Tempulli i Jeruzalemit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Rikrijim artistik i tempullit të parë të Jeruzalemit, sipas përshkrimeve biblike.
Model i Tempullit të Dytë të Jeruzalemit.

Tempulli i Jeruzalemit (hebraisht: בית המקדש, shqiptimi Bet HaMikdash fj.p.fj. "Shtëpia e Shenjtë"; arabisht: معبد القدس, shqiptimi Mabid el-Kudys) është, sipas Biblës, ndërtesa fetare e ndërtuar nga hebrenjtë për të strehuar arkën e besëlidhjes. Ai ndodhej në Malin e Tempullit (Har HaBajit) në qytetin e vjetër të Jeruzalemit. Sipas besimit hebraik, ishte "froni" këmbëmbështetës figurativ i pranisë së Perëndisë (hebr. "shehina") në botën lëndore.

Çmohej nga feja hebraike si ndërtesa më e rëndësishme e më e shenjtë. Tempulli është shkatërruar dhe rindërtuar disa herë.

Tempulli i Parë u ndërtua nga Mbreti Salomon brenda shtatë vjetevë në qindvjeçarin e 10-të p.e.r. në vitin 957 p.e.r. Ai ishte qendra e jehudizmit të lashtë dhe pika kryesore e riteve hebraike për mijëra vjet. Tempulli zëvendësoi tabernakullin e Moisiut dhe tabernakujt e Shilohit, Novit, dhe Givonit si qendra kryesore e fesë hebraike. Tempulli i Parë u shkatërrua nga Babilonët në vitin 586 p.e.r., dhe u rindërtua shtatedhjetë vjet më vonë nga Kiri i Madh në vitin 516 p.e.r. Qindra vjet më pas u ripërtëri nga Herodi rreth viteve 20 p.e.r. Tempulli i Dytë u shkatërrua nga Romakët në vitin 70 e.r. Të gjitha muret e jashtme qendrojnë ende, megjithëse tempulli vetë është rrënuar që prej gati 2000 vjetësh, dhe për shumë vjet besohej se muri perëndimor i ndërtesës ishte muri i vetëm që i kishte mbijetuar kohës.

Faltorja islame, Xhamia e Gurit, qendron në anën e tempullit që nga qindvjeçari i 7-të, dhe Xhamia el Aksa, pothuaj nga e njëjta periudhë, po ashtu ndodhet në oborrin e tempullit të atëhershëm.

Eskatologjia hebraike parashikon ndërtimin e Temullit të Tretë në Jeruzalem përpara ardhjes së mesiahs, prandaj, përkrahës të Jahudizmit ortodoks dhe konservativ presin ndërtimin e tij.

Shiko edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]