Skënder Luarasi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Skënder Petro Luarasi)

Skënder Luarasi (Luaras, 19 janar 1900 - Tiranë, 27 prill 1982) ka qenë arsimtar, përkthyes, dramaturg, publicist, studjues, vullnetar në Luftën e Spanjës, komunist idealist, hartues fjalorësh.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Luaras të Kolonjës, i biri i Petro Nini Luarasit, pasardhës të familjes Kostallari të Luarasit. Arsimin fillor shqip në Korçë e Negovan (1909-1911) dhe më pas studjoi në Robert CollegeStamboll (1912-1913), vijoi në Easton Academy, NY (1914-1916) International College në Springfield, Mass. ShBA (1916-1920). Kthehet në Shqipëri, ku punoi si mësues i Kryqit të Kuq Amerikan në Elbasan. Më 1922-1926 ndoqi gjimnazin klasik në Fraishtadt, u kthye në Shqipëri pas Lëvizjes së Qershorit,[1] por u rikthye në Vjenë pas dështimit të saj për t'u diplomuar në Fakultetin e Filologjisë në Vienë1930.

Më 1930-1936 punoi si mësues në Vlorë, Shkodër dhe në shkollën profesionaleTiranë.

Ishte i pari shqiptar që u nis në dhjetor të 1936 nëpërmjet kufirit grek nga Follorina për të shkuar në Athinë, më pas në Francë e në fund në Spanjë. Në dhjetor të 1936 Luarasi takoi në Parsi Llazar Fundon dhe Ali Kelmendin. Për ta thotë se në fillim i dukej se shkonin mirë, por shumë shpejt kuptoi që dukja gënjente. U propozoi të hapnin një gazetë si "Liria Kombëtare. Në Lion takoi Ymer Dishnicën, Kolë Tromarën dhe Kostë Çekrezin. Këtu Fundo i tha hapur Luarasit që nuk po bënin mirë që po shkonin në Luftën Civile, ku megjithatë shkoi dhe qëndroi deri më 1939.[2]

Në vitet 1939-44 u internua nëpër kampet e përqendrimit në Francë. Kthehet në atdhe në mars të 1945.

Mbas çlirimit të vendit, është nismëtar në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe anëtar i Kryesisë deri në nëntor 1949, kur me dënimin e Sejfulla Malëshovës[1] u përjashtua për disa vjet nga Lidhja për qëndrimin e tij antikonformist ndaj metodave e qëndrimeve jodemokratike që ndiqte Kryesia e Lidhjes në fushën e letërsisë e të arteve e nënshtruar ndaj diktatit të partisë në pushtet. Qe deputet në vitet 1946-50. Më 1950 nisi punë në ndërmarrjen e botimeve të Institutit të Shkencave. Më 1956-60 punoi si pedagog.[2]

Për veprimtarinë e tij të shquar patriotike-antifashiste-demokratike, edukative e letrare është nderuar me urdhrat e lartë: Urdhëri i Flamurit (1960) dhe Nderi i Kombit (1996).

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Luarasi e ka nisur aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Brezi i viteve 30-të e dallon si arsimtar, publicist, gazetar, përkthyes, dramaturg dhe si drejtues e bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit përparimtar. Ka qenë editor-përgjegjës në revistat: "Studenti" ShBA më 1920, "Djalëria" Austri më 1927-1928 dhe kryeredaktor i revistës "Vullnetari i Lirisë" Spanjë më 1937. Ky i fundit organ i vullnetarëve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës. Deri në vitin 1992 veprimtaria e tij (monografi, publicistikë, drama, studime dhe kritikë letrare e historike) botohej pjesërisht (kryesisht përkthimet) dhe nuk analizohej nga pikëpamja shkencore.

Krijime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. Isa Boletini, monografi
  2. Ismail Qemali, monografi
  3. Motrat Qiriazi, monografi
  4. Kolonel Thomson
  5. Petro N. Luarasi, jeta dhe vepra
  6. Migjeni, jeta dhe vepra
  7. Gjerasim Qiriazi, jeta dhe vepra
  8. Sevasti Qiriazi, vepra
  9. Në Brigadat internacionale
  10. Agimi i Lirisë-dramë (e shfaqur me 1932)
  11. Stuhi në prill-dramë (e shfaqur me 1971)
  12. Fjala shqipe-publicistikë
  13. Fjala e lirë shqipe (publicistikë e studime)
  14. Kujtime historike
  15. Kujtime autobiografike (Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar)
  16. Tri jetë, Koloneli Tomson - Ismail Qemali - Isa Boletini

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Elsie, Robert (2013). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). I.B. Tauris në bashkëpunim me Qendrën për Studime Shqiptare. fq. 289. ISBN 9781780764313.
  2. ^ a b Dervishi, Kastriot (2016). Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së. Tiranë: 55. fq. 124. ISBN 9789928106384.