Teofili i Antiokisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Teofili i Antiokisë ose Theophilus u lind në Siri në një vënd në mes të Eufratit dhe Tigrisit, siç thoshte edhe vetë, nga prindërit paganë. Euzebi thoshte se ishte ipeshkvi i gjashtë i Antiokisë. Ky dallohet plotësisht nga Taciani, sepse mësimet e Teofilit janë helenistike. Edhe ky thotë se u kthye në krishterim duke lexuar Shkrimin shenjt. Sa u përket shkrimeve të Teofilit, ai ka një stil të natyrshëm shkrimi, shumë të bukur dhe të lehtë.

Veprat[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Euzebi dhe Jeronimi thonë se Teofili ka shkruar shumë vepra, ndër to edhe atë kundër Marcionit (me këtë vepër shërbehen edhe Tertuliani dhe Ireneu) dhe Hermogenin, vepër e cila i shërben edhe Tertulianit për veprën e tij Adversus Hermogenum, dhe disa komente.

Teofilit i janë ruajtur tri vepra: a) Ad Antolicum (apologji në tri vëllime, të cilat janë të kryera rreth vitit 180). Antoliku ishte një intelektual pagan, i edukuar në frymën helenistike, ndoshta ishte qeveritar dhe shok i Teofilit. Në pjesën e parë Teofili përgjigjet në pyetjet e Antolikut mbi natyrën dhe njohurinë e Zotit, duke thënë se Zotin nuk mund ta shohim me sy fizikë, por me sy të fesë, me sy të shpirtit. Për ta njohur dhe për ta parë Zotin kërkohet pastërtia e shpirtit. Ne Zotin do ta njohim plotësisht në të ngjallurit e korpit. Në fund fletë për padrejtësitë, të cilat u bëhen të krishtërëve nga paganët. Në pjesën e dytë po ashtu përgjigjet në pyetje tjera të shokut të vet. Teofili kritikon mitologjinë pagane dhe gabimet në të cilat kanë rënë shkrimtarët dhe filozofët paganë. Këtu Teofili mundohet të shtjellojë Shkrimin shenjt: Zanafillën – mëkatin e Adamit dhe historinë e njerëzve të parë, deri tek kulla e Babelit. tek ai moment kur Zoti i perzien gjuhët (kapitulli 33). Kështu përgjigjet edhe në pjesën e tretë. Flet mbi zanafillën e krishterimit dhe mbi librat e shenjtë të tij. Në fund e bën një kronologji në të cilën argumenton lashtësinë e Moisiut dhe të profetëve karshi shkrimtarëve dhe filozofëve paganë, të cilët nuk i çmon as ata as mësimet e tyre, duke i konsideruar si të gabuara. Nga fillimi i botës e deri tek Mark Aureli numëron 5695 vite. Krishti, thotë, lindi në vitin 5500 nga fillimi i botës. Moisiu shkruan rreth një mijë vite para luftës së Trojës.

Mësimet Teofili ishte shkrimtari i parë i Kishës, i cili e përdori fjalën Trias (Trini), që do të thotë se me një emër emërton Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt.

Antropologjia e Teofilit. Teofili mëson se njeriu është i krijuar dhe i vëndosur në lumturi. Njeriu është i krijuar si qenie e mesme: as i vdekshëm as i pa vdekshëm, por i aftë për njërën apo tjetrën anë. Njeriu është i aftë të zgjedhë jetën apo vdekjen. Adami ishte si fëmijë: iu mundësua të përsoset, por ai e përqafoi mëkatin. Mendimet e Teofilit në fund përputhen me ato të Tacianit. Teofili thotë se njeriu i parë ishte fëmijë i paarsyeshëm, ndërsa Taciani thotë se kjo është ramje e një qenie qiellore.

Teofili fillon traditën, të cilën do ta ndjekin Ireneu, Klementi i Aleksandrisë, Tertuliani etj.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

[1]