Standardi i arit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Standardi i arit (anglisht: gold standard) bëhet fjalë për një sistem monetar, në të cilin njësia standarde llogaritëse në ekonomi është një sasi e përcaktuar ari. Diçka e tillë mundësohet përmes kompromisit. Në këtë kuptim, standardi i arit përfaqëson një zotim nga vendet e përfshira për të fiksuar çmimet e monedhave vendase sipas një sasie të paracaktuar ari. Paratë kombëtare dhe format e tjera të parasë konvertoheshin lirisht në ar sipas një çmimi fiks. Një vend nën standardin e arit do të caktojë një çmim për të dhe do ta blejë e shesë arin sipas atij çmimi. Rrjedhimisht, diçka e tillë përcakton vlerën e valutës së një vendi. Metale të tjera të çmuara mund të përdoren për të vendosur një standard monetar, siç ishte standardi i argjendit në vitet 1800. Kombinimi i standardit të arit dhe argjendit njihet si bimetalizëm. Gjatë pjesës më të madhe të 1800-s, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin një sistem bimetalor të parasë, ndonëse kryesisht të bazuar mbi floririn, duke qenë se realisht tregtohej shumë pak argjend (mjafton të merret si referencë vetëm SHBA, duke qenë se prej shekujsh, ndonëse jo e vetme, ka udhëhequr zhvillimet dhe modifikimet në sistemet financiare perëndimore). Standardi i vërtetë i arit në SHBA, hyri në fuqi më 1900 me miratimin e Aktit të Standardit të Arit. Por, ky standard praktikisht u shfuqizuar më 1933, kur Presidenti Ruzvlet e bëri të jashtëligjshëm pronësinë private të floririt (duke përjashtuar vetëm bizhuteritë). Sistemi i Breton Woods, i vënë në veprim në vitin 1946 krijoi një sistem të kursesh këmbimi të fiksuara që i lejonte qeverive t’ia shisnin arin e tyre, thesarit të Shteteve të Bashkuara me një çmim prej 35 dollarësh për ons (28.35 gr). Sistemi në fjalë përfundoi më 15 gusht të vitit 1971, kur presidenti Richard Nixon e ndërpreu tregtimin e arit me çmimin në fjalë. Në këtë pikë, për herë të parë në historinë e njerëzimit, lidhjet formale ndërmjet valutave kryesore në botë dhe mallrave reale u ndërprenë. Qysh prej asaj kohe, standardi i arit nuk është përdorur në asnjë prej ekonomive të mëdha. Sot, thuajse çdo vend në botë, bazohet në një sistem parash letër, të cilat sipas fjalorit përkufizohen “para që është thelbësisht e pavlerë; përdoret vetëm si mjet këmbimi”. Si rrjedhojë, vlera e parasë përcaktohet nga oferta dhe kërkesa për para dhe nga oferta dhe kërkesa për mallra dhe shërbime në ekonomi. Nga ana tjetër, çmimet e arit dhe argjendit lejohet të luhaten sipas forcave të tregut.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Revista Mapo