Sotir Peçi
Sotir Peçi (1873-1932) lindi në Dardhë të Korçës, në një fshat që e meriton të jetë një kapitull më vete, për hir të zhvillimit të tij social, arsimor e kulturor jashtëzakonisht të rrallë në Shqipërinë e shekujve 19-20. Ishte i biri i Jovan Peçit, një tregtar i pasur druri që si edhe dardharë të tjerë bënte prerjen e tregtinë e lëndës së drurit nga Greqia e Veriut deri në Anadoll. (Prej këtij profesioni ka mbetur edhe shprehja : "Ta pret me sopatën e dardharit"). Nga nëna, rridhte prej familjes së famshme të Themelinjve. Dy vëllezërit Themeliu, Jovani e Athanasi, gjatë një lëvizjeje greke për të shkëputur troje të tjera nga perandoria otomane rreth viteve 1850, që njihet si lëvizja e Limbozit, kishin armatosur 400 burra që i mbanin me pagë. Lëvizja dështoi dhe ata u gjendën të rrënuar. Për kompensim, mbreti Othon iu fali një çiflig në Gavrolimbi, të cilin Sotir Peçi, si trashëgimtar i vetëm nuk i mori kurrë. Pas studimeve të larta në Athinë, më 1905 Peçin e gjejmë në SHBA. Ishte nga të rrallët, në mos i vetmi mërgimtar me Universitet, i bashkohej turmës së hallexhinjve, prandaj u prit krahëhapur prej atdhetarëve. Më 1906 botoi të parën gazetë në gjuhën shqipe “Kombi” në Boston të SHBA. Qe iniciator për formimin e shoqërisë “Besa-Besë” dhe “Lidhja” në SHBA. Ishte delegat i kolonive shqiptare të Amerikës dhe të Bukureshtit në Kongresin e Manastirit (1908) dhe anëtar i komisionit për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Më 1911-1912 ishte drejtor i shkollës “Mësonjëtorja shqipe” në Korçë. Mori pjesë në hapjen e shkollës normale të Elbasanit ku u caktua edhe mësimdhënës për shkencat e natyrës. Gjatë viteve 1911-1912 S.Peci do të jetë drejtor i arsimit në prefekturën e Korçës. Më 1915 do të zgjidhet anëtar i Komitetit të fshehtë në Shkodër. Kur u caktua si anëtar i KLSH, shërbente në Drejtorinë e përgjithshme të arsimit, Deri në këtë kohë kishte botuar edhe disa tekste mësimore. Vdiq më 8 prill të vitit 1932.