Venediku në Shqipëri shek.XIV-XV

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Shtrirja e zotërimeve veneciane në Shqipëri[redakto | redakto tekstin burimor]

Pas dështimit të përpjekjeve për të krijuar edhe në Shqipëri një zotërim të vetin në kohën e Kryqëzatës IV dhe shkrirjes së Dukatit venecian të Durrësit, më 1213, Republika e Shën Markut ishte mjaftuar të mbronte interesat e saj tregtarë, duke rënë për këtë në ujdi me sundimtarët e me bashkësitë e qyteteve. Tregtarë venecianë përshkonin me karavane rrugët që lidhnin portet e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit, etj., me viset e brendshme duke çuar e duke tërhequr mallra prej andej. Prania e konsujve venecianë në qendra të tilla, si në Durrës (1249), në Spinaricë (1276) apo në Vlorë (1359), nënvizonte praninë e shkëmbimeve tregtare midis porteve shqiptare dhe Venedikut. Ashtu si në shek. XI, edhe në shek. XIV në Durrës vazhdonte të kishte një koloni tregtare veneciane, të përqendruar në një lagje të veçantë, buzë detit, dhe të organizuar përreth kishës së hershme të Shën Mërisë së Amalfitanëve. Përfaqësuesit e kësaj kolonie, edhe pse nuk gëzonin statusin e qytetarit (civis), kishin statusin e rezidentit (habitator) që u siguronte lirinë e jetës, të pronës, të aktivitetit ekonomik, krahas detyrimeve përkatëse. Në shek. XIV përmenden edhe mjaft fisnikë venecianë nga familje të shquara, si Kontarenët, Maurot, Barbadigot, etj., që kishin blerë toka e bagëti në rrethinat e Vlorës, Durrësit apo Butrintit, duke ngritur aty fermat (casale) të bazuara në shfrytëzimin intensiv të tokës e të bagëtisë.

Në përgjithësi, deri në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XIV, angazhimi i Venedikut në Shqipëri mbeti kryekëput në lëmin ekonomik dhe synonte mbajtjen hapur të arterieve kryesore tregtare, tokësore e detare, dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve venecianë. Venediku s’mund të luante veçse një rol politik të kufizuar edhe për faktin se nga fundi i shek. XII, por veçanërisht në shek. XIV, në Dalmaci e në Shqipëri ushtronte një sovranitet formal mbretëria e Hungarisë, rivale e Venedikut. Interesat hungareze në krejt vijën bregdetare që shtrihej nga Kuarnaro (Istrie) e deri në Durrës u njohën më 1358 dhe u konfirmuan edhe në paqen e Torinos, më 1381. Por shfaqja e turqve osmanë dhe dalja e tyre eventuale në bregdet, rrezikonte të këpuste rrugët tregtare të Venedikut. Një gjë e tillë e bëri të pashmangshëm angazhimin e këtij të fundit në ngjarjet që zhvilloheshin në Shqipëri. Për t’i mbajtur osmanët larg nga qytetet-porte të Adriatikut ose të Jonit, Republika e Venedikut u përpoq të forconte marrëdhëniet me krerët feudalë shqiptarë që kontrollonin rrugët dhe shtigjet që çonin drejt tyre, duke inkurajuar qëndresën e atyre krerëve kundër sulmeve osmane. Në gjysmën e dytë të shek. XIV, sundimtarët shqiptarë Balshajt, Dukagjinët, Zahariajt, Topiajt, Muzakajt, Shpatajt, Zenebishët kishin marrëdhënie të rregullta me Republikën e Shën Markut. Kjo e fundit i kishte shpallur shumë prej tyre qytetarë venecianë dhe u kishte njohur privilegjet që lidheshin me këtë status. Në mjaft raste venecianët i furnizonin zotërit shqiptarë edhe me armë dhe madje me anije luftarake, por kjo vetëm kur bëhej fjalë për mbrojtjen e viseve bregdetare nga sulmet e flotës osmane.

Deri në çerekun e fundit të shek. XIV, Republika e Venedikut ishte mjaftuar me sigurimin e interesave të saj ekonomiko-tregtarë, pa u angazhuar drejtpërsëdrejti në Shqipëri edhe kur për një gjë të tillë pati ftesa nga grupe e bashkësi shqiptare. Kështu, në vitin 1350, bashkësia qytetare e Durrësit, ku një rol të madh luanin tregtarë e sipërmarrës të lidhur ngushtë ekonomikisht me Venedikun, i kërkoi këtij të fundit ta merrte në dorëzim qytetin. E ndërgjegjshme se një hap i tillë ishte i parakohshëm, pasi do ta fuste atë në konflikte me fuqi të tjera të interesuara, si Mbretërinë e Napolit, mbretërinë serbe apo atë hungareze, Venediku nuk e pranoi në atë rast ofertën. Por situata e re e krijuar pas betejës së Fushë-Dardanisë (1389), kur ushtrive osmane iu hap rruga drejt viseve bregdetare, e bënte të domosdoshme për Venedikun shtënien në dorë të qendrave kryesore bregdetare për të shmangur daljen në det të osmanëve dhe për rrjedhojë, paralizimin e trafikut detar përgjatë brigjeve shqiptare. Kjo politikë e re e Venedikut në Shqipëri favorizohej tashmë edhe nga fakti se mjaft sundimtarë shqiptarë, të pafuqishëm ndaj sulmeve osmane, tregoheshin të gatshëm t’ia dorëzonin atij pjesërisht ose tërësisht zotërimet e tyre kundrejt kushtesh krejt të favorshme për këtë të fundit. Në vitin 1386, pasi mori Korfuzin, Venediku ishte tashmë i pranishëm në truallin shqiptar duke shtënë në dorë, në marrëveshje me Gjon Zenebishin, sistemin e fortifikuar të Butrintit e të Ksamilit, me rëndësi thelbësore për kontrollimin e Kanalit të Korfuzit.

S’ka dyshim që në qendër të planeve veneciane në Shqipëri qëndronte qyteti i Durrësit, avantazhet strategjike dhe ekonomike të të cilit venecianët i njihnin mirë. Që në maj të vitit 1387 princi Karl Topia, i ndodhur nën presionin e vazhdueshëm të sulmeve osmane, i propozoi Republikës lëshimin e Durrësit kundrejt një shpërblimi dhe një lejeje për t’u vendosur në kolonitë veneciane të Kretës ose të Negropontit (Eube). Në atë rast Venediku i qëndroi besnik politikës së tij të shmangies së hyrjes në konflikt drejtpërdrejt me osmanët, ndaj e refuzoi butësisht ofertën e Karlit, edhe pse i premtoi ndihmën e vet ushtarake. Por vetëm një vit më vonë situata e Durrësit ishte bërë aq e brishtë, saqë Senati i Venedikut mori vendim që qyteti të shtihej në dorë sapo të shihej se rrezikohej të binte në duar të osmanëve. Projekti parashikonte si dorëzimin vullnetarisht të qytetit nga ana e Gjergj Topisë (Karli ndërkohë kishte vdekur), ashtu dhe marrjen e qytetit jashtë vullnetit të tij, në bashkëpunim me qytetarë durrsakë, përkrahës të Republikës. Fillimisht, Gjergj Topia u bind që t’u lëshonte venecianëve kullën e poshtme të qytetit, atë pranë portit. Por në prill të vitit 1392, i ndodhur sa nën presionin e osmanëve, aq edhe të përfaqësuesve më të lartë të parisë durrsake, përfshirë dhe kryepeshkopin Dhimitër Nesha, të cilët kishin rënë në ujdi me Venedikun, Gjergj Topia nënshkroi aktin e dorëzimit të krejt qytetit Republikës së Shën Markut. Më 1393 vëllezërit Progon e Tanush Dukagjini i kaluan Venedikut kështjellën e tyre të Lezhës.

Në dhjetor 1395 një tjetër sundimtar shqiptar i ndrydhur nga osmanët, Gjergji II Strazimiri Balsha, i ofroi Venedikut qytetet bashkë me territoret e Shkodrës e të Drishtit. Marrëveshja u nënshkrua në pranverën e vitit 1396 e në bazë të saj Balsha i lëshonte Venedikut, kundrejt shpërblimit dhe kushteve të tjera, qytetet e Shkodrës, të Drishtit, të Shasit e të Dejës, bashkë me rrethina. Me këtë rast Gjergj II Balsha bashkë me trashëgimtarët e tij pranoheshin në Këshillin e Madh dhe në radhët e fisnikërisë veneciane. Më 1395 Venediku u mori Balshajve qytetet e Ulqinit, Tivarit e të Buduës.

Përsa i përket Vlorës, sundimtarja e saj Komnenë Balsha, e veja e Balshës II, i kishte propozuar që më 1386 Venedikut dhënien e qytetit, bashkë me kështjellat e Kaninës, Himarës dhe të Pirgut (në derdhje të Semanit). Besnik ndaj politikës së tij të mosangazhimit aty ku nuk e gjykonte të domosdoshme, Venediku nuk e pranoi ofertën as të Komnenës dhe as të pasardhësve të saj, Merkshës e Ruginës. Zotërimi i Durrësit dhe i Butrintit konsiderohej i mjaftueshëm për të kontrolluar krejt krahun jugor të bregdetit shqiptar.

Nga ana tjetër, duke ditur interesimin e jashtëzakonshëm të osmanëve për këtë qytet, venecianët e dinin se shtënia në dorë e tij do ta ndërlikonte Republikën në konflikte të pashmangshme me osmanët. Ndaj për Vlorën u zbatua një politikë tjetër: të pritej derisa qyteti të pushtohej nga osmanët e mandej t’u kërkohej këtyre blerja e tij qoftë edhe me një çmim më të lartë nga sa ofronin zotërit e ligjshëm të saj. Por llogaritë e Republikës në këtë pikë nuk dolën, pasi me të pushtuar Vlorën e Kaninën në qershor të vitit 1417, osmanët treguan se jo vetëm nuk kishin ndërmend t’ia shisnin atë Venedikut, por e kthyen në bazën e tyre kryesore detare nga ku kontrollonin lundrimin në Adriatik dhe nga ku filluan të përgatisnin invazionin e Italisë.

Disa vjet pas marrjes së Butrintit (1386), duke shfrytëzuar vështirësitë e zotërve Zenebishi e Shpata, Venediku shtiu në dorë në bregdetin e Vagenetisë (Çamërisë), edhe skelat e Sajadhës, Pargës, Fanarit, si dhe portin e rëndësishëm të Naupaktit (Lepantos) në gjirin e Korintit.

Në këtë mënyrë, Venediku realizonte një synim që kishte qenë në themel të politikës së tij qysh nga koha e Kryqëzatës IV (1204): shtënien në dorë të porteve e të skelave kryesore përgjatë vijës bregdetare për të siguruar kontrollin e rrugëve detare drejt Lindjes. Megjithatë, realizimi i këtij synimi bëhej në kushtet kur osmanët po ushtronin trysni gjithnjë e më të madhe në këtë krah. Venediku nuk ishte në gjendje t’u bënte ballë sulmeve osmane kundër kështjellave të tij. Për këtë qëllim, ai u mundua të nxiste, pa rënë në sy, qëndresën e krerëve shqiptarë, që zotëronin territoret midis bazave osmane në Maqedoni dhe zotërimeve veneciane të bregdetit. Në fillim të shek. XV, ndër klientët e Venedikut numëroheshin Cërnojeviqët (Gjurashët), Hotët, Tuzët, Bitidosët, Jonimët e Zaharitë e Gentës, Dushmanët e Pultit, Gjon Kastrioti e Niketë Topia në Shqipërinë Qendrore, Teodor Muzaka i Beratit, Gjon Zenebishi i Gjirokastrës e Muriqi Shpata i Artës. Në këmbim të ruajtjes së shtigjeve, që lidhnin bazat osmane në Maqedoni me viset bregdetare, Venediku u ofroi krerëve të mësipërm provizione në të holla, tituj fisnikërie, prona dhe strehim në zotërimet e veta në rast të pamundësisë për të qëndruar më në tokat e veta. U premtoi gjithashtu përfshirjen e tyre në çdo traktat paqeje, që eventualisht do të nënshkruante me osmanët, premtim që nuk e mbajti kurrë. Në fakt, në vend të politikës së konfrontimit me osmanët, Republika e Venedikut filloi të zbatojë gjithnjë e më shumë politikën e ujdisë me ta, aq më shumë kur pas disfatës së Ankarasë, më 1402, osmanët në paqet veneto-osmane të viteve 1411, 1430 apo 1446, treguan gatishmëri për t’u njohur venecianëve zotërimet në Shqipëri. Pikërisht atëherë, Republika e Venedikut dhe qeveritarët e saj në Shqipëri jo vetëm u pajtuan me pushtimin e Krujës, Vlorës, Beratit e të Gjirokastrës nga osmanët në vitet 1415-1418, por filluan edhe ta shkurajojnë qëndresën e krerëve shqiptarë, duke i këshilluar ata të mos ndërmerrnin sulme kundër këtyre të fundit. Në korrik të vitit 1433 Republika i porosiste shkoqur qeveritarët venecianë në Shqipëri që të anullonin marrëveshjet me cilindo princ shqiptar, i cili ngrihej kundër osmanëve dhe despotit serb Stefan Llazareviç, me të cilët Venediku ishte tashmë në paqe. Ky qëndrim i ri i Venedikut çoi në acarimin e marrëdhënieve me krerët kryesorë shqiptarë, si Balshajt, Dukagjinët, Topiajt, Kastriotët etj. Madje, puna arriti deri aty saqë qeveritarët venecianë të paguanin komandantët osmanë për të goditur “aleatët” shqiptarë, që shpeshherë gëzonin edhe të drejtën e qytetarisë veneciane. “Venecianët e kontrollojnë gjithë Arbërinë me anë të turqve” raportonin në tetor të vitit 1422 të dërguarit e Raguzës. Dhe duke iu referuar politikës pa moral e pa parime të Republikës së Shën Markut në Shqipëri, shtonin: “Gjithë bota e di se sa zgjatin miqësia dhe premtimet e venecianëve”. Këta e treguan këtë qëndrim edhe në rastin e nënshkrimit të paqeve të sipërpërmendura me osmanët, ku në kundërshtim me sa kishin premtuar vazhdimisht, nuk i përfshinë aty krerët shqiptarë deri atëherë “klientë” të Venedikut. Në këtë mënyrë shqiptarët mbetën vetëm përballë hakmarrjes së osmanëve.

Qytetet shqiptare nën administratën e Venedikut[redakto | redakto tekstin burimor]

Ndikimi i madh që Venediku ushtronte prej shekujsh në jetën ekonomike e kulturore të qyteteve bregdetare shqiptare, e lehtësoi kalimin e këtyre të fundit nën sundimin e tij. Në Durrës, Lezhë, Shkodër, Ulqin e në Tivar kishte grupe të tëra shoqërore që ishin të lidhura ngushtë me Venedikun. Këta mund të ishin tregtarë, pronarë anijesh, detarë, artizanë. Por rrethi i marrëdhënieve me Venedikun përfshinte gjithashtu edhe sektorë të popullsisë joqytetare, fisnikë dhe bujq, sidomos të rrethinave, që eksportonin produktet e tyre në Venedik, ose që garantonin lëvizjen e tregtarëve venecianë në brendësi të vendit. Republika diti të tërhiqte në orbitën e vet edhe mjaft fisnikë të vegjël rrotull qyteteve, të cilëve u paguante provizion të përvitshëm në këmbim të sigurimit të qetësisë në rrethinat dhe në vetë qytetet. Në shek. XIV elementë të veçantë të parisë së qyteteve bregdetare, por edhe të aristokracisë së tokës, kishin fituar qytetarinë veneciane, madje ndonjëri kishte arritur edhe të pranohej në Këshillin e Madh të Republikës. Pas tyre kishte edhe shumë të tjerë, kryesisht tregtarë e artizanë, që gëzonin privilegje të veçanta dhe që, siç thuhej, “e mbanin veten për venecianë” (pro Veneto expediantur). Në mjedise të tilla Venediku gjeti mbështetjen e tij shoqërore para dhe gjatë sundimit të tij në Shqipëri.

Republika e Venedikut e realizonte qeverisjen në zotërimet e saj shqiptare me anën e nëpunësve të dërguar enkas nga Venediku (rektorët). Një flotë e posaçme bënte roje të përhershme pranë brigjeve shqiptare, e gatshme të ndërhynte sa herë që cenoheshin interesat e Venedikut. Bajl-kapedani i Durrësit dhe kont-kapedani i Shkodrës, ishin funksionarët e nivelit më të lartë në Shqipëri. Nën urdhrat e tyre ishin një numër zyrtarësh të tjerë, si komandanti i kështjellës (castellanus), komandanti i flotës lokale (admirali), komandanti i trupave të kalorisë (comestabilis), ruajtësi i thesarit (camerarius), gjykatësi (magister iuratus), sekretari (cancellarius). Në Drisht autoriteti më i lartë venecian ishte podesta, kurse në Lezhë kështjellari. Në rastet kur vendi i qeveritarit në një qytet të caktuar mbetej i zbrazët, Venediku dërgonte aty proveditorët, funksionarë me një mandat të kufizuar. Konsujt venecianë, që vepronin si përfaqësues tregtarë dhe shpesh si informatorë, vepronin prej kohësh në qytetet kryesore dhe që luajtën rol të rëndësishëm në përgatitjen e kushteve për kalimin e këtyre qyteteve nën flamurin e Venedikut, në mjaft raste morën poste të rëndësishme në administratën veneciane. Qendra i çmonte veçanërisht njohuritë dhe lidhjet e tyre me vendin dhe me njerëzit. Në kushtet e zhvillimit të invazionit osman, Venediku ishte tejet i interesuar që në zotërimet e tij shqiptare të ruhej paqja shoqërore. Një gjë e tillë parakuptonte pjesëmarrjen e aristokracisë qytetare në qeverisje, si dhe njohjen e strukturave dhe të institucioneve tradicionale bashkiake, gjë që binte ndesh me interesat e Venedikut. Në fakt, institucionet bashkiake, siç qe, p.sh., ai i magister iuratus, i kancelarit apo i admiralit në Durrës, ose u uzurpuan nga shtetas venecianë, ose u dubluan apo u zhvleftësuan, duke iu nënshtruar vullnetit të qeveritarit. Megjithëse në çastin e marrjes në dorëzim të qyteteve shqiptare, Republika e Venedikut u kishte premtuar bashkësive vendase se do të respektonte ligjet dhe doket e vjetra të vendit, administrata veneciane nuk vonoi të krijojë pakënaqësi e të bjerë në konflikt me popullsinë vendase. Në Durrës, Shkodër, Drisht, Ulqin e në Tivar qeveritarët venecianë shpërfillnin statutet e vendit dhe udhëhiqeshin nga praktika koloniale. Qytetarët duhej të kryenin një sërë shërbimesh e punësh angari për shtetin venecian, të punonin për meremetimin e mureve të qytetit, shpeshherë duke e paguar me shpenzimet e veta lëndën e parë të ndërtimit dhe duke e transportuar po vetë në vendin e duhur. Me shërbime dhe angari të tilla ngarkohej edhe popullsia e fshatrave përreth, nën juridiksionin e kështjellave.

Qytetarët detyroheshin gjithashtu të kryenin shërbimin e patrullimit të qytetit dhe të rojes në portat e tij, me kohëzgjatje e kushte mjaft më të rënda nga ç’e përcaktonin këto shërbime statutet e qytetit. Këto të fundit përcaktonin gjithashtu që qytetarët të kryenin shërbime të caktuara ushtarake, por vetëm brenda qytetit, megjithatë qeveritarët venecianë nuk ngurronin të nxirrnin trupat vullnetare të qytetarëve edhe jashtë. Qeveritarët venecianë abuzonin me statutet deri në atë masë saqë në Drisht, p.sh., ua kërkonin kryerjen e shërbimit të rojës edhe klerikëve, gjë që ishte në kundërshtim flagrant me dispozitat statutore të atij qyteti. I vendosur në politikën e tij për t’i mbrojtur zotërimet e veta në Shqipëri me sa më pak shpenzime e forca, Venediku u mundua të përfshinte në sistemin e mbrojtjes së qytetit edhe krerët feudalë të rrethinave, duke i bërë këta për vete me të holla e privilegje. Ruajtja e Durrësit dhe e prapatokës së tij mbështetej së shumti edhe në aleancat me krerë nga familjet fisnike Topiaj, Skurraj, Muzakaj etj. “njerëz me pushtet e fuqi të madhe ushtarake”, të cilëve Venediku u paguante provizion të përvitshëm, u akordonte liri e privilegje të veçanta dhe u lejonte hyrje-daljen e lirë në qytet, ndërkohë që përgjithësisht zotërit feudalë shiheshin si rrezik për qytetet në fjalë. Në zonën e Shkodrës, ku vazhdonte të mbijetonte një shtresë e fuqishme proniarësh, qeveritari venecian arriti të sigurojë një mbështetje të rëndësishme shoqërore, për sa kohë mundi t’i bëjë për vete ata. Por, edhe pse u pranua si një alternativë e pushtimit osman, në përgjithësi sundimi i Venedikut në qytetet shqiptare dhe rrethinat e tyre u shoqërua me pakënaqësi, konflikte e deri kryengritje të vendasve, siç qenë ato të viteve 1399, 1405, 1410 e 1418-1419. Në sfond të tyre qëndronin arsye të ndryshme, por ato ekonomike zinin vendin qendror. Republika e Venedikut parashikonte që barra e shpenzimeve për mbrojtjen e bregdetit shqiptar nga rreziku osman të përballohej me burimet e vendit, ndaj që në fillim ajo nxitoi t’i shtjerë në dorë këto burime. Nën administrimin e drejtpërdrejtë të qeveritarëve venecianë kaluan të ardhurat nga taksat, doganat, tregjet, peshkoret, dajlanet, kriporet, që shpesh u jepeshin në sipërmarrje personave të veçantë, kryesisht shtetas venecianë, të cilët prireshin t’i rrisnin ato duke rënduar popullsinë vendase. Të ardhura të mëdha Venediku nxori nga vendosja e monopolit të vet mbi produkte të caktuara shqiptare, siç ishin drithërat dhe kripa. Lidhur me drithërat, tregtimi i tyre u orientua kryekëput drejt tregut venecian. Akoma më i rreptë ishte kontrolli që Venediku vendosi mbi kripën. Ai përfshinte edhe prodhimin e saj. Republika e ndaloi në mënyrë kategorike ndërtimin e kriporeve dhe prodhimin e kripës nga sipërmarrës privatë shqiptarë. Tregjet shqiptare, nga Tivari deri në Pargë e në Prevezë, duhej të furnizoheshin me kripën e prodhuar në kriporet e Sinjorisë në Korfuz e në Durrës, kuptohet me çmime të caktuara nga shteti venecian. Edhe ky monopol venecian mbi tregtinë e kripës u bë burim konfliktesh të ashpra me bashkësitë shqiptare dhe me mjaft krerë shqiptarë, të cilët e konsideronin kripën një burim të rëndësishëm të ardhurash: “kripa është buka ime”, do t’i shkruante më 1401 Gjon Zenebishi senatit të Venedikut, duke shtuar se midis tij dhe Venedikut do të mund të kishte paqe e mirëkuptim vetëm në rast se ky i fundit hiqte dorë nga përpjekjet për të shtënë në dorë ose për të shkatërruar kriporet e tij të Sajadhës, në Çamëri.

Gjithsesi, bashkësitë qytetare e fshatare shqiptare që hynë nën sundimin e Venedikut kishin shumë arsye për të qenë të pakënaqura nga qeverisja e tij. Kjo pakënaqësi pasqyrohet në ankesat e shumta që ato bashkësi i drejtuan pushtetit qendror venecian, ku demaskoheshin arroganca dhe praktikat shfrytëzuese të qeveritarëve venecianë në Shqipëri. Shpeshherë pakënaqësia ndaj qeverisjes shpërthente në formën e sulmeve e të raprezaljeve kundër zyrtarëve e shtetasve venecianë apo deri edhe në kryengritje të vërteta popullore. Këto fitonin më shumë mbështetje, kur drejtoheshin nga fisnikë po aq të pakënaqur vendas. Kështu ndodhi në kryengritjet e viteve 1399, 1405, 1410 e 1418-1419 në trevat veriperëndimore të udhëhequra nga Balshajt, që e rrezikuan seriozisht sundimin venecian dhe që përfunduan edhe me humbjen e përkohshme të qyteteve të Shkodrës, Drishtit, Ulqinit e të Tivarit.