Dhimitër Tutulani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Taq Tutulani)
Shko te: navigacion, kërko
Dhimitër Tutulani

Dhimitër Tutulani.jpg

Emri: Dhimitër
Mbiemri: Tutulani
Lindi më: 19 mars 1875
Vendlindja: Berat
Vdiq më: 1937
Vdiq në: Berat
Profesioni: avokat, politikan

Dhimitër Tutulani, (19 mars 1875-1937) i njohur ndryshe Taq Tutulani ose Dhimitraq Tutulani ishte avokat shqiptar nga Berati. Ai ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Dhimitër Tutulani u lind në lagjen Goricë në Berat19 mars të vitit 1875. Aty parardhësit e tij ishin vendosur gati rreth dy shekuj më parë kur u larguan nga Vithkuqi, të zhvendosur kohë më parë prej Voskopojës si shumë familje të tjera që u larguan pas shkatërrimit të qytetit të Akadademisë dhe kulturës mesjetare. Ata kishin ardhur në Berat me pasuri dhe shpejt nisën tregtinë. Blenë toka në fshatrat përreth Beratit si dhe ullishte, çka dëshmon nivelin ekonomik të familjes. Origjinën e Tutulanëve nga Vithkuqi e vërtetojnë toponimet e vjetra si “Ara e Tutulanëve” apo “Çezma e Tutulanit”.

Vitet kur u lind dhe u rrit Dhimitër Tutulani, ishin vitet kur çështja kombëtare kishte nisur të vlonte me ëndrrat dhe dëshirat patriotike për një Shqipëri të pavarur. Pasi mori mësimet e para në Berat, aj vazhdoi gjimanzin Zosimea në Janinë, ku mësoi disa gjuhë europiane dhe më tej studioi në Universitetin e Athinës ku u diplomua për Drejtësi. Studimet në jurisprudencë i krijuan avokatit të ri mundësinë të njihej me idetë që ngritën Rilindjen europiane, iluminizmin dhe humanizmin, që u paraprinë lëvizjeve të mëdha për liri në vendet e Ballkanit. Ai u kthye në vendlindje dhe çeli zyrën e avokatisë, ku punoi si avokat. U martua me Marie Nova nga lagja Kala, e cila solli në jetë tre fëmijët e tij, djalin, Milto, dhe dy vajza.

Dhimitër Tutulani u bashkua me qarqet intelektuale më të spikatura në ato vite në Berat, ndër të cilët mësuesi Jorgji (Dudë) Karbunara, Sulo Resuli, Llambi Goxhomani, Jorgji Manushi, Nyzhet Vrioni. I përfshirë në këtë mjedis patriotësh, Dhimitër Tutulani mori pjesë në lëvizjet patriotike antiosmane, zhvilluar në 10 vjeçarin e parë të shekullit XX, sidomos në vitet 1908-1912. Në 22 dhjetor 1908 u çel Klubi shqiptar i Beratit “Bashkimi”, një qendër kulturore ku mblidheshin qytetarë patriotë nga shtresa të ndryshme sociale, të cilët nën pektun e kulturës zhvillonin aktivitete për formatimin e një lëvizje patriotike, në të cilën nuk kishte si të mos përfshihej dhe Dhimitër Tutulani. Shumë shpejt, ai u bë një zë i fuqishëm që arsyetonte idetë me veprimet dhe elokuencën si avokat në mbrojtje të shtresave më të varfëra. Në vitet 1908-1912, në nahijen e Beratit u ngritën disa çeta të armatosura në mbështetje të të drejtave kombëtare në Shpirag, Skrapar, Gllavë, etj. Në 1911 u krijua në Berat Komiteti i Shqiptarëve për Mbrojtjen e të Drejtave Kombëtare, e drejtuar nga Pleqësia Këshillonjëse, ndërsa në 23 korrik 1912 u mblodh Kuvendi i Sinjës, që doli me kërkesa politike, pasi Memorandumi i Sinjës kërkonte autonominë e Shqipërisë. Në këto lëvizje të ethëshme, beratasit ishin aktorët kryesorë dhe mes patriotëve spikati me fjalimet e tij avokat Dhimitër Tutulani. Ishte ky kontribut aktiv që ai u zgjodh delegat në Kuvendin e Vlorës, në 28 nëntor 1912, bashkë me Babë Dudë Karbunarën dhe Iliaz Vrionin nga qyteti i Beratit, ku nënshkroi aktin e pavarësisë kombëtare, me siglën “Dh. Tout.”.

Vetëm 6 vjet më pas, në dhjetor 1918, ai u zgjodh delegat i Beratit në Kongresin e Durrësit që u mbajt në 25- 27 dhjetor në përpjekje për formimin e qeverisë shqiptare, në çastet kur territori rrezikohej më shumë se kurrë. Kongresi i Durrësit zgjodhi Qeverinë e Përkohshme dhe një prej votuesve ishte dhe firmëtari i Pavarësisë, Dhimitër Tutulani. Dy vjet më vonë mori pjesë si delegat në Kongresin e Lushnjes.

Si jurist i diplomuar, aktiviteti i tij politik nuk u shkëput nga ai social dhe i kulturës kombëtare. Ai ka lënë firmën e vet edhe në në aktin e shkëputjes së Kishës shqiptare nga Partriakana greke. Avokat Tutulani ishte delegat në Kongresin e Kishës Ortodoke që u mbajt në 10 shtator 1922 në shkollën e lagjes Mangalem në Berat, prej nga doli vendimi për formimin e kishës autoqefale shqiptare, një dëshirë e hershme e besimtarëve për të pasur kishën e tyre të pavarur. Ortodoksët shqiptarë, të udhëhequr nga kanoni kryesor "Kishë e lirë në shtet të lirë", vendosën që të gjitha ritualet fetare të bëhen në gjuhën amtare, shqip. Dhimitër Tutulani shërbeu më se 35 vjet si anëtar i Dhimogjerondisë në Mitropolinë e Beratit deri në vdjekje. Si qytetar nuk la pas detyrimet ndaj qytetit. Ndër vite, Dhimitër Tutulani kreu disa detyra shtetërore. Në vitin 1923 u zgjodh zv/prefekt, ndërsa në janar 1925 kryetar i Bashkisë së Beratit. Në zgjedhjet e para lokale të Beratit, në maj 1922, ai ishte anëtar në komisionin e zgjedhjeve. Përgjatë viteve, ishte i zgjedhur në organet administrative qytetare. Në vitin 1930, u votua nga Asambleja e Bashkisë si anëtar në Këshillin e Përhershëm, pranë kryetarit të bashkisë. Vdiq në Berat, duke lënë të shkruar në testament se një pjesë të pasurisë së tij ia falte qytetit për shkolla, rrugë, mirëqënie, etj.