Spiro Çomora

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Spiro Çomora (Korfuz, 31 janar 1918 - Tiranë, 1973) ishte mbledhës folklori, satirist, përkthyes, poet dhe komediograf shqiptar.

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Leu në ishullin e Korfuzit prej një familjeje vunjote, e cila kishte emigruar për arsye mirëqenieje në Greqi. Në vendlindje kreu mësimet fillore dhe të mesme, ndërsa shkollimin e lartë e filloi në Itali për drejtësi, por me fillimin e Luftës së Dytë Botërore nuk mundi t'i përfundonte. Nis punë si mësues dhe mbledhës folklori, puna e të cilit përfshihet në radhojën e botimeve "Visaret e Kombit" IV gjatë kohës kur min. i Arsimit Koliqi dha urdhëresën për t'u mbledhur dhe botuar fruti i folkut[1].

Pas luftës u vendos në Tiranë dhe pothuajse gjatë gjithë jetës punoi në revistën "Hosteni". Ne fillimet e veta nisi të shkruajë vjersha humoristike, të cilat I botoi tek "Hosteni". Bën pjesë në komisionin e përbërë prej gjashtë vetëve që mbikëqyri e redaktoi përkthimin e "Iliadës" nga Shllaku, duke e shoqëruar botimin me studimin "Iliada dhe bota homerike".

Fryt i punës disavjeçare janë përmbledhjet poetike "Syfete", "Për njoftim e për veprim", "Maska dhe fytyra" dhe "Skena e prapaskena". Skena e tërhoqi Spiro Çomorën qysh herët dhe shkroi dialogje, intermexo, skeçe, pjesë me një akt etj., të cilat u botuan e u vunë edhe ne skene. Krijimet më të mira në këtë gjini i botoi në përmbledhjet "Nga fshati i gruas" dhe "Injeksione që duhën bërë". Më vone shkroi edhe disa komedi me një e tre akte, si "Syleshi", "Iu hoqën petët lakrorit", "Dy me zero" (më vonë e titulloi "Prindër edukatorë"), "Dema dhe toreadorë", dhe mbi të gjitha "Karnavalet e Korçës" më 1961 dhe "Dy me zero" më 1969[2].

Spiro Çomora u muar edhe me përkthime, si poema "Skënderbeu" e shkruar nga Grigor Pŭrlichev më 1968. E sidomos i letërsisë antike greke për të cilën çmohej nga Gjon Shllaku[3]. Më 1957 pruri fabulat e Ezopit "Sorra e pëllumbi"; "Paqen" 1958, "Lisistratat" 1960 dhe "Kalorësit" 1969 e Aristofanit; pjesë të zgjedhura nga Satirat e Junius Juvenalis dhe 12 këngët e para të "Odisesë” së Homerit të botuara vitin që vdiq[4].

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Reçi H., Çomora S., Paluca A., Visaret e Kombit, v. IV, Tiranë: sh.b. "Kristo Luarasi", 1939.
  2. ^ Elsie R., Histori e Letërsisë Shqiptare, p. Abdurrahim Myftiu, Tiranë, 1997.
  3. ^ Kelmendi Sh., Elegji për Kalorësin e fundit, Ars. - Nr. 8, 31 gusht, 2003, f. 5.
  4. ^ Pas një qëmtimi të imtë në fondin oline të Bibliotekës Kombëtare më 17 janar 2015, bksh.al.