 978-9928-106-38-4.